Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Stop kërcënimit ndaj shtypit
E hene, 14.10.2013, 07:17 PM
STOP FRIKËSIMIT DHE KËRCËNIMIT
NDAJ SHTYPIT TË PAVARUR
Nga Frank
Shkreli
Dje gazeta e
Tiranës, Telegraf në faqen e parë njofton se policia e shtetit shqiptar bllokoi
shpërndarjen e shtypit, pikërisht të gazetës Telegraf, "ndërkohë që,
ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po firmoste në Tiranë emërimet e reja në
strukturat më të larta të Policisë së Shtetit." Sipas gazetës, "Një grup punonjësish të
policisë me uniformën e shtetit kishin bllokuar rrugën dalëse nga Pogradeci për
në Korçë....Në orën 12:20 minuta, patrulla e vendosur në postbllok në dalje të
Pogradecit ndalon automjetin që shpërndante gazetën "Telegraf". Ata i kërkojnë shoferit dhe shoqëruesit të
shpërndarjes së gazetës që të paraqisnin dokumentacionin".
Gjithçka në
rregull deri këtu, normal. Por ajo që
pasoi, sipas gazetës, nuk kishte të bënte as me rrregullat as me
normalitetin. Me pretekstin se makina e
gazetës Telegraf kishte dy gjoba të papaguara,
policët, detyra e të cilëve është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike
si dhe siguria e qytetarëve dhe e
pronave të tyre, bllokojnë makinën e gazetës Telegraf dhe si rrjedhim ndëpresin
shpërndarjen e gazetës Telegraf. Ndërkaq, mbështetsit e rendit, njëkohësisht
refuzuan të komunikonin me drejtuesit e gazetës në Tiranë, me qëllim të
sqarimit të situatës. Sipas gazetës
Telegraf, shoferi dhe shpërndarsi i gazetës përfundojnë në Komisiariatin e
Policisë, në Pogradec. Mirëpo, gjithnjë
sipas gazetës Telegraf, pas hetimeve, në vendin e ngjarjes dhe në zyrat
përkatëse të zonës, rezultoi se makina e gazetës Telegraf e kishte të gjithë
dokumentacionin në rregull dhe se nuk kishte asnjë gjobë të papaguar në emër të
saj.
Në pritje të
sqarimeve të mëtejshme nga policia vendore dhe nga organet përkatëse të
Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, lindë pyetja se pse u bllokua pardje
shpërndarja e gazetës Telegraf në pjesën jug-lindore të vendit. A mund të ishte këjo një përpjekje për
të kërcënuar dhe për të frikësuar
gazetën Telegraf që të qëndrojë larg shkrimeve kritike dhe të heqë dorë nga
gazetaria e pavarur? A po, mund te ishte një gomarllëk mungese
profesionalizmi nga ana e policëve vendorë që kërkonin ndonjë lekë, apo ndoshta
ishte diçka më tepër në këtë mes. Cilado
qofshin qenë arsyet e këtij bllokimi të turpshëm të shpërndarjes së gazetës
Telegraf, përpjekjet e policisë së shtetit për të shtypur ose për të bllokuar
përhapjen e fjalës së lirë, janë nje
shënjë e keqe, ogurzezë, në fillim të qeverisë së re të Kryeministrit
Rama. Gazeta Telegraf thotë se, pas krijimit të kësaj situate
skandaloze nga policia e shtetit shqiptar, drejtuesit e saj janë në kontakt me
Ministrin e ri të Punëve të Mbrendshme, Z. Saimir Tahiri, i cili u ka premtuar
atyre se organi që ai drejton do të
angazhohet maksimalisht për zbardhjen e situatës. Shohim!
Liria e
shtypit dhe shpërndarja e pa penguar e
fjalës së lirë është oksigjen i demokracisë.
Liria e fjalës dhe e medias në përgjithësi është jetike për zhvillimin e
shoqërisë dhe është pjesë e pandarë e qeverisjes së mirë. Pa një media të lirë e të pavarur, qytetari i
thjeshtë është i pafuqishëm dhe njëkohësisht demokracia dhe mirëqenja ekonomike
vihen në rrezik. Njerëzit duhet të
informohen në mënyrë të lirë e të pavarur, nëqoftse pritet që ata të luajnë një
rol aktiv në jetën dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në të vërtetë, disa studime të kohëve të
fundit nga Banka Botërore, theksojnë se media e lirë dhe e pavarur është jetike
edhe për një zhvillim të suksesshëm ekonomik, në vendet në zhvillim siç është
Shqipëria. Për më tepër, kur kërcënohet
liria e shtypit, të gjitha të drejtat e tjera themelore të njeriut rrezikohen
gjithashtu dhe keq-qeverisja e korrupcioni mbretërojnë dhe lulëzojnë të pa
kontrolluar në të gjitha aspektet e jetës.
Ata që bëjnë kërcënime dhe bllokime të shpërndarjes së gazetave, siç
ndohdi me gazetën Telegraf në aksin Pogradec-Korçë për çfardo arsye qoftë,
duhet të ekspozohen dhe të dënohen në bazë të ligjit -- po se po -- por edhe në
arenën e opinionit publik shqiptar.
Rëndësia e rolit
që duhet të luaj shtypi i lirë në një shoqëri të lirë e demokratike, në
krahasim me rolin e qeverisë dhe të organeve shtetërore, është thekësuar ndoshta më së miri nga Tomas Xhefersoni,
babai i fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit, i cili ka thënë se, "Po të
ishte në dorën time për të vendosur nëse ne duhet të kishim një qeveri pa
gazeta, apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të hesitoja asnjë moment për të preferuar këtë të fundit". Xhefersoni donte që gazetat të ishin plot
informacione që do t'i përdornin qytetarët e një shoqërie demokratike dhe një shtyp
që do të shërbente për të kontrolluar dhe për të balancuar pushtetin
qeveritar dhe shtetëror, në interes të publikut.
Lufta për lirinë
e fjalës dhe të shtypit nuk mbaron kurrë. Ajo është një përpjekje e vazhdueshme
që duhet të mbrohet si pjesë e pandarë e sigurimit dhe të respektimit të të gjitha të drejtave të tjera bazë të
njeriut. Këjo është një përgjegjësi kyçe
e çdo qeverie që pretendon të jetë demokratike dhe përfaqsuese e popullit. Është detyrë jetësore e çdo qeverie që të
mbrojë lirinë e të shprehurit dhe të shtypit, madje edhe atëherë kurë shtypi
është kritik ndaj saj. Për më tepër,
sipas filozofit francez dhe mbështetsit të lirisë së fjalës, Volterit, i cili
ka thënë se, megjithëse ''Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, unë mbrojë
deri në vdekje të drejtën tënde të lirisë së fjalës për të thënë atë që
mendon." Këjo është detyra edhe e
çdo shteti dhe ky është parimi, i pranuar gjerësisht i lirisë së fjalës. Edhe fillozofi i shekullit 20-të, Noam
Çomski ka thënë në lidhje me lirinë e të shprehurit, se "Nëqoftse me të
vërtetë beson në lirinë e fjalës, atëherë ti beson në lirinë e fjalës madje
edhe për ata që shprehin pikëpamje që nuk të pëlqejnë." Ai ka thënë gjithashtu se edhe diktatorët
komunistë dhe nazistë të shekullit të kaluar ishin në favor të fjalës së lirë,
por vetëm për pikëpamjet e veta. Çomski vazhdon duke thënë se, "nëqoftse
je në favor të lirisë së fjalës, këjo do të thotë se je në favor të shprehurit
dhe tolerant edhe ndaj pikëpamjeve që ti me të vërtetë i përbuzë si ide dhe
mendime armiqësore", për ndryshe nuk beson në lirinë e fjalës as në shtypin
e lirë e të pavarur, sipas tij.
Këjo është sfida
e çdo qeverie. Për të mbrojtur dhe për
të mbështetur një atmosferë tolerance ku media të zhvillohet e lirë dhe e
pavarur. Është gjithmonë një veprimtari
e vazhdueshme e plotë sfida, por është një aktivitet jetësor për zhvillimin
normal të çdo shoqërie, pasi siç ka thënë edhe Xhefersoni, "E vetmja
siguri mbi të gjitha është shtypi i lirë''.
Bllokimi i pa
precedencë i shpërndarjes dje të gazetës Telegraf duhet të shërbejë si një
alarm për qeverinë e re në Tiranë që të angazhohet seriozisht që episode të
tilla të mos përsëriten më duke deklaruar publikisht se nuk do të tolerojë bllokime dhe
manipulime të tilla dhe as ndërhyrje me
shpërndarjen e fjalës së lirë nepërmjet gazetave si Telegraf, dhe se kryersit e
këtij akti do të jenë përgjegjës para organeve përkatëse. Është gjithashtu një rast për t'i kujtuar
qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore të Shqipërisë, përfshirë edhe policinë, mbi angazhimet ndërkombëtare,
por mbi të gjitha detyrimet që qeveria ka ndaj vet popullit të vet, ndaj
taksa-paguesve shqiptarë, për të respektuar dhe për të zbatuar angazhimet që
ajo ka ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë e të pavarur.
Ajo që ndodhi pardje në një postbllok në dalje të Pogradecit nuk duhet të ndodhë në Shqipërinë e vitit 2013!