E premte, 02.05.2025, 02:48 AM (GMT+1)

Mendime

Dukagjin Hata: Rrethi i mbyllur i të keqbërjes

E marte, 27.05.2014, 07:58 PM


Rrethi i mbyllur i të keqbërjes dhe reagimi qytetar

Nga Dukagjin HATA

Historia e tranzicionit shqiptar është një histori e mbushur me ankth dhe ndalesa kolektive, ku ndër aspektet më të devijuara e më problematike janë ato që lidhen me dhunimin e lirive dhe të drejtave njerëzore nga bota e krimit. Ngaqë gjatë këtyre njëzet e tre viteve ligji dhe e drejta jo gjithmonë kanë shkuar në të njëjtin krah, ka pasur shumë dëshpërim të individëve, që duke u përballur me keqbërësit janë ndier të braktisur nga shteti dhe shoqëria. Sidomos të cenuara kanë qenë liritë dhe të drejtat e të miturve, adolishentëve, të rinjëve dhe femrave, që  janë bërë viktima të abuzimeve seksuale, trafikimit, pengmarrjes për llogari të grupeve të keqbërësve dhe trafikantëve të ndryshëm. Në gjithë këtë histori ku shembujt janë aq të shumtë sa është e pamundur të rreshtohen në një shkrim, duhet veçuar një dukuri alarmante: instiutcionet e antikrimit, në një  mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë gati të paralizuara, të mpira e pa vetëdije të plotë veprimi kundër këtij dimensioni agresiv që ushtrohet ndaj shoqërisë së brishtë shqiptare. Çuditërisht, sa më shumë zhvillohet teknologjia dhe sofistikohet praktika e antikrimit, aq më shumë del në pah dhe evidentohet keqbërja, vrasjet, rrëmbimet, pengmarrjet, trafikimi, rrethimi i të drejtave qytetare me ndalesa të dhushme, gjithësesi të pajustifiklara për një shoqëri të hapur, që synon të arrijë në kuotat e niveleve europiane, si në të gjitha drejtimet, edhe në atë të rendit dhe stabilitetit të jetës qytetare.

Platforma poltike, ekonomike, morale dhe shpirtërore e Rilindjes, që synon të vë në efiçensë shpirtin aktiv të progresit tonë kombëtar, si në të gjitha fushat, edhe në atë të rendit publik dhe stabilitetit qytetar të këtij vendi, po bën tentativa serioze për të bllokuar botën e krimit, por tentakulat e tij janë ende të forta dhe duhet një punë e madhe, e përçdoçastshme dhe jo me fushata, për ta frenuar dhe më në fund për ta gjunjëzuar atë.

Sot shoqëria shqiptare, për fat të keq, ende vazhdon të ndodhet në një udhëkryq të trishtë, për shkak të trashëgimisë së botës kriminale si pasojë e pandëshkueshmërisë institucionale, e mundësive të kufizuara të institucioneve të ligjit për të frenuar, bllokuar apo më së paku tkurur përmasat e krimit, që po bën kërdinë.

Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshpejtuar tempin kriminal, duke e kthyer zejen e keqbërjes në një mjet për përligjien e botës së krimit. Shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e krimit- sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një “normalitet të sëmurë” në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh".

Krimi në Shqipëri është cilësuar nga ekspertë e sociologë të ndryshëm si një fenomen gjithnjë e në rritje. Me kalimin e viteve ai është kthyer në një fenomen që dominon shoqerinë shqiptare që në themelet e saj.Vendi ynë goditet thuajse çdo ditë  nga krimi i rrugës, krimi i organizuar dhe ai në familje.

Rastet e vrasjeve të disa biznesmenëve të njohur, me sipërmarrje të mëdha, ku ishte implikuar një vrasës me pagesë etj., janë një dëshmi e fortë për ekzistencën e rrënjëvë të fuqishme kriminale që ekzistojne në vendin tonë. Krimi në familje është gjithashtu një fenomen i përditësuar me një numër të lartë viktimash.Statistikat e viteve të fundit tregojnë për një realitet të frikshëm të cilin e jetojmë në heshtje pa mundur të bëjmë dicka.Shifrat e tre viteve te fundit tregojnë për një rritje të nr të krimeve që janë kryer në vendin tonë, pa marre parasysh nr total të të dhenave të cilat nuk publikohen nga insitucionet shteterore.Kështu  në Tiranë prokuroria për vitin 2013 ka raportuar 6587 vepra penale, ndërsa policia 4901.

Por, përpos ngjarjeve kriminale që kanë të bëjnë me rrëmbime e zhdukje të njohura të miturish, fëmijësh,  adolishentësh, femrash, pjesë e rrjeteve mafioze të trafikimit dhe pengmarrjes për qëllime mafioze, ka mjaft ngjarje që kanë kaluar pa shumë bujë, për shkak të frikës së familjarëve për fatin e fëmijëve të tyre. Me 18.11.2013 i riu Rind Syziu, teksa pati parkuar makinën tek Caza Italia, dhunohet fizikisht me pistoletë në kokë nga dy persona, si presion dhe hakmarrje ndaj të atit, punonës në sektorin e antikrimit. Me 26 korrik 2012, ndodh një rrëmbim i rrallë: Agim Biberajt, i datëlindjes 4.11.1962, i rrëmbejnë djalin dhe ky rrëmbim bëhet nga prindërit e tij, si presion për faktin se ai qe martuar pa dëshirën e tyre me një nuse katolike, me Flora Mandreaj, me të cilën kishin një djalë. Ata e mbajnë nipin e tyre katër ditë peng dhe vetëm falë ndërhyrjes së policisë ai do të shpëtonte nga duart e pengmarrrësve, që në këmbim të lëshimit të të miturit, kishin kërkuar një shumë ta madhe parashë. Këto krime, pjesë e krimit të rrugës, janë pjesë e një psikologjie ku reagimi qytetar është në kuota të ulëta; lypset që ky reagim të jetë një këmbanë që të ushtojë fort dhe të shkund nga themelet ngrehinën e keqbërjes në këtë vend.

Sipas një raporti amerikan për sigurinë dhe stabilitetin në Shqipëri, aktiviteti kriminal në vendin e shqiponjave është rritur në përgjithësi, siç pasqyrohet në rritjen e vrasjeve të regjistruara dhe plaçkitjeve të armatosura, ku më së shumti veriu i Shqipërisë ka një përqindje më të lartë të krimeve me armë.

Një tjetër pikë shqetësuese, për ata që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri mbetet pasiguria e fëmijëve, ngujimi për gjakmarrje i të miturve dhe grave, dhuna fizike, psikike dhe abuzimet seksuale, Ky raport sugjeron që prindërit të bëjnë më së shumti kujdes gjatë orëve të vona duke shmangur lëvizjet e në veçanti shmangien e frekuentimit të lokaleve të natës të shoqëruar me fëmijë, pasi shpesh herë konflikte të lindura midis klientëve përfundojnë deri në përdorimin e armëve dhe viktimat më së shumti janë fëmijët dhe adolishentët.

A nuk ka ardhur koha për një platformë shteruese antikrimi, për të mbrojtur realisht  jetën dhe shëndetin fizik e psikik të të miturve? Po kush duhet ta bëjë këtë dhe sa duhet të zgjasë kjo gjysëmheshtje dhe apati institucionale?

Botës së krimit i duhet treguar vendi dhe kjo nuk mund të ndodhë me fjalë të bukura e citate, as me fushata e slogane, por me një aksion konkret gjithëkombëtar, ku të shkrihen në një organet e rendit e të drejtësisë, shoqëria civile dhe krejt shoqëria jonë që duhet të reagojë në mënyrë qytetare ndaj këtij devijimi të rëndë social. Shoqëria shqiptare, nuk mund të ndahet nga ky tranzicion i zymtë, që arriti kulmin gjatë tetë viteve të qeverisjes së djathtë, pa siguruar një mbrojte reale të të miturve, grave dhe qenieve të dobëta, pasi në Europë nuk shkohet me rrëmbime, penmgmarrje, vrasje mafioze e trafikime të gjithëfarshme, por me rend, qetësi e stabilitet për të gjitha shtresat e shoqërisë, për të gjithë individët e kësaj shoqërie.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx