E enjte, 01.05.2025, 07:16 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Qazim Shehu: Mitingu që rri në plotërinë e fjalës

E premte, 16.05.2014, 08:04 PM


MITINGU QË RRI NË PLOTËRINË E FJALËS…

NGA QAZIM SHEHU

Si gjithnjë,  edhe kësaj here,  Gjakova e shënoi me madhështi Festën e Poezisë,  një festë disi e çuditshme,  po të flasim për kohën tonë të ngarkuar aq shumë me halle dhe brenga,  të terratisur në probleme që kërkojnë ekzistencën tonë të shkërmoqur nën peshën e tyre. Populli gjithnjë është mësuar të shtyhet e të mbushë salla kur ndodhet në fushatë elektorale, ose kur vjen një këngëtare,  por, nuk ndodh,  me sa di unë,  ose ndodh rrallë,  madje aspak,  në ndonjë qytet të trevave etnike,  që një sallë teatri me 600-700 vetë të mbushet plot,  për të dëgjuar recitimin e njëzet poezive.

Kjo ngjet vetëm në Gjakovë,  sepse këtu na vjen një traditë e përvitshme, tash 50 vjet,  ku ftohen poetë nga gjithë trevat shqiptare dhe nga bota,  diskutohet dhe deklamohet poezia dhe kultura e një populli që e do poezinë,  me sa duket, spikat më mirë këtu. Mbresa e parë që nuk mund mos e ndjesh,  shenja e dukshme të cilën nuk mund të mos e shikosh. Gjakova është një qytet i rrrallë,  të dhënat për të mund të lexohen apo të shihen në burime të shumta informacioni që na i afron koha e sotme. Rrallësia e saj shihet në elegancën dhe finesën e njerëzve të saj. Në atë heshtje të thellë që përvijohet nga kultura e vjetër dhe historia.

Qyteti duket si një grusht margaritarësh që përkundet në një fushë të pafundme,  ku dimensionet e ëndrrës dhe legjendave vijnë dhe kërkojnë e përkojnë me një thellësi shpirtërore. Po,  sado të ndalemi në mitikën e historisë apo poetikën e mitikës si qasje dhe burim frymëzimi,  do të ishim të padrejtë po të mos ishim pak racionalë dhe të mos respektonim në kujdesje të fjalës disa emra,  që nga poeti i shquar Din Mehmeti,  themelues i Mitingut më 1964 e deri tek kryetari i fundit i Mitingut,  Muharrem Kurti, organizatori,  menaxhuesi dhe sajdisësi elegant i Mitingiut të fundit. Pesëdhjetë vjet dhe disa emra drejtuesish të rëndësishëm, njëkohësisht,  një komunë mbështetëse e këtij aktiviteti,  siç ishte këtë vit,  zonja Mimoza Kusari Lila,  kryetarja e Komunës . Duhet thënë pa tepri,  se ai që ftohet në këtë aktivitet,  dy ditë ndjehet i lumtur. Besoj jam për këtë në mendjen e Iliaz Bobajt,  Azem, Baliaj,  Viktor Gjikolës, Ilir Yzeirit, Aleksandër Çipës,  etj,  etj. Për vetë faktin se atmosfera poetike rri ndezur si në një bisedë me poetët vendas,  si në një shetitje apo në një takim të rastësishëm, tek kultura e dëgjimit,  qetësia e ambientit,  përbashkësia e mendimeve ose debatet e sinqerta,  leximet dhe afrimet e mundshme në projektet për të ardhmen. Dhe sikurdo e kudo ai i palodhuri Muharrem Kurti,  kryetar i klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, i cili e ndjen më tepër se detyrim që të ftuarit t`i presë e t`i sajojë gjithnjë në mundësitë më të mira të përkujdesjes. Mitingu i Poezisë e ka një javë të tërë promovimesh dhe bisedash për të kulmuar me natën finale. I gjithë programi vjen në ngjitjen e një grafiku të ngjeshur,  në një dinamikë që rritet me një ritëm emocionues. Boshti i tij është studimi i bilancit poetik të një viti,  evidentimi i arritjeve më të mira; pastaj një komision bën seleksionimin dhe vendos për çmimet. Ky nuk është një bilanc zyrtar,  po një bilanc motivues për çdo poet  kur e shikon se çfarë mundësish jepen dhe se si mund të paraqitet vitin tjetër. Kjo,  natyrisht, është e bukur dhe lë një shije të mirë. Sidomos kur jepen mundësitë debutuese dhe njëkohësisht kur e mira dhe cilësorja nuk mundet mos me u vlerësue. Këto mesazhe dhe ideprograme ky Miting i mban në palcën e vet,  i zhvillon aq natyrshëm sa duhet t`i ndjesh më përpara dhe t`i rimarrësh në kujtesën tënde e ti mbajsh gjatë.

Mitingu i Poezisë, Gjakovë,  i vendosur në maj,  në Ditën e Europës,  tradicionalisht e sjell atë ëndërr të hershme të shqiptarit dhe shqiptarit të Kosovës në veçanti,  për të parë veten një ditë si Europa. Përkimi i Ditës së Europës me Mitingun nuk mbetet një rastësi. Përmes këtij përkimi nuk vjen ratësia,  rastësia vjen natyrshëm si qëllim,  dhe përçon një aspiratë të vetër të popullit dhe poetëve të Kosovës për ta parë veten një ditë të lirë si Europa. Dhe kjo kohë erdhi si fat,  si luftë e vjetër për ta arritur,  si rezistencë dhe në këtë rezistencë e kanë meritën të parët poetët, si:  Din Mehmeti i cili do të thoshte: Krismë është emri im, ose Ali Podrimja me vargjet e veta gjithë nerv lirie dhe thirrmash apokaliptike të cilat shpërndanin tejendanë rrënqethje që përçonte gjallëri e forcë në nervin e lirisë së shumëpritur. Këto mendime nuk ka sesi të mos vijnë si një nënshtresë kuptimore transcedntale, teksa heton se populli i këtyre anëve e do jetën mrekullisht,  ai e ka dashur atë edhe në zgrip të saj,  e jo më,  sot,  kur është i lirë. Duke u nisur gjithnjë nga idetë që vijnë natyrshëm në mbrëmjet gjakovare zbukuruar me hijen e poezisë së poetëve,  ndërsa ndalesh në ekspozitën e piktorit Esat Valla, shoh gjithashtu mjaft njerëz që rrinë për një kohë para pikturave të tij,  duke hetuar kompozimet dhe ngjyrat që reflektojnë hijshëm përmes një frymëzimi të gjallë. Më kujtohet një thënie e grekëve të lashtë se piktura ëshë një poezi memece,  ndërsa poezia një pikturë që flet, nuk mund të mos më shkojë ndërmend gjithashtu se arti i kësaj treve të rëndësishme dëshmon jo vetëm për shpirtin qytetar,  po edhe për lashtësinë,  identitetin dhe bukurinë e qëndresës,  dëshirën për të njohur botën e për të eksperimentuar që edhe ne të mos mbetemi jashtë saj. Kjo jo vetëm është veçori e artistëve,  po njëkohësisht emblemë e gjallë e shpirtit të artistit të vërtetë. Duke iu rikthyer gjithnjë Mitingut, vlera të cilit i ngjet portretit më të bukur të këtyre ditëve, natyrisht bisedat zgjerohen dhe marrin konotacione të gjëra. Temat e debateve do të thuren e marrin shtrat argumentues në takimin për kritikën letrare ku do referojnë lektorët Agim Vinca dhe Ilir Yzeiri. Ka në Shqipëri apo nuk ka kritikë letrare,  si paraqitet ajo sot,  pse është e dobët, agresive ose freskuese duke sjellë një çorienim tek shijet e lexesit. Argumentat janë bindës,  sot ende nuk mund të flasim për një kritikë letrare të specializuar,  të drejtë,  konstruktive,  përkundrazi, mund të flasim për një kritikë inekzistente në trajën e një reçensioni të përvijuar dobët ku klishetë dhe fjalët plot panergjirizëm vrasin arsyetimin e drejtë dhe thirrjen në ndihmë të mjeteve shprehëse adekuate. Nevoja e shtron që,  në këtë fluks botimesh, kritika duhej të ishte një pritë për të mos lejuar infiltrimin e turbofolkut në letërsi. Po fundja a nuk vendos tregu sot,  a mund ta marrim lexuesin përdore dhe ta orientojmë drejt leximeve më të mira,  kur burimet e informacionit janë të pafundme. A mund të gjenden asish kritikësh të ngeshëm dhe të pagueshëm që të na tregojnë rrugën për në Itakën e letërsisë së vërtetë?Vështirë. Realiteti ka treguar se veprat më të mira të kohrave e kanë çarë rrugën pa kritikë letrare,  madje edhe kur kritika i ka denigruar. Fajin sot,  për mendimin tim,  e ka krijuesi i cili po bëhet më pak social,  më ekzistencialist,  me një poezi dhe prozë që nuk reflekton dramat e shoqërisë,  as problemet e saj,  ku merret me zhbirime marramendëse në qenien e vet të dyzuar,  duke na e servirur si të veçantë,  pa arritur të krijojë paralelizma universalë që do trondisnin raportet e ngurta të përshtatjes. Përmbajtja e fuqishme i sjell vetvetiu edhe mjetet adekuate,  njëkohësisht kjo tërheq edhe vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës. Ndoshta këtë e stimulon edhe realiteti i shoqërisë sonë,  një realitet gri  dhe njëkohësisht i definuar në interesa dhe ideale të ulta si rezultat i oligarkisë dhe pasurisë që reflekton raportet të përmbysura.

Në Mitingun e Poezisë jepet modeli se diskutime të tilla duhen bërë,  ato nuk duhet të shtrihen vetëm në një orë të caktuar,  se  jeta sot është bërë komerciale dhe vlerat estetike gjithnjë luhaten në gjykime njerëzish të interesave të çastit. Natyrisht,  koha do bëjë punën e saj,  por edhe duhet ndërhyrë në kohë.  Kjo është e vetëkuptueshme për t`i dhënë prioritet letërsisë së mirë,  letërsisë e cila meriton të përkrahet. Për këtë pak bëjnë instancat shtetërore,  media,  apo mekanizma të shoqërisë;edhe kur shihet një nismë, përkrahje,  kjo përkrahje shkon tek disa të cilët e kanë marrë atë sa herë dhe s`e kanë justifikuar me vepra. Lektoriumi për kritikën ishte nga gjërat më të bukura,  ai u dëgjua me interes . Freskia e këtij lektoriumi ishte befasia e Viktor Gjikolës,  poet nga Lezha,  i cili në emër të Qarkut Lezhë,  u dorëzon organizatorëve,  çertifikatën e mirënjohjes për poetin Ali Podrimja në emër të këtij Qarku.

Po afrohet Finalja. Është një finale ku si në një teatër antik do dëgjohet zëri i poetëve. Vërtet diçka e bukur, në  një situatë ankthi të ëmbël,  një rrënqethje,  një ngutje,  hezitim për poetët recitues,  një elektrizim në një sallë ku duhet ta peshosh fjalën para sa e sa ndjekësish. Tingujt e muzikës na kujtojnë gjithnjë një shkrirje shekujsh midis fjalës dhe tingullit. Poetët thirren dhe zënë vend në skenë. Diçka e bukur. Vijon recitimi. Motivi kombëtar sundon. E natyrshme. Kjo mund të bëhet edhe ndryshe. Para se të zhvillohet Mitingu,  kërkohen poezitë dhe nga një komision vlerësohen ato më të bukurat. Pak poetë dinë të recitojnë. Një grup aktorësh mund të recitonin. Mund të ndodhë që një poet të recitojë çdo vit. Mitingu do ta fitonte elementin e garës në mënyrë më dinjitoze. Mund të fironte pak elementi përfshirës,  po në art nuk ka gjithëpërfshirje. Por edhe kështu mirë. Salla elektrizohet, sidomos,  me përshëndetjen e Dritëro Agolliti i cili nuk ka ardhë për arsye moshe. Ai e fiton kurorën e Mitingut,  ashtu siç çmimin “Ali Podrimja” e fiton Iliaz Bobaj si dhe Sejdi Berisha dhe Hali Haxhosaj e marrin çmimin “Din Mehmeti “për veprën më të mirë poetike të botuar midis dy mitingjeve.  Këtu,  në parantezë, e bëj një ndërhyrje larg çdo poze: është mirë që kur jepen çmime para shikuesit dhe dëgjuesit të bëhet një motivim ideoestetik,  të sillen disa matës leximorë nga vepra që po nominohet. Kjo,  në rritje të prestigjit të çmimit,  po njëkohësisht edhe si  një përcjellje vlerash për tek lexuesi për ta yshtur këshërinë ndaj poezisë.  Pastaj nuk mund të nominohen dy vepra për një çmim.

E veçanta e kësaj mbrëmje është se ajo të shkakton ndjesinë e të mosmbaruarit kurrë,  ndërsa e di se do mbarojë,  gjithësesi lutesh të mos mbarojë. Asnjë shikues dhe dëgjues nuk del nga salla dhe poezitë shoqërohen me duartrokitje që vijnë vrullshëm pas një heshtjeje. Veprimtaria e Mitingut të Poezisë në Gjakovë i mbushi 50 vjet, ajo është inicuar nga Din Mehmeti dhe ka vazhduar në kohra të vështira e më të qeta,  në robëri e në liri. Nëse poezia atëhere e kryente misionin e vet patriotik duke mbajtur gjallë shpresën e lirisë,  poezia e sotme e thellon më shumë imazhin e saj në kënde socialfilozofike,  bëhet më lirike,  më meditative,  rreket të përsosë shprehjet e modernitetit,  të thellojë dallueshmërinë që sjell individualiteti krijues në luftë me uniformitetin dhe kërkimet shterpe të figurës për figurë.

Edhe pse shumë poetë shkruajnë nën trysninë e inflacionit të fjalës apo motive të përsëritura për shkak të ndjelljes feizbukiste,  sërish mund të themi se veprimtari të tilla e sjellin gjithnjë jo vetëm një motiv nxitës,  po edhe një pirg ndalese,  një cak meditimi dhe ballafaqimi me të tjerët  për t`u vetëfrenuar kur nuk ke gjë për të thënë dhe kur e zbret nivelin e vetvetes për shkak të një vetëtërheqje ndaj serialit të prodhuarit të poezisë përmes një standartizimi kërkues formalist.

Mitingu e mbylli siparin e vet,  po këtu s`duhet me harrue Muharrem Kurtin dhe ekipin e poetëve ndihmës të cilët e kanë trasuar në vitet e vona këtë Miting në shtigje të reja. Së pari, duke ruajtur traditën dhe historinë e tij me botime, shkrime emisione të ndryshme, duke vënë dy çmime me emrat e dy poetëve në zë: Din Mehmeti dhe Ali Podrimja,  pastaj duke përzgjedhur poetë të mirë e duke iu ruajtur përsëritjes,  formave standarte,  duke përzgjedhur krahas rubrikave të njohura edhe mënyra komunikimi të ndryshme,  duke i dhënë frymë mitingut me organizime në Tropojë për të cilin një meritë kanë poetët Lulëzim Logu,  Gjon Neçaj po edhe autoritete të pushtetit lokal në Tropojë. Thirrja e poetëve ndërkombëtarë është gjithnjë jo vetëm një mundësi,  po njëkohësisht edhe një diplomaci poetike për ta çuar emrin e Kosovës me zërin e poetëve të tjerë në mjedise të tjera kulturorë,  për t`i dëshmuar botës se në këto treva jeton një popull kulturëdashës dhe poezidashës,  që e meriton kthimin e vëmendjes edhe nga metropolet botërorë,  atje ku gravitojnë ide që përcillen pastaj në periferi. Gjakova me sjelljen dhe kujdesin,  me shpirtin e vjetër dhe të ri qytetar po tregon dita ditës se po bëhet një qendrër e rëndësishme e gravitetit poetik,  e për këtë ajo po e dëshmon me emra të tillë si Muharrem Kurti,  një poet shumë i mirë e njëkohësisht energjik dhe i vëmendshëm që aktivitete të tilla krahas lirshmërisë dhe natyrshmërisë ta bartin vetiu edhe shenjën e përsosmërisë në natyrshmëri që vjen e lë gjurmë të pashlyeshme nga viti në vit. Ditët e ndenjës në aktivitete me bukuri estetike ;komunikim që thyen rregullat rutinore të jetës së përditshme në një shoqëri poetësh,  janë ditët ku performohet vlera dhe fjala poetike merr flatra të reja të cilat i nis për fluturim qielli poetik i Gjakovës.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx