Mendime
Rexhep Kasumaj: Trafikimi i shpirtërave
E enjte, 19.06.2014, 06:27 PM
TRAFIKIMI I SHPIRTËRAVE
(Elokuenca shpëtimtare)
Nga Rexhep Kasumaj
1.
Ka kohë
që shtypi gjerman është mbushur pezm i gjithi për një miqësi të çuditshme,
dendësia e së cilës vete përtej privatsisë njerëzore dhe mirësjelljes politike.
Kishte patur shkas një hendikep dhe do të vijonte e prushtë përballë sfidash
dhe mënirjesh rrotull saj. Mbahej takimi i G8-es në verën e largët, tash 14
vjet, dhe, meqë anglishtja e ish-kancelarit Schröder që do të humbiste më pas
nga një Zonjë enigmatike, çalonte, ai ndihej pak i vetmuar. Në atë çast, thuase
pikaste orën e tij, do ti gjendej pranë Shefi i Kremlinit (i kësaj „ngrehe
satanike“, „strehe tiranësh“, „mbeturine dinosaurësh“, e „banese qenjesh të
Apokalipsës“, sipas frëngut Marquis de Custime, cituar nga libri „Kremlini“ të
brites Catherine Merridale) që, si ish-spiun i Luftës së Ftohtë, fliste
rrjedhshëm gjuhën e tij. E bashkëndjesia
do t‘hidhte, ashtu, fillesën njohjes së gjatë. Mandej, ndër vite, ajo, e
shndërruar në patneritet utilitar, do të përshkohej njëj filli të errtë përfitimesh
të dyanshme: monetare për të parin dhe politike për të dytin. Për Gerdin (si e
quan me politesë miku i tij) ajo do t‘bëhej vjegë e kamjes së dyshimtë, kurse
për Wladimirin, ose ”demokratin e kulluar” (si e cilësonte kameradi berlinez),
kje një pëlhurë mashtrimi për të përligjur despotinë dhe njëherësh mbështetje e
fortë në kulme krizash përulëse të perandorisë së shthurur. Të tilla ishin ato
të vitit 2000, kur arka shtetërore ruse, e zbrazur krejtësisht, injektohej me 6
miliardë Mark nga tagërdhënësit gjermanë.
2.
Urtia e
njohur se çdo e keqe sjell një të mirë, rrah të provojë sërish praninë e saj.
Kjo miqësi tek keqermon aq padurueshëm, megjithatë ka përnxitur dhe mbërritje
të mëdha. Jemi mësuar këto motet e mbramë të konsumojmë eksperienca e dije
vetëm nga landet sipër Vjenës. U bëmë, si me thënë, njësh me to dhe arealin e
tyre qytetnues e përjetojmë si aspiratë të ligjshme të natyrshmërisë sonë.
Por, ah
kjo e bekuara gjuhë shqipe! Më lehtë dhe elegantisht se asnjë tjetër,
identifikon mesazhin e saj. Fjalërënda „me e shredërue“ (ta shredërosh ose
shredëroje), përkon asociativisht përfekt me fjalën e kategorisë morale, “me
shnderue”, (pra, shnderim, ta shnderosh) një fatkeq.
3.
A do të aplikohej dhe si do të fjalëformohej, pra, ky përskajim i bekuar në Kosovë? Sigurisht, porse ka një pengore. Për dallim nga mjedisi europian, aty zvarranikët e shumtë si krimbat pas shiut, vriten e priten për vendzënje në tempullin e lavdisë korruptive. Dhe është, që këtej, vështirë të gjendet se kush do të bënte masën apo emri i cilit hierark politik do të krijonte nocionin e njësojtë, aq të nëvojshëm për të definuar dukurinë dhe, poashtu, për të racionalizuar debatet e lodhshëm! Rrjedhimisht, në vend të dhjetëra fjalëve të mërzitshme për të përshkruar nyjëtimin e fenomenit me bartësin e tij, mbase lirisht do t’mund të thoshim, „me e hashimue (ta hashimosh) dikënd, ose, më drejtë akoma, “mustafim” a ta „mustafosh“ , që nënkupton ta prishësh, çorodisësh, shnderosh e shnjerëzosh atë. Por, sidomos kur vepërliga është totale, kur përveç vesit të pështirë të mitosjes, ngërthen dhe përbetimin e dhimbshëm kundër votrës, aherë përcaktori “pacollizim” ose “pacollizoje” shfytyranin, do të jepte saktësisht këtë neologjizëm shpëtimtarë. Kurse, në praktikën rutinore, mbase, do të thuhej „hysenizim“ i ndokujt, mandej, sa paq o Zot, “grabovcoje” a “bukoshizoje” të shkretin, ose poaq përkitshëm „ardiangjinoje“ e, pse jo, ta “halitosh”, madje dhe, ah, “fatmiroje” derëziun... Kjo e fundmja e sprovës, ndërkaq, më ngjan dhe njëkohësisht e bukur, sepse sikur e bën fatmirë, e pra të lumtur atë që i dorëzohet me gaz darëve të ëmbla të shpërdorimit.
Natyrisht, renditja nuk mbaron kurrësesi se, thjeshtë, Galeria e tyre është e paskaj. Duke qenë i gjatë vargoi edhe konkurrenca, si pasojë, është tepër e ashpër. Mirëpo, si ndodh shpesh, pikërisht kur oferta është bujare, përzgjedhja bëhet e vështirë. Kjo punë kërkon konsultim të gjerë me njohës të tregtizës politike, me linguistë, pastaj me mjeshtër të kumbimit artistik dhe, padyshim, me stilistë të dëshmuar e analistë të rryer të sedërhollës shqiptare. Formulimi i përshtatshëm, mbase, do vonojë pak, por do të kumtohet gjithësesi. Është një përfundim që vlen pritjen, po fundja, a nuk është pritja heroike e të mirës (që si thotë Poeti, i kemi lënë takim në varrezë) virtyt dhe fat yni i rezervuar përjetshëm?!