Kulturë
Sejdi Berisha: Flakë po qet e nuk po digjet
E marte, 04.03.2014, 08:49 PM
Me rastin e 16-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të Familjes Jasharaj dhe anëtarëve të familjeve të tjera në Prekaz
Sejdi BERISHA:
FLAKË PO QET E NUK PO DIGJET
-Poemë (si popullore) kushtuar Prekazit-
Në ditën ag lirie
Në shtegun që reflektoi dritë,
Tymi kaploi syrin e pranverës,
Thërret Azem Galica,
Vjen Shaban Polluzha…
Kështu e ka gjithmonë Drenica!
1.
Nuk janë memece
As toka as qielli,
Por, kanë zë e flakë t’Prekazit,
Të Likoshanit, Llaushës e t’Çirezit;
Pa këto amë jete
Dot s’merr frymë Skënderaj,
Pa Gradicë e as pa Obri-
Paralajmëron fundshkurti,
Se po vjen pranvera,
Jo si herët tjera.
Çdo gjë ka marrë shpirt-fuqi,
Edhe vdekja hedhë vetën në dashuri.
Në pranverë,…
Gjithmonë adet ka qenë,
Edhe qyqja t’këndojë bukur,
Edhe huti n’dritë të diellit
Të shohë mirë.
Në fundshkurti,
E në fill t’marsit ’98,
Rrufe krisi – rrodhi gjaku
Rivuloset e Drenicës kryeneçësi:
Sa e ëmbël është jeta,
Sa e neveritshme është frika
Sa e dashur është toka,
Sa përcëlluese është drita!...
2.
Përtueshëm duke perënduar dielli,
Ismail Behrami i Baksit t’Poshtëm,
Si shqiponjë shëtitë mbi Drenicë,
E bekoi kështu tokën
Për pranverën që vjen;
Nga dahti i Behram Fazliut të Gradicës,
Diellit iu ndal hapi perëndues.
Ndalu i tha, dhe bëhu dëshmitar
Për pragun e tonës shtëpi,
Mos dru’j,…
Edhe për gjakun më të cilin toka -
Merr forcë e huj.
3.
Likoshani e ka radhën,
Retë e zeza gjithmonë e pa mahi,
Tentojnë ta bëjnë tokën terr e zi!
Por s’lejon vullneti as forca,
Dashuria as qëndresa,
E vërtetë është kjo -
Si buka e besa:
Meraku për gjelbërimin,
Për zogjtë e cicërimën,
Për bjeshkët e kullat -
Themel Kosove!...
Kështu pra:
Muhamet e Naser Gjeli në Likoshan,
Trimërojnë të tjerët e kësaj ane,
Se do të bëhen për dheun kurban.
4.
Nuk është lehtë por është shumë rëndë,
T’përjetosh se si rrjedhë gjaku,
Si vritet e flijohet i riu,
Thërret Ahmeti me pesëdhjetë vjet,
Edhe Ganiu me dyzetë e gjashtë:
Qëndroni Ilmi e Hamzë-mocanikë,
Betuar jemi kurrë për t’mos ikë.
Driton bacë me njëzetë e tri pranvera,
Ngushëlloje Naimin që i ka njëzetë e dy-
Në këtë kohë kur korbi i zi,
Tenton tokën edhe farën për t’na zhbi.
Hapi krahët o Lumni njëzetëvjeçari,
Ruaje Basriun dhe Shemsiun
Me nga nëntëmbëdhjetë pranvera.
Elhamiu vjeç gjashtëmbëdhjetë
se ku treti,
Është e dhjeta viktimë e familjës Ahmeti.
Oh, sa vështirë për t’iu shikuar,
Oh, sa krenari për këtë tokë -
Jeni kasnecë të lirisë,
Jeni beden i ardhmërisë.
5.
Në Obri t’Epërm,
Bekim Deliu gjashtëmbëdhjetë vjeç
Lëshon zërin për në Qirez,
Beqir Rexhepi merr me vete Nazmiun,
Merr Bekimin, Beqirin dhe Bedri Sejdiun.
Mos u trembni or djelmni,
Se po vdesim për prag e për shtëpi!
Më vjen keq,…
Jo për Xhemshitin, as për Iliriun,
Sa për motrën tonë-Rukije Nebiun.
Por, Ibish Rama e Rexhep Rexhepi,
S’e bëjnë mallë as nuk pritojnë,
Për Prekaz e për Drenicë
Jetë të ndërrojnë.
6.
Toka as qielli s’janë mëmece,
Përqafohen bar’ e pemë,
Betohet rrapi dhe qershia,
Kurrë s’do të mbetët pa emër,
Pa diell e liri Drenica -
Thërret Azem Galica,
Vjen Shaban Polluzha…
Qajnë nga gëzimi:
Sa shumë Azema e Shabana
Paska Drenica…!
7.
Në Llaushë e në Prekaz,
Prej pesë e deri me shtatë mars,
N’vend të
lëvrimit e për t’mbirë
Flakë po qet e nuk po digjet
Lagjja J a sh a r i.
Qenka shkruar për t’u flijuar,
Por kurrë për të mos u shuar.
Në tym e n’flakë,
Shih si ngritët Kulla e madhe,
Kulla e Re – derë bujare.
Shaban Jashari shtatëdhjetë vjeç,
Thërret Zahidën-gjallë n’ë mbetsh,
Mos ma le familjen vetëm-
Jemi shumë e trenohemi krejt,
Jemi serta n’liri për t’na prekë!...
Hajt Shaban e mos mbaj dert,
Se me u thanë për të ikur e për të tretë,
N’vend të armikut ata na mbysin vet.
O Shaban, vdis pa frikë,
Se të gjithë vdesim,
Asnjë nuk kem për t’u koritë.
Ushton Prekazi, gjëmon toka,
Kujdes djema gratë dhe fëmijët,
Se armiku është i lig e na i prenë thikë.
Thërret Hamza, o Bacë Adem,
Ndihmomë pak ta nxjerri dorën,
E ta shkrepi edhe njëherë revolen!
Jemi mjaft, thotë Adem Jashari,
Kemi zemër e trimëri:
Një, jemi sa armiq njëmijë.
Kur është në pyetje ky dhé e kjo tokë,
Të gjithë do të shkrihemi kokë më kokë.
Thërret Zarifja e Feridja:
Oj Adile e Hidajete,
Mbahi mirë e mos u trembni,
Mirë po e shohim se edhe plagë kemi,
Por disi n’mujshi për t’u tërhequr,
T’a shpëtoni Ibgallin, Igballen e Selveten,
I dëgjoni gjamtë e lirisë,
Të Besimit, Atifetës,
Të Blerimit, të Blerimës e t’Fatimës;
Janë të rinj s’dijnë të mbrohen,
U vlon gjaku…
Për Drenicën nuk ndalohen!
Uh, moj bija si kujtohi,
Këta janë flaka e Kosovës,
Janë gjak drenice, s’janë qyqarë-
S’kem guxim përpara për m’u dalë.
8.
Fitimi e Kushtrimi,
A s’ju tregojnë mjaft emrat tanë!
S’na kanë pagëzuar kështu
Për bukuri as për mëni,
Por, nga ashku për L i r i .
Pra, a nuk është privilegj e madhështi,
Shtatëmbëdhjetë e trembëdhjetë vjeç,
Në këtë tokë përjetë m’u shtri!
Ec Elhame, motër e re,
Shtriju këtu në mes ne,
Do bëhemi tri rreze
Këtë tokë për ta nxe’.
9.
Këtu na keni edhe neve,
Paluhatshëm lëshojnë zërin
por me dhimb
Blerimi tjetër me vëllazërinë-
Avdullahin e Beharin.
Në shtëpitë e Jasharajve që po digjen,
Kulla e Madhe tek po ngritët.
Kur e pa Halitin t’coptuar:
Hajt bre vëlla shiko Qazimin e Nazmiun,
Athua ç’janë duke bërë,…
Se unë, edhe kështu do t’luftoj,
Pragun e shtëpisë kurrë nuk e lëshoj!
Por,…
Ç’po bëhet me Sinanin e Aliun,
Mos, t’largohen as Beqiri e as Halili;
Shtëpi e madhe kemi qëlluar…
Sërish dëgjohet zëri i Adem Jasharit:
O Sherif, Bahtir, Murtez e Faik,
Hajt bacloka,…
Do ta kemi diellin tonë,
Për të gjithë nga një këngë
do ta këndojmë.
Lëshoja një zë pra Qerimit,…
Salës e Isakut,
Se, s’janë vetëm,
Të gjithë jemi në një rrugë,
Pa kurrfarë teke-
S’do të ndahemi as në vdekje!
10.
Edhe n’Llaushë,
Seç po vjen erë prushi;
Osmon Geci, Sadik Kaçkini
e Miftar Rraci,
Nuk po ndahen as motër e vëlla
Makfirete e Gazmend Gashi,
Ndërsa Fatimja u bën shoqëri.
As masakra e plojë armiku,
S’e ndalë dritën
Në Prekaz as n’Llaushë për t’hy.
Vdekja jonë s’është tragjedi,
Por veç një tufë lulesh për L i r i
Kështu zemrat e shpirtrat porositën:
Nuk e shihni Shaban Polluzhën
e Azem Galicën
N’shpirt e në zemër të Drenicës?!...
…
Kështu Drenica por edhe Dukagjini,
Hasi, Llapi edhe Podujeva,
Kështu është shpati, i tërë vrrini,
Kështu është i riu edhe plaku,
Pokleku, Lybeniqi, Deçani,
Rahoveci e Reçaku
…
Asgjë tepër nuk tregova as nuk dhurova,
Sepse, kështu është e tërë Kosova!
(Marrë nga libri “Fjala e gjakut”, tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares), e botuar në vitin 2006)