Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dhjetë vjetë Lumturim
E diele, 20.10.2013, 06:05 PM
DHJETË VJETË LUMTURIM
Nga Frank
Shkreli
Dhjetë vjetë më
parë, pikërisht më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali i dytë njoftoi botën për
vendimin që kishte marrë për të shpallur lumturimin – hapi i parë drejtë
shënjtërimit - të Nënë Terezës, bijës
së kombit shqiptar, Gonxhe Bojaxhiut dhe nënës së botës, për punën dhe veprat e
saj në shërbim të më të varfërve të botës.
Duke përfshirë Nënë Terezën në
rreshtin e të bekuarve për lumturim, Papa Gjon Pali i dytë pat thënë
me atë rast se, "edhe në ditët e sotëme Perëndia frymëzon modele të reja
shënjtërimi për radikalizmin e tyre, siç është Nënë Tereza e
Kalkutës." Ish-udhëheqsi i Kishës
Katolike dhe mik i ngushtë i Nënë Terezës dhe i kombit shqipta, tha 10-vjetë më
parë, ndërsa shpalli lumturimin e Nënë Terezës se, "në personin e saj
shohim një urgjencë që na shtynë të vendosim veten tonë në shërbim të tjerve,
sidomos të atyre që janë më të varfërit dhe më të harruarit", e shoqërisë.
Nënë Tereza, për
dashurinë e saj në veprim dhe në jetë të pa kushtëzuar për më të varfërit dhe
më të harruarit e kësaj bote, mori lëvdata dhe çmime nga më të dalluarat e
kësaj bote, përfshirë edhe Çmimin prestigjoz më të lartë botëror Nobel për
Paqë. Gjatë jetës së saj dhe pas
amshimit, për Nënë Terezën është shkruar dhe shkruhet gjtihnjë aq shumë sa që është vështirë të shënohet
diçka e re. Por fjalët e saja, fjalimet
dhe prononcimet e pasqyruara gjatë viteve dhe dekadave të fundit në median
botërore dhe në qindra libra e botime të lloj lllojshme dhe dokumentarë, ato mbeten gjithnjë aktuale,
të freskëta dhe të përhershme. Është me
vend dhe tepër e nevojshme që përballë kërkesave të jetës moderne,
materializmit, qejfit e defrimit, të ndalohemi, nga kohë në kohë, dhe të
përqëndrohemi mbi mesazhet domethënse që na ofrojnë përvjetorët siç është
10-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës dhe fjalëve të saj, e të cilat duket se
rezonojnë për të gjithë brezat.
Një ndër këto
mesazhe që është gjithnjë aktual, është mesazhi i Nënë Terezës mbi rëndësinë e
familjes – që sot duket në krizë kudo -- dhe për rolin e saj në shoqëri --
mesazh ky që ajo i drejtoi Konferencës së 4-të të Grave, organizuar nga Kombet
e Bashkuara më 1955, në Pekin. "Në
vend të vdekjes dhe mjerimit" u tha Nënë Tereza grave të botës, "le
të sjellim në botë paqë, gëzim e kënaqësi duke iu lutur Perëndisë për dhuratën
e paqës dhe për dhuratën për të dashur dhe për të pranuar njëri tjetrin si
vëllezër e motëra, si bijë e bija të Perendisë.
Ne e dimë se vendi më i mirë dhe atmosfera më e përshtatshme ku fëmijtë
mund të mësojnë se si të dashurojnë njëri tjetrin është pikërisht familja, ku
ata shohin prindërit e tyre duke dashur njëri tjetrin dhe duke iu lutur
Perendisë. Kur familjet shkatërrohen dhe
nuk janë të bashkuara, shumë fëmij rriten duke mos ditur të dashurojnë të
tjerët”. Nënë Tereza vazhdoi duke thënë
se, “një vend ku shumë familje janë shktatërruar në këtë mënyrë, do të ketë
shumë probleme.”
“Por kur
familjet janë të forta dhe të bashkuara”, përfundoi Nënë Tereza mesazhin e saj drejtuar grave të
botës në vitin 1995 në Pekin, “Fëmijtë shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë
në çfaqjen e dashurisë midis prindërve të tyre, dhe si të tillë rriten që të
ndërtojnë dhe të zhvillojnë vendin e tyre në një shoqëri më të mirë dhe më të
dashur për të gjithë. Fëmija, tha ajo,
“Është dhurata më e çmueshme që na ka falë Perëndia dhe si i tillë ai ka nevojë
për të dy prindërit.”
Në të vërtetë,
Nënë Tereza i kushtoi gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj mbrojtjes së jetës së
njeriut kudo në këtë botë. Ajo fliste me
një pasion pothuaj të papërmbajtur në mbështetje të jetës së njeriut kudo e
kurdo që i jepej rasti e mundësia, në konferenca ndërkombëtare dhe në takime me
udhëheqsit dhe personalitetet më të dalluara të kësaj bote. Në një deklaratë që ajo i dërgoi Konferencës
Ndërkombëtare mbi Popullësinë dhe Zhvillimin në vitin 1994 në Kajro, Nënë
Tereza tha se, “Secili prej nesh është këtu sot sepse na ka dashur Zoti i cili
na ka krijuar dhe prindërit që na kanë pranuar.” Këjo është arsyeja, shtoi ajo, se pse është
aq trishtues fakti se në aq shumë vende të botës, jeta e njeriut po
shkatërrohet me qëllim nga luftërat, nga dhuna dhe nga aborti. Perëndia na ka krijuar të gjithëve me të
drejta të barabarta dhe për gjëra më të rëndësishme dhe më madhështore.” Askush, tha ajo, as ndonjë vendim konference
ndërkombëtare dhe asnjë qeveri nuk ka të drejtë të shuaj jetë njerzish, përveç
Zotit, autorit që ka krijuar jetën. “Sa bukur do të ishte sikurë fondet që
përdoren për të vrarë njerëz do të përdoreshin për t’i ushqyer, për t’i
strehuar dhe për t’i edukuar ata”,ka thënë Nënë Tereza në mesazhin e saj
Konferencës Ndërkombëtare mb Popullsinë dhe Zhvillimin më 1994 në Kajro.
Në fillim të
shtatorit, në Katedralën Nënë Tereza në Prishtinë u mbajtë një ceremoni
madhështore ku u shënua 10-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës dhe njëherazi edhe 1700-vjetori i ediktit të
Milanos, sipas të cilit qytetarët e Perandorisë romake fituan të drejtën e
ushtrimit të fesë së krishterë. Përveç
udhëheqsve të ndryshëm fetarë, në ceremoni
morën gjithashtu pjesë edhe udhëheqsit më të lartë politikë të Republikës së
Kosovës. Presidentja e Kosovës Zonja
Atifete Jahjaga tha me atë rast se -- 1700-vjetori i Ediktit të Milanos dhe
shëmbëlltyrës së autorit të tij, Konstantinit të Madh me origjinë ilire --
“përputhet me 10-vjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, duke e vlerësuar këtë
si një gjest shumë simbolik, por njëherit edhe përmbajtësor të kontributit që
ka dhënë Kosova, si vazhdimësi e Dardanisë së shënjtë antike, në mirëkuptimin
dhe në tolerancën ndërmjet besimeve dhe ndërmjet popujve”. Presidentja e Republikës së Kosovës,
përfundoi fjalën e saj duke thënë se,
“Shënimi i manifestimit të Ediktit të Milanos të punës së Kostantinit të
Madh, që ishte nga këto treva, më së miri sublimohet në shëmbëlltyrën e Nënës
Tereze, misionares që gjithë jetën ia kushtoi të varfërve, duke përhapur dorën
e mirësisë e të dashurisë, duke forcuar besimin në njerëz dhe duke u shkrirë në
bindjen se njeriu bartë vlerat më të mëdha humane brenda shpirtit të vet dhe se
dashuria e mirësia si dhunti dhe si angazhim janë të paskajshme dhe janë të
pashterrshme”.
Edhe
kryeministri i Republikës së Kosovës, Zoti Hashim Thaçi mori pjesë në këtë
manifestim të përvjetorësh të dyfishtë dhe në fjalën e rastit ai përshëndeti të
pranishmit duke i lidhur këto dy përvjetore të rëndësishme për kombin shqiptar,
me ç’rast tha se, “Kryqi që e kishte frymëzuar perandorin Konstantin dhe feja e
thellë në Zotin, janë elemente që kanë formuar edhe jetën dhe veprën e së lumës
sonë Nënë Terezës. Zoti është pasuri,
dashuri për çdo njeri pa dallim feje dhe kombi”, tha kryeminsitri Thaçi. “Nëna Terezë dhe vepra e saj”, vazhdoi udhëheqsi i Kosovës, “kanë dëshmuar shpresën
dhe dashurinë me tërë qenien e saj. Atë
e kanë kuptuar të gjithë dhe e kanë njohur dhe e kanë quajtur me emrin e ëmbël
dhe të bukur, Nënë….Vlerat shpirtërore dhe humaniste të Nënës Terezë janë
sintezë e vlerave më të mira të civilizimit shqiptar”, u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim
Thaçi, në 10-vjetorin e lumturimit të Nënës Terezë.
Me veprat e
saja, Nënë Tereza, nëna jonë dhe nëna e botës, ka tejkaluar kufijt njerëzor dhe
andaj 10-vjetë më parë, Papa Gjon Pali i dytë e radhiti atë midis të lumturëve,
duke e vendosur përtej njerëzores, me shënjtërit dhe shënjëtëreshat e Kishës
Katolike.
Ne shqiptarët
kudo, me të drejtë mburremi shumë me
Nënën tonë Tereze, bijë të një gjaku. Me
krenari e themi, përfshirë edhe udhëheqsit
e tanishëm më të lartë të kombit shqiptar, se Nëna Tereze, është simbol
dhe bartëse e vlerave më të mira e më të bukura të kombit shqiptar. Por ama në këtë 10-vjetor të Lumturimit të
Nënë Terezës – megjithë adhurimet dhe krenarinë që tregojmë në sipërfaqe
për ‘të – duke marrë parasyshë gjëndjen
politike dhe shoqërore në të gjtiha trevat shqiptare -unë nuk mund të durohem
pa iu bashkuar cinizmit dhe skepticizmit të të ndjerit Profesor Peter Priftit,
i cili disa vjetë më parë është shprehur për librin e Genc Lekës mbi Nënë
Terezën duke bërë pyetjen: “A mos ishte lindja e Nënë Terezës në rrethin tonë
një gabim, një devijim gjenetik ndofta, apo një sinjal hyjnor, një paralajmërim
paraparak për një të ardhme madhështore për kombin shqiptar? Kur shoh gjendjen në Shqipërinë e sotme,
mendoj të parën; por më pëlqen të besoj të dytën”, qe shprehur Profesor Peter
Prifti dhe vazhdoi: “Pyes veten, kemi të
drejtë si shqiptarë të mburremi me motrën tonë të bekuar? Mendoj se Nënë Tereza nuk nderohet me
levdata, me konferenca shkencore, me shërbime përkujtimore, as edhe me lutje e
pelegrinazhe te varri i saj. Sa kohë që
neve nuk bëjmë ndryshim, asnjë përmirësim në marrëdhëniet tona shoqërore e
politike, atëhere përsa na përket neve si shqiptarë, ajo jetoi kotë në këtë
botë. Atëherë do jetë më mirë të
mbyllim gojën dhe të mos guxojmë kurrsesi të themi se jemi njerëz të një gjaku
e të një gjuhe me Nënë Terezën”, përfundon profesori i nderuar, i ndjeri Peter
Prifti.