Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Politika shqiptare nënshtruese ndaj interesave të huaja
E marte, 22.10.2013, 10:25 PM
POLITIKA SHQIPTARE NËNSHTRUESE
NDAJ INTERESAVE TË HUAJA
Nga Frank
Shkreli
Gjatë disa
viteve të fundit Turqia ka ndërmarrë një fushatë, që disa e quajnë si një
ofensivë të gjithanshme, diplomatike, politike, shoqërore dhe fetaro-kuturore
në Ballkanin perëndimor, kryesisht e përqëndruar në vendet me shumicë
myslimane, si Shqipëria, Kosova dhe Bosna-Hercegovina. Siç duket në frymën e kësaj fushate
diplomatike, Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Kosovën të
Mërkurën, ë 23 tetor. Mediat e Prishtinës njoftojnë se zyrtarisht udhëheqsi turk po
viziton Kosovën për të inauguruar
terminalin e ri të aeroportit,
"Adem Jashari" në kryeqytetin e Kosovës, por sipas të njëjtave
burime, Z. Erdogan do të vizitojë edhe Prizrenin, kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve,
i shoqëruar nga Kryeministri i Kosovës, Z. Hashim Thaçi. Dhe ajo që e bën këtë vizitë në Prizren edhe
më interesante, është fakti se Kryeministrit të Turqisë dhe atij të Kosovës do
t'i bashkohet edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama -- e gjithë këjo
gjatë një fushate elektorale për zgjedhjet vendore në Kosovë -- gjë që disa
analistë e kanë cilësuar si një përpjekje për të influencuar zgjedhjet në favor
të partisë në pushtet dhe për më tepër si një ndërhyrje në punët e mbrendshme
të Kosovës.
Fatkeqsisht, influencat e huaja ashtu si edhe në të kaluarën, po gjëjnë edhe sot mbështetje në trojet shqiptare, për arsye të përkohëshme politike, ekonomike e të tjera. Duket se asgjë nuk është mësuar nga historia. Fushata diplomatike turke e viteve të fundit për të ushtruar një influencë dominuese, sidomos në vendet me shumicë myslimane si Shqipëria dhe Kosova po bëhet me një zhurmë të madhe dhe në një mënyrë arrogante sa që kërkohet edhe rishqyrtimi i historisë së okupimit 5-shekullorë të trojeve të kombit shqiptar nga otomanët. Ndërkohë, Rusia një perandori tjetër të cilës shqiptarët gjithmonë ia kanë pa sherrin, influenca politike dhe financiare e së cilës gjithnjë vjen e shtohet në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se çdo përkrahje për pavarësinë e Kosovës është ilegale dhe imorale, ndërkohë që sa për sy e faqe zhvillon bisedime me Prishtinën në Bruksel. Në këtë boshllëk të një politike dhe diplomacie të vendosur dhe të bashkrenduar mirë ndaj interesave kombëtare nga Tirana dhe Prishtina -- Kryeministri serb Daçiq -- deklaroi ditët e fundit se është duke menduar që në vend të bisedimeve të Brukselit -- dialogun ta vazhdojë me Kryeministrin e ri të Shqipërisë, Z. Rama. Kemi të bëjmë gjithnjë me arrogancën e atyre që për shekuj donin të zhduknin racën shqiptare nga Ballkani. Në prak të vizitës në Kosovë, Kryeministri turk Erdogan deklaron se,“Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore që rrjedhin nga thellësitë e historisë, por është e vogël dhe nuk ka të drejtë të flas kundër Islamit,” ka thënë Erdogan për televizionin turk TRT.
Kosova, është
tepër e vogël për të folur kundër Islamit!
Se kush në Kosovë është duke folur kundër Islamit, veç ai e di, por në
të vërtetë është duke thënë se Kosova është tepër e vogël për çdo gjë dhe si e
tillë është nën mëshirën e tij. Por megjithkëtë, shqiptarët në përgjithësi
dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, ashtu siç i shkruan Z. Erdogan në prak të
vizitës së tij në Kosovë, edhe deputetja e pavarur e Kosovës, Alma Lama,
"Ne në Kosovë, por shqiptarët edhe më gjerë jemi shumë të interesuar të
kemi raporte të mira me shtetin e sotëm turk pavarësisht nga e shkuara jonë e
hidhur. Krijimi i raporteve të mira do
të thotë në radhë të parë respekt reciprok, do të thotë respektim i kulturës
dhe traditës së tjetrit. Ne, si
ish-pjesë e perandorisë turke, të pushtuar prej saj jo vetëm politikisht por
edhe kulturalisht e fetarisht, para një shekulli bëmë përpjekje të
jashtëzakonshme si komb për të rilindur vetveten. Ia dolëm. Sfida numër një për ne ishte
pikërisht feja. Vendosëm që asaj të mos
i jepnim rëndësi të dorës së parë, por kombi të ishte formula jonë e
ekzistencës. U përcaktuam për këtë dhe ecëm përpara. E kundërta do të na kishte
fundosur. Ashtu sikurse mund të na
fundosë tani, nëse ne nuk tregohemi të vëmendshëm", i shkruan deputetja e
Kosovës Alma Lama, Kryeminsitrit turk në vigjiljen e vizitës së tij në Kosovë.
Edhe udhëheqsi
serb Daçiq, ndërsa sa për sy e faqe zhvillon bisedime në Bruksel me
Kryeministrin e Kosovës, në një ëndërr teatrale të tijën, ai nënçmon udhëheqsit
shqiptarë të Kosovës duke deklaruar se për fatin e Kosovës, ose më mirë të
themi, për ndarjen e Kosovës, tani ai dëshiron të flasë me Tiranën zyrtare,
pikërisht me Kryeminsitrin e ri, Z. Rama.
Hajde dreq e merre vesh këtë punë.
Edhe Greqia nga jugu i kufijve të kombit, vazhdon me politikën e saj të
pandërprerë anti-shqiptare. Asnjë
përgjigje as deklaratë zyrtare as nga Prishtina as nga Tirana! Quo vadis, Kombi
Shqiptar?
Shqiptarët gjatë
gjithë historisë së tyre nuk kanë sulmuar askënd as nuk kanë pretenduar toka e
territore të tjerëve, nuk kanë imponuar fenë dhe as nuk gjykojnë historinë e të
tjerve. Shqiptarët megjithë vuajtjet e
tyre nga pushtime të ndryshme nga fqinjtë dhe mbështetsit e tyre, sot më shumë
se kurrë janë tepër të interesuar për marrëdhënje të mira me të gjitha vendet e
rajonit, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Greqinë. Por siç thotë edhe deputetja e Kosovës Alma
Lama në letrën drejtuar Z. Erdogan, një gjë e tillë kërkon mirëkuptim të
dyanshëm. "Ne nuk mund t’ju
akuzojmë ju për atë që kanë bërë paraardhësit tuaj" thotë deputetja
shqiptare, "por në momentin që na kërkoni që ne të ndërrojmë historinë, që
të zezës t’i themi e bardhë, të përgjakshmes lulëzim, në momentin pra kur ju
nuk distancoheni nga prapësitë e paraardhësve tuaj, por përkundrazi na kërkoni
që edhe ne t’i shohim me sytë tuaj, atëherë mos pritni prej nesh
mirëkuptim."
Duke shprehur
ato që unë mendoj se janë ndjenja të shumicës së shqiptarëve kudo, deputetja e
Kuvendit të Kosovës, në letrën e saj drejtuar Kryeminstrit Erdogan thotë
gjithashtu se, "Ne si komb kemi luftuar shumë hegjemoninë e të tjerëve,
dhe tani që po shijojmë lirinë, kurrsesi s’mund të pranojmë që dikush, sado i
fuqishëm, të na e shkruajë historinë sipas qejfit të vet. Asnjë shtet perëndimor, as ata që na çliruan
nga pushtuesi tjetër Serbia, nuk na ka ardhur me një kërkesë të tillë
primitive. Primitive, pasi së pari historinë e shkruajnë historianët, jo
politikanët, aq më tepër politikanët e vendeve ish-pushtuese; dhe së dyti, sepse
bie tërësisht ndesh me fondamentin tonë, iluminizmin dhe të vërtetat që burojnë
nën dritën e tij", shkruan deputetja e pavarur në Kuvendin e Kosovës.
Sa ironik është
fakti që Kryeministri i Turqisë, pasardhëse e Perandorisë Otomane, Z. Rexhep Taip Erdogan kërkon të shkojë në
Prizren së bashku me dy kryeministrat shqiptarë, aty në Prizrenin e Abdyl
Frashërit, aty në zemrën dhe në shpirtin e Lidhjes së Prizrenit, aty ku
shqiptarët e të gjitha krahinave i deklaruan botës së ka Shqiptarë dhe se ka Shqipëri, aty ku u dha kushtërimi
për bashkim qëllimi e ideje. Sado tërheqse që të jenë premtimet për ndihma financiare dhe investimet nga të
huajt, siç ka thënë edhe Midhat Frashëri me një rast, “Përpjekja për Atdhe nuk
është si puna e ryshveteve, që njeriu bën hesap a del a s’del, behet hesap a
fitohet a humbet -- por jo në çështjen kombëtare.”
Në takimin e
Prizrenit me kryeministrin turk, kryeministrat shqiptarë duhet të jenë të
vetdijshëm dhe ndërgjegjës ndaj parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që
shqiptarët pas pesë shekuj robërie, më fund të vendosnin vet fatin e tyre, që
të shpëtonin Shqipërinë dhe Shqiptarët.
Obligimet e tyre morale dhe politike ndaj këtyre parimeve si përfaqsues
të kombit shqiptar sot, janë po aq të rëndësishme dhe historike sa ç’ishin edhe
më 1878.