Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Abetarja e parë shqip në Austri
E diele, 13.10.2013, 04:51 PM
Abetarja e parë shqip në Austri
Disa
elemente udhëzuese didaktike
Abetarja e re do t`i plotësojë nevojat në alfabetizimin fillestar. ...dhe dygjuhësor.. “...Aktiviteti i mësuesve/eve, kreativiteti i tyre do e ndihmon shumë afirmimin e mësimit shqip krahas gjuhëve tjera”.
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Vjenë, gusht
Fillimin e shkollimit të tyre nxënësit
shqiptarë këtë vit shkollor do ta nisin me abetaren e parë në Austri, të botuar
para pak javësh. Do të jetë vit historik në mësimin e gjuhës shqipe në raport
kulturor mes dy popujve. Austria historikisht u dallua në mbështetjen e saj
ndaj gjuhës e kulturës shqiptare.“Fibel –A-B-C- Abetare”, e autorit Hazir
Mehmeti, u përkrah nga Ministria e Mësimit të Austrisë, kurse botues është
E.Weber Verlag, i njohur për botimin e teksteve shkollore në Austri. Nxënësit
do të furnizohen me abetare sipas porosisë së mësuesit dhe ajo do të jepet
falas sikurse tekstet tjera mësimore.
Abetarja e re do t`i
plotësojë nevojat në alfabetizimin fillestar. Teksti tjetër i dedikuar
kryesisht ushtrimeve plotësuese “Tekst ushtrimi 1” e plotëson hapësirën brenda
orës mësimore kushtuar çdo shkronje duke e lehtësuar mësimin. Prindërit,
fëmijët e të cilëve nuk mësojnë në shkollë shqip mund ta porosisin privat
tekstin.
Mësuesve në diasporë iu shtua
edhe një mundësi zgjedhjeje teksti në punën e tyre në alfabetizimin e nxënësve
mërgimtarë. Bazuar në standardet e teksteve të kësaj natyre në gjuhën turke e
kroate, kjo abetare është me elemente pedagogjike e metodike që i përgjigjen
rrethanave dhe kohës në procesin mësimor.
Botimi i këtij teksti u prit me dashamirësi
edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Diasporës.
Mësuesit në Austri dhe në diasporë, të interesuar për këtë abetare, tashmë e
kanë porositur nga katalogu i teksteve mësimore për vitin shkollor 2013/14.
Teksti mund ta porositet përmes internetit tek botuesi E. Weber Verlag.
Metodika
e përdorimit
Abetarja e re, A-B-C Fibel , është e para e këtij lloji në
Austri e cila botohet nën përkujdesjen e
organeve arsimore austriake. Në Evropë
akoma asnjë shtet nuk ka botuar dhe përdorur abetaren e hartuar nga një mësues
direkt në procesin mësimor dhe financuar me të gjitha elementet përcjellëse. Të tre redaktoret e caktuar nga Ministria e Mësimit
dhe Shtëpia Botuese i japin notë të mirë
duke e vlerësuar si një tekst i standardeve të kohës krahas atyre në gjuhën
BKS- dhe turke. Me disa elemente
Abetarja në shqip vlerësohet si më e arrirë. Elementi dallues është
shumëfiguria dhe thesari i fjalëve. Nisur nga kjo, ky tekst është i
përshtatshëm në alfabetizimin dygjuhësor, paralel me gjuhën e shkollës.
(Vlerësim nga albanologu dhe metodiku i njohur në hapësirat gjermanofolëse,
Dr.Dr.Basil Schader, ligjërues në Cürich).
Madhësia e figurave, renditja e tyre,
ngjyrat dhe hapësira për shkrim gjatë mësmnxënies janë sipas formave metodike e
pedagogjike psikologjike në përputhje me moshën e nxënësve. Kjo e bënë tekstin
tërheqës në mësimnxënie dhe mësimdhënie. Në çdo shkronjë gjejmë gërshetimin metodik të
elementit të perceptimit, shkrimit, shprehjes, shqiptimit, ngjyrosjes, leximit
dhe lojës apo pjesa argëtuese. Është hera e parë mundësia e leximit
vertikalisht nga shkronja, rrokja deri
te fjala e plotë e cila në shumicën e rasteve shoqërohet me figurën përkatëse.
Ky element është i ri edhe në krahasim me Fibel në gjermanisht, turqisht dhe
BKS në Austri. Nga praktika, këtë e
dëshiron nxënësi pasi e lehtësoni bashkimin e shkronjave në rrokje dhe rrokjet
në fjalë. Ata që punojnë paralelisht me
mësuesen e klasës (gjuhën e shkollës dhe
konkretisht gjermanishtes) kanë shumë lehtë të bëjnë lidhjen e
harmonizimin mes dy gjuhëve. Teknika e shkrimit është e njëjtë dhe kjo e shton
ndihmën e ndërsjellë në shtimin e thesarit gjuhësor.
Tipi i shkrimit
është i ri, nga tipat e shkrimit,
Schulschrift (Shkrimi shkollor) tani me
të cilin botohen tekstet e ciklit të ulët në Austri. Ky tip shkrimi është i
thjesht dhe i kapshëm nga nxënësi. Shkronjat dallohen qartë njëra nga tjetra e
jo sikurse deri tani tek tipat klasike të shkrimit ku ngatërrohen bie fjala
i (I i) me l (L l) apo edhe ndonjë shkronjë tjetër ku nxënësi e humbiste sigurinë e tij në perceptimin figurativ e fonetik. Çdo
shkronjë zë tri faqe.
Faqja e parë fillon me shkronjën e shoqëruar me figurën emri i së cilës fillon me shkronjën përkatëse. Është marr parasysh që figura të ketë emër që mund të lidhet me gjuhën e shkollës. ( psh. Brot - buka ). Teknika e të shkruari është e paraqitur me shigjeta të vogla dhe me numrave nga fillimi deri tek hapi i fundit i shkrimit sipas rregullave të shkrimit që zbatohen në gjuhën gjermane. Kjo e lehtëson ushtrimin e të shkruari në të dy alfabetet. Shkronja do shkruhet, po ashtu me 3-4 ngjyra pasi nxënësi e ka shkruar me laps. Kjo do e krijoj një kolorit të bukur tërheqës dhe do ta ushtroj tekniken e shkrimit. Tërheqja me laps në shkronjat e shkruara me ngjyrë e ndihmon shumë anën teknik dhe sigurinë e vetëbesimin e nxënësit. Kjo do pasohet me shkrimin e lirë të shkronjave duke e mbushur hapësirën e mbetur në rresht. Rreshtat që pasojnë, fjalitë, lexohen dhe pastaj mund të përshkruhen në hapësirën që pason. Në faqen e parë të çdo shkronje, anash, është i dhënë alfabeti sipas rregullit të shqipes. Kreativiteti në mësimdhënie vjen në shprehje edhe këtu, ku, mësuesja do bisedon duke krahasuar pozitën e shkronjës në alfabetin shqip, duke dalluar shkronjat që i ka mësuar deri tani, krahasim me shkronjat në gjuhën e shkollës etj.
Faqja e dytë e pasur me
figura e numri i të cilave përmban shkronjën e mësuar. Mësuesi e thotë emrin e
figurë qartë duke dëgjuar vendin se ku gjendet tingulli i cili i përgjigjet shkronjës. Gjendet në
fillim, në mes apo në fund. Në rrathët përkatës do shënohet me një plus apo shenjë tjetër pozita e tingullit të
dëgjuar. Tingulli shënohet aq herë sa
dëgjohet. Kjo formë e perceptimit të tingullit ka disa përparësi në të
mësuarit e shkronjës dhe emrit të figurës. Emrat e figurave, preferohen të
thuhen edhe në gjuhën e shkollës. Kjo do e lehtëson shumë alfabetimin paralel
në të dy gjuhët. Sipas ekspertëve eminent austriak (albanolog), që e kanë
redaktuar Abetaren A-B-C (Gutbeachter),
këtu shihet vlera aktuale e saj si thesar e pasur figurash e fjalësh. Këto figura mund të kopjohen nga mësuesja,
prehen, folizohen e pastaj të prehen. Me to në rreth nxënësish mund ta fillohet
ora mësimore duke biseduar rreth emrit, me cilën shkronjë fillon figura etj.
Pastaj kalon në punën me tekstin. (Edhe një element i ri bashkëkohor i
Abetares).
Faqja e tretë është e
pasur me fjali të cilat do lexohen dhe përshkruhen nga nxënësit. Disa fjalë
janë të shkruara vertikalisht duke filluar me shkronjën e parë. Shumica e
këtyre fjalëve, emrave, janë të shoqëruar me figurën përkatëse sipër, një
element i ri në Abetaren në gjuhën shqipe. Kjo e lehtëson njohjen, perceptimin
e figurës dhe emrin e saj, shkronjave në fjalë dhe pozitën e tyre. Kjo metodë e
ushtron me sukses lidhjen e shkronjave
në rrokje, rrokjeve në fjalë. Ky lexim aplikohet me sukses në gjuhën gjermane
vite me radhë. Në mbarim është dhënë
pjesa ku nxënësi sadopak do pushoj duke zgjedhur një enigmë, ngjyrosje apo lojë
me temë përkatëse.
Teksti mundëson shprehjen
kreative të mësueses/it gjithanshëm. Pjesa shtesë e të ushtruarit mund të
plotësohet nga literatura përcjellëse që do përgatitet më parë. Në Austri është
botuar edhe “Tekst ushtrimi 1” me fletë
ushtrimi për secilën shkronjë. Ky tekst është i ngjashëm me tekstet ushtrimore
në gjuhën turke dhe në gjuhën boshnjake, kroate, serbe (BKS). Mësuesit/et tani kanë mundësi më të madhe
zgjedhje të materialeve mësimor krahasuar me të kaluarën. Ne akoma jemi larg në literaturën shkollore
krahasuar me gjuhët tjera në Evropë. Aktiviteti i mësuesve/eve, kreativiteti i
tyre do e ndihmon shumë afirmimin e mësimit shqip krahas gjuhëve tjera.
Si ilustrim do paraqesim tri faqe të një shkronje (G, g), sa për ta parë mundësinë që ofron hapësira brenda tekstit.