E marte, 08.10.2024, 04:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Sorkadhja

E diele, 13.10.2013, 04:18 PM


SORKADHJA

 

QAZIM SHEHU

 

Sorkadhja me brirë të lartë,

Rendi në lëndinë dhe u ndal.

Para tytës së armës së zjarrtë,

Lulet, pema, qielli u fal.

Pse plumbi nuk u shkrep ,gjahtari u qorrua,

Pse pemët dolën para ,bënë një mur?

Sorkadhja s`e dinte, vetëm u hutua,

Këtë s`e kuptoi kurrë.

Brirët fluturoi e u bënë gremça në drurë…

 

KY DIELL

 

Ky diell po të kishte pak më tepër fuqi,

Rrezet gjer në thellësi do i depërtonte tokës,

Pastaj do shkrinte mineralet në brendësi,

Për t`ia dhënë botës.

Perlat, së pari ,do ua jepte të varfërve,

Siç rrezet falas ua jep,

Do i shuante urinë pa të qara,

Çdo foshnje në djep.

Kjo nuk ndodh.Edhe dielli tradhton.

Dielli, bujari naiv, i plogët.

Dhe të pasurit kjo i lumturon

Duke u ndjerë më të dobët…

 

LODHJE

 

Me lodhje fjalësh gdhiva netët,

Kështu duhet ta ketë gdhirë edhe Pol Verleni

Mbase Majakovski që fjalën e quante mineral,

Hapni librin e tij dhe do ta gjeni.

Në këtë botë fjala pakkujt i bindet,

Për t`i fryrë në vesh lavdisë,

Tek Pallati i Operës pastaj fillojmë grindjet,

Duke ia vënë fajin poezisë…

 

SENDET KANË SHPIRT

 

Sendet lëvizin.Sinjale dashurie çojnë ngado.

Tek Makbethi a nuk lëvizi pylli për t`i tënë malit?

Një tallazitje e tyre ,një zhvendosje pakuptim,

I lëviz nga vendi,prej vendit ikin për tjetërvend.

Sy maçoku në thekër në natën e errët çojnë sinjale,

Pastaj i shuajnë si kandilin nga një stuhi e madhe.

Ec e kap shpirtin e tyre, shkëndijimin që ndez e shuan,

Teksa fryma dridhet t`i veshë me rroben që duam…

 

BURIMI

 

Pimë ujë në burim,burimi ku buron?

Ku është nisja e tij e parë?

Kjo ndërmend nuk na shkon,

Veç kur burimi nis për t`u tharë.

As për dritën s`na vjen ndërmend,

Ku e ka amën, siç thotë Mjeda,

Pa kujtuar për pritat që rroposën si rrëmet,

Për të ardhë tek ne të qeta….



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora