Mendime
Idriz Zeqiraj: Ardhsh e mbarë Donika Gërvalla!
E premte, 06.06.2014, 08:20 PM
ARDHSH E MBARË, DONIKË GËRVALLA!
Neideck, duke përcjellur debatet e Donikës
për Kosovën, ka thënë se në Evropë, Amerikë
dhe gjetkë në vendet demokratike, Donikë Gërvalla
do të kërkohej e nderohej.
SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ
Ditë më parë, në shkrimin "Halabak?t e LPK-së po e dështojnë shtetin e Kosovës", në mes tjerash, kam shkruar:
"Fushatës para zgjedhore t`i prijnë kuadrot e guximshëm dhe me integritet. Në ekipet prijëse të fushatës, veç të tjerëve, duhet të jenë edhe veprimtarja shumëdimensionale, Donikë Gërvalla, si përfaqësuese e brezit të harruar, më sakt, të menjanuar, të viteve ` 90-a, të cilët shkëlqyen në rezistencën paqësore dhe e bënë edhe luftën, si dhe të Mërgatës gjysmë-milionshe; dr. Naser Rugova, përfaqësues i rugovistëve të rebeluar, nga devijimi i vijës rugoviane, të grupuar në LDD-e; prof.dr. Fatmir Sejdiu, kuadër i lartë dhe kryetar Nderi i LDK-së; historiani serioz dhe dinjitoz Frashër Demaj; Halil e Fadil Geci, me vëllezër, roje besnike të Presidentit Rugova, me plagë plumbash në trup, në mbrojtje të Kosovës dhe të LDK-së; vëllezërit, djemtë dhe vajzat e viktimave të SHIK-ut terrorist, me shpirt të plagosur dhe zemërplasur përjetësisht; si dhe kuadro të tjerë, rugovistë të rreshkur dhe të sprovuar në veprimtaritë e LDK-së, madje edhe në kohën e dajakut".
Fakte, gozhdim, kurthim i kundërshtarit
Dhe, tani, lexojmë në Facebook të Donikë Gërvallës: "Unë po nisem sot për Kosovë, për të dhënë ndihmën time në fushatën zgjedhore. Do të luftoj jo për vete, por për një të ardhme më të mirë të vendit.
Ka filluar faza finale për ndryshime të vërteta në Kosovë. Korrupsioni dhe krimi duhet të shporren, më në fund, nga politika".
Vërtet, një lajm i mirëseardhur për anëtarësinë numerike të LDK-së. Donika, jo vetëm pse është vajzë e heroit Jusuf Gërvalla, emër i përveçëm në historinë kombëtare, por është edhe kontributi, veprimtaria e saj tej dy dekadave, e dhënë, e bërë për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti.
Janë shumë dhjetra takime, debate dhe intervista, të realizuara me personalitete të qendrave të vendosjes, është zëri dhe fjala e shkruar e saj në mediumet prestigjioze, të zulmëshme ndërkombëtare. Dhe, mënyra e debatimit, të shtrimit të problemit, të ballafaqimit të fakteve dhe gozhdimi, kurthimi i kundërshtarit, në rastin konkret - të pushtuesit serbo-sllav, ka dëshmuar epërsinë absolute të një veprimtarje, në raport me politikanët e stazhionuar, të regjur në qeverisje të Serbisë dhe më gjerë.
Personaliteti botëror, pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë humanitare në vendet në krizë lufte, Norbert Neideck, duke përcjellur debatet e Donikës për Kosovën ka thënë se në Evropë, Amerikë dhe gjetkë në vendet demokratike, Donikë Gërvalla do të kërkohej e nderohej shumë si dhe do të paguhej shtrenjtë, qoftë edhe si këshilltare, ndërkohjë që politikës kosovare i del e tepërt; nuk e angazhojnë këtë veprimtare me përgaditje të lartë politike dhe intelektuale"! Një vlerësim suprem, sa i saktë, aq edhe meritor.
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, muajin e shkuar, mori pjesë në përvjetorin e themelimit të Degës të LDK-së në Zvicër. Në këtë aktivitet kujtese e festimi, mori pjesë edhe Donikë Gërvalla, duke përshkuar rrugën e largët nga Bonn-i gjerman në Zvicër. Veç nderimit për Degën e LDK-së në Zvicër, Donika kishte edhe një arsye të dytë e, ndoshta, primare. Dhe, kjo u hetua kur i bëri pyetjen publike kreut të partisë, Isa Mustafës: "A do të bëni koalicion me partitë e krimit", - me aludimin e hapur për PDK-në dhe AAK-në?
E prerë dhe dinjitoze
Për habinë e të pranishmëve, zoti Isa Mustafa e heshti pyetjen, duke mos dhënë përgjigjen e kërkuar. Dhe, kjo heshtje dëshmon e fakton, njëherësh, dy gjëra: E para, edhe mund të koalicionojë me njërën apo tjetrën dhe, e dyta, pavarësisht kundërshtisë të veprimtarëve dhe të anëtarësisë të LDK-së, unë vendos i vetëm për këto dhe çështje tjera të partisë!
Fort e zhgënjyer nga heshtja e shefit aktual të partisë, me dyshimin e bazuar se strukturat e partisë janë pasivizuar, përgjumur dhe mundur nga kryetari, vajza parimore, deri në skajmëri, njësoj si i ati dikur, e Jusuf Gërvallës, Donika, bëri deklaratën shokuese, goditëse për anëtarësinë:
"Një kandidim i imi në këto zgjedhje në listën e LDK-së është i pamundur. Arsyeja ime për këtë është mungesa e guximit të drejtuesëve të LDK-së, për të përjashtuar qartë dhe me vendosmëri - para zgjedhjeve - çdo kompromis me përfaqësues të krimit dhe korrupsionit nga të gjitha krahët e mundshëm.
Lidhjes Demokratike të Kosovës i uroj sukses në këto zgjedhje. LDK-e, me virtytet që përfaqëson, fuqinë e saj elektorale, potencialin e jashtëzakonshëm në radhët e aktivistëve të saj, por edhe me të gjitha dobësitë që mund të manifestojë, është në rrethanat aktuale megjithatë zgjidhja më e mirë për Kosovën. Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta qeverisë vendin pas datës 8 qershor 2014", - uron dhe shpreson Donikë Gërvalla.
Edhe përmes dhembjes, deri në lotë, e justifikoj, e mirëkuptoj vendimin e bijës të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Gjermanisë - Donikë Gërvallës, e prerë dhe dinjitoze, siç thonë "më bëj baba të të ngjajë".
Interpretimet morën dhenë. Veç tjerash, u përfol, u komentua heshtja e kryetarit si e qëllimshme, si metodë e praktikë e pas epokës rugoviane, për seleksionimin e kuadrove dinjitozë e me integritet të LDK-së; stopimin, ndaljen e avancimit, përparimit në politikë, duke përzgjedhur fjalëpakët, të dëgjueshmit e, pse jo, edhe butakët.
Në rastin e Donikës, hamendjet u begatuan edhe më shumë, duke e lidhur me konkurrencën në perspektivë të saj. Fundja, LDK-ja është parti madhore, është Partia e Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës dhe duhet të këtë hapësirë për të gjithë. Mania, lakmia për t`u kalaveshur me disa poste, pozita, njëherësh, duhet luftuar për ta evituar, shmangur me votë demokratike, të fshehtë. Nëse një kryetar nuk realizon premtimet e dhëna anëtarësisë, elektoratit, edhe nëse partia fiton, ai, moralisht, ka humbur, është dëmtuar, të paktën, për mashtrim dhe duhet të dorëhiqet vullnetarisht nga kryesimi i saj.
Pse Donikë Gërvalla absolutizon kundërshtinë e saj për koalicion me partitë e krimit: vrasjet e organizuara politike, korrupsionin ose hajninë zyrtare, reketin, haraçin, e madh dhe të përgjakshëm, që vazhdon të marrë jetë njerëzish të pafajshëm, për llogari të shefave kriminelë partiakë dhe qendrimin e saj burrëror e mbështesin veprimtarët dhe anëtarësia e gjerë e LDK-së?!"
A ka mundësi të luftohet krimi politik - vrasjet, korrupsioni, haraçi dhe krimet tjera, duke qenë në koalicion me partitë bartëse të të gjitha këtyre krimeve?! Në asnjë mënyrë kjo nuk arrihet, madje as teorikisht nuk e pranon logjika e shëndoshë. Koalicioni përjashton mundësinë e luftimit të krimeve, sepse ato janë bërë, pikërisht, nga partitë e krimit, në koalicion. Përkundrazi, koalicioni rehabiliton partitë e krimit dhe inkriminon koalicionbërësin, në rastin konkret LDK-në, duke e bërë pjesë të fshehjes të krimit, pra, pjesë të vet krimit. Dhe, premtimi i LDK-së për luftimin e krimit, tashmë, të bërë nga partitë e krimit, rezulton mashtrim dhe hipokrizi. Kjo do të ishte fatale për LDK-në, do ta dërmonte dhe përtokte në përmasën e pariparueshme.
Me LDK-në Kosova çlirohet nga krimi i organizuar
Mesazhi për anërarësinë e LDK-se, elektoratin dhe popullin
e Kosovës duhet të jetë i thjeshtë, i qartë, pa filozofime e
llafolloxhi kamufluese e boshe; pa premtime idioteske e
rrugaçërore, siç bëjnë eksponentët e dy partive të krimit.
Përrallisjet se LDK-ja ka qenë dikur në koalicion me partitë e krimit, tashmë, është e tejkaluar. Ajo ka ndodhur në rrethana krejt të tjera dhe, megjithatë, është quajtur sakrificë. Kohërat kanë ndryshuar. LDK-ja është parti e vlerave, është parti serioze dhe akademike, andaj, nuk i lejohet të kokëtojë e koalicionojë me partitë e krimeve, tashmë, të dëshmuara dhe të faktuara.
Donikë Gërvalla, në paraqitjen e parë publike në fushatën zgjedhore, deklaroi: "Me LDK-në Kosova do të çlirohet plotësisht nga krimi i organizuar e korrupsioni, do të sundojë rendi e ligji dhe do t`i hapet perspektiva për zhvillim ekonomik, punësim, arsimim cilësor, shëndetësi efektive dhe integrim euro-atlantik".
Donikë Gërvalla duhet të vazhdojë, shpenguar, të denoncojë, kallxojë krimet makabre, rrënqethëse e numerike përgjatë një dekade e gjysmë, sepse zëri i saj është zëri i anëtarësisë; është zëri i popullit të Kosovës, madje, pavarësisht përkatësive partiake, ngaqë Kosova është përgjakur nga këlyshët shqipfolës të Serbisë dhe se kompromiset joparimore i bëjnë vetëm të eturit për pozita dhe pushtet, zvarranikët.
Mesazhi për anëtarësinë e LDK-së, elektoratin dhe popullin e Kosovës duhet të jetë i thjeshtë, i qartë, pa filozofime e llafolloxhi kamufluese e boshe; pa premtime idioteske e rrugaçërore, siç bëjnë eksponentët e dy partive të krimit: për vende pune enorme, rroga përrallore, lëvizje pa viza e ngrënie "me lugë floriri" si dhe broçkulla të tjera mashtruese, të përmasave kurrë të realizueshme, jo vetëm përgjatë këtij mandati, por as edhe gjatë tjetrit në vijim.
Mesazhi i Donikë Gërvallës, me shoqe dhe shokë, në fushatë, duhet të ngjallë shpresë e besim se me ndryshimin e pushteteve, do të ndryshojë shumëçka, përfshi këtu edhe largimin nga politika të kriminelëve dhe të atyre që i kanë heshtur dhe vazhdojnë t`i heshtin krimet gjithëfarëshe.
Dhe, urimi ynë i madh sot është: Ardhsh e mbarë, Donika jonë! Me Ty jemi sot dhe mot.