E marte, 08.10.2024, 03:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Daullet e netëve kosovare

E diele, 13.10.2013, 04:33 PM


DAULLET E NETËVE KOSOVARE

(Adem Zaplluzha, Daullet e një nate, Kastriot 2013)

Nga Baki Ymeri

Adem Zaplluzha duket si një gurrë e pashtershme e frymëzimeve lirike të mveshura në tesha të mëndafshta.  Në vargjet e tij dremisin lulet e saksisë si një magjepsje e gërshetuar me pëshpëritje zogjsh që depërtojnë tejmatanë perdeve, duke të ftuar për një dremitje të ëmbël, ngase gjumi e ka kapluar lulishten e shtëpisë. Kosova me zogjtë, gështenjat, lulëkuqet dhe varret e dëshmorëve dremit. Në kuadrin e ciklit të parë, Sonte nuk dua të vdes, autori provon të luajë sonte fatin e zogjve. Ajo që ngjan me ajrin, duket si një ishull mes mjegullave. Ishulli i uritur dhe i etur si zogjtë e shkretëtirës. Dhe më tej:

“Rëra fluturon përtej mendimit/ Një kaktus i etur/ Pi ujë në shpirtin e rërës/ Dielli si në copë gacë e përskuqur/ I pjek zogjtë në fluturim e sipër. Netët kosovare zalisen në zërin e mullinjve, kur kjo dunë prej vezëve të breshkës, me gjasë paska mbetur, si një varr i vetmuar: “Një arkivol i hirtë/ Te një varr i panjohur/ I kreh flokët e thinjura të zjarrit”, tejmatanë kufirit të kujtesës. Kur përmes pëlhurës së grisur të një anijeje,  shpërthen kurreshtjai dhe guri i mullirit të duket si një blanë mbretërore,  kur stina si syri i verbër i hënës, shikon tejpërtej galaktikave, rritjen e një shelgu të pikëlluar. Autori zgjohet “Përtej kujtesës/ Si nga një ëndërr e trishtë”. Prej vezëve të thyera dalin çafkat, kurse qielli i mbuluar me pupla  njerëzish, hingëllon si kali i sëmurë. Universi, imagjinata, tropet dhe figurat tjera stilistike nuk mungojnë, as atëherë kur baci Adem, përtej parmakëve të dritares, sheh djersitjen e ajrit: “Te dhoma e pritjes/ Një shpend krahmadh/ Është ulur pranë kujtesës/ Dhe i ëndërron/ Ikjet e kota  të stinëve”.

Shqiptarët, sipasi tij, ishin me gjasa të parët, që e gjetën zjarrin, “Por mishin e pjekur e hëngri nata”. Dhe më tej: “Kur dëgjuam kushtrimin/ Tupanët veç ishin shurrdhuar/ Nëpër mëhallë/ Bredhin ardhacakët e dehur/ Dhe  i recitojnë do psalme të vjetra/ Në një gjuhë të huaj/ Që s’na përket neve”. Ne dënesëm një kohë të gjatë, thekson autori, dhe shton se me një ngashërim të padëgjuar deri atëherë, dëneste edhe kori i bretkosave: “Por vaji i jonë/ Më duket edhe sot/ Se i përngjante lutjeve të erës”. Vargjet e bacit Adem duken si do këngë djepi në bibliotekën e sentimenteve letrare. Nën gurin e mullirit vërtiten shpresat dhe aspiratat, kur ti e përkujton zërin që e bluan romancën e ditëve të nesërme. Në vargjet e tij dremisin, madje, edhe shikimet ndaj yjeve, madje edhe ti, përmes kandilit që e përkund dritën e gjumit, kurse gjumi yt duket më i qartë se paskajshmëria, në kohën kur: “Lëkura ime e grisur/ Shtatë herë u shit sot në treg/ Dhe herën e tetë/ U konvertua  në hartën e Atdheut”.

Shqiptari i Kosovës nuk din të ndalet, sepse fjalët e tij kanë filluar t’i përngjajnë kristaleve të borës. Herë janë të ftohta si njerëzit, herë u përngjajnë eshtrave të elefantëve, e herë arkivoleve të kalbura: “Do dalim si gjarpri nga lëkura/ Do e grisim ëndrrën e posa nisur/ Te ky gur që nuk i përngjan as murit/ Do i mbjellim krahët e zogjve”. Nuk kemi kohë për fluturime të reja, thekson autori: “Me mija vjet fluturuam/ Dhe asnjëherë nuk e mbërrimë cakun/ Sonte do të mendojmë pak më ndryshe/ Për itinerarin e kësaj udhe// Do ecim tejpërtej arsyes”. Pse? Sepse nuk ka ndalje në këtë rrugë, dhe po qe se ndalemi, kurrë më, nuk do të mund ta prekim, ëndrrën tonë të posa nisur. Problemet e stilistikës letrare e angazhojnë kritikun të trajtojë krejt lëndën poetike, kurse ne e anashkalojmë këtë “porosi”, duke analizuar vetëm poezitë e para, për të nxjerrë në pah të vërtetën, se kemi të bëjmë me një veteran të mirëfilltë të poezisë së sotme në Kosovë.

Më 30 korrik të këtij viti (2013), autori thekson me fjalë identike, se sonte është koha, të cilën e kemi pritur me mija vjet, dhe do të nisemi, atje poshtë te ledhnajat e historisë, ku na presin do punë posa të nisura. Dhe papritmas fanitet një re e dendur: “Më lëshoni”, se “Sonte  dua të dal/ Nga klishetë e së kaluarës/ Do hyj në labirintet e kësaj kohe/ Dhe si nëpër tregimet fantastike”, do të kaloj në anën tjetër të lumit, në secilën degë të kësaj peme, do mbjellim nga një domethënie, kurse më pastaj do të ecim, deri te sinorët e luadheve: “Koha është/ Për kositjen e barit të njomë// Nëse vonohemi/ Për udhëtimin deri te baladat/ Nëpër rrugët e metropoleve do i kërkojmë/ Pendlat e ndukura të zogjve/ Që mbetën peng i një tjetër kohe”. Vargje briliante që shëmbëllejnë me perëndimin e Ballkanit të çmendur, dhe një stinë të re, kur, herë shqepen e herë ngjiten hartat, kur një re e dendur, asnjëherë nuk i ndryshon itineraret. Bacin Adem e ngazëllen fillimi i mirësisë dhe mbarimi i ligësisë. Ai ëndërron për zogjtë e erës dhe paskajshmërinë e lumturisë. Sipas tij: “Këto gjëra që po i preki sot/ Më duket se i kam prekur/ Para disa shekujve/ kur vdisnin meteorët”.

Zëri i mullinjve të ujit dhe zëri i mullinjve të erës. Zëri i viktimave të luftës dhe zëri i ditës së nesërme. Dita e djeshme kur  tundej edhe mali, kur si fije bari tundeshin rrapet, kur “Nga vegimet e një trishtimi/ Fluturoi një shpend gjigand “, kur deshën të qajnë nënat, kur nga një hënë e gjymtuar, si peri doli para lotëve, dhe u shndërrua në disa dallgë të papara. Përfytyrimi fanitet kur “Atë çast filloi të fryjë një furtunë/ Nëpër flokët e mjegullave/ Veç kishte rënë një borë e kuqe/ Mbase dimri/ Mund të prekej me dorë si hija”, kur më zë kotësia. Dhe papritmas, shqetsimin e zëvendëson optimizmi,  kur filloj të mbjelli një farë të re, nga shpirti i erës, që i shtrydhi të gjitha trishtimet, dhe qeshi me gjelbërimin, deri sa pushojnë të reshurat: “Nuk kam më kohë për shitje/ As për të blerë s’kam lekë/ Tundem udhëve/ Si një varkë e humbur/ Dhe në shpirtin e pathyeshëm të detit/ U bie daulleve të kushtrimit”.

Në ciklin e dytë, Daullet e një nate, defilojnë tituj poemash tjera briliante, si: Sonte do të ecim, Te flokët e erës, Vijnë edhe sërish kthehen, Përtej çdo mundësie, Në tregtarë ëndrrash, Nëpër rrugët e qytetit të ngrirë, Si disa gjallesa parahistorike, Rri varur skeleti i erës, Ata që u flijuan për ty, Dhe hija e një druri etj. Jashtë mureve të lagështisë është cikli i tretë. Si zgalemat e rrufeve, Një dhembje si kjo, Në kokën time rebele, Pastaj vjen heshtja, As atje e as këtu, Më shkruaj një letër, Në bëhemi zogj të egër, janë disa nga poezitë e këtij autori që shëmbëllejnë me një album historik të lirikës sonë kontemporane. Sipas filozofit rumun, Tudor Vianu, feja, filozofia dhe arti janë pjesë e specialiteteve. Bota moderne del në pah me dridhjen e parë të mendimit. Adem Zaplluzha meriton respektin tonë për idetë dhe mendimet e tij në fushë të kulturës. 

(Parathënie e librit Daullet e një nate që gjendet në shtyp)



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora