Udhëpërshkrim
Elida Buçpapaj: Magjia në Katedralen e Bernës
E hene, 10.03.2014, 08:07 PM
MAGJIA SHQIPTARE SHFAQET
MREKULLISHT NË SALLËN E KATEDRALES SË BERNËS
Ky event u organizua nën kujdesin e çiftit Dhimojani - Blättler
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
E djela e fundit e shkurtit pati një ngjarje speciale për jetën kulturore të Bernës, kryeqytetit helvetik që përshkohet nga Lumi Aare, kalërohet nga urat e shumta aq të bukura nën pamjen hijerëndë të Alpeve. Katër instrumentistë të shquar shqiptarë dhanë koncert në Katedralen e Bernës, që është zemra e qytetit dhe njëri nga simbolet e tij. Münsteri i Bernës mban në trupin e vet një histori datuar prej fillimit të shekullit XV. Me stilin e përkryer gotik ashtu si simotrat në Këln, Strasbourg, Freiburg etj.– shfaqet si „ogur i madhështisë dhe delikatesës“ njëkohshëm, nëse do të perifrazonim një varg të Viktor Hygosë, në vend të pohimit se në Katedralen e Bernës më tepër se me vendin e kultit dhe mistikës, ndihemi të përballur me shprehjen e talentit njerëzor, ku arti është përcjellës i civilizimin Perëndimor.
Katedralja e Bernës, më e larta në gjithë Zvicrën, kryevepër e dorës dhe mendjes së njeriut, që të rrok me vete sapo e sheh, ishte vendi ku në mbrëmjen e të djelës së fundit të shkurtit dhanë shfaqjen e tyre tyre artistët Dhurata Lazo, Zija Bushi Bejleri, Klaidi Sahatçi dhe Gjergj Bejko; tre vinin nga Gjermania, ndërsa Klaidi është me qëndrim në Zvicër.
Zvicra ka lidhje shumë të forta me shqiptarët. Të gjithë kokat e Rilindjes kanë kaluar një pjesë të jetës në Zvicër. Faik Konica, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Anton Zako Çajupi, Dora d’Istria... Hasan Prishtina e ëndërronte Shqipërinë një Republikë malore si Zvicra. Për të mos folur pastaj për komunitetin aktual të shqiptarëve që i kalon ndofta gjysmë milioni. Shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Luginës të Preshevës, Shqipërisë.
Komuniteti i shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria është më i vogli në numur, rreth 1500 syresh, por jo më pak i rëndësishëm nga kontributet. Siç është rasti i Zhaklina Dhimojani Blättler e cila, me bashkëshortin e saj, ishin autorët e këtij organizimi të mrekullushëm, për të ftuar e mirëpritur katër instrumentistë brilantë shqiptarë.
Nuk është aspak lehtë, por çifti Blättler ia doli me sukses që t’i sjellë artistët shqiptarë të performojnë në Katedralen berneze, për të shpalosur talentin e tyre nën magjinë gotike të zbukuruar edhe më, ca nga shumëngjyrësia e mozaikëve ca nga prania e bukur e publikut zviceran dhe shqiptar.
Zvicra ka krijuar traditë në mikpritjen e elitës të artistëve shqiptarë, të cilët suksesin e tyre e kanë arritur në skenat e Europës dhe botës. Zvicra i mirëpret Artistët shqiptarë, të cilët ia imponojnë respektin publikut zviceran. Dy prej tyre si Tedi Papavrami dhe Klaidi Sahatçi punojnë e jetojnë këtu. Papavrami njihet edhe si përkthyesi zyrtar i veprave të Ismail Kadaresë.
Ndërsa Klaidi Sahatçi ishte pjesë e katërshes së ftuar në Bernë, bashkë me Dhurata Lazon, Zija Bushi Bejlerin dhe Gjergji Bejkon.
Klaidi
Sahatçi, pasi mbaron Liceun e Tiranës vazhdon studimet për violinë në
Konservatorin Xhuzeve Verdi Milano, për t’i vijuar pranë’Akademisë “
Dhurata
Lazo ka nisur të interpretojë në piano në moshën 6 vjeçare fillimisht në
qytetin e saj të lindjes, të cilin do ta linte për të ndjekur Liceun
Zija
Bushi Bejleri është saksofonisti i talentuar nga të paktit në Shqipëri, të
këtij instrumeti të muzikës black, pop e rock si dhe përbërës i muzikës xhaz,
baba i të cilës është i famshmi Luis Armstrong. Megjithëse muzika xhaz ishte
pothuaj e mallkuar dhe ndaluar në Shqipëri, pasi mbaron Akademinë e Arteve,
Zija Bushi Bejleri nis punën si saksofonisti i parë në orkestrën e Teatrit të
Operas dhe Baletit, ndërkohë që me përmbysjen e diktaturës bashkë me familjen e
tij persekutuar nga regjimi komunist dhe vajzën e tij të zemrës Dhurata Lazon,
atë kohë studente pianoje, do emigrojnë në Itali, duke nisur gjithçka nga e
para. Nuk është e lehtë.
I katërti në grupin e artistëve që performuan në Katedralen e Bernës ishte fëmija 12 vjeçar Gjergji Bejko. Nuk dija asgjë për këtë fëmijë, por kur u ndodhëm përballë interpretimit të tij, na magjepsi menjëherë. Gjergji interpretonte pa parte dhe të gjithë të pranishmit mund të konstatonin spontanitetin e tij sikur pianoja të ishte një lodër për duart e tij prej fëmije. Pastaj lexova se Gjergji kishte marrë disa çmime në Gjermani ku jeton me familjen si l’enfat prodige, fëmijë mrekulli. Por mua, sapo e dëgjova, m’u kujtua ajo historia që tregohet për Moxartin fëmijë, i cili interpretonte në mënyrë aq virtuoze sa krijoi dyshimin se ishte një burrë xhuxh dhe jo fëmijë. E, për ta provuar në ishte fëmijë a jo, ndërsa interpretonte, sollën në skenë një mace dhe Mozarti i vogël e la pianon dhe iu sul maces. Për Gjergjin foli në superlativa edhe Dhurata Lazo, e cila e konsideroi si simbol të muzikantit të ardhshëm. Edhe unë ashtu mendoj. Nuk ka dyshimin më të vogël që Gjergji Bejko do të jetë një Arthur Rubinstein apo Rachmaninov i ardhshëm, por me identitet shqiptar.
Në koncert u interpretua mjeshtërisht muzikë botërore dhe shqiptare. Krahas tingujve të Mozartit, Beethoven-it, Schubert-it, Donizetit, Bellinit spektatori në sallë ndoqi me interes të veçantë edhe pjesë nga Aleksandër Peçi dhe Eriona Rushiti. Është diçka e rrallë të jesh një kompozitore grua siç është Eriona, pedagoge dhe njëkohësish krijuese e muzikës, që lind prej bashkimit fantazist të notave. Veprat e Peçit dhe Rushitit qendruan me dinjitet përballë mjeshtrave botërorë, edhe sepse u interpretuan nga instrumentistë virtuozë, të cilët kanë arritur të integrohen në jetën koncertale në Europë falë dimensione të tilla, ndaj të cilave Evropa mban frymën, duartroket dhe u ngre kapelën me respekt.
Ashtu si i duartrokiti edhe në katedralen e Bernës, në një koncert elitar, i cili u bë i mundur falë dashurisë dhe mirësisë së Zhaklina Dhimojanit dhe bashkëshortit të saj zviceran, të cilët sponsorizuan pothuaj gjithçka. Çifti Dhimojani- Blättler ishin ata që i kontribuan një eventi të tillë,për t’iu treguar zviceranëve se shqiptarët janë një komb i talentuar, që lind nga gjiri i tij artistë të kualiteteve të tilla. Zhaklina më tha se për të krijuar edukatën e brezit të ri si dhe për të krijuar imazhin e mirë, nevojiten pika referimi të vërteta. Dhe artistët e vërtetë janë pika referimi. Si edhe në rastin konkret.
Sa i përket publikut shqiptaro-zviceran që mori pjesë në koncert,ai padyshim u ndje i privilegjuar duke u gjendur përballë artistëve të dimensioneve të tilla.Në koncert mori pjesë edhe Ilir Gjoni,ambasadori i sapoardhur i Republikës të Shqipërisë në Bernë. Duke patur parasysh komunitetin e shqiptarëve që jeton në Zvicër do të duhet vazhdimisht që artdashësave shqiptarë t’u krijohen mundësi të tilla.Duhet të tejkalohet edhe ideja e rinisë të shqiptarëve në Zvicrës, në gjeneratën e Secondosave,të cilët besojnë se rruga e vetme e suksesit të tyre është futbolli. Ata kanë si pika referimi Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Valon Baramin etj, por në fakt rinia shqiptare sot në Zvicër ka plot rrugë të tjera afirmimi. Arti dhe kultura padyshim që është njëra nga këto rrugë.
Organizimi i çiftit Dhimojani-Blättler të një eventi kulturor ishte si një sfidë,bërë padashje komunitetit të shqiptarëve në Zvicër, të ndarë e përçarë nga politika. Ky komunitet, në vend që të tregojë interes dhe të investojë për kulturën dhe vlerat e vërteta, harxhon kohën në shërbim të partive shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri.
Rinia shqiptare në Zvicër ndodhet në udhëkryq sepse në vend që të mirëorientohet, edhe ajo humb kohën në klube të pështira ku përçundohen vlerat dhe kultura e mirëfilltë.
Kur dy
njerëz organizojnë një shfaqje elitare, siç ishte perfomanca e katër artistëve
shqiptare, merreni me mend se çfarë mund të bëjnë gjysmë milioni shqiptarë që
jetojnë në Zvicër. Padyshim mund të bëjnë mrekullira, nëse do të jenë të organizuar.
Gjithsesi uroj që ky evenimet kulturor, ku u gërshetua në një mënyrë shumë elegante qytetërimi europian i Zvicrës me kulturën shqiptare, të shërbejë si shembull dhe model në të ardhmen e afërt.
Publiku zviceran dhe shqiptar mezi presin shfaqje të tilla. Zhaklina Dhimojani Blättler, e cila mbahet mend për rolin e saj kur ishte fëmijë tek filmi Mimoza Llastica, e ka gati një projekt të ri ku synon organizimin e një koncerti me fëmijët e talentuar shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe jashtë saj. Le t’i urojmë punë të mbarë dhe le të ketë në Zvicër sa më shumë projekte për kulturën, sepse sikur thoshte Albert Camus se "pa kulturën, shoqëria edhe sikur të jetë perfekte është një xhungël."