E enjte, 01.05.2025, 08:52 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Nue Oroshi: Rrugëtimi i Kosovës drejt Pavarsisë

E merkure, 19.02.2014, 08:50 PM


Shoqata Atdhetare dhe Kulturore “Jetullah Islami” në menyrë madhështore kremtoi 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Rrugëtimi i Kosovës drejt Pavarsisë ishte i gjatë dhe me sakrifica te shumë gjeneratave

Nga Nue Oroshi

Shoqata atdhetare dhe Kulturore ”Jetullah Islami” tanimë është bërë e njohur në gjithë botën shqiptare. Kjo Shoqatë e cila po përgaditet që ta kremton 10 vjetorin e themelimit të saj, është njëra ndër Shoqatat më aktive në Gjermani e Diasporën shqiptare. Edhe me rastin e 6 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Kosovës kjo Shoqatë në mënyrë madhështore, të dielën, me 16 Shkurt 2014, bëri një eveniment madhështorë, e, që rrallë shihet në Diasporën shqiptare. Të vetmën brengë e kishim, se, vërtetë salla ku mbahej organizimi ishte vështirë t’ju bënte vend pjesëmarrjes së madhe të mërgimtarëve që kishin ardhur ta kremtonin së bashku këtë ditë të pavarësisë se Kosovës.

Sharmin, bukurinë dhe ëmbëlsinë kësaj kremte ia rrisnin edhe pjesëmarrja e miqëve gjermanë, duke filluar nga dr. Stefanie Rönau anëtare e Kryesisë së Forumit të Grave të CDU-së për gjithë Gjermaninë, Kryetari i Grupit Parlamentar të CDU-së në qytetin e Kielit Stefan Kruber, i cili njëherit është edhe kandidat për Kryetar të qytetit të Kielit në zgjedhjet e 23 marsit 2014, Kryetari i CDU-së se Metenhofit dr. Cyron, si dhe shumë mysafirë të tjerë. Që në fillim moderatorja e shkëlqyer Edita Bilalli falënderoi pjesëmarrësit në të dy gjuhët, ku dhe ftoi anëtarin e kryesisë së Shoqatës Kulturore Shqiptare “Jetullah Islami”, z Avni Bilalli, që ta mban një fjalë rasti. Z Avni Billali, I cili njëhërit është njëri ndër më meritorët që kjo Shoqatë po rrugëton me hapa të sigurtë drejt 10 vjetorit të themelimit të saj, në fjalën e tij, ndër të tjera, tha: ”…siç e dini, pas më shumë se 100 vite shtypje, rrahje, ndjekje politike të të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën okupimin serbo - jugosllav, inskenime të proceseve të montuara politike kundër intelektualëve, segregacionit të nxënësve nëpër shkolla, helmimin e mbi 8000 nxënësve, mbylljen e shkollave dhe Univerzitetit, për nxënsit, studentët dhe arsimtarët e profesorët shqiptarë, mbylljen e mjeteve të informimit (TV, gazetave) në gjuhën shqipe, përjashtimin me dhunë nga puna të mbi 150.000 të punësuarve nga lëmi të ndryshme të jetës publike, vrasjet e ushtarëve shqiptarë që ishin të detyruar të shërbenin në APJ, bastisjet kinse për armë, plagosjet dhe zhdukjet pa gjurmë të shumë shqiptarëve nga policia sekrete serbo-jugosllave, por dhe, të ndihmuar nga formacionet paramilitare çetnike, heqja me dhumë e autonomisë politiko - territoriale të Kosovës, ishin disa nga diskriminimet sistematike të rrexhimit etatist e shovinist të Sllobodan Millosheviqit, që shqiptarët e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare i vunë nën rexhimin e një apartheidi, që as Afrika e Jugut nuk e kishte përjetuar.

Ky rexhim gjakpirës zhvilloi luftëra të përgjakshme edhe në Slloveni, Kroaci e Bosnje - Hercegovinë, ku la me qindra mijëra civilë të vrarë e të masakruar. Përvojën e masakrimeve të civilëve të pafajshëm, ushtria dhe paramilitarët çetnik serb i sollën edhe në Kosovë kundër shqiptarëve, që kërkonin LIRI, PAQË, DEMOKRACI dhe, që problemet e konflikti të zgjidheshin me dialog e në mënyrë të civilizuar e paqësore. Kjo rezistencë aktive, siç quhej ndër qarqe të ndryshme të botës demokratike, e udhëhequr nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, nuk pranohej nga rexhimi okupues serb dhe dialogu refuzohej nga rexhimi Milosheviqian, i cili ishte i etur për të pirë gjak të shqiptarëve të pafajshëm që jetonin në trojet e veta arbërore e në shtëpitë e veta. Andaj, ishte e pashmangëshme rezistenca e armatosur, të cilën shqiptarët nuk e dëshironin. Sepse, për këtë, ishin të vetëdijshëm për pasojat e saj. Megjithatë lutëtarët e lirisë, Dëshmorët e Kombit, Komandanti legjendar Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Anton Quni, Ilir Konushevci, Jetullah Islami e shumë e shumë djemë tjerë, themeluan UÇK-ën, për të mbrojtur familjet e shtepitë e tyre, dhe më në fund t'i çlirojnë dhe bashkojnë të gjitha Viset e okupuara shqiptare, shtetit amë.

Mëqenëse ushtria dhe forcat paramilitare çetnike serbe, mercenarët dhe oficerët rus, bellarus, rumun etj. kishin arsenalet më të mëdha të armëve në njërën anë, kurse UÇK-ja dispononte me armatime të lehta dhe të pakta në numër, ishte e vetëkuptueshme se, e kishte të vështirë apo të pamundur ta mbronte popullatën vendase, të paarmatosur e të pambrojtur nga sulmet barbare të forcave shoviniste çetnike të cilët masakronin civilë pa zgjedhur as moshën, as gjininë, as gjendjen shëndetësore. Digjinin shtëpi, fshatra, qytete, pasi i grabisnin të mirat materiale të cilat i dërgonin për në Serbi. Tokën e Kosovës e shëndërruan në "tokë të djegur" dhe i deportuan jashtë Kosovës mbi një milion shqiptarë.

Me pas z. Bilalli vazhdoi:  “…se, popuj, politikanë dhe burrështetas të botës demokratike perëndimore dhe më gjërë, ishin vënë në dijeni, mbi dhjetë vite të tëra për rrezikun që po iu kanosej shqiptarëve në Kosovë nga rexhimi gjakatar serb. Pra, mbi gjenocidin që po ushtrohej mbi ta. Intelektuali dhe Presidenti Dr. Ibrahim Rugova si dhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare e parandjenin se masakrat kundër shqiptarëve do të jenë të mëdha e tmerrshme. Spastrimet etnike, gjenocidi, deportimet e dhunshme kundër shqiptarëve, fatkeqësisht ndodhen para syve të mbarë botës! Dhe, kur u pa se me këtë rexhim dhe bartësit e tij, me mjete politike nuk mund të shmangej lufta, ushtritë e shteteve aleate në kuadër të Nato-s, të udhëhequra nga SHBA u detyruan të përdornin armatimin e tyre kundër ushtrisë dhe paramilitarëve serb, dhe të ndihmonin UÇK-në për çlirimin e Kosovës dhe kthimin e refugjatve në vatrat e tyre stërgjyshore. Edhepse shumica e shtëpive ishin të djegura, të rrënuara dhe të pabanueshme, të deportuarit shqiptarë brënda tre ditësh mbi 800.000 kthehen në shtepitë e tyre.

Ne falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan luftën çlirimtare të UÇK-ës dhe popullin shqiptar ta fitoi lirinë. Falënderojmë në veçanti Gjermaninë për të gjitha ndihmat që ka dhënë dhe po jep për popullin e Kosovës. Pas një periudhe të stërgjatur nën pretektorat, UNMIK-un, Kuvendi i Kosovës e shpallë "Deklaratën Kushtetuese" me të cilën Kosova proklamohet: "Republikë Demokratike e Sovrane" më 17 shkurt 2008. Gjër më tani Kosovën e kanë njohur 106 shtete anëtare të KB-ës. Dhe urojmë që, sa më shpejt të bëhet edhe anëtare me të drejta të plota e kësaj Organizate e Shteteve Demokratike, përfundon fjalën e vet z Avni Bilalli.

Më pas, me një fjalë rasti, përshendeti Kryetari i Grupit të Deputetëve te CDU-së në Asamblenë e Qytetit të Kielit z Stefan Kruber, e, që njëherit është edhe kandidat për Kryetar të këtij qyteti në zgjedhjet e 23 Marsit që do të mbahen në këtë qytet. Z Kruber tha, se, Gjermania e ka ndihmuarë dhe do ta ndimon sërish Kosovën. Ai siguroi se, Kancelarja gjermane z Angel Merkel gjithnjë do të kujdeset që Kosova të eci drejt bashkimit Evropian. Z Kruber preku edhe disa çështje të komunitetit shqiptar në Kiel, ku tha se, ne jemi jashtëzakonisht falënderues për komunitetin shqiptar në Kiel, i cili po e përkrahë CDU-në në të gjitha zgjedhjet.

Më pas Deputeti i Asamblesë së qytetit të Kielit Nue Oroshi, pasiqë ua uroi përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku tha: …ne duhet të vazhdojmë që ta mbrojmë dhe mbajmë kulturën dhe traditën shqiptare, por edhe njëkosishtë të jemi pjesë e Institucioneve kulturore, politike e shkencore në Gjermani.

Çdo gjë filloi të vlonte dhe të ushtonte në momentin kur në skenë dolën këngëtarët e mirënjohur Fadil Jashari e Bekim Berisha, të cilët nën përcjelljen e mjeshtrit të madh të muzikës shqiptare Fehmi Bahtiri, bëri që kjo kremte e madhe e Pavarsisë të jetë e plotësuar në të gjitha aspektet. Kah mesi i natës tek përcjellnim mysafirët pjesmarrës, një mërgimtarë mu drejtua me këto fjalë: Ju lumtë Shoqatës Kulturore Shqiptaro - Gjermane “Jetullah Islami” që me pietet po e mbani gjallë emrin e Dëshmorit të Kombit profesor Jetullah Islamit, dhe ka 10 vite që ju zhvilloni aktivitet kombëtar pa bërë kurrfarë komercializimi, por gjithnjë në shërbim të bashkëatdhetarëve. Duke e përshendetur dhe falënderuar për pjesëmarrje në manifestim i thash shkurt, se atdhetarizmi dhe komercializmi nuk shkojnë bashkë, e në shoqatën “Jetullah Islami” ka festa kombëtare, atdhetare kulturore, e jo komercialo-produktive individuale.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx