Kerko: a
Ramiz Lushaj: Gabove, zoti Rama!
E premte, 15.11.2013, 08:36 PM
GABOVE,
ZOTI RAMA!
Nga Ramiz LUSHAJ
Gabove,
zoti Rama edhe para dy orëve teksa në FB e Twiter fjalathue: “Sot në 17.00 do të
mbaj publikisht qëndrimin tim mbi çështjen e armëve kimike”(!), sepse na le me
pritë shumë gjatë e po i bie tepër shkurt. Mijëra shqiptarë në të gjitha qarqet
e Shqipërisë, në kryeqytetet e Prishtinës e të Shkupit, prej ditësh rrijnë në protesta
me ideale e sakrifica dhe nuk ua thue dy fjalë të përbotshme: Faleminderit! Më falni!
Faleminderit që u batë pjesë e një vendimmarrjeje kombëtare, politike, qytetare!
Më falni, se unë jam “pro” demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri!
Gabove,
zoti Rama, pasi stërgjatje të tilla kohore politike, sipas një klasiku
britanik, janë “shkolla pabesie”. Kie mbetë në udhëkryq. Me ba hap para për
miratimin qeveritar të ardhjes së plehrave kimike tregohesh i pabesë me
popullin tand. Me ba hap mbrapa për mos miratimin e ardhjes së tyre tregohesh i
pabesë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nuk është faji i popullit tonë dhe as i miqëve
tanë ndërkombëtarë. Kryekëput është faji yt. I bane disi kundra të dy palët: edhe
popullin shqiptar, edhe miqtë euro-atlantik. Basketbollove për kosh në të dy anët
mbi gropen e armëve kimike, po re vet mbrenda. Ju nuk mund ta futni Shqipërinë si
“sanduiç” në mes Europës e Amerikës, pasi nuk ka asnjë ndarje të tillë në integrimet
shqiptare drejt NATO-s e Bashkimit Europian. As ju, zoti Rama, nuk mund të rriteni
si lis politik mbi ato plehra kimike siriane. Ka ndodh ndonjëherë ndër vite në ndonjë
shkrim me të ra në qafë si tepër, çka iu kërkoj të falur, po ju kësaj rradhe na
keni ra në qafë të gjithëve. Na vjen keq trefish: për popullin tonë, për miqtë tanë
ndërkombëtarë, për kryeministrin e vendit tonë. Na vjen keq se u bane politikan
“Gërdec”! Gabove, zoti Rama!
Gabove,
zoti Rama, sepse provokove popullin shqiptar në Shqipërinë Londineze e në krejt
Shqipërinë Natyrale, mbi të gjitha provokove popullin ma pro-amerikan në botën
e sotme. Provokove trashëgiminë e thesartë e të pacënueshme Uashingtoniane e
Linkolniane, Uillsioniane e Ruzveltiane, të dy Bushëve e dy Klintonëve, të Obamës,
që me fjalët e veprat e tyre e mbrojtën e lartësuan Shqipërinë, Kosovën euro-atlantike,
Çështjen Shqiptare në Ballkan. Provokove duke fol me kode politike, duke ba
rebuse politike, duke hy në labirinthe politike. Ju nuk mund të na pultoni e as
të na cënoni astenji fije si anglo-sakson, nga përkushtimi ynë shpirtëror pro-amerikan.
U fute në këtë çështje me dëshirë e do të dalësh me pahir! Tashti kie me mendue
si me i monopolue e interpertue këto protesta qytetare shqiptare, ose me ua lanë
fajin etërve bio-politikë, ose meritën bijëve bio-politikë, ose me ia lanë fajin
opozitës së djathtë, ose...me e ba fajtor të rradhës ambasadorin Arvizu....?
Gabove, zoti Rama!
Gabove,
zoti Rama. Çelsi i kodit tand (jo)politik ka dy fjalë: “qëndrimin tim”. Ju nuk
jeni fuqi mbinatyrore e kësaj Shqipërie të mirë. Ju jeni në detyrën e
kryeministërit si jetëdhënës i obligimeve e projekteve qeveritare në të drejtë e
në të mirë të shqiptarëve dhe astenjë grimë si jetëmarrës i tyre me plehrat
kimike siriane.
Gabove,
zoti Rama! E di pse? Në Twiter ju bani një njoftim deklarativ me 14 fjalë, po
aty keni keqshkruar gjuhën Shqipe. Aty mungojnë pesë shkronjë “ë” dhe një “ç” (!)
E përmenda këtë fakt se vet kryeministri Rama fjalaflet në Shqipëri e jashtë saj
se po sakatosej Shqipja nga mazhoranca e tetë viteve të maparshme nga
mosshkruarja e saj me këto germa. Nuk është puna se po duam ta “kapim” këtë gabim
ma tepër se ortografik. Si në këtë rast ka veprue me (ndër)kombëtarët edhe për çështjen
e plehrave kimike siriane. Gabove, zoti Rama!
Gabove,
zoti Rama. Këto sfida politike e ekologjike i përjetove dje, më 15 nëntor 2013,
edhe në Podgoricë. Jo vetëm se shqiptarët etnikë i quajte “pakicë shqiptare”(!),
po për faktin se ndërkohë që përballë kryeministrisë në Tiranë protestonin
shqiptarët kundër plehërave kimike të Sirisë, të cilëve nuk iu ktheje përgjigje
njerëzore e as zyrtare, ju përballë homologut tuaj malazez, kryeministrit kundërshqiptar,
Milo Gjukanoviç, në konferencë shtypi, po flisni për projekte të pastrimit
ekologjik të ujërave në pjesën e Malit të Zi të shkaktuara bërllok edhe nga
prurje të Drinit, etj. Ju zoti Rama tashma jeni kryeministri ynë, kryeministri
i Shqipërisë tonë dhe nuk mund të bani politikë (ndër)kombëtare sikur të lyenit
fasada të pallateve treanëshe me shigjeta vetëm në anët që i shohin udhëtarët,
ndaj duhet të mbështeteni ma shumë jo vetëm politikisht tek Meta i bashkëqeverisjes,
të bashkëpunoni denjësisht në të tilla sipërmarrje me një anglo-sakson si Basha
i opozitës, të besoni ma shpirtërisht e me besë me popullin tuaj, të mos luani
basketboll politik me ndërkombëtarët. Të mendosh se ti je Shqipëria është tepër
herët, edhe pse na drejtohesh në mënyrë disi brutale e antikushtetuese “qëndrimin
tim”.