E marte, 08.10.2024, 04:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Rezart Palluqi: Një kalë dhe 999 gomarë!

E shtune, 12.10.2013, 04:33 PM


Një kalë dhe 999 gomarë!

Nga Rezart Palluqi

A nuk më thua zotëri? Përse rrisni pothuajse vetëm gomerë dhe kaq pak kuaj? Në livadh shoh vetëm katër kuaj?

-Gomarët preferohen mjaft në këtë vend. I sheh ata kuajt ti?- stallieri drejtoi gishtin leshator drejt kuajve të bardhë, të mbuluar me qilime të kuq.

  -Ata kuajt atje , i kanë ngarë personalitete të shumtë politikë dhe kulturorë. Kur kuajt mërziten dhe i hedhin ata papritur në tokë, ata i hipin gomerëve. E sheh atë burrin atje? Zavalli! E fluturoi kali në ajër. U përpoq dy herë ta zbuste kafshën e gjorë, por kur e kuptoi se ajo nuk e pranonte më, bleu një gomar. Qysh prej asaj dite, ai qarkullon pa pikë turpi me gomar, në mes të bulevardit të kryeqytetit. Dhe ai nuk është i vetmi. Të gjithë ata që ose kërcënohen ta braktisin kalin, ose refuzohen prej kafshës, blejnë një gomar.

   - Më duket se po më tall? Eja tani, mos e dridh e spërdridh. Më thuaj të vërtetën! Përse gjithë këto gomerë dhe vetëm katër kuaj? Mos ndoshta i shet në Afrikë? Apo i ther ata fshehurazi dhe e shet mishin e tyre si mish viçi në treg?  

Stallieri qeshi shfrenuar. Dy fije kashtë që kishin ngecur në flokët e hirtë, ranë përdhe nga kokëshkundja e tij. 

Papritur, ai ndaloi së qeshuri.Fytyra iu ravijëzua prej një serioziteti komik. Sytë po i mbante të ngulur drejt portës së hyrjes së stallës.

  -Kujdes burrë, se me zor ta hekurosa kostumin. Ruaji edhe këpucët Esprit se mos i bësh me baltë- dëgjova të thoshte një grua me zë të acaruar.

 E pabesueshme.  Një goxha burrë, i derdhur në kostum të zi, me kollare të kuqe me viza të zeza të pjerrëta, rrinte si nuse e zemëruar mbi gomar. Gomari u shfrye, ashtu siç e kanë gomerët. Sëbashku me gomarin u drodh edhe burri. Këmbët e gjata, të mbathura me këpucë lustrafine, lëviznin të çakorduara. Gruaja rrinte e hipur mbi një pelë lëkurëkuqe.

Burri i xhindosur urdhëroi gomarin me fjalë banale të ndalonte përpara kalit të bardhë me krifë të zbukuruar me temina dhe fjongo të kuqe.

  -O kal, o ish kali im i vyer! Sa më mungon! Qysh të humba unë ty o kalë?- vajtoi ai me zë të thershëm. Kali hingëriu ëmbël, ndërsa gomari, i cili mesa duket i kuptoi fjalët përgjëruese të zotit të tij të ri, nga xhelozia hodhi ca shkelma të fortë, duke e plandosur burrin me kurriz në pellgun e baltës.

  -Këtu paska humor falas- i tha vizitori kurioz stallierit.

  -Eja këtë javë, se janë bërë shumë shkarkime. Të gjithë ata që kanë humbur postet e larta,vijnë këtu, blejnë një gomar duke shpresuar që të krijojnë çetën e  tyre të gomerëve. Nëse e arrijnë këtë, themeluesi i çetës i hipën atij ponit atje. Ndërsa andej ku jetoni ju, nëse një drejtues humbet, nuk ble një gomar e shëtit me të, por një biçikletë, e shkon me të në punë. Kështu e ka vendi ynë.  Më besove tani?

  Vizitori kurioz  tundi kokën në shenjë bindshmërie të plotë. Ai e vizitoi stallën gjatë gjithë javës që rrodhi, dhe qeshi me lot, tek shihte, ish burrat e shtetit kaq të njohur për publikun dhe popullin e tij, të blinin një gomar gjatë fushatës së pushtetndërrimit. Sa komike që iu dukën zotërinjtë të hipur mbi gomar, por veshur me këpucë të shtrenjta. 

  -Nuk më thua? Përse vesh kaq këpucë të shtrenjta? Jepja më mirë gomarit që të mbart kudo. - i tha ai disa gomar-drejtuesve. Ata me hipokrizi ndërruan temë dhe i folën për planet e tyre të mëdha shtetndërtuese. 

Një ditë mbas zgjedhjeve të drejtuesve të rinj, vizitori nuk i besoi syve të tij. Gomerët e blerë para ca muajsh u rikthyen në stallë prej blerësve me kostum, kollare dhe këpucë të shtrenjta.  Ata i hipën automjeteve tejluksozë dhe larguan me zhurmë drejt kuvendit të sherrit.

  -Ja këtij i thonë fitim. Gomerët i shes sa frëngu pulën. Ata i riblej për dy grosh mbas disa muajsh. Por fitimi më i madh e di ku është?

 Vizitori i shkundi shpatullat duke u zgërdhirë.

 -Këta gomerë janë bërë tani VIPA sepse mbi kurrizin e tyre kanë udhëtuar personalitete të njohura. Çdo qytetar ëndërron t’i bëjë ata pronën e tyre- u përgjigj stallieri dhe i uroi udhëtim të mbarë vizitorit kurioz emigrant…



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora