E shtune, 27.04.2024, 06:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Albana M. Lifschin: Që të mos harrojmë...

E hene, 03.02.2014, 09:04 PM


Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Që të mos harrojmë...

-kujtime dhe rrëfime të fëmijëve refugjatë të Kosovës. Fort Diks,1999-

Nga  Albana M. Lifschin

Koha që punova në Fort Diks, Nju Xhërsi, me  refugjatët  e Kosovës, për mua do të mbetet e paharruar. Jam e sigurtë se shumë prej atyre të cilëve i u dha kjo mundësi  mund të thonë të njëjtën gjë. Gjithësesi, për mua ishte diçka e veçantë. Së pari, sepse mu besua që të përgatisja një program radiofonik të përnatshëm për “miqtë”,(kështu ishim porositur t'i quanim refugjatët) gjë që më kujtonte profesionin tim në Shqipëri. Së dyti, dëgjuesit e programit nuk ishin të zakonshëm. Ata ishin të etur për lajmet; ata nuk dëgjonin por thithnin çdo lajm për Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, ku kishin mbetur pjestarë të familjeve të tyre, por edhe për gjithë Ballkanin. Prisnin me padurim të dëgjonin që forcat e Natos hyjnë në Kosovë. Më kujtohet një mbrëmje kur e hapa transmetimin me lajmin “ Kisha ortodokse serbe kërkon dorëheqjen e Millosheviçit, u dëgjua një thirrje gëzimi e menjëherëshme dhe e fuqishme. Zërat e tyre depërtuan përmes dritares në studion e transmetimit. U rëngjetha. E kam ndjekur  reagimin e tyre në çdo transmetim që bëja. E dija kur gëzoheshin, e dija kur hidhëroheshin. Jetoja me ndjenjat e tyre. Ndonjëherë, ata nuk prisnin sa të vinte koha e transmetimit, por më pyesnin sa herë më shihnin jashtë studios: Ç’farë lajmesh kemi sot?

Për ditën e 4 korrikut, ditën e Pavarësisë së Amerikës dhashë një program të veçantë në qendër të të cilit vura pjesë nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar idenë që në një shtet të vertetë demokratik , njerëzit kanë të drejtë të zevëndësojnë qeverinë që nuk i përmbush interesat e popullit...

Gjithësesi, atë ditë pjesa me interesante e programit tim ishin fëmijët. Ata e mbushën këtë program me këngë, vjersha, e biseda të sinqerta. Mjaft amerikanë që punuan në Fort Dix, kërkonin të dinin se çfarë thoshin këngët apo vjershat e kosovarëve të vegjël.

Vetë jeta e refugjatëve, e secilit prej tyre, kishte diçka tragjike. Por në këngët e vjersha të fëmijëve apo të rinjve e kuptoje që tragjikja qe trashëguar nga e kaluara. Këngët e lirisë, këngët e trimave ishin të parat këngë që mësuan fëmijët kosovarë.  Ata mësuan të jetonin me dhimbjen si pjesë e pandarë e jetës. Mësuan  të jetonin një jetë të jashtëzakonshme duke e marrë atë si të zakonëshme. Fëmijët nga 10- 14 vjeç, ishin fëmijë të lindur në kohën kur qeveria e Beogradit  ua hoqi autonominë (1989) bashkë me të drejtën e gëzimit të jetës dhe u a zëvendësoi atë me ankthin e persekutimit. I mësoi fëmijëve eksperiencën e hidhur të luftës, kur dikush nga familja mund të mungojë në çdo kohë- mund të vritet , të persekutohet apo emigrojë. Fëmijët e Kosovës para se të mësonin këngët e lojrat e fëmijërisë mësuan ato të mërgimit,  lëngimit për liri e për atdhe, këngët  e trimërisë.Ata kënduan për heronjtë e Kosovës, ata recituan për ata që u burgosën nga sërbi vetëm e vetëm  sepse donin lirinë. Këngët e tyre ishin për emigrantët që u detyruan ta lenë vendin e tyre të bukur për shkak të pushtetit serb. Fëmijët e sollën këtë thesar në programin tim. Diçka që më beri përshtypje e që s’do ta harroj kurrë ishte fakti se askush prej tyre nuk këndoi as edhe një këngë  fëmijësh, këngë lojrash të moshës së tyre, siç bëjnë fëmijët e lirë kudo në botë. Jo sepse atyre nuk u pëlqenin lojrat e moshës se tyre , por sepse ata u lindën atëherë kur qeveria e shtetit të tyre ua hoqi lirinë e buzëqeshjen. Ata u lindën e u rritën gjatë persekucionit serb. Ajo qeveri u mbylli shkollat që ata të mos e mësonin kurrë historinë e tyre, kulturën e popullit të tyre. Fëmijët e Kosovës para se të mësonin të emërtonin lodrat e tyre, mësuan fjalët “liri “,” burg” dhe “mërgim ». U mësuan të përballojnë diskriminin ashtu sikurse prindërit e tyre. Ata u bënë të fortë si prindërit  e tyre. Per më tepër ata u bënë poetë    dhimbjes.  Më kujtohet një mbrëmje dikush më solli në studio një vajzë të re me një një vështrim të menduar.

"Jam 14 vjeç, tha, quhem Makbule Qerimi. Ajo recitoi një vjershë vargjet e të cilës po i citoj më poshtë.

 

Pse kështu?

Pse u larguam kështu?

Të jem në mërgim e përmalluar

Pse u largova nga foleja ime?

Të jetoj në mërgim si jetime?

 

Mua më kishte vdekur nëna

Por prapë kisha një nënë

Kisha Kosovën me diell e me hënë

Ndodhem në Amerikë

Në kazermat ushtarake

Për Kosoven time

Lotët  më shkojnë për faqe..

 

Kur mbaroi, e pyeta se kush e kishte shkruar atë poezi. Mu përgjegj thjesht: Unë. Atë mbrëmje biseduam gjatë. Ishte jetime. Ishte e pjekur tej moshës së saj. E pyeta nëse dëshëronte të rrinte në Amerikë. Ajo ishte e talentuar, e zgjuar dhe Amerika do t’i jepte shumë mundësira. "Jo, më tha, Amerika ka plot njerëz të zgjuar e të talentuar. Amerika nuk ka nevojë për mua. Kosova ka nevojë".

Nuk e di pse, por atë moment më erdhi ndër mend ai episod i bukur  i përcjelle si mesazh  i atdhedashurise brez pa brezi. E kam fjalen për zakonin e vjetër të arbëreshëve në brigjet e Italisë kur prindi e ngrinte lart fëmijën e porsalindur duke e kthyer atë me fytyrë nga Adriatiku  për të mos harruar  kurrë nga kishin ardhur. Do të shtoja këtu disa fjalë për Alban Berishën 12 vjeçar dhe vëllain e tij Arlin.  Albani ishte i pari fëmijë me të cilin u njoha në Fort Diks.

Ishte pasdite  tek bisedoja  me një grup fëmijësh. Doja të dija  se çfarë dëshëronin te degjonin ne programin e tyre. Sigurisht isha përgatitur të dëgjoja kërkesa fëmijësh. Njeri nga fëmijët ngriti dorën duke kërkuar leje të fliste.

- Unë dua të dëgjoj që Kosova u çlirua nga serbët!.

-Si të quajnë? e pyeta

-Alban- mu përgjigj.

I thashë Albanit që edhe unë e prisja me padurim atë lajm dhe  spjegoja që përveç lajmeve në programin e mbrëmjes do kishim edhe nje minutazh të caktuar vetëm për ata, fëmijët. E pyeta në se i pëlqenin vjershat.

-Po, më tha, dhe u ngrit duke marrë drejtqëndrim për të recituar. Ndër të tjera vjersha e tij  thoshte: “ Më rrahën /më keqtrajtuan/ Më kërcënuan me burg e ferr. Por une s’friksohem /E çfryj zemrën e s’kam dert!

-A e di se kush shkruar këtë poezi, Alban? Djali nuk foli, por i vëllai i tij më i vogël, Arlini bëri me kokë nga ai:

-E ka shkruar vetë.

U  mësova të mos habitem më kur dëgjoja që fëmijët e Kosovës i kishin shkruar vetë poezitë  që recitonin apo në ndonje rast edhe këngët.

Ishte vështirë ta kërkoje fëmijërinë tek këta fëmijë. Ajo ishtë e përzierë me luftën.

Ata më treguan historitë e tyre, ashtu si e kanë përjetuar ata krimin serb të fundshekullit dhe ato une i përfshiva në librin tim në anglisht" Children of  Kosova-stories of horror"

Albana Melyshi Lifschin, shtator 1999

---------------.

Disa rrëfime të  luftës  nga fëmijët kosovarë, të cilat u përfshinë në libër.

Adnan Murtezi, 14 vjeç, Prishtinë

Ushtarët serbë erdhën me maska tek shtëpia jonë dhe thirrën sërbisht:

-Dilni jashtë! Shpejt!

-Dilni jashtë! Hajt, shkoni tek Natoja! Shkoni tek Klintoni!

Pastaj shanin me fjalë të ndyra..

Ne dolëm jashtë. Ata qëlluan me automatikë në dyert e dritaret tona. Çdo gjë u thye, u shkatërua. Rrugës na shtynin përpara, na shanin dhe herë pas here shtinin me automatik nga të gjitha anët Thërrisnin: “Ikni, zhdukuni! Kosova s'është e juaja, është e jona!”

Ushtarët serbë thyenin xhama dyqanesh e çfarë t’u dilte përpara por nuk na tregonin se ku po shkonim. Kemi ecur kështu ndoshta 5 orë, deri sa na kane çu tek stacioni i trenit. Unë kam tre motra dhe një vëlla të sëmurë. Një motër tjetër ishte e martuar. Ajo mbeti në Prishtinë. Për të nuk dinim asgjë se ku ndodhej e si ishte. …Atë natë nuk na zuri treni të gjithëve. Ne që mbetëm, ramë për të fjetur përtokë. Por askush s’mundi të flerë atë natë. Dëgjonim krisma, të shtënat e ushtarëve serbë. Atë natë dy gra shtatëzana lindën aty, afër trenit. Të nesërmen në mëngjes herët u nisëm me tren për në Maqedoni.

Alberta Mehmeti, 14 vjeç, komuna e Gjilanit.

Aty, ku banonim ne, janë dy Shillova, Shillova e Shqiptarëve dhe Shillova ku banonin serbët. Natën që Natoja filloi sulmin ajror mbi Jugosllavi, ne po ndiqnin lajmet e televizionit të Tiranës. Aty dëgjuam se sirenat e alarmit për fillimin e bombardimit të Natos u dëgjuan mbi Beograd. Shqiptarët e Shillovës brohoritën për këtë lajm me të madhe. Këto brohoritje i dëgjuan serbët në anën tjetër dhe atëhere ata filluan të qëllojnë me armë në drejtim të Shillovës shqiptare. Atë natë u plagos një vajzë. Familja e mori për ta çuar urgjentisht në spital. Milicët serbë i ndalën familjarët rrugës dhe u kërkuan dokumentat. Familja i u lut të mos i vononin shumë se vajza kishte humbur shumë gjak e duhej çuar sa me parë tek doktori, në spital. "Ah, ashtu?! A doni ta çoni sa më parë në spital? Çojeni pra!" Thanë ata dhe e shprazën automatikun mbi gjoks të vajzës.

Fatbardha Rexhepi, 12 vjeç, Pogragjë, komuna e Gjilanit

Në familjen tonë, ndodhi një tragjedi të cilën s’do ta harroj gjithë jetën. Po largoheshim nga shtëpita jonë e nga Kosova të ndjekur prej policisë e ushtarëve serb. Ishte nje kolonë e gjatë njerëzish para e pas nesh. Ne  po udhëtonim me traktor. Mbi kokat tona fluturonte helikopteri sërb dhe herë pas here qëllonte. Emta e babait tim po mbante në krah fëmijën një vjeç e gjysëm. Plumbi i snajperit sërb goditi foshnjën, në kurriz. Emta e babit, që ishte gjyshja e fëmijës duke menduar që fëmija i vdiq në duar, u trondit aq shumë, sa i pushoi zëmra në vënd. Ajo quhej Nexhmije Azemi.

Flakron Gjikokaj, 15 vjeç, Deçan

Ishim mbledhur të gjithë në shtëpi kur papritur dëgjuam të shtëna me automatik. Dolëm menjëherë jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Rruga ishte e mbushur me ushtarë e milicë sërb. Ne u nxituam të hynim  nëpër podrume. Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta kur serbët nisën të qëllonin me granata mbi Deçan. Një granatë na ra në kulm të shtëpisë dhe fëmijët nisën të qanin me të madhe. Dolëm prej andej pasi nuk e ndjenim më veten të sigurtë. U nisëm në këmbë për në Kodrali, fshat afër Deçanit. Por edhe aty serbët filluan të sulmojnë me granata. E lamë Kodralinë e u nisëm për në Llukë. Helikopteri serb fluturonte mbi kokat tona e qëllonte. Nga helikopteri janë plagosur plot njerës rrugës. Një komshia jonë, plakë e paralizuar që po e mbanin djemtë, i u lut atyre që ta linin në rrugë e te mos rrezikonin jetën e tyre për të. Prej aty duke ecur gjithë kohën në këmbë arritëm në një fshat tjetër, në Strelcë. Në atë fshat banonte tezja. Edhe aty gjëndja nuk ishte më e mirë. Gjetëm një makinë e ikëm dhe prej aty. Vazhduam rrugën në drejtim të Pejës. Babai atë kohë ishte në Gjermani. Kur i dhanë lajmin që ne do shkonin në kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë e la Gjermaninë për t’u bashkuar me ne. Por nuk u takuam dot me të. Nga Stankoveci ne na prunë në Amerikë ndërsa babai tani ndodhet në Stankovec.

Shkabjan Hetemi, 14 vjeç, Prishtinë

E para gjë që nuk e harroj kurrë pasi na dëbuan nga shtëpia, është momenti kur zbritëm nga treni në Maqedoni. Ushtarët serbët na vunë në kolonë dy nga dy e na urdhëruan të ecnim mbi shinat e trenit. Na thanë që askush të mos guxonte të dilte nga shinat se ndryshe do ta vrisnin. Ata ecnin anash nesh me automatik në duar. E dyta, ishte qëndrimi në Bllacë të Maqedonisë. Në Bllacë ndenjëm jashtë tre ditë. Binte shumë shi. Këmbët i kishim në llucë. I gjithë vendi reth e qark ishte kthyer në llucë. Maqedonët na jepnin qese plastike me u mbrojtë nga shiu. Ne i ngulnim në shkopinj druri dhe i përdornim si strehë. Ushqimin, bukën, e sillnin me traktorë dhe na e hidhnin që nga traktori, kush të mund ta kapte. Aty kemi pritë autobuzin që te na çonte në kamp. Tre ditë kemi pritur në shi. S'kishim ku flinim veçse në baltë. Mamit i ra të fikët. Vëllai na mungonte.Nuk e dinim se ku ishte. Vonë Kryqi i Kuq na njoftoi se ai kishte hyrë në Shqipëri.

( Libri "Children of Kosova-Stories of Horror" u vleresua nga Bordi i Edukimit i  Nju Jorkut si tekst  shkollor,për studimet sociale, kl.6-12.)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora