Kulturë
Murat Gecaj: Bisedë me z. Ejup Krasniqi
E hene, 07.10.2013, 05:22 PM
“EDHE PSE KREJT LARG...FRYMOJMË, MENDOJMË DHE JETOJMË: SHQIPTARISHT!”
(Bisedë me z. Ejup Krasniqi, kryetar i Shoqatës atdhetare-kulturore “Mërgimtari”, Kiel-Gjermani)
Nga: Prof. Murat Gecaj
1.-Pyetje: Ju përshëndes,
z.Ejup dhe shprehi kënaqësinë time për këtë bisedë tonën…
-Kënaqësia është edhe e imja, që të jem në mesin tuaj dhe ju falënderoj nga zemra për kohën, që keni gjetur të bisedojmë së bashku, i nderuar Prof Gecaj!
2.-Është me interes për lexuesit të dinë, se qëkur janë vendosur emigrantët e parë në qytetin më verior të Gjermanisë, Kiel dhe sa është numri i përafërt i tyre, tani? Me çfarë veprimtarishë jetësore merren ata?
-Valët e
jetës janë dhe ishin të pamëshirëshme! Por, më së keqi, ato valë të tërbuara i
morën me vete shqiptarët, duke i hedhur nga një skaj, në tjetrin. Me sa di unë,
shqiptarët e parë, në qytetin Kiel, kanë ardhur në vitin 1969/1970. Ata ishin Rafet Morina, vëllezërit Gjini,
Pjetri dhe Sokoli, nga Kosova, si dhe një tjetër nga Tetova, me
mbiemrin Jashari. Pastaj, me kalimin e
viteve, shqiptarët ishin më të shumtë në
këtë qytet bregdetar. Por shumica e emigrantëve erdhën me hapjen e kufirit në Shqipëri,
pra pas vitit 1990, si dhe gjatë kohës
së luftës së fundit në Kosovë. Numri i shqiptarëve, që jetojnë aktualisht
në Kiel, në përgjithësi, sillet diku në shifrat 750 e deri në 800 veta .
Me se merren ata, pyesni ju? Në fillim të viteve ’90-të, emigrantët shqiptarë ishin punëtorë lopate, pastrimi e ndërtimi. Por, me kalimin e kohës, ata kanë arritur që të jenë zotë të vetëvetes, pra me përvojën e punës së fituar, kanë ecur përpara. Kështu, tani këtu ka me dhjetëra firma shqiptare të ndryshme. Funksionojnë restorante e hotele, me pronarë shqiptarë. Por ka edhe immobilie, që pronarët i kanë shqiptarë. Të tjerë janë punëtorë socialë, mësues e po ashtu edhe mjekë, të cilët drejtojnë reparte të tëra ose kanë edhe ndimësit e tyre. Ndër ta, p.sh., është Dr. Zejnullahu, i cili drejton repartin e kardiologjisë, në Qendrën Universitare. Me pak fjalë, shqiptarët tani e kanë krijuar personalitetin e tyre, gjë që e kanë arritur me pune e djersë, por edhe me kualifikime e shkollime të ndryshme.
3.-Nuk është rasti i
parë, që ne komunikojmë bashkë përmes Internetit, kësaj shpikjeje ndër më të
vlefshme dhe efektive të njerëzimit…Nga bisedat tona të mëparshme, por dhe nga
faqja juaj në “Facebook”, kam mësuar për mjaft veprimtari, të bukura e
domethënëse, të Shoqatës suaj…Çfarë mund të na thoni më tepër, për këtë fakt?
- Shqiptarët
ishin të lidhur me njëri-tjetrin edhe kur erdha unë e shumë të tjerë, në këtë
qytet. Por ata takoheshin vetëm në ndonjë festë ose raste të tjera. Nga
njerëz të caktuar, u formuan edhe shoqata e klube, jo kulturore, po për
të përfituar materialisht. Ndërsa erdhi edhe dita, kur një grup
bashkatdhetarësh vendosëm që, me të vërtetë, t’u trgojmë vendësve miq gjermanë,
se edhe ne kemi kulturë e tradita të mrekullueshme ilire-dardane.
Kështu, duke shprehur
dëshirën e vullnetin e përbashkët, formuam shoqatën atdhetare-kulturore, me
emrin kuptimplotë “Mërgimtari”. Kjo është regjistruar në organet shtetërore vendëse
gjermane, me datën 28 nëntor 2008, pra simbolikisht
në datën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Tani, Shoqata jonë ka 123
anëtarë dhe 4 anëtarë-nderi. Ata janë bashkatdhëtarë shqiptarë, nga vise të
ndryshme dhe pa dallime fetare, gjinore e krahine. Ato, që ne na lidhin së
bashku, në mënyrë të pandashme, janë
Gjuha amtare Shqipe dhe Flamuri ynë Kombëtar, me shkabën dykrenore.
4.-Ju keni mjaft
veprimtarë të Shoqatës, që japin ndihmesën e tyre modeste në veprimtaritë e
shpeshta, atdhetare e kulturore…E di që përgjigja është pak e vështirë, po
cilët mund të veçonit nga ata?
- Po, keni të drejtë. Secili e ka meriten e vet dhe bën atë, që mundet. Ndërsa do të veçoja njërin prej tyre, të cilin e dallon puna e tij, nderi, respekti, dashuria ndaj gjuhës shqipe, traditave kulturore dhe sidomos ndaj valleve popullore. Ky është mësuesi Afrim Hasani dhe është fat për ne, që e kemi një veprimtar të tillë shembullor. Prandaj, shpesh e thërrasin, me dashamirësi e respekt: “Afrim Qetësia” e “Migjeni modern” . Ai bën çdo javë nga 400 km rrugë, që të rinjtë e të rejat tona dhe të gjithë ne së bashku të ndjehemi ata, që jemi: Shqiptarë. Gjithashtu, nuk dua të anashkaloj asnjë veprimtar tjetër të Shoqatës sonë. Sepse, pa ndihmën e prindërve e të anëtarëve të kryesisë së saj, nuk do ishim këtu, ku jemi sot. Pra, të gjitha arritjet tona modeste dhe veprimtaritë e ndryshme, i kemi kryer së bashku. Prandaj ua shprehi atyre edhe mirënjohjen time të sinqertë!
5.-A keni lidhje me shoqata të tjera simotra
emigrantësh, në Gjermani e më gjerë dhe si bashkëpunoni me to?
-Po, kemi lidhje me shumë
shoqata, në mbarë Gjermaninë e, qe besa, edhe më larg. Me sukses morëm pjesë,
dy vite radhazi, në Festivalin “Pranvera e fëmijëve”, në Kopenhagë të
Danimarkës. Aty ishin të pranishëm edhe ambasadorët e Shqipërisë e Maqedonisë,
i cili është po ashtu shqiptar. Të dyja ato programe të bukura i dha RTK-ja dhe
e tëra kjo ishte organizuar nga “Radioprojekt-21”, një radio shqiptare,
që dëgjohet në valët tokësore.
Pastaj, kemi marrë pjesë në
takime të ndërsjallta. Kemi dhënë programe kulturore-artistike deri në Suedi,
në bashkëpunim me Shoqatën dhe shkollën shqipe në Sigen. Ndërsa në Berlin, në
bashkëpunim me “Odën Shqiptare” dhe në vende të tjera.
Bashkëpunojmë ngusht edhe me shumë shoqata e institucione gjermane. Kështu, nën kujdesin e kryetarit të Komunës Kiel, dhamë dy programe të bukura kulturore-artistike, në qendër të qytetit. Po kështu, nën kujdesin e Komunës sonë, tash 5 vite radhazi, organizojmë “Javën e kulturës shqiptare”. Shfaqje të bukura kemi dhënë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 5-vjetorin e Republikës së Kosovës etj. Aty janë paraqitur bukuritë tona shpirtërore e natyrore, që nga Çamëria dhe deri në Malësi, nga Ilirida e në Luginën e Preshëvës, pra me Kosovë e Shqipëri dhe në gjitha trojet tjera shqiptare. Sepse jemi një, na dallojnë e na bashkojnë: gjuha, traditat, kënga e vallja e mirëfilltë shqipe, kuzhina jonë tradicionale etj.
6.-Po për veten e
familjen tuaj, çfarë mund të na thoni? Nga jeni dhe kur u vendosët në qytetin
Kiel? Me çfarë punësh e veprimtarishë merreni?
-Edhe mua, erërat e pamëshirshme më dalldisën për një vit në Suedi. Që andej, u ktheva përsëri në vendlindjen time, Vushtrri të Kosovës, sepse malli ishte më i madh, se sa vuajtjet, që kisha në Atdhe. Por ja që nuk munda të rrija në truallin amtar, sepse kërkohesha nga falangat serbe. Prandaj u detyrova të merrja përsëri atë rrugë, që një herë ia ktheva shpinën. Ishte 21 janari i vitit 1993. Bënte ftohtë e binte shi. Siç duket edhe qielli lotonte, me lotët e nënës sime. Mora një rrugë, nga kishin shkuar shumë vëllezër e motra shqiptare. Pra, erdha pikërisht në Kiel të Gjermanisë, ku gjeta disa shqiptarë. Më duket, se ishin rreth 7 familje e disa beqarë. Kështu, jeta rrodhi si pa u vërejtur dhe tani u bënë mbi 20 vjet…
Kam lindur në fshatin Zhilivodë, të Komunës
Vushtrri. Gjysma e farefisit tim jetojnë në Fier, Lushnje, Durrës dhe Elbasan.
Kishte ndodhur kështu, sepse regjimi i kohës i kishte detyruar t’i linin të
gjitha pas, në vendlindjen e tyre dhe të merrnin udhën përtej bjeshkëve. Por
ata patën fatin e mirë dhe u ndalën në Atdheun shqiptar.
Unë jam i martuar me Mrika Pllanën/Krasniqi dhe
kemi 5 fëmijë, të gjithë me emra të bukur shqiptarë: Shpëtim, Shpresa, Besa,
Genti dhe Dardan.
Kam studiuar për shkencat e minierave, në degen e xehtarisë, në Mitrovicë. Ndërsa, pasi erdha në Kiel, përfundova degën elektron dhe jam i specializuar në sistemet kundër zjarrit. Disa kohë kam qenë drejtor hoteli, kurse tani punoj menaxhues në një ndër firmat më të mëdha gjermane, me mbi 15.000 punëtorë. Aty bëj menaxhimin e sistemeve te alarmit dhe atyre të energjisë. Ndërsa, në kohën e lirë, merrem me veprimtaritë e Shoqatës, por edhe me shkrime. Kam botuar një libër me poezi, i cili e ka titullin “Mes Gjakut dhe Luleve”.
7.-Si i mbani lidhjet me vendlindjen? Po në Shqipëri, a keni qenë
ndonjëherë dhe përse? Nëqoftëse po, kur do të vini përsëri, këtu dhe në Kosovë?
-Po si, ore! Si mos të kemi lidhje me Atdheun? Ai, që i shkëputë lidhjet me vendlindjen e tij, në vendin e huaj mbetet një “copë mishi me dy sy”, është një hiç, një njeri pa vlerë ose një i vdekur së gjalli. Unë jam tejet i lidhur me vendlindjen, me Kosovën dhe me Shqipërinë. Herën e parë, në kufirin e Shqipërisë, isha në vitin 1988. Por u ktheva mbrapsht, ashtu si shkova, pra bosh. Doja ta merrja kushërirën time, që kishte lindur në Fier. Por nuk e lejuan qeveritarët e kohës!? Dhe, besomëni, kam qarë tërë kohën, deri sa jam kthyer në shtëpi. Ndërsa, që nga viti 1994, pra pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri, pothuajse çdo vit, e kam vizituar nga një pjesë të Atdheut, duke marrë çdo herë nga një “copë” të tij me vete. Kështu, në jetën familjare, në punë e kudo, kam mall të pashuar për tokat amtare shqiptare. Këtë dashuri tonën, si prindër, përpiqemi t’ua edukojmë e rrënjosim në shpirt edhe fëmijëve tanë.
8.-A do të shtoni ndonjë gjë tjetër për
lexuesit, në mbyllje të kësaj bisede?
Po, do kthehesha edhe një
herë te Shoqata jonë, me synime e veprimtari atdhetare e kulturore. Në gjirin e
vet ajo ka një rini të shkëlqyer. Me mësuesin Afrim Hasani, me të vërtetë, ata
meritojnë lëvdatat më të mëdha. Mospritesa, puna e përkushtuar dhe disiplina
kanë sjellë përfundime të mrekullueshme, në tërë jetën e Shoqatës, ku unë kam nderin e privilegjin të jem kryetar.
Sukses tjetër, në jetën e saj, është se financat tona nuk janë “të fshehura”.
Pra, secili mund të shohë hapur, se kush, sa dhe kur ka dhuruar mjete për
Shoqatën “Mërgimtari”. Po ashtu, shihet mirë nga të gjithë edhe për çfarë
janë përdorur ato mjete financiare.
Në përgjithësi, mund të
them, me bindje e ballëhapur, që jemi formuar të tregojmë para cilitdo, se jemi
shqiptarë dhe se motoja jonë është:
Të lindësh shqiptar është
fat,
të jetosh shqiptar është
virtyt
e të vdesish shqiptar është
krenari!
Në fund, po e mbylli fjalën
time me një këshillë, për të gjithë vëllezërit e motrat shqiptare, mërgimtarë
nëpër botë: “Ruajini si sytë e ballit kulturën, nderin e dinjitetin kombëtar,
kudo që jeni! Se mjaft plagë patëm dhe ato t’i shërojmë tani me dashuri, respekt e bujari...”.
Besojmë që, në një të
ardhme jo të largët, do t’u sjellim këngë e valle edhe në Atdhe. Kështu, do të
shihet e dëshmohet nga afër se, edhe pse krejt larg, pra këtu në veriun gjerman,
me mbi 2.000 km largësi, frymojmë, mendojmë e jetojmë: SHQIPTARISHT!
-Faleminderit
për përgjigjet tuaja korrekte! Gjithashtu, ju urojmë nga zemra arritje të reja,
si në punë e në jetën familjare, por dhe në veprimtaritë e bukura dhe të
pandërprera të Shoqatës “Mërgimtari”, me këtë emër pak të dhimbshëm, por
edhe domethënës!
4 tetor, 2013