E hene, 06.05.2024, 07:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Elvi Sidheri: Apocalypse then!

E premte, 06.12.2013, 11:20 PM


Apocalypse then!

Novelë nga Elvi Sidheri

Ishte një kohë e largët ku gjaku shprishej dhe toka akoma nuk ishte ndarë ne kufinj tokësorë apo aq më pak mendorë!

E kështu në atë cep malor të gadishullit të shtrirë barazlargësisht mes Europes mëmë dhe Orientit kërcënues,në atë epokë të largët,ai truall po ngjizte në sipërfaqen e tij një konglomerat unik kulture,gjuhësh e qytetërimesh!

Ishte natë,një natë e ftohtë buzëliqenore në vigjilje të një Mijëvjeçari që porsa do të përmbushej dhe ajri i acartë dukej se do të ish çtendosësi i vetëm i shumë mendjeve tejet të nxehta.

Por çfarë ishte ajo që përflakte ata banorë të qetë e punëtorë,të cilët përndryshe nuk kishin vëmendje për gjëra më të konsiderueshme sesa peshqit lodracakë (dhe te shijshëm...) të liqenit bujar?

…Pak dihej pse,por fjalët kishin marrë dhenë dhe tashmë pa as edhe një paragjykim seksual,klasor apo etnik,çdokush mes gjindjes gjente vetem një temë diskutimi të mundshëm!

E aty rreth agimit,ëndërrat e mengjesit me siguri njëhësoheshin me psherëtimat e peshkatarëve të regjur në ujë e kundërmim peshku…dhe te gjitha bashkë më pas pikëpyeteshin mbi një të ardhme shumë të afërt.

Dita që po fillonte në fakt ishte e fundit e një viti i cili ishte vetë fundmitari i një shekulli final,që po transportonte vdektarët mëkatarë në atë që më vonë do quhej “Mesjeta e Hershme” e Njëmijevjetëshit të Dytë!

Këmbanat e shumta nisën të bien në unison dhe banorët u derdhën rrugicave të gurta të qytetit që i avitej atij rripi toke kodrinor mbi liqenin përherë të kthjellët.

Permbi vesën e shkrirë nëpër kanalthet kalldrëmore,nisën tashmë të ushtonin hapat e qytetarëve ditëfillues që po i drejtoheshin me ballin lart okupimeve të tyre banalisht ditore,me mendjen sidoqoftë të ngulitur pashkulshëm tek një ardhmëri që friksueshëm po ndihej akoma edhe më pranë.

Ç’do të ndodhte vallë të nesërmen?

A do të vinin valët liqenore njëlloj në atë përqafimin e tyre përjetësisht të pandashëm me bregun e rreshkur nga dielli përcëllues malor?

Po mjellmat do lundronin ende fisnikërisht në ujërat nën qytet,duke i bërë banorët të shpengoheshin nga angaritë ditore,teksa përhumbeshin në pamjen e atyre shpendëve magjepsës si vetë ai qytet i lashtë?

Ndoshta buka nuk do piqej aromshëm mëngjeseve e mundet që Zoti i porsagjetur i ish-barbarëve dikur paganë,te cilët tani dominonin vendin,ajo perëndia e Tokës së Shenjtë pra…ndoshta qe nxehur aq shumë me këta njerëzit plot vese,sa që të kishte menduar mirë ndonjë ndëshkim të shëndetshëm Biblik!

Nje “Permbytje Universale” nuk del kurrë lehtë nga moda gjithësesi!

Pastaj duke njohur kushtet ujore të zonës,edhe nje “Arke Noeje” s`do ishte aspak pa vend.

…Por koha e pashpirt sakaq kalonte vrullshëm dhe orët shkonin më shpejt se ç`urohej nga shumë prej atyre që mundoheshin të shijonin orët e fundit pararendëse të së panjohurës vijuese!

E aty nga muzgu i herët dimëror funddhjetoras,kthinave të ftohta të lagjeve të poshtme nisën të dëgjoheshin britmat “parathënëse” e “parashikuese…fat-treguese” të disa personazheve të cilët vetëm në një ditë të tillë mund të shfaqeshin në skenën tragjikomike të “FundBotës” së supozueshëm.

Ishte ky sigurisht një fenomen që padyshim kishte prekur thellë shoqërinë dhe popullin gjysëmfeudal të kohës dhe që ishte përhapur si çdo epidemi tjetër ngjitëse,anekënd kontinentit të vjetër.

Por në ndryshim nga Perëndimi tejet Katolik ku këta "Profecibërës me ulje çmimi"…do kishin përfunduar pa as edhe një mëdyshje të vetme,drejt e në “Turrën e Druve”,nga kjo anë e Adriatikut…fat-thenia e tyre ende tolerohej nga Skizmatikët e Kishës Lindore!

Kështu me afrimin fatal te darkës dhe rrjedhueshmërisht mesnatës,tashmë pati marrë rrugë një garë e ethshme e kujt parashikonte mënxyrën më të madhe dhe pakkush në qytet i ish shmangur transit gati haluçinant që si një re kërcënuese kish përpirë gjithçka.

Në mes të këtij kompeticioni të mirfilltë “ardhmëritregues”,diku anës ujit të kthjellët nator,në një nga plazhet me gurë afër Kishës së Madhe,një "Profet" po bënte dukshëm dallimin mbi rivalët!

Qindra njerëz po ndiqnin gojë,sy e ndoshta edhe veshëhapur,ortekun e fjalëve të këtij personi gjer aty totalisht të panjohur për masën njerëzore që banonte në qytetin buzë liqenit.

Por ç`thoshte ky njeri,ky burre i dheut që shkundte me zërin e tij plogështinë e atyre “Plebejve” të lodhur po aq sa edhe friken e “Patriceve” të lagjes në Kështjellën mbi kodër?

Ai kish filluar të tregonte se e ardhmja sido që të ishte,përherë do ish e panjohur,dhe shumëkush panjohurisë i trembej aq (në mos më tepër)…sa edhe vetë Djallit!

Më pas nën një delir triumfant…i kish treguar popullit se qyteti do ndërronte flamur dhe se Kryqi i shenjtë do zëvendësohej nga Gjysmëhena dhe se një ditë,nje popull ardhacak do i mbisundonte edhe vete këta ish-barbarët e tanishëm.

U thoshte se tre etnitë,vendasit,barbarët e krishterizuar dhe barbarët islamikë…do thereshin në vazhdimësi me një përpikshmëri të admirueshme,në një bashkëjetesë normalisht mortore!

Por ai nuk hezitoi t`u tregonte se nuk ia bënte syri tërrt t`u thoshte se një ditë sidoqoftë,pas 1000 vjetësh akoma,bota do njihte të tjerë kolegë të tij të cilët do flisnin për fundin e rradhës së Botës në pragun e Mijëvjeçarit të Tretë.

E në këtë pikë ku shpresat qenë venitur e tretur si kripa në ujë,ai u kërkoi njerëzve të shijonin atë pak jetë që u mbetej sa më shumë që të mundeshin.

U tha se jeta ishte “Një” dhe se duhej jetuar plotësisht për aq sa të ish e shkruar t`a jetonin!

U tha burrave të puthnin gratë e tyre dhe grave që të bënin dashuri me burrat.

U kërkoi peshkatarëve që të linin peshqit të qetë,duke përbërë kështu ndoshta thirrjen e parë Ambjentaliste të historisë!

Vena profetike i kapi sido që të jetë tonalitete të larta “heretike” kur i kërkoi Kallogjereve që të linin qelat e lagështitura dhe lutjet e sakrifikimet hyjnore,bashkë me dorëheqjen nga kënaqësitë e trupit femëror brenda në Manastiret e zymta dhe të dilnin në rrugë e të kënaqnin epshet e tyre dhe të meshkujve të etur të qytetit!

Por në pikën kur po i kërkonte edhe Plebejve që të çliroheshin nga vargonjtë skllavërues,mu aty…një furtunë e papritur u ngrit nga liqeni i inatosur dhe një valë gjigande uji të shkumëzuar,fshikulloi fort turmën dhe “Profetin e ashtëquajtur” duke i dhënë kështu fund pamëshirshëm ketij "Oazi Iluminizmi" në mes të Kohëve te Errëta!

E ndërsa dy Mijëvjeçarë po ndërroheshin,priftërinjtë fërkonin duart kënaqshëm për ndëshkimin e merituar që Perëndia i dha atij palo heretiku,ndërkohë që Profeti ynë i kthehej punës së tij si farkëtar me frikën e “Të Madhërishmit” tashmë të ringulur fort zemër.

Për t'u njohur më tepër me krijimtarinë letrare të autorit,mund të klikoni në linkun e mëposhtëm të romanit të tij të parë http://www.librariaelektronike.com/libri/89



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora