Kulturë
Baki Ymeri: Xhevat Muqaku dhe kuptimi i përjetshëm
E hene, 07.10.2013, 07:58 PM
XHEVAT MUQAKU DHE KUPTIMI I
PËRJETSHËM I TË VËRTETËS
Nga Baki Ymeri
Alternativa
letrare e diasporës shqiptare ka nevojë për vepra që e bëjnë historinë.
Historia e diasporës sonë ka vlera magjike, jo vetëm në aspektin patriotik.
Kontributi i diasporës për çrobërimin e Kosovës nga kthetrat e kolonializmit
serb, është një kontribut fantastik dhe fenomenal. Diaspora ka qenë e fuqishme
edhe në kohën e rilindësve tanë, sidomos në kohën e Asdrenit, Lasgushit dhe
Mitrush Kutelit, pa e harruar edhe periudhën paraprake të Jeronim de Radës,
Josip Bagerit, Zef Jubanit etj. Në këtë kontekst, sot zë vend elementar në
historinë e diasporës sonë, inspirimi lirik i sivëllezërve tanë në Gjermani, me
do emra si Arif Molliqi e Neki Lulaj, Martin Çuni e Hasan Qyqalla, Sadik
Krasniqi e Pal Sokoli, Liman Zogaj e Xhevat Muqaku, pa e harruar edhe Alma
Papamihalin së bashku me disa poetë e poetesha tjera.
Xhevat Muqaku
është i mirëseardhur në letrat tona me vargje të shkurta dhe strofa të pasura
me ndjenja, ide, impresione dhe mendime. Për këtë njeri kemi theksuar
paraprakisht se është një poet interesant që kultivon një spektër motivesh të
ndryshme që reflektojnë aktualitetin e një bote të mbrujtur me dinamikën
optimiste të ditëve tona. Edhepse ushtron profesionin e mjeksisë, autorin e
impresion çdo eveniment që reflekton të bukurën, njerëzoren, altruizmin,
humanizmin, duke qenë vazhdimisht i prekur nga dashuria ndaj njeriut dhe
vendlindjes. Herë pas here lirikën e tij e karakterizon imagjinata dhe
fluturimi në shtjellat e paprekshme të një bote magjike me valenca familiare
dhe kombëtare.
Libri më i ri i
Xhevat Muqakut mban titullin “Bërthama e fjalës” (SHKKK “Anton Pashku”,
Prishtinë 2013). Para nesh kemi një serë buzëqeshjesh lirike nga mërgimi. Në
vargun e tij të frymëzuar zotëron veprimi, përshkrimi, qartësia e mendimit, ëndërrimi dhe ngazëllimi. Në vëllimin e tij
të parë, autori e konsideron dasmën shqiptare si një mrekulli kur kënga
fluturon deri në qiell. Në tre përmbledhjet e para të tij reflektohet integrimi
në mërgim me subjekte moralizuese, me respekt ndaj punës dhe familjes, ndaj
miqve dhe farefisit, duke bredhur gjithmonë rrugëve të jetës me melankoli në
zemër. Për lirikën e tij është shkruar pak e për merak, duke parashtruar
pyetjen mahnitëse: Mund të thotë kush se s’ka talent autori, apo se i mungojnë
metaforat lirikës së tij!
Xhevat Muqaku
inkorprohet në kategorinë e intelektuialëve tanë që jetën dhe punën e tij ia
kushton të shkuarës, aktualitetit dhe ardhmërisë së popullit të cilit i takon.
Në kuadrin e vëllimit të tretë, autori lexon recetën e një ”emër/jete” me
historinë e kohës së kaluar ”që ishte dëshirë në tranzicion”: ”Edhe sot e
ndjekin nëntë ngjyra/ mukozën e lënduar të belit/ që i fituam si aromë të huaj”
(Nëntë ngjyra). Parajsën tokësore nuk mund ta prëvetësojmë veçse duke vuajtur,
dhe kjo vuajtje është e vetmja gjë që na se Kopshti i humbur i Adamit ekziston.
Zoti e përzuri femrën nga ky kopsht për mëkatet e saj, por mëkatet e femrës
janë shije të ëmbla për perptuimin e jetës. Autori nuk bie pre e lirikës
erotike me konotacione pornografike, por ai shkruan për hijet e kopshtit ”në
oborrin e pallatit të ri”, kur përvoja e lëviz botën karshi poleve, dhe
zotërimit të së vërtetës.
”Përjetimi i
Pavarësisë” është nja nga lirikat e tij më të frymëzuara, melodramë e
përditshmërisë, me lëmshin abstrakt që qartëson, në të dy anët e medaljes: ”Nga
piramida e brezeve/ Në 100 vjetorin e shtetit shqiptar/ vrojtohet dimensioni i
tretë”. Pasojnë vargje ”moralizuese” kur ndërkohë, turpi ëndërron vdekjen, në
dollapin e furnizuar, me euforinë kulturore në vatrën e arteve. Autori militon për kuptimin e përjetshëm të
së vërtetës. Ai i beson Zotit konform besës shqiptare dhe filozofisë gjermane
që në Kierkegaard lutet për njeriun që jeton në shtratin e përkohshmërisë dhe u
beson lutjeve, ngase qëllimi i tyre është që Zoti të dëgjojë pëshpëritjet e atij
që lutet. Pse? Sepse, në Ndërkohë, siç thekson autori: "Zemra ime është
bërë mal/ përjetova vite në këtë ditë/ dhe rrugë të mbarë".
Xhevat Muqaku
është një poet inteligjent që bën fjalë për rëniet dhe ngritjet tona kombëtare.
Ai na ofron buzëqeshje lirike nga mërgimi me do bërthama të ekzistencës sonë ku
”bregu dhe hendeku” e regjistrojnë në histori ”të vërtetën si në shesh.” Sipas tij, në vendin e të parëve tanë, edhe
në kohë të liga, nga e ëma lind bërthama. Titulli na duket i justifikuar, së
bashku me do cikle të gërshtuara me një lëndë të pasur, lirike, mendimtare, apo
filozofike: Bërthama e paprekur, Fisnikëri ilire, Ironi e jetës, dhe Dalldisje.
Poezia është një gjendje përjetimesh të përjetshme. Vuajtje, ngazëllime e
dhembje me dimensionet e emrit të Zotit. Pozia lshtë simboli i dashurisë së
përjteshme. Ku janë ëndërrimtarët tanë që shkruajnë dhe ende nuk kanë guxim t’i
bëjnë publike krijimet e tyre? Autori i fshikullon korbat e kombit që kanë fyer
lirinë e paprekshme: ”Llavë ujqërish në emër të engjëve/ Anatemojnë dhe
likuidojnë” (Pas shpinës).
Një zë i
hatashëm me shpirt fëmije na duket ky njeri. Sipas tij, arti është një shpirt
që dhuron ”Fytyrën e emrit të mollës/ dhe shtëpinë ku ekspozohet.” Vetë titujt,
si Luginë freskie, Vullkani, Vapori turistik, Përflakërim, Plaku i luleve të
jetës, e shumë tjerë, dëshmojnë se autori shkon duke e perfeksionuar teknikën e
teorisë së letërsisë dhe problemet e stilistikës letrare, për të krijuar vargje
që mbeten të paharruara në memorjen tonë. ”Edhe sot koha e han kashtën/ dhe
dardhat shkunden pa u pjekur/ së bashku me peshkun e mrekullisë së shtatë”
(Llugë konfidenciale). Jeta e poetit duket si një film që lundron nëpër oqeanet
e harresës së paharruar. Jeta e tij duket si një ”rilindje e dhëmbjeve të
këndshme”. Bota ka nevojë për forma të reja të komunikimit, ndërsa Xhevat
Muqaku ëndërron të jetojë në një botë më të mençur dhe më të ndershme, në një
gjëndje të dialogut permanent ndërmjet njeriut dhe natyrës. Kaq sa për sot, për
t’ua lënë vendin edhe mendimtarëve tjerë që e njohin botën magjike të poezisë.