E premte, 26.04.2024, 09:03 PM (GMT+1)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: E ftuara

E diele, 08.12.2013, 05:22 PM


E ftuara

Tregim nga Hazir Mehmeti

Avioni përpëlitej me erën. Ndërrimi i kursit për ulje, si dukej, nuk ishte i lehtë. Shkëlqimi i diellit mbi re u zëvendësua me shtrydhjen e reve qull. Pikëtakimi me tokën pas dridhjeve të frikshme sikur  shkundi udhëtarët nga bota e lehtë e ajrit, Dikush duartrokiti. Përshëndetja e kulturuar e stjuardesave na përcolli në vëmendje deri poshtë nën barkun e avionit ku na priste treni.

Si ia koloni andej nga vendlindja ju poetët e rinj ? – pyeti B... vajzën, e cila rregullohej në ulësen e butë përball. Flokët e saj të zeza rrethonin një fytyrë të plotë me sy të zi e të mëdhenj.

-Mirë, me plot halle e shqetësime- foli duke përcjell me shikim lëkundjet e vagonit dhe  hijet që reflektoheshin shpejt hapësirës.

-Këtu i respektojnë poetët, veçanërisht ata të rinjtë dhe i ftojnë nga të gjitha vendet. Vendoret i quajnë “Vendet e Treta”, ku bënë pjesë edhe vendi ynë.  “KulturKontakt” është bërë një shtëpi e dytë prezantuese e krijuesve nga Hija e Kuqe, edhe ju do jeni pjesë e saj.

- Të shohim si do jetë e organizuar. Dikur e quanin kryeqytet i Gadishullit, aq shumë kishte ndikim në vendimet e kohës. Kam lexuar se diku para katër shekuj e ka udhëhequr një guvernator shqiptar. Kjo nuk më besohej, por pasi mblodha fakte nga arkivat dhe shtypi doli e vërtetë. Si jemi ne shqiptarët, sa shumë kemi dhënë për të tjerët- tha e emocionuar vajza dhe nga çanta nxori leckë të lagur, aroma e së cilës freskoi ajrin e mbyllur, fshiu ballin e djersitur, preku fytyrën lehtë disa herë, e palosi me kujdes duke e ngjeshur mbi xhinset me ngjyrë të kaltër.

- Si duket ne kishim lindur për të tjerët, antikës i dhamë zotë, Romës perandorë, Vatikanit Papë e  Perandorisë Osmane kryeministra e arkitektë të zot. Lavdia e të gjitha kohëve u zbraz në mëri ndaj nesh dhe mbetëm këtu ku jemi, të shkatërruar, në mjerim e në injorancë. Të përbuzur e nënçmuar në çdo cep- vazhdoi  B.. në detyrën e përcjellësit.

-Nuk thonë të gjithë kështu, këto janë çështje të bindjeve personale, si shpërthim emocional kur gjërat tona të  bukura i grabisin të tjerët. Lavdia e tyre shpeshherë i kalon caqet e realitetit dhe bëhen të mërzitshme, veçan për programuesit e botës së hapur, -sikur u zbrazë nga mendimet e grumbulluara e ftuara, tani pas arritjes në zemrën e qytetit të gurtë.

Derisa përcjellësi fliste në ulësen përball, poetja  dëgjonte me një kërshëri lodhëse, sikur thoshte, “më le të qetë, të lutëm”. Shikimet nga dritarja e trenit në vrapin e tij mes koloriti dritash të panumërta reklamash  krijuan një lidhje me pamjet nga qytetit.

Në Hotelin “Mozart” dëgjoheshin tingujt e lehtë të  muzikës klasike  gjithandej hapësirave çlodhëse përplot nuanca ndriçuese. Asnjëherë nuk i kishte shkuar ndër mend shoqërimi në çdo hap i gjenisë njerëzore, siç ishte Mozarti. Skajet e dritareve të dhomës  rrethoheshin me korniza flakëruese të punuara me mjeshtëri. Pas shikimit njohës me hapësirën, hapi butonin e altoparlantit pranë nënkresës në krevat, vendosi dëgjueset dhe u shtri në krevatin e butë ashtu si ishte e veshur.. Njërën mbi tjetrën këmbët e gjata me çizmet e larmë që shkëlqenin, i vuri në cepin e drunjtë i punuar me shije arti. Serenada e mjeshtrit të  madh të klasikes qetësisht bashkoi shpirtin me ambientin e ri përplot portrete. “Do të pushoj me muzikën e zemrës  ashtu siç dua vetë. Jam vetëm dhe s’më pengon asgjë, të paktën këtu do jem e lirë të nxjerr tablotë e mia që më vlojnë brenda”.      Errësira e mbrëmjes u shoqërua me shkëlqimin shumëngjyrësh të rrezeve valëzuese, të cilat vibronin pandalshëm lojën e ujit të pishinës pranë dritares që bashkonte dy horizontalet e dyshemeve.

“Studentë të nderuar, sot ju prezantojmë poeten e re nga shteti më i ri”- këto fjalë vajzës i mbetën të ngulitura gjatë në mendje. Kishte studiuar në një vend të Gjirit të Bengalit në një kolegj të njohur për talente nga e gjithë bota. “Shteti më i ri në botë”, sikur dëgjoj sërish zërin në auditorin para qindra studentëve. Një rast të tillë asnjëherë nuk e kishte përjetuar.

“Faleminderit!

Po, unë vij nga shteti më i ri në botë, por i takoj një populli të lashtë”. Sallën e mbuloi një qetësi e habitshme. Jetohej një botë e kureshtjes për ta dëgjuar, shumica e të cilëve nuk kishin dëgjuar për shqiptarët dhe historinë e tyre, apo, ndoshta, kishin  lexuar për eksodin e kosovarëve dhe bombardimet për të ndal vuajtjet gjatë luftës së fundit. Vajza e re me dorën e majtë shtyu flokët e gjata mbi supe, kurse në dorën e djathtë mbante librin e poezive. Mori frymë thellë dhe filloi leximin e poezive.  Arti poetik dhe zëri u  bashkuan me bukurinë afroditiane nën shoqërimin e rrathëve të dritave që ndiqnin lëvizjet në tribunë.

Mbrëmja afrohej me  shprehjet e saj në hijet e errëta. Ditë e lodhshme. Shpërthimi shpirtëror kërkonte shpërblimin e tij.

“Do pushoj në qejfin tim të kërkuar”.

Një gllënjkë djegëse, një gllënjkë loti, një... këngë. Ha...ha...ha.aaa. Duartrokitje, duartrokitje.  Pushoni! Përse tani, pushoni? Thash diç të re, diç të vjetër, diç...diç diii...ha,ha ha...

Serenata e Mbrëmjes u shkri në Gotën  Uiski gjysmë e zbrazur vijës së gjoksit mes dy brigjeve magjike nga gjinia e së bukurës. Tablotë që ndrydheshin me kohë në gjoksin e ri filluan lëvizjet dhomës të përziera me ngjyrat e dritave nga jashtë me ato të abazhurëve. E tërë dhoma u shndërrua në atelie ku ngjyrat vraponin duke shtyrë njëra - tjetrën në maje të penelit, i cili ndërronte formë e ngjyrë në lëvizjet centrifugale. Piano e vjetër e Mocartit rrotullohej tavanit bashkë me tingujt e zhurmshëm duke thirrur ëndrrën e  kalorësit gotik.

Për veshin e fjetur cingërima e celularit tingëllonte lemeritëse. A... u ngrit ngadalë me kokën e rënduar. Dielli kishte bërë hap mbi pullazin e katedrales kambanarëve të së cilës thyheshin rrezet duke dhënë shkëlqim mbi pullazet e shtëpive ngjitur për te.

Në gjysmën e parë të paradrekes u takua me grupin e artistëve të ftuar. Parku i bukur brenda Unazës së Qytetit të Vjetër, dhuronte ajër të freskët për banoret e qytetit  me drunjtë e shpeshtë e përplot gjethe të shëndetshme. Shkëlqimi i peizazhit të bukur reflektohej në kaltërsinë e kënetës duke u valëzuar nën dirigjimin e mjellmave qafëgjata.  Që nga porta e unazës së parë të qytetit shkëlqente mes gjelbërimit lapidari portal me skulpturat të cilat rrethonin Mbretin Botëror të Vallësit, tani i flakëruar në ar. Pamja e tij në lojën e violinës të kujtonit mjeshtrin legjendar të violinave Stradivarin dhe s’mund të mos besoje se ekzekutuesi lindi si shpërblim ndaj mjeshtrit të mbi njëmijë violinave anë e kënd botës.

“Vlerat në art njerëzimi i çmon tek pas shuarjes fizike”- mendonte ajo.

“Tani e kuptoj pse qyteti fton kaq shumë poetë nga e gjithë bota” – gati sa nuk foli me zë dhe mendja i shkoj te poezitë.

“Këtu edhe të mos jesh poet do bëhesh”. Çdo kënd rruge e ndërtese të ofron diçka të bukur, të mrekullueshme, shekullore. Poeti i Lirikës sonë mori këtu frymëzimet e para gjatë studimeve të tij. Bilbili i Gjuhës Shqipe, thuri poezinë më të fuqishme kushtuar kryetrimit tonë, një lapidar i përmotshëm. Psherëtiu thellë e ngufatur nga ngazëllimi. I ngutej të nxirrte letër dhe të fillonte që tani lirimin e asaj që i vlonte brenda. Heshti. Shikimin e drejtoj nga grupi i sorrave që luanin vallen e tyre në barin e gjelbër nën lisin e  lashtë perandorak.  Njëra hapte krahët dhe tjetra e ndiqte në një rreth grupi duke  lëshuar zëra në radhë deri në fluturimin e ri. Kjo ia përkujtoj Bungun e Madh shekullor në Shpatin e Ahut të fshatit, kur shkonin pushimeve të verës tek gjyshërit, nën hijen e gjerë të të cilit shpesh shoqëroheshin nga shpezët e lodhura nga vapa e gushtit. Shpeshherë shtyheshin me veti, se cili do zbrite poshtë tek burimi për ta mbushur bucelën me ujë të ftohtë. Kur nuk kishte pëlqim, nganjëherë, thirrej në ndihmë shkulja e  petaleve të Margaritës.

Kishte harruar se tani ndodhej në zemrën e qytetit. Tramvaji qarkullonte hekurudhës së tij në unazën e qytetit e cila rrethonte  Katedralen Qendrore, kambanarët e së cilës  shkëlqenin nga dielli i pasdites vjeshtake.   Kulmi i saj i njohur me mozaikun shumëngjyrësh është bërë me shekuj simbol i një perandorie të fuqishme.

Përkundjet e tramvajit tani ishin të zakonshme dhe nuk i bënin përshtypje. Maja e lapsit me të cilin    shkruante emra rrugësh e objektesh, sadopak për t’i pasur diku, ishte bërë rrafsh me dru dhe rrëshqiste i pa gjurmë mbi letër. Me thonj çliroi ngadalë  pak maje grafiti sa për të shkruar të paktën edhe fjalën e teatrit dikur i njohur në Evropë,  para të cilit do përfundonte udhëtimin e Unazës së Parë të qytetit e ndërtuar mbi muret rrethuese të qytetit të vjetër.

Në takimin me krijuesit e shumë vendeve në lokalet e stolisura nga vepra arti e zuri të  papërgatitur. Etiketa me emrin e saj qëndronte në tavolinën para karriges së zbrazët, ku tani më kishin zënë vend artistë tjerë të ftuar.  A... ngrehu ulësen me kujdes dhe zuri vend. Djathtas saj zinte vend djaloshi me gjysmë mjekre, i hajthem, me flakë të gjata kushedi kur të krehura. Nga dritarja lart mbi mur përball vinte ajri i freskët i mbrëmjes bashkë me dritat e dobëta. Harta e Evropës e ndarë në rrathët me yjtë ngjyrë verdhë  qëndronte në murin anësor e rrethuar nga pikturat. Kjo kujtonte vitin e shembjes së Murit të Berlinit ku ndahej bota me gjithë intrigat para e mbrapa hijeve të tij.

“Jetojmë në një kohë ku çdo gjë matet me saktësi” mendoj duke e drejtuar shikimin nga shkrimtari i ri me pamje indo-aziatike. Fytyra e tij me turinj të fryrë, mjekër pak të zgjeruar, me ballin e ngushtë i cili pak se dallohej nga flokët e zeza e të ngjeshura që shkëlqenin. Prezantuesja e  programit lexoi emrat me radhë të krijuesve nga shumë vende. A... me kureshtje përcillte thirrjen e emrit të shkrimtarit përballë, i cili me elegancë u ngrit në këmbë duke u përulur në shenjë përshëndetje. Dukej sikur e kishte takuar edhe hera tjera.

Po sikur të jetë ai djaloshi në Fakultetin e Letërsisë Botërore”- e përfundoj mendimin dyshues.

“Kjo nuk është e mundur”-  mendoj A...

“Kemi fatin që sot mes nesh është një shkrimtar i ri dhe i dalluar nga toka më e afërt me qiellin, nga Nepali i largët. Shkrimet e tij kanë kthjelltësinë e lumenjve malor bashkë me  madhështinë e Himalajeve. Baram, është i pari nga ky vend që do lexon këtu në Sallën Solemne në gjuhën e tij”.  Ishte përshtypja se duartrokitjet për te ishin më të  fuqishme e më të gjata. S’ka se si të mos shkoi mendja tek malet e larta që qëndrojnë si kulm mbi themelet e tokës duke i dhënë forcë asaj në qiellin mbi re.

Fundi ndihej. A... e kishte kokën e rënduar. I vlonin kujtimet nga  jeta e saj, përjetimet e saj si studente e dalluar në Riga, koha me studentët kosovarë podrumeve të përndjekur nga barbaria e çmendur, lufta, takimet me gazetarë, kronikat që i kishte përgatitur mes njerëzve që vdisnin nga plumbat e uria në luftë. Nuk e kishte ëndërrua  se do fitonte çmim në mesin e trembëdhjetë gjuhëve,  se do takonte shoqëri nga studimet pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Mbi të gjitha e ftuar për qëndrim  në qytetin e lashtë,  zemër e kulturës evropiane.

“Të nderuar krijues, erdhi dita e  lamtumirës. Vitin e ardhshëm tre fituesit e vendeve të para do jenë mysafirë tanë në Katmandu”.  Fjalët përmbyllëse i tingëlluan në vesh derisa avioni nxitonte mbi Alpet Shqiptare me majat e tyre në qiellin pa re.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora