E enjte, 01.05.2025, 07:31 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Murat Gecaj: Çfarë na ''rrëfen'' Agim Gjakova

E marte, 29.04.2014, 06:22 PM


ÇFARË NA “RRËFEN” AGIM GJAKOVA, ME ROMANIN E TIJ TË RI….

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

Siç është bërë e njohur, përmes mjeteve të komunikimit masiv, këto ditë mjediset e Muzeut Historik Kombëetar në kryeqytetin tonë ishin në festë. Në datat 23-27 prill 2014, aty u organizua “Festivali i Librit dhe Artit Pamor”. Sigurisht, duke patur parasyshë numrin e madh të pjesëmarrësve, si nga Shqipëria dhe trojet tjera amtare, do të duheshin disa faqe për ta pasqyruar këtë veprimtari mbresëlënëse. Ndër të tjera, aty u  bë edhe përurimi i disa librave të rinj, nga autorë të ndryshëm. Ndërsa unë do të ndalem vetëm në njerin prej tyre, pra për romanin e ri të shkrimtarit të njohur, Agim Gjakova,  “Rrëfime”. Por edhe më parë kam patur kënaqësinë të marr pjesë dhe të shprehem sadopak për libra të rinj, që ka përuruar ky krijues kosovar. Ndër të tjera, kujtoj këtu përurimin e romanit të tij, “A ka kund, Zot?”(Tiranë, 15 nëntor 2009).

Në përurimin e sotëm  ishin të pranishëm shkrimtarë e poetë dhe studiues të letërsisë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj., si nga Tirana dhe Prishtina. Fjalën e rastit e mbajti studiuesi Behar Gjoka, i cili theksoi se, çdo ngjashmëri me realitetin e sotëm, është e vërtetë artistike, të cilin na e përshkruan bukur autori. Pastaj, posaçërisht, për përmbajtjen e romanit të ri të Agim Gjakovës, u ndal në fjalën e tij,  Kliton Nesturi. Ai tha se personazhet e kësaj vepre janë pjesë përbërëse e jetës së Kosovës, skalitur artistikisht.

Në vazhdimësi, me fakte bindëse, disa folës sollën për të pranishmit vlerat kryesore të këtij botimi. Kështu, Pandeli Koçi nënvizoi se ky roman është i një lloji të veçantë, humoristik e sarkastik. Ai e përshkruan “çorbën” e korrupsionit dhe dukuri tjera negative të shoqërisë së sotme shqiptare. Duke u bazuar në sa më sipër, Hysen Sinani e vlerësoi roman të fortë, të një autori po të tillë. Faik Mustafa, i ardhur posaçërisht nga Kosova, tha se ai përmban figura të skalitura dhe që me të fshikullon çdo të metë, nga jeta e shoqërisë në ato treva.

Kur e lexova këtë roman, u shpreh Kolec Traboini, m’u duk se autori më ofroi një  “fushë shahu” dhe më ftoi që të luanim bashkë. Është roman metaforik-sarkastik, që i përshkruan me realizëm mjediset e sotme shqiptare. Prandaj politikanët tanë duhet ta lexojnë, se aty do ta gjejnë veten e tyre.Në diskutimin e tij, Gani Demiri përmendi krijimtarinë e frytshme të A.Gjakovës, që nga librat e tij të parë poetikë dhe deri te ky roman, në të cilin janë skalitur disa personazhe letrare. Rreth këtyre çështjeve foli edhe Arben Kondi.

Në mbyllje të veprimtarisë, shkrimtari prodhimtar e cilësor Agim Gjakova i falënderoi, si folësit dhe pjesëmarrësit në këtë përurim.

Tiranë, 26 prill 2014



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx