Kerko: a
Nebi Dragoti: Brilante fushe
E diele, 08.12.2013, 05:39 PM
NEBI
DRAGOTI
BRILANTE FUSHE
ERË, RRUGË , BORË
Era duart më vë nga pas,
më shtynë a bën shaka
lajkatarja,
a më kap për krahu si vajzë?...
Nuk kam bërë veprim skandaloz,
prit moj, të shkruaj këtë varg,
nuk tallem , as nuk loz,
as nuk jam poet rrugaç.
Tek këmbëzat e pantallonave
më rrënqeth,
me bulçitë, te pulpat, boricën
ma hedh
tek fusha e rruga e pemët
me borë,
ia marr fërshëllimës dhe qesh:
kjo klimë më bëhet shëndet.
BRILANTE FUSHE
Margaritarët e vesës i kam prekur herët
dhe jam lagur nëpër grurë,
në mos, gjer në brez,
duke i mbledhur për ty , poezi…
Rimave ua var qafës si inxhi
këto hënëza të vockëlza, të vockëlza,
i kap e s’i kap dot;
O, ç’imazh poetik?!
I kap e s’i kap dot e loz si fëmijtë.
Brilantet e fushës i kam davaritur herët.
KONTRAST
Rrota e kamionit në asfalt
la një shukë baltë…
Njëra shau:iu prish llustra,
një tjetër plak qytetar,
pa bërë zë, me dashuri e mori
dhe mbushi vazot e luleve me të…
BOTË E RE
Varg sublim i shpirtit lirik,
reflekse mbart, mendim filozofik…
Njeriun ta duam mbi dhe, këtu,
këtu mbi dhe, respekt gjithashtu…
Thjesht kjo do të thotë:paqë, paqë,
kështu sfidojmë dhe luftën sakaq.
Njeriu, mbi gjithçka, do veç drejtësi,
dhe Bota e Re të jetë kjo, gjithsesi!
POETËVE TË DUMRESË
Fshatar që flet me bimën,
poet që vallëzon me rimën,
burim muzike me mërmërimën,
bukur ritmon me blegërimën,
me vreshtin, me fëshfërimën:
poet, fshatar,
PEIZAZH ME DETIN
Magjishëm, ëmbël, i qetë, me valë
luan deti tango me një varkë.
pulbardha mbi të, me sy si shqiponjë,
pezull, në ajër, po tango vallëzon.
TABANET
Rrugët qindra vjeçare s’lëvizin,
e kanë gjetur tabanin.
Gjejnë muratorët tabanin
për pallatin
e ngrihet ndërtesa gjer në qiell.
Tabanin vargjeve u gjej
si lumi ka gjetur shtratin.
Investigojmë, poetë,
për poezi brilante
duke gjetur tabane të tjerë…
PREPOTENTI
Vjen tek eprori:përulet prepotenti
me temena, lepe e peqe;
se ç’e gjeti!...
I është treguar rruga.
e mbushi kupën!
-Të shkojë prepotenti
të freskohet e të njohë
mirë fushën…
BAKI NEZHA
I thjeshtë Baki Nezha edhe si njeri,
mbledh e vë motive nëpër poezi.
Lulet e Dumresë buqeta i mbledh,
rrugëve më përshëndet dhe e përshëndes(…).
Ka dashuri njeriu për të qënë poet,
duket sikur vargu po e çmend vërtet.
E, në ndodhtë kështu, mburru Baki Nezha,
rend e rend e mbille famën nëpër vjersha!
MËKATË NË LAJTHISHTE
Petale trëndafilash vendin do ta shtroj,
mes lulesh gjithë puthje trupin ta mbuloj.
Këndon flladi ziliqar nëpër lajthi,
me krahë ty gjatë do të shtërngoj në gji.
Ti sheh lart, krihen yjet tek sytë,
mëkat lajthishtes mos të jesh vetë i dytë;
ke të drejtë e dashur, oh, belbëzo, e dashur:
“Mbytmë me të puthura, ç’çast na ka ardhur!”
VARGJET E MIA
Si grigjat laragane rendiment larta
kam kullotur llojet e vargjeve;
kam mbushur vedra me qumësht
hapsirave të kaltra.
Shijojini bukurinë dhe ëmbëlsinë:
balerina mendimesh gjithë elegancë
mjelur motivet e ditëve.
Mjel për ju edhe mirazh…
SHTEGTIMI I PATAVE
Rresht udhëtimin nisën herët
vargje patash për në jug;
nga një kalli misri merreni
ushqim në të gjatën udhë.
Pendët tantella plot reflekse,
u dogjët a u zhdukët në ajri?!
Si flutura gjethesh vjeshte
ikni duke thënë:”Malli
do të na marrë për ty, Shqipëri!”