E marte, 16.04.2024, 10:19 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Dilemat statusore të Pallatit të Rinisë

E marte, 17.06.2014, 07:11 PM


PALLATI I RINISË NUK BËN TË PRIVATIZOHET, PO DUHET T’I KTHEHET KOMUNËS

Dilemat statusore të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, të Prishtinës

Shkruan: Adil FETAHU

Ka kohë që dëgjoj zëra e lexoj shkrime përkitazi me dilemat pronësore-statusore të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve (ish-Qendra “Boro e Ramizi”) në Prishtinë. Poashtu, ka kohë që Agjensioni Kosovar i Privatizimit ka vënë shputën (e menaxhimit) mbi këtë Pallat, ndërsa objekti sa vjen e shkatërrohet, tjetërsohet, keqpërdoret, nuk shfrytëzohet racionalisht, nuk investohet në kryerjen e projekteve që do ta rrumbullakësonin kompleksin e koncipuar të Pallatit ashtu siç është menduar dhe siç është dashur të veprohet. Natyrisht, më së paku është duke luajtur rolin që i është destinuar kur është projektuar dhe kryer ndërtimi i pjesëve të përfunduara (sepse ka akoma pjesë të panisura puna në to, për ta kompletuar). Pa hyrë në “kriminalitetet e imta” brenda dhe rreth objektit, ai ma i madhi ndodhi (më 25 shkurt 2000) me djegëJen (e qëllimshme) të depove, të cilat kanë mbetur si hardallë dhe deri më sot  nuk u identifikuan as nuk u dënuan përgjegjësit e atij krimi, ndaj një objekti që ishte krenaria e Prishtinës, e ndërtuar me vetëkontributet dhe taksat e tatimet e qytetarëve të komunës së Prishtinës.

Të gjitha dilemat dhe zhurmat që bëhen rreth statusit të Pallatit, i bëjnë ata që nuk e dinë, ose nuk duan ta dinë historikun, statusin, qëllimin parësor, interesin e përgjithshëm publik të Pallatit për qytetarët e komunës së Prishtinës e më gjerë.

Pallati është ndërtuar me mjetet e vetëkontributit të qytetarëve dhe punëtorëve të komunës së Prishtinës, të cilët për pesë vjet  rresht (1976-1980) paguan nga 2% prej të gjitha të ardhurave të tyre mujore. Në kohën kur është paguar vetëkontributi, komuna e Prishtinës përfshinte edhe territorin e komunave të sotme: Fushëkosovë, Obiliq, Graçanicë, Novobërdë. Pjesa tjetër  investimeve për ndërtimin e Pallatit është mbuluar nga buxheti i komunës  Prishtinës dhe ish-bashkësitë vetëqeverisëse të interesit, si dhe nga kreditë  bankare, të cilat janë kthyer me kohë dhe pa vështirësi, për shkak të inflacionit që vinte duke u rritur.

Themelues (i vetëm) dhe investitor i Pallatit ka qenë Komuna e Prishtinës. Vendimin për ndërtimin e kompleksit të Pallatit, që përfshinte edhe objekte tjera përveç këtyre që janë ndërtuar, Kuvendi i Komunës së Prishtinës e ka marrë në fillim të vitit 1975 (shih: “Gazeta Zyrtare e KSAK”,nr.10, dt.18 prill 1975). Themelues i vetëm i Qendrës (Pallatit), ishte (dhe mbeti), dhe të gjitha të drejtat dhe obligimet e themeluesit i takojnë Prishtinës. Këtu nuk ka çka të përzihet as Kuvendi, as Qeveria e Kosovës, e më së paku AKP-ja.

Esenca e veprimtarisë kryesore dhe parësore e Qendrës ka qenë, është dhe ashtu duhet të mbetet: aktivitetet shoqërore, kulturore, sportive, artistike, rekreative, zbavitëse; ushtrimi, promovimi, realizimi, kultivimi, zhvillimi, masivizimi, afirmimi i aktiviteteve të përmendura, të cilat janë me interes të përgjithshëm publik për rininë, fëmijët dhe qytetarët e komunës dhe tërë Kosovës.

Ndërtimi i Pallatit të tashëm është kryer në disa faza: së pari është ndërtuar pjesa për përmbajtjet kulturore, pastaj pjesa tregtare (lokalet për t’i dhënë me qëra), e më vonë pjesa universale. Që të gjitha ato janë inauguruar në “Ditën e çlirimit të qytetit të Prishtinës”, 19 nëntor).  Nga plani i parashikuar për kompleksin e Pallatit, për shkak të mungesës së mjeteve dhe ngjarjeve që kanë rrjedhur në ndërkohë, kanë mbetur pa u nisur edhe disa objekte tjera, për të cilat ka ekzistuar plani urbanistik dhe parallogaria e investimeve, si bie fjala: ura që do lidhte platonë e Hotelit “Grand” me platonë e Pallatit; pishina të hapta e të mbyllta; salla e hokejit;  hoteli për sportistë; rikonstruimi i Stadionit të qytetit; fusha të ndryshme sportive.

Gjatë punës së vet, prej pjesës së parë të kryer në vitin 1977, Pallati (Qendra) kurrë nuk e ka pasur statusin e ndërmarrjes ekonomike, por të një qendre kulturore, sportive, rekreative. Të ardhurat e realizuara nga pjesa tregtare, e bizneseve të vendosura në lokalet e lëshuara me qëra, kanë shërbyer dhe shërbejnë për të mbuluar shpenzimet  e mirëmbajtjes së rregullt dhe investive, për pagat e punëtorëve të Pallatit, për aktivitete të ndryshme kulturore e sportive të rinisë dhe pionierëve.  Nga të ardhurat e pjesës ekonomike, që është pjesa më e vogël e Pallatit, janë paguar edhe kreditë bankare që janë marrë në faza të ndryshme të ndërtimit.

Agjensioni nuk ka kompetencë ligjore ta administrojë as privatizojë Pallatin e Rinisë

Qendra Shoqërore Sportive-Kulturore “Boro e Ramizi” (tash: Pallati i Rinisë dhe Sporteve), është menagjuar nga organi i caktuar me Vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e organit udhëheqës (Këshillit Drejtues) dhe drejtorit të Qendrës, gjithnjë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Komunës, si themeluese e Qendrës, deri në suprimimin antikushtetues dhe antiligjor të autonomisë së Kosovës dhe zbatimin e masave të dhunshme nga ana e Serbisë mbi të gjitha organet, bashkësitë, institucionet dhe ndërmarrjet në Kosovë. Edhe Qendra e përmendur është vënë nën masa të dhunshme në periudhën 1991-1999, por as organi i dhunshëm nuk ka mundur ta privatizojë as t’ia ndërrojë subjektivitetin juridik, veprimtarinë parësore as ta transformojë në ndonjë formë tjetër këtë Qendër, sado që aso kohe është keqpërdorë e shfrytëzuar për qëllime  të okupatorit.

Pavarësisht se  prej 24 majit 2006 administrimin e Qendrës e ka marrë e ashtuquajtura Agjensia Kosovare e Mirëbesimit dhe e ka vazhduar AKP-ja deri më sot, ky Agjension nuk ka të drejtë as kompetencë për ta privatizuar Qendrën. Këtë të drejtë e këtë kompetencë assesi nuk mund ta “nxjerr” nga dispozitat e Ligjit për AKP-në (Ligji nr.04/L-034), dhe nga asnjë ligj apo akt tjetër nënligjor. Sipas Ligjit të përmendur, Agjensioni është i autorizuar për administrimin e ndërmarrjeve dhe aseteve të përkufizuara me këtë ligj (neni 2 par.1). Pallati i Rinisë dhe Sporteve nuk është as ndërmarrje as korporatë në kuptim të përkufizimeve që përmban ligji në fjalë (neni 3.1.5), as ndërmarrje në pronësi shoqërore (neni 5.1.1).  Pallati i Rinisë dhe Sporteve, me destinimin dhe veprimtarinë e vet kryesore dhe parësore, të përshkruar më lart, është një institucion i rëndësisë së përgjithshme shoqërore-publike për qytetarët, rininë, pionieret dhe fëmijët  e komunës së Prishtinës e më gjerë. Agjensioni nuk mund ta “nxjerr” autorizimin,  kompetencën dhe arsyeshmërinë e vet për menaxhimin, e aq më pak për privatizimin e Pallatit, as nga përmbajtja e dispozitës së nenit 6 të Ligjit mbi AKP-në: “ ...për të mundësuar më mirë shitjen, likuidimin, transformimin apo ndonjë zgjidhjet tjetër të ndërmarrjes, asetit apo interesit në pronësi shtetërore..., ruajtjen ose rritjen e vlerës, shanseve për suksese ose qeverisje të ndërmarrjes...”. Sepse Pallati i Rinisë ka karakter dhe veprimtari specifike, për të cilat Agjensioni nuk ka as autorizime, as kapacitet për ta zhvilluar, rritë vlerën as shansin për punë më të suksesshme.

Fakti që Pallati punon me mjete  të pronësisë shoqërore-publike nuk i jep Agjensionit të drejtën ta privatizojë Pallatin. Sepse, fundi-fundit, me mjete shoqërore-publike punojnë edhe Kuvendi e Qeveria, komunat dhe institucione tjera, por ato nuk mund t’i menaxhojë as privatizojë AKP-ja. Bile, mjetet kryesore, objektet e Pallatit, janë ndërtuar me vetëkontributin e punëtorëve e qytetarëve të komunës së Prishtinës, të cilat kanë marrë karakterin e mjeteve në pronësi shoqërore-publike, por që i janë besuar e lënë në mbikëqyrje dhe administrim të Komunës së Prishtinës

Duke pasur parasysh financimin e ndërtimit, destinimin, rolin, veprimtarinë, rëndësinë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve për kultivimin, promovimin, zhvillimin dhe afirmimin e veprimtarive sportive, kulturore, rekreative, argëtuese për qytetarët, rininë, pionieret e komunës së Prishtinës dhe më gjerë, ai Pallat nuk bënë të jetë nën administrimin e AKP-së, as nuk guxon të privatizohet, por duhet të kthehet në pronësi dhe nën administrimin e komunës, respektivisht të qytetit të Prishtinës, dhe menaxhimin e organit të caktuar prej saj. Privatizimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve nuk duhet ta lejojë komuna e Prishtinës, nuk duhet ta lejojnë qytetarët të cilët kanë paguar  vetëkontributin për ndërtimin e tij, nuk duhet ta lejojnë rinia, sportistët dhe veprimtarët e kulturës të  Prishtinës  e të Kosovës, të cilët ushtrojnë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre me interes të përngjitshim publik në ambientet e këtij Pallati. Edhe komuna edhe qytetarët e komunës së Prishtinës, të gjitha moshave e gjinive, duhet ta mbrojnë Pallatin e tyre nga privatizimi i kësaj qendre sportive e kulturore. Privatizimi e shkatërroi edhe tërë ekonominë e Kosovës, ndërsa privatizimi i Pallatit të Rinisë do ta shkatërronte edhe sportin dhe kulturën në komunën tonë e më gjerë. Këtë nuk duhet ta lejojmë në asnjë mënyrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora