Kulturë
Ilir Muharremi: Frojdi, epshi dhe kombëtarja
E hene, 14.10.2013, 08:04 PM
Ndërmjet Frojdit, epshit dhe kombëtares
Nga Dr. Ilir Muharremi
Pikturat e krijuesit Xhevdet Spahija qëndrojnë mes bindjes përballë hijeshisë estetike të figuracionit nën kompozimin e hapësirë gjigante. Para disa ditësh, në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës, artisti ka prezantuar 64 piktura në të cilat dominon teknika e vajit, krijuar herë në formë reale, surreale, që ndërtohet mbi psikanalizën e Frojdit, i cili filloi psikanalizën duke analizuar së pari veten e tij, e pastaj njerëzit e tjerë (pacientët).Para disa ditësh, artisti Xhevdet Spahija ka prezantuar 64 piktura, në të cilat dominon teknika e vajit, krijuar herë në formë reale, surreale, që ndërtohet mbi psikanalizën e Frojdit, të cilën e filloi duke e analizuar së pari veten e tij, e pastaj njerëzit e tjerë
Tema e gruas
Vetë Frojdi ka konstatuar se jeta ka barrën kryesore: epshin dhe vdekjen. Të parën, krijuesi e liron nga zinxhirët e shpirtit, duke mohuar çdo frenim që i vardiset mendjes, e që portretizohet në telajo. Të dytën, jo veç ai, por askush nuk mund ta shpijë në horizontin e saktë të përgjigjes. Një problem estetik që vardiset në pëlhurën e Spahisë është nudoja, për të cilën pohon se i nënshtrohet brendësisë së tij duke respektuar imagjinatën dhe në shumtën e rasteve një pjesë e vërtetë ka pozuar në këtë formë. Tema e gruas, trupi i saj, gjymtyrët, lënë gjurmë të mrekullueshme tek shumë piktorë, muzikantë, poetë, të cilët mitizuan dhe himnizua gruan si formë e libidosë, si karakter, shpirt, lëvizje, frymë si pushtuese historike dhe nënshtruese për përfitim të qëllimeve. Niçe gruan e quan si krijesë e poshtër, por kjo poshtëri nuk është direkt në krahasim me ndjenjën, ndjenja paraprin logjikën, logjika bëhet e kundërt me të. Spahija, duke iu referuar ndjenjës tek nudoja femërore reflekton arketipin, unikalitetin dhe diversitetin. Sipas Biblës, konstatohet se Perëndia frymë krijoi njeriun lëndë. Lënda që ai mori ishte forma më e ulët-balta. "Mori baltë" dhe "krijoi njeriun (Adamin); dhe zhvilloi tek ai frymë jetë!" Pas kësaj, njeriu-baltë u mbush me Perëndinë-frymë. U bë në mish një perëndi e vogël i mishëruar dhe, njëkohësisht, "në frymë" mish i hyjnizuar. Hyjnizimi pleksi piktorin të sprovojë epshin ndaj femrës si mish dhe formë, duke u futur në sekretin e të menduarit, që këtë sekret rrallë kush mund ta dijë. Përdorimi i lakuriqësisë së veprave, nuk na vjen si pozim statik, i përdorur vetëm për të shijuar, por si imagjinar dhe mistik. Femra pozon e lirshme, është e gjallë, joshëse, provokuese aspak e zbehur, në shumë raste fytyra nuk mund të identifikohet me qëllim për ta mbështjellë identitetin dhe kuptimin. Më e rëndësishme është lëvizja, marrëdhënia me ndonjë figurë tjetër. Ajo është e lirë, por në të njëjtën kohë e burgosur në vetën dhe kanavacën.
Instinkti i artistit
Ndërsa mund të
vërejmë lëvizjen disi të unifikuar, të joshjes, të veprimit, të performansës
figurative ku në pëlhurë përveçqë shohim ngjyrën, arrijmë të veçojmë përplasjen
e formës nën gërshetimin e hapësirë, perspektivës, harmonisë dhe tonalitetit.
Motivet në njëfarë forme janë në gjendje të qeta që japin shijimin e përkryer
të kënaqësisë së vazhduar me shpagim të vërtetë të qenies njerëzore që qëndron
në fitoren ndaj pengesave. Aktet veçohen për nga realizimi, kompozimi dhe
qëndrojnë në pozita të ndryshme, disa janë të shtira, disa në lëvizje, të
ulura, të shtrira në pozicione erotike që ndezin epshin. Janë të shkulura nga
elementi më i natyrshëm, dhe ne si vëzhgues kemi nevojë të lodhemi së sodituri
bukuritë paqetësuese dhe qetësuese saqë harrojmë vetveten dhe dhimbjen
përvëluese të botës. Të gjitha kanë lindur nga dashuria, dashuria përdoret si
lidhje ndërmjetësuese e veprës së artit. Ngjyrat si: bluja, grija, e kuqja, e
verdha përvëluese, nxitin melodinë harmonike që krijojnë kozmosin ngjyror dhe
konceptual. Mund të vërejmë edhe përkthimin e ëndrrave, diskutimin e brendshëm
që buron nga instinkti i artistit. Ai veçon ngjyrën dhe figurën, por nuk lë
anash as karakterin, kënaqësinë e prodhuar , nuk vë frenime për ta mbajtur
peshoren në baraspeshë. Por, kompozicioni ka baraspeshë nëse analizohet në
formë praktike, në atë shpirtërore ndjenja rrëmben penelin. Peizazhi, është
mjaft mjeshtëror, me blunë e ftohtë, arrin të përfundojë diku thellë në
perspektivë. Artisti nëpërmjet punimeve dukshëm na shpreh se pikënisja e çdo
arti është dashuria, por nuk mungon as tragjedia, drama dhe ne fund besnikëria.
Artisti na jep dashuri, rrezatim, kthim në një kohë tejet të rëndësishme, dhe
na sfidon në mes bukurisë dhe shëmtisë, erotizmit dhe kënaqësisë së përjetshme.
Në vepra vërehen konceptet, por edhe figurat, mirëpo të gjithë parapëlqejnë
konceptet, këtu kemi një dyzim dhe përplasje në mes të dyjave, të unifikuara.
Arti i tij arrin të na zbavitë dhe ajo që është efikase dhe që lë gjurmë, nuk
është vetëm fryti i vullnetit, reflektimit, planifikimit, por gjestet, gjetjet
e vogla dhe të mëdha, që kanë aftësi surreale fluturake, ashtu si në shumë
vepra të njohura të cilat gjithnjë do të zgjojnë freski, hijeshi, ritëm, melodi
nga të cilat zhvillohen dhe krijohen një varg temash. Në asnjë mënyrë, ai nuk
lë mënjanë fuqinë e të kënaqurit dhe të kujtuarit, të cilat varen nga
njëra-tjetra. Përveç nudos, spikaten edhe legjendat shqiptare, si 'Kush e solli
Doruntinën', 'Derdhja e Bunës', personazhet nga letërsia etj.