E shtune, 25.01.2025, 05:37 AM (GMT)

Mendime

Ramiz Lushaj: Kush ia shkel syrin Hashim Thaçit?

E diele, 08.06.2014, 06:33 PM


KUSH PO IA SHKEL SYRIN HASHIM THAÇIT?!

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Prej ditësh po lodron në Kosovë thania turrece sikur “dikush”(!) ia paska shkel syrin Hashim Thaçit për me u riciklue në pushtet (larg)koft edhe me “vota të vjedhuna”(!) Sigurisht, këto janë thaçmet e fundit të betejës politike të Thaçit, i cili prej nesrit do të jetë ish e ndoshta “ysh” kryeministër i Kosovës.

Gjithkahit u fishnue e u përhap fjala për fitore të Thaçit me nji hajni “me liçensë”(!) të pushtetit politik. Po kjo, në mënyrën e vet dhe në kohën e vet, u përgenjeshtrue haptas e qartë nga vet bota euro-atlantike. E, kësisoj, Thaçi është tue u (vet)rrgall e prrallë keqas në rrugën pakthim drejt e në opozitë.

2.

Kit’ të premte të fundit elektorale ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson, në emisionin “Rubikon” të RTK, dijenoi se “SHBA nuk kanë asnjë preferencë për parti a lider në zgjedhjet e 8 qershorit”. Sigurisht as për partinë në pushtet, për LDK e për Thaçin. Për ma tepër, SHBA, kumton për politikën e Kosovës: “Ne kërkojmë vetëm zgjedhje të lira dhe demokratike”. Përndryshe, shkelqësia e saj, Jacobson, përtej të zakonshmes, me diplomaci të hapur, deklaron: “Nuk është e vërtetë se ne do t’iu tregojmë njerëzve se për këtë do të votojnë”. Gjithësesi i (ri)thot’ stop keqpërdorimit të “Kartës Amerikane” në Elektoriadën e Qershorit. Natyrisht ky mesazh ma shumë se i nevojshëm vlen edhe për Thaçin.

Ambasadorja amerikane, Jacobson, në qëndrimin e saj vargavijë nyjton faktin se SHBA dëshiron të bashkëpunoj me një qeveri “që nuk vjen nga vota e manipuluar” dhe “me një qeveri që merren vesh”. Midis rreshtave lexoj kështu: Kurrkush nuk mund të prekin shenjtërinë e votës të 8 Qershorit. Një qeveri si e Thaçit, e mbytur në korrupsion të egër, ajzberig, oktapod, nuk mundet e nuk duhet lejue kurrsesi që t’i marrin zgjedhjet me korupsion politik kurrfarë sojit, as ta kthejnë votën në biznes të ditës, as ta nxjerrin pushtetin në ankand mafioz. Miku i madh, i kahershëm e i përjetshëm i Shqiptarëve, senatori amerikan Eliot Engël, e përcjell nga Amerika mesazhin e tij “besoj që zgjedhjet do të jenë të lira, transparente dhe të drejta". Kjo është lutje, dëshirë e provë nga të gjithë e për të gjithë

E sa për të marrunit vesh po mendoj se dihet haptas, ballas. Është PDK, parti që “u  paralizua nga lufta ndërklanore” prej sherrnajës së korrupsionit, etj.  Përndryshe, do të thosha se PDK e skalitun si “parti civile e UÇK”-së po shkalafitet nga “thaçëri” e “kopukëri”, etj. E, tashti, më 8 qershor, ka me iu shterrë energjia e gjenerueshme, ka me i ra “automati elektoral”, ka me mbetë në opozitë zhagitëse, pasi ka nevojë për kurë demokratike e për një meny politike ma ndryshe.

3.

“Mbretëresha pa kurorë” e Europës së sotme, Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë, kryefuqisë europiane, njëherash kryetare e Unionit Kristiandemokrat Gjerman, më 6 maj, ia ka çue një letër mbështetëse kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, tue fol troç e botnisht: “Unë ju dëshiroj një rezultat të mirë në këto zgjedhje”. Pse thotë kështu? E shpjegon vet madhështia e saj, Merkel, ashtu shkurt, krejt qartë. E para: kumton se “LDK e ka fuqinë për t'i ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe për të kontribuar zhvillimin pozitiv të Kosovës”, për të ecë në “rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”, për hapjen e “vendeve të reja të punës”, për të krye “reforma energjike”, etj. E dyta, kjo tejet e randësishme: “Zonja e hekurt”, Merkel, e sheh LDK-në si të vetmen alternativë e perspektivë për integrimet euro-atlantike të Kosovës. Përndryshe, si e thekson thuktë e tekstualisht vet Merkel në letrën e saj: “integrimi i Kosovës në bashkësinë e shteteve europiane, është perspektiva e të ardhmes. LDK përfaqëson këtë perspektivë”.

Zëvendëskancelari e ministri i Financave i Austrisë, Mihael Shpindeleger, njëherash edhe kryetar i Partisë Popullore të Austrisë, më 4 qershor, i përcjell një letër kreut të LDK-së, Isa Mustafa. Ai përcakton dukshëm: “Kosova ka nevojë për më shumë ndryshime dinamike”. Kuptohet: kësisoj, ai shprehet se “beson fuqishëm” tek fitorja e LDK. Pse? Kjo për faktet se Isa Mustafa si kryeministër dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në mazhorancë “kanë një program të shkëlqyer dhe idetë më të mira për reformat e nevojshme në Kosovë”. Dhe, tjetra, kjo tejet kryesore: “LDK-ja ka një traditë të gjatë dhe të suksesshme dhe një histori të besueshme, si themele të forta për reformat e nevojshme dhe progresin ekonomik”.

4.

Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Xhozef Dol, nëpërmjet një letre mbështetëse për LDK  shprehimon bindje e siguri se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, do t'i fitojë zgjedhjet e së dielës për ta zhvilluar dhe integruar Kosovën në familjen evropiane, duke e cilësuar atë si “pasardhësi i denjë i presidentit Rugova”.

Akademiku Isa Mustafa, kandidatura e LDK-së për kryeministër pas 8 qershorit, duket se është i preferuar si i tillë edhe nga Perëndimi euro-atlantik. Dol, kreu i PPE, i ma të madhit formacion politik në Parlamentin Europian e prognozon liderin Mustafa: “Ju dini t’i tejkaloni ndasitë dhe betejat shterpë për të mbetur të bashkuar. Ju e keni kapacitetin për të dëgjuar dhe forcën për të bindur, gjë që ju bëjnë të jeni njeriu i duhur në vendin e duhur. Të jeni ai  që do ta reformojë Kosovën dhe do ta shpie në pjekuri, që do ta hapë drejt Evropës dhe botës duke e konsoliduar pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare”.

Ndoshta, sipas gjasave, mundet që Isa Mustafa të veprojë si i madhi Ibrahim Rugova, të krijojë një koalicion paszgjedhur me AAK-në, t’ia japin postin e kryeministrit Ramush Haradinajt. Kjo si simbolikë e vazhdimësisë së hershme. Kjo si ekuilibrim politik i forcave politike të sotme të njoftuna si “të Luftës” apo “të Paqes”, etj. E, pas kësaj, ndoshta, akademikun Isa Mustafa e prêt posti i Presidentit të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, për herë të parë në historinë shqiptare do të kemi një kryeministër apo president shqiptar me titullin zyrtar “Akademik”, në rastin konkret:  i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës.

5.

Në përmbyllje të elektoriadës të LDK-së, deputeti i Bundestagut gjerman, Michael Brand, i dërguar i posaçëm i kancelares Angela Merkel, kryetare e CDU, partisë ma të fuqishme në Europë, i sapo ardhun në Kosovë, më 6 qershor 2014, përcjell  mesazhin mjaft domethanës: “Ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë që krimi dhe korrupsioni të vijnë në Evropë. Një gjë është e qartë: ata që nuk e luftojnë korrupsionin dhe krimin i kanë të mbyllura dyert në Evropë”. Gjithçka shihet në dritë të diellit.  Qeveria dhe PDK-në e Thaçit, nuk paska hapa e forcë për integrimet euro-atlantike të Kosovës. Ka krye gjithato zullume në pushtet, thotë një analist. Po komandohet nga shërbimi sekret i luftës e i paqes, shton një tjetër. Disa figura të PDK-së po i pret Gjykata e re Ndërkomëtare e Drejtësisë në Kosovë, plotëson shumkush, etj.

Deputeti gjerman, Brand, i dërguari i kancelares Mërkel, mik i kahershëm i Kosovës, krahasimon kohën e sotme të Thaçit në qeverisje të shtetit të ri të pavarur të Kosovës, me kohën e Rugovës e LDK-së para disa vitesh. Pikërisht në vitet e vështira 1998-1999. Ai kumton me nostalgji e krenari kohën e Rugovës: “I kam parë, përjetuar dhe ndjerë aparteidin dhe shtypjen e përditshme të shqiptarëve...Dhe mund t’ju them se: njerëzit që i organizuan, LDK?ja me Presidentin Rugova, ju këtu në Kosovë dhe qindra mijëra në diasporë: me mjete paqësore, pa korrupsion dhe pa krim bëtë më të mirën që ishte e mundshme dhe reaguat me nder dhe dinjitet ndaj krimeve të Millosheviçit. Ju organizuat shkollat, shëndetësinë dhe ndihmën solidare. Sakrifikuat shumë për të ndihmuar të tjerët. Nuk i mbushët xhepat tuaj, përkundrazi. Me këtë ndryshuat historinë: mundët aparteidin dhe ndërtuat shtetin me mjete paqësore. Kjo rrugë paqësore dhe civile ju solli diçka që nuk mund të blihet me para: shumë respekt në të gjithë Evropën. E gjithë kjo sakrificë nuk meriton të shkojë dëm”.

Sigurisht nuk duhet harruar as ky fakt: Po flet Gjermania, mike e madhe e Kosovës, luftëtare e madhe e lirisë së saj. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ushtarët gjermanë morën pjesë në një luftë, në luftën për çlirimin e mbrojtjen e Kosovës nga Serbia kolonizatore, nga genocidi i përgjakshëm e spastrimi etnik i egër i Millosheviçit. Ka derdh dhe gjakun e bijve të vet, sepse 23 gjermanë kanë dhanë jetën për Kosovën. Gjermania mike, prej se nga “Lufta e Kosovës” (1999) dekterit në ditë të sodit (2014), ka sjellë në Kosovë mbi 120.000 ushtarë. Kaq efektiv nuk i ka as partia e Thaçit, PDK-ja në pushtet qeverisës deri të dielën e 8 qershorit, që siç thotë analisti Skënder Buçpapaj: “bani zullume në pozitë, paftë hajr në opozitë”.

6.

Kit’ mandatin e fundit, Hashim Thaçi, kreu i ekzekutivit e prijtari i mazhorancës, shpeshtas iu ka çakordue busulla diplomatike, jo rrallë iu ngatrruen fishet politike. E hupi rrugën në oborr. E thirrke Erdoganin e Turqisë “vlla”(!) Edi Ramën e deklaronte “shok”(!) Daçiçin e Serbisë në tavolinë, marrëveshje e buzëqeshje e trajtonte si “kushëri”(!) Gjukanoviçin e Malit të Zi e cilësonte “mik”. E, sipas kësaj llogjike: pa gen e cen, pa cak e prag, i (keq)binte që euro-atlantikët në Bruksel e Uashington t’i kishte “kojshi”, etj.(!)

Sikur të mos mjaftonin të tilla luhama e pehama diplomatike e politike, kryesisht në vitet e fundit kryeministri Thaçi me qeverinë e partinë e tij, sipas akuzave në Kosovë e jashtë saj në dy anët e Atlantikut, shumë “asish” e “kësish” pothuaj i kullufiti e katandisi babëzia e korrupsionit dhe u mekën përballë ajzbergit e tërmetimeve të krimit, etj. E keqe e madhe që i manifestonin korrupsionin e krimin, etj. po e keqja edhe ma e madhe që nuk u luftuan ato. E, kësisoj, kështu, si i cekëm edhe ma nelt, Thaçin me qeverinë e partinë e tij nuk e duan në Europë, as në BE, as në NATO, as në KE, etj. pasi nuk duan t’iu shkojnë sëbashku me korrupsionin, me krimin, etj. O njëren, o tjetrën.

Ndaj LDK e Rugovës e Mustafës po merr kaq fort e shumë mbështetje ndërkombëtare, po shihet si e vetmja alternativë e perspektivë për integrimet euro-atlantike të Kosovës e zhvillimet e gjithanshme të saj. Presidenti i PPE, forcës ma të madhe politike në Parlamentin Europian, Zhozef Dol, tue parë dështimin e Thaçit si alternativë të zhvillimit e integrimit të Kosovës iu ban apel “trashëgimtarëve të “Gandit të Ballkanit” dhe “Babait të Kosovës’”, Ibrahim Rugova”, pasi sipas tij e BE, “kjo trashëgimi ka peshë, ka kërkesa dhe detyra të shumta. Por, kjo trashëgimi është edhe bartëse e shpresës”, etj. Historia po thërret në skenë simbolin kombëtar, shenjtërinë e tij, dr. Ibrahim Rugova dhe apostujt e tij, vazhduesit e Kauzës së tij, si lideri i sotëm i LDK-së, akademik Isa Mustafa.

Tashti Thaçi nuk po ka se kujt me ia shkel syrin...As syrin e majtë. As syrin e djathtë. Kurrnjanin. Po as ndërkombëtarët nuk po ia shkelin syrin...(!) Kurrkush. Thaçi ndodhet në vetminë e madhe. Atij po i largohet Europa...dhe Erdogani. Thaçi po i zbret nga shpina pushtetit politik në Kosovë. Për Thaçin e partinë e tij PDK  edhe opozita do të jetë e vështirë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora