E diele, 10.11.2024, 05:59 PM (GMT)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Historia e familjes në formë ...

E diele, 17.11.2013, 06:37 PM


HISTORIA E FAMILJES NË FORMË MONOGRAFIE

Nga Halil Haxhosaj

Monografia “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare “ e autorit Arif Jahë Haxhija vjen para lexuesve me disa qasje interesante, jo vetëm për këtë familje dhe historinë e saj, por edhe për historiografinë e lokalitetit të fshatit Botushë të Rekës së Keqe të Gjakovës. Qasja e autorit për të shpaluar anët e historisë së kësaj familjeje, fillojnë që në shekullin e XIX më saktësisht dhe kurorëzohen në dekadën e fundit të këtij shekulli, pra të shekullit XXI. Duke u skalitur nëpër të gjitha këto nuanca dhe hallka të historisë së familjes Hoxha, Arif Haxhija shfrytëzon material të bollshëm, interesant, por edhe të rëndësishëm, sepse shtrihet në gjenezën e kësaj familje interesimi dhe qasja e penës së këtij autori. Duke bërë këtë shtirje të interesimit, mbase rrjedha artistike, por edhe ajo historike e kronologjisë shpaloset me radhë dhe në mënyrë serioze e graduale si në kohë edhe në hapësirë. Gërshetimi i kohës dhe hapësirës, veprës i dhurojnë edhe vlerën letrare të shkrimit siç është forma e monografisë.

Edhe kjo monografi e këtij autori hyn me sukses në mesin të tjerave që janë shkruar në të kaluarën, por sidomos pas luftës së fundit për luftëtarë, trima, hero e dëshmorë të UÇK-së si dhe për figura të tjera të ndritura të kombit tonë, për të cilat ishte e ndaluar të shkruhej në të kaluarën, pra në kohën e sistemit socialist vetëqeverisë. Edhe për disa personalitete të kësaj familje të njohur dhe të dëgjuar në trevën e Rekës së Keqe, por edhe më gjerë në Dukagjin, Malësi të Gjakovës e Drenicë e Anadrini, ishte e ndaluar, jo vetëm të shkruhej, por madje edhe të rrëfehej apo të mësohej për ta.

Autori Arif Haxhija ndriçon aspekte, që janë interesant, jo vetëm për familjen Hoxha, por edhe për Botushën si vendbanim në përgjithësi. Ai shkruan për këtë lokalitet jo vetëm historikisht, por paraqet edhe pozitën gjeografike, zhvillimin ekonomik, pozitën strategjike të Botushës dhe rëndësinë e saj si lokalitet arkeologjik, duke përmendur disa toponime si Jerinën, Varret e Mëdha e të tjera. Edhe toponomastika e Botushës është paraqitur mirë dhe janë shpalosur anët e duhura. Të gjitha këto elemente dhe të tjera kurorëzohen me shpalosjen e vendosjes së shtëpive, ndarjes së Botushës në formë të lagjeve dhe vendosja e familjeve në to.

Autori Arif Haxhija në monografi paraqet historiografinë e familjes Hoxhaj, që nga i pari i saj Avdyl Hoxha e deri në ditët e sotme, duke e shpërfaqur këtë histori në formë monografike me ndriçimin e figurave më të njohura dhe më të dalluara që kanë lënë emër jo vetëm në historinë e familjes Hoxhaj, por edhe në historinë kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së. Kjo shpërfaqje nuk është e ngurtësuar, madje as e shabllonizuar, por ajo gërshetohet më të gjitha ngjarjet e mëdha të Botushës, Kosovës dhe të Shqipërisë, sepse e tillë ishte edhe veprimtaria e djemve të kësaj familje. Kështu, rrjedha e ngjarjeve paraqet anët që janë gërshetim i tillë dhe janë bashkëdyzim i vendosjes së hallkës së historisë kombëtare, duke shpalosur hallkat e zhvillimit të saj nëpër kohë që nga e kaluara e deri në ditët e sotme. Gërshetimet e këtilla, nuk kanë qëllime të ngritjes artificiale, madje as romantike e të pa dokumentuar të fakteve, por të gjitha këto frymojnë realisht e historikisht në formë të shkallëzimit kohor të gjeneratave. Dhe secila gjeneratë e kohë e kësaj historie të monografisë familjare ka individët e vet të dalluar, të cilët janë krenaria jo vetëm e familjes Hoxha, por edhe kombëtare, në tërësi. Andaj këta pjesëtarë të familjes Hoxha janë “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare”, sepse me gjakun e tyre ndriçuan çdo hallkë të zhvillimit historik e kombëtar shqiptar. Kështu, kjo sintagmë tashmë suksesshëm shndërrohet edhe në titull të monografisë, sepse koordinohet mirë.

Autori Arif Haxhija në veprën e vet “Dritat në gjerdanin e lirisë kombëtare” ka qëllim të shtruarjes së historisë së familjes Hoxha, pjesëtar i së cilës është vet ai me vëllezërit e kushërirët e vet. Kjo paraqitje bëhet paralelisht me të gjitha format e gjeneratave që kanë përfaqësuesit e vet dhe veprat e tyre që përkojnë me historinë kombëtare shqiptare. Kështu personazhet e kësaj familje janë pjesëmarrës në luftërat e kohës së Lidhjes së Prizrenit, gjegjësisht të Gjakovës, kundër Mehmet Ali Pashë Maxharit në Gjakovë siç ishin Bajram Rrustemi dhe Islam Aga, të cilët në realitet kanë qenë vëllezër, por luftëtar në dy taborë. Figurat e njohura të kësaj familje janë edhe të tjerë në kohën e Lidhjes së Pejës, Mbledhjes te Verrat e Llukës, pavarësisë së Shqipërisë, kohës së sundimit të Ahmet Zogut, luftërave të Bajram Currit, Muharrem Bajraktarit, Demë Ali Pozharit, Elez Myrtës e deri tek trimat dhe luftëtarët e UÇK-së në radhët e komandantëve Ramush Haradinaj, Sali Çeku e Agim Ramadani, e të tjerë. Figurat më të njohura të brezave janë: Islam Aga e Bajram Rrustemi, Mon Galuc Hoxha, Idriz Hoxha, Mulla Sahiti, Dinë Hoxha, Mustafë e Hasan Hoxha, Isa Hoxha, Osman Salihi, Mahmut Zajmi Mulla Ilmija, Ali Zajmi Dervish Rasimi, Zenun Alija, Shaban Hoxha, Jahë Arifi, Hamit Haxhija, Jashar Salihu, Hajdar Salihu, e të tjerë. Të gjithë këta, por edhe disa të tjerë janë figura që kanë bërë emër, sepse gjaku i tyre dhe veprimtaria prej patriotëve e luftëtarëve vërtet janë drita që shkëlqejnë në gjerdanin e lirisë kombëtare. Në këtë mes hyjnë edhe luftëtarët e UÇK-së të kësaj familje që ishin pjesëmarrës dhe luftëtarë trima në disa beteja jo vetëm të kësaj treve, por pothuaj se në tërë Kosovën e më gjerë.

Pjesë e veçantë dhe interesant e kësaj vepre të këtij autori është paraqitje e gjenezës së familjes Hoxha që nga origjina e saj e deri në ditët e sotme. Kjo është hallka më domethënëse, sepse shpaloset edhe qëllimi i autorit Arif Haxhija i cili në “Parathënie”, në mes të tjerash shkruan:

“Andaj, i hyra kësaj pune, duke e njohur parimin se historinë duhet shkruar vet, e jo ta shkruajnë të tjetër. Po ashtu ky libër e ka vlerën dhe rëndësinë për këtë familje dhe brezave të saj sepse, siç shihet dhe dihet, disa familjarë të degëve të saj kanë tashmë disa mbiemra, si: Haxhija, Zajmi, Salihi, Alija, Isufi, Avdyli, e madje janë të shpërngulur nga trojet e tyre tradicionale të Botushës dhe jetojnë në anë të ndryshme të Kosovës, madje edhe në diasporë si mërgimtarë. Ky libër do t’iu ndihmojë brezave të kësaj familje që ta njohin vetveten, brezat dhe trungun familjar dhe do t’u ndihmojë që të mos ndodhin martesa nga trungu i familjes së madhe Hoxhaj. Dhe besoj se kësaj ia kam arritur”.

Pra, ky është synimi dhe qëllimi i këtij autori, i cili e sendërtoi me sukses dhe në mënyrë efikase, pa zmadhime, teprime apo qasje të tjera. Dhe ky synim tashmë gërshetohet mirë dhe suksesshëm me të gjitha anët dhe aspiratat e tjera të kësaj vepre monografike familjare.

Kjo vepër është një bazë reale, madje edhe dokumentare e historike që shërben për të shkruar edhe monografi të tjera e sidomos individuale për figurat e ndritura të familjes Hoxha. Këtu do t’i gjejnë elementet e para, pse jo edhe inspirimet që janë kushte parësore për të shkruar vepra të tilla. Monografia është e pasuruar edhe me dokumente, fotografi, akuza, vendime gjyqësore, por edhe këngë popullore e poezi përkushtuese për burrat trima të familjes Hoxha.

Monografia e autorit Arif Haxhija me titull “Dritat e gjerdanit të lirisë kombëtare” ka edhe elemente dhe vlera të tjera, të cilat do të hetohen, pse jo e do të shijohen në të ardhmen, sepse është një pasuri dhe vlerë për të gjitha gjeneratat, madje anëtarët e sotëm të kësaj familje kudo që ata janë dhe kudo që punojnë e jetojnë. Njëherit është pasuri edhe për bibliotekat e anëtarëve të kësaj familje në njërën anë, por edhe të bibliotekave në përgjithësi.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora