E merkure, 11.12.2024, 12:42 AM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Kur Gjon Pali puthte tokën shqiptare

E marte, 17.06.2014, 05:43 PM


KUR GJON PALI I DYTË PUTHTE TOKËN SHQIPTARE

“Nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit... në Shqipëri.”

NGA NDUE DEDAJ

Diskursi i puthjes panore mund të niste me fjalët: Tani ai nuk është më një Papë, por një Shenjt. Të gjithë e kujtojnë foton e rrallë të Gjon Palit të Dytë duke puthur tokën shqiptare gjatë vizitës së tij të shenjtë në Shqipëri me 25 prill të vitit 1993. Zor të ketë ndër shqiptarë një fotografi më befasuese e emocionuese se kjo. Shumë njerëz tani që ai u shpall shenjt e kanë postuar në rrjetet sociale pa koment, të bindur ajo foto flet më shumë se një diçiturë me mijë fjalë. Duket një gjest më shumë ritual se ceremonial, porse unikal në llojin e vet. Askush tjetër nuk ulet për të puthur tokën, veç atij Pape dhe kjo e bën atë të veçantë. Në rrjetet sociale është thënë se ndoshta ky gjest është i lidhur me figurën legjendare të Gjergj Kastriotit, viganit që mbrojti kishën katolike nga dallgët otomane në të 15-in shekull, për çka Skënderbeu u pagëzua nga Papa Kaliksti III si “Atleta Christi”. Apo ndoshta se Shqipëria ishte vendi i Nënë Terezës, murgeshës së përbotshme që la vendin e vet dhe shkoi në mesin e të varfërve të Indisë për t’i shëruar. E të tjera komente rreth puthjes së pashembullt. Kurioz rreth këtij gjesti, i drejtohemi historianit të kishës Dom Nikë Ukgjini dhe ai na shkruan: “Puthjen e tokës e ka praktikuar vetëm Papa Gjon Pali II, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend ku ka udhëtuar.” Pra, është një gjë që e ka bërë vetëm ai e që nuk ishte e nuk është në ritualin e vizitave papnore.

Tashmë mund të thuhet se tokën tonë nuk e ka puthur thjesht një papë, por një shenjt, që mbase nuk ka kaluar këndej që kur Shën Pali apostulloi Ungjillin e Krishtit nga Jerusalemi deri në Iliri. Sipas kronikave të Vatikanit, një tjetër emër i Selisë së Shenjtë, Papa Piu II, kërkoi dy herë të vinte në Shqipëri për kurorëzimin mbret të Skënderbeut, por si duket rrethanat historike ishin të pamundura për ardhjen e tij. Mbas Papës Gjon Pali i Dytë Shenjt ky ritual kemi parë të praktikohet dhe nga ipeshkvijtë e shuguruar prej tij, kur kanë hyrë në dioqezat e tyre, si katërshja e parë e atij viti (1993), Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni, Imzot Rrok Mirdita. Kohët e fundit në Mirditë u kremua 75-vjetori i lindjes së ipeshkvit të dioqezës së Rrëshenit, Imzot Cristoforo Palmieri, ardhur nga Italia, para më shumë se njëzet vitesh, misionar mes mirditorëve, për rimëkëmbjen e kishës së tyre. E pati puthur tokën e Kosovës dhe një ipeshkëv i shquar, Imzot Mark Sopi, i cili bashkë me Ibrahim Rugovën themeluan katedralen e Prishtinës.

Ndërsa meditojmë rreth asaj puthje papnore, na bëhet se një tjetër papë e ka puthur tokën arbnore, Klementi XI, me origjinë shqiptare, frymëzuesi i Kuvendit të Arbnit në vitin 1703. Kanë qenë kohë dramatike për Arbninë dhe mbijetesën shqiptare. “Iliricum Sacrum” (Iliria e Shenjtë) e Daniel Farlatit është libri (botuar në Venedik latinisht në nëntë vëllime) ku pasqyrohet historia kishtare e shqiptarëve etj. Në shëmbëlltyrën e Papës e kanë puthur tokën dhe të ngjashmit e tij, “papnorët” e paepur të besimit katolik, si Kardinal Mikel Koliqi. At Zef Pllumi e puthi tokën e vet përmes rrojtjes për me tregue, ku libri i tij emblemë tash është përkthyer në italisht, me parathënie të Silvio Berluskonit. Puthja e Papës Shenjt Gjon Pali II kishte nisur vite më parë se ajo të ngjante. Në vitin 1980, nga Otranto e Italisë, ai foli për kishën e martirizuar nga komunistët: “Nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, jo larg prej këndej, drejt kishës heroike në Shqipëri, e tronditur thellë nga përsekutimi i ashpër e i zgjatur, por edhe e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë.”

***

E tani një tjetër diskurs lidhur me puthjen simbolike. Puthja është pjesë e ceremonialit zyrtar shtetaror, kur Presidenti i Republikës puth flamurin, copën e “tokës” së vendit të tij prej bezeje të kuqe, ku rri shqiponja dykrenore me krahët hapur. Nuk mund të mos meditosh për një çast se si e ka puthur flamurin Gjergj Kastrioti para betejave të tij të Motit të Madh, Ismail Qemali dhe gjithë plejada e kryeshtetarëve shqiptarë të shekullit XX. Shkojnë rregullisht në ditët e shenjta njerëzit e politikës në selitë e kultit, ani sa me dinjitet e kanë “puthur” tokën që i kryejnë shërbesën politike. Puthja padyshim që është ndër gjerat më të bukura të njerëzimit, puthja aristokrate e dorës së zonjave të salloneve, puthjet skenike të aktorëve nëpër filma, puthja shenjuese e të sapo celebruarve në martesë etj. E vetmja puthje e shpifur e kohëve të kaluara është ajo e “shokëve” të udhëheqjeve komuniste, për të dëshmuar një solidaritet galopant, po që ishte fals, pasi ata s’e kishin për gjë të prisheshin për jetë e mot, për shkak të parimeve, me të puthurit e tyre burra. E dyshimtë mbetet puthja e tokës nga të gjithë ata funksionarë që përbetohen për Shqipërinë teksa i fusin duart asaj deri nën dhé për t’i grabitur floririn e fshehur në “qypat” e artë të korrupsionit.

Ka një dallim mes udhëheqësve politikë, shtetarëve të lartë dhe krerëve të feve, përpos atyre rasteve kur patriarkët shkrihen në një me të parët dhe bëjnë politikë në tempujt e shenjtë. Nëse Papa Gjon Pali II Shenjt zbriti në tokën shqiptare për të bekuar “katedralen” e rrënuar të besimit katolik, në bekimin e Katedrales Ortodokse të Tiranës, pak kohë më parë, nuk u fol shqip nga kreu i saj Janullatos, për më tepër që në atë ceremoni ishte dhe një peshkop jo shqiptardashës si Irinej. Koha është ajo që ndan trofetë e fortlumturimit apo jo. Atenagora, patriarku ekumenik i Kostandinopojës, që kishte qenë dhe argjipeshkëv i Amerikës, me origjinë shqiptare nga Janina, është një emër i ndritur i kishës ortodokse të shekullit XX. Pesëdhjetë vite më parë (1964) u quajt historik takimi i Papa Palit VI me këtë hierark të lartë ortodoks, i cili kishte patur miqësi dhe me Papa Gjonin XXIII, që gjithashtu u shpall shenj i kishës katolike kohët e fundit. Edhe Atenagora ishte një papë, një shenjt, si një personalitet i shquar botëror, që na duhet ta njohim dhe më shumë. Përqafimi i tij në Jerusalem me Palin VI është e para “puthje” e dy kishave që nga skizma e madhe e vitit 1054. Është thënë me atë rast se ai takim qe një kthesë historike për kishën. Bota ka nevojë pikërisht për dashuri dhe kisha në vetvete është dashuri, e jo vend për urrejtje peshkopësh nacionalistë, paçka kombësisë së tyre...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora