Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: FBI, vizita në monumentin e Martin Luther King
E merkure, 30.10.2013, 09:32 PM
DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGU-ut
Nga Frank
Shkreli
Këtë javë,
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama instaloi drejtorin e ri
dhe të 7-të të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zotin Xhejms Komi (James
Comey), duke e paraqitur atë në kryeqendrën e FBI-së si një njeri dhe
profesionist që e dallon mirë të drejtën nga e padrejta dhe si i tillë gjithmonë
vepron në mbështetje të së drejtës. Drejtori i ri i FBI-së më parë ka
shëbyer si Zevëndës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në adminstratën
e ish-Presidentit Xhorxh Bush. Presidenti Obama iu drejtua agjentëve
dhe nëpunësve të FBI-së duke thënë se "Ju, çdo ditë punoni pa u
lodhur duke përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat përballet kombi
ynë." Ju, tha Presidenti Obama, e kryeni këtë detyrë me guxim
dhe me integritet, duke mbrojtur amerikanët mbrenda dhe jashtë vendit,
duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore dhe duke respektuar ligjin.
Presidenti Obama duke u kujtuar atyre se motoja e FBI-së është, "Besnikëria,
Guximi dhe Integriteti", paraqiti drejtorin e ri të këtij institucioni,
Zotin Xhejms Komi, i cili sipas Z. Obama “çdo ditë jeton dhe
vepron bazuar në këto parime”. Presidenti Obama shtoi se, drejtori i
ri i FBI-së ia ka dedikuar jetën e tij mbrojtjes së ligjeve, duke siguruar në këtë
mënyrë që "të gjithë amerikanët të mund të besojnë në sistemin
tonë ligjor dhe të drejtësisë, në mbështetje të të drejtave dhe
mirëqenjes së tyre".
Edhe
Drejtori i ri i FBI-së, Xhejms Komi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar
zbatimin e fjalëve të motos së entit që ai do të kryesojë për dhjetë vitet
e ardhëshme, dmth., "Besnikërinë, Guximin dhe Integritetin".
Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i FBI-së tha se do t'u kërkojë agjentëve
të ri të FBI-së që të vizitojnë monumentin e posa ndërtuar të ish-udhëheqsit të
të drejtave civile, Martin Luther King në Uashington, me qëllim për tu sjellur
në mendë dhe për tu kujtuar atyre kufizimet e detyrës si edhe përgjegjësitë që kanë
ndaj mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Këjo për
arsye se marrëdhënjet e FBI-së me ish-udhëheqsin e të drejtave civile në Amerikë
gjatë 1960-ve dhe 1970-ave, mbetet gjithnjë një pikë e zezë në historinë e
këtij enti qeveritar. Ish-drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgard
Huver, kishte urdhëruar jo vetëm përgjimin e aktiviteteve të Martin Luther
Kingut, por kishte dhënë urdhër për minimin e veprimtarive dhe lëvizjes së
tij në mbështetje të të drejtave civile të barabarta për të gjithë, përfshirë zezakët. Para-ardhësi
i drejtorit Komi, gjatë 1990-ave, drejtori Luis Fri kishte urdhëruar
agjentët e ri të FBI-së, që si pjesë e trajnimit të tyre të vizitonin
Muzeumin e Holokaustit në Uashington, sipas tij, për të parë se ç'ndodhë kur
abuzohet pushteti i qeverisë dhe shtetit. Drejtori i ri i FBI-së njoftoi
se po e mbështetë këtë traditë duke detyruar agjentët e ri dhe
analistët që edhe këta si pjesë e trajnimit të tyre, të vizitojnë
monumentin e Martin Luther Kingut, në një kohë kur po shprehen shqetësime
serioze nga Kongresi, media dhe nga populli amerikan, mbi përgjimet
nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar, e të cilat u zbuluan kohë më parë nga Eduard
Snouden, një ish-kontraktor i këtij enti qeveritar. Zoti Komi tha gjatë fjalimit
të tij se do të urdhëroj agjentët e rij të vizitojnë monumentin e Martin Luther
Kingut, ashtuqë që ata të reflektojnë mbi "abuzimet dhe masat e tepëruara"
nga FBI-ja në të kaluarën, duke cituar paradhësin e tij Luis Fri, që kishte
urdhëruar agjentët e rij të vizitonin Muzeumin e Holokaustit, "me qëllim që
ata të shohin, të dëgjojnë dhe të ndjejnë në një mënyrë të prekshme pasojat që rrjedhin
nga abuzimi i pushtetit në një shkallë masive
dhe pothuaj të pa-imagjinueshme."
Drejtori
i ri i FBI-së tha se vitet e para të agjensisë që ai do kryesojë tani, ishin një
periudhë "progresi dhe arritjesh të mëdha", por më vonë reputacioni
dhe historia e FBI-së u mjegullua nga "abuzimet dhe masat e tepruara të agjentëve
të saj, sidomos përsa i përket Martin Luther Kingut dhe të tjerëve që në atë kohë
konsideroheshin si kërcënues ndaj sigurimit të mbrendëshëm të këtij vendi."
Qëllimi i
këtij urdhëri, që agjentët e FBI-së dhe analistët e rijë të këtij enti
qeveritar të vizitojnë monumentin ish-udhëheqsit amerikan të të drejtave
civile, Martin Luther King dhe Muzeumin e Hollokaustit në fillim të
trajnimit, është sipas fjalëve të ish drejtorit të FBI-së Lui Fri, që tu "kujtojmë
atyre tmerret dhe të keqën që rezulton kur, jo vetëm, qeveria por
edhe agjensi që me ligj duhet të jenë mbrojtëse të zbatimit të ligjit si
FBI-ja, heqin dorë nga misioni i tyre kryesor, që është mbrojtja e të
drejtave të barabarta të qytetarëve – dhe përkundrazi bëhen mjete të shtypjes".
Shtetet e
Bashkuara si shtet dhe si shoqëri nuk kanë dhe as nuk pretendojnë të kenë një histori pa probleme në fushën
e të drejtave civile dhe të barabarta për të gjithë. Në të vërtetë, janë vet udhëheqsit e këtij vendi që kanë
pranuar dhe pranojnë se Amerika nuk është një vend i perfeksionuar. Ka të meta dhe probleme sa të duash,
historikisht dhe tani. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e
vendeve të kësaj bote -- siç ka thënë edhe Presidenti i tanishëm amerikan, Barak
Obama në një fjalim në Moskë më 2009 -- "Është angazhimi dhe mbështeja
e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë
të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, duke
u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të demonstruar,
ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të protestojnë në favor të të drejtave
të plota dhe të barabarta, në një kohë kur ato iu mohoheshin atyre.
Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat
politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit. Media
e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë qeverinë."
Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, "na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin
dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre. Nëqoftse
demokracia jonë nuk do të mbronte dhe të avanconte këto të drejta, atëherë
unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë
tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara.
Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin
të drejta ... por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i
Shteteve të Bashkuara të Amerikës".
Gjëja,
pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës
gjatë historisë së tyre, nuk kanë bërë gabime mbrenda dhe jashtë vendit. Por
ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është fakti se ajo i
pranon gabimet historike kundër të vetëve dhe kundër të tjerëve. Mëson nga këto
mangësi e gabime dhe vazhdon të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave
të barabarta për të gjithë. Urdhëri i drejtorit të ri të FBI-së
që agjentët dhe analistët e rijë gjatë trajnimit të tyre, që të vizitojnë muzeume
si ai i Holokaustit dhe monumentin e Martin Luther Kingut --është pikërisht në përputhje
dhe pjesë e këtij reflektimi që Amerika bën gjithmonë në mbështetje të vlerave
universale për të drejta të barabarta për të gjithë, mbrenda dhe jashtë vendit.
Pesidenti
Obama me Drejtorin e ri të FBI-së, Xhejms Komi
Monumenti
i Martin Luther King-ut në Uashington