Faleminderit
Murat Gecaj: Foto e rrallë e atdhetarit Jashar Erebera
E merkure, 02.10.2013, 06:41 PM
NJË FOTOGRAFI E
RRALLË E ATDHETARIT JASHAR EREBARA…
(…dhe mesazhe të ndërsjellta, me Nehat
Jahiun)
Nga Prof. Murat
Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
1.
Para disa ditësh, me kolegun e
mikun krijues, arsimtarin Nehat Jahiu, nga fshati shqiptar Orizare, rrëzë
bjeshkëve të bukura te Karadakut, në Maqedoni, u lidhëm bashkë pëmes
Internetit. Ndër të tjera, ai më shkroi këto radhë: “Tani
posa më erdhi një ftesë, nga mr. Sevdail Demiri, se nesër, në Kumanovë,
organizohet një tribunë shkencore me temë: Klubi
Shqiptar i Kumanoves (1909) dhe Jashar Erebara. Ligjeruese kryesorë-
albanologe nga Parisi, Avelyn Noygues…”. Ndërsa unë iu përgjigja me dashamirësi:
“Shume mirë, ju uroj suksese dhe ta
kaloni sa më bukurë!...I bëni të fala edhe Sevdailit, nga unë...”.
Po,
Nehati nuk u ndal me kaq dhe më pyeti: “A
keni ndonje matrial rreth këtij Klubi dhe Jashar Erabarës?” Ndërkaq, mendja
më “fluturoi” e hyri nëpër albumet e mia, me fofografi. E dija se diku, nëpër
ato, kisha të ruajtur, që shumë vite më parë, edhe një fotografi të rrallë të
Jashar Erebarës. “Po, vallë, ku do të jetë
ajo”-mendova përsëri me vete. Kështu, me dëshirën e mirë që të isha edhe unë,
sadopak, pjesë e asaj veprimtarie, por tashmë “me korrespondencë”, i kërkova
leje Nehatit të “gjurmoja” nëpër albumet e mia. Mirëpo, sa keq, aty për aty nuk
arrita ta gjeja atë fotografi dhe koha nuk priste për ndonjë ditë të mëvonshme!?
Megjithatë, mikut tim Nehat i shkrova:
“Më vjen shume keq, se me gjithë
hulumtimet në disa albume të mijat për foton e rrallë, që mendoja se kisha, për
Jashar Erebaren, atë nuk e gjeta?! Por dihet se, kur punët bëhen pak me nxitim,
arritjet janë të vështira ose të pamundura?!...Megjithatë, me këtë rast, i
përgëzoj, si organizatorët dhe folësit e atij tubimi dhe gjithë pjesëmarrësit e
tij! Me veprimtari të tilla, të bukura e domethënëse, ne bëjmë të mundur që ta
kujtojmë dhe mos ta harrojmë të kaluarën tonë të ndritur, luftën dhe përpjekjet
e parreshtura për liri e pavaresi kombëtare, për traditat e arsimin në gjuhën
amtare dhe kulturën tonë të lashtë. Në këtë mënyrë, arrijmë që t'ua bëjmë të
ditura dhe t’ua përçojme ato, breznive të sotme dhe atyre, që do të vijnë nesër…Me
nderime e respekt të veçantë: Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues,
sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës se Arsimtarëve të Shqipërisë,Tiranë, 18
shtator 2013”.
Sigurisht,
veprimtaria për të cilën fola më lart, është zhvilluar me sukses. Por unë nuk
arrita ta realizoja ose plotesoja në
kohën e përshtatshme dëshirën e shprehur, pra ta dërgoja fotografinë e përmendur,
në tubimin përkujtimor kushtuar “Klubit Shqiptar të Kumanovës” (1909)
dhe Jashar Erebarës. Por, është e kuptueshme se, nuk më linte meraku i asaj
fotografie, se doja që ta gjeja. Kështu, pothajse rastësisht, në një zarfë të
posaçme e gjeta dje atë fotografi të
atdhetarit të njohur Jashar Erebara. Atë e kisha të ruajtur që në vitet ’80-të,
të shekullit 20-të, kur punoja redaktor në gazetën “Mësuesi”, botim i Ministrisë
së Arsimit e Shkencës. Sigurisht, e njoftova menjëherë mikun tim, Nehatin për
këtë lajm të ri dhe ia nisa fotografinë, përmes e-mailit Ashtu siç mund të
shihet edhe nga publikimi i saj, bashkë me këto radhë të mijat, aty shënohet se
ajo është bërë në Bukuresh, në vitin 1899.
2.
Megjithëse nuk jam marrë posaçërisht me studimin e
jetës dhe veprimtarisë atdhetare, publicistike, areimore etj. të Jashar
Erebarës, emrin e tij e kam të njohur që shumë vite më parë, kur nisa të mbledh
të dhëna për jetën e veprimatrinë e arsimtarëve tanë, në trojet shqiptare
jashtë Shqipërisë. Prandaj, me këtë rast të publikimit të kësaj fotografie, po i
rendis këtu pak të dhëna, nga jeta dhe veprimtaria e tij e shquar.
Ai lindi në Dibër, në vitin
1873. Mësimet shkollore i nisi në Shkup dhe i vijoi në Bukuresht. Është i dëgjuar
për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, arsimore e kulturore, me botimet
publicistike etj. Kështu, përmendim këtu, se ishte kryeredaktor i gazetave mjaft
të njohura për kohën, "Albanija"
dhe "Shkupi" etj. Ishte
pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit, ku u vendos alfabeti i gjuhës
shqipe.
Nën drejtimin e mësuesit atdhetar Jashar Erebara, në janar të vitit 1909, u krijua “Klubi shqiptar i Kumanovës”. Ndër veprimtaritë e përmendura të tij
ishte edhe hartimi i një abetareje shqipe. Ajo u njoh, në historikun e krijimit
të abetareve dhe funksionimit të
shkollave shqipe, me emrin “Abetarja
e Kumanovës”. Përmes saj, jo vetëm nxënësit shqiptarë, por dhe prindërit e
të rritur të tjerë, arritën ta mësonin shkrim-leximin në gjuhën amtare.
Në Kuvendin për shpalljen e
Pavarësisë në Vlorë, në nëntor 1912, dha një ndihmesë të çmuar dhe më pas punoi
që të bëhej sa më i njohur ky akt historik, si në Europë e më gjerë. Bashkëpunoi
me disa personalitete të shquara të atyre viteve, si me Bajram Currin e Hasan
Prishtinën, të cilët, në vitin 1918, krijuan
“Komitetin Kombëtar për Mbrojtjen e
Kosovës”. Me B.Currin e vazhdoi këtë punë të frytshme në Vjenë, ndërmjet
emigracionit të njohur shqiptar, me detyrën e kryetarit të degës së atij
Komiteti.
Jashar Erebara ishte edhe
pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes, duke qenë deputet i Dibrës. Më pas e ka
drejtuar Bashkinë e Tiranës, po për një kohë jo të gjatë.
Në vitet e jetës së tij
80-vjeçare, intelektual me interesa të gjëra, ai bëri punë të vlefshme.edhe si
arkivist e përhapës i dokumeteve të nevojshme për kohën.
Atdhetari ynë i shquar,
Jashar Erebara i mbylli sytë përgjithnjë në Tiranë, më 24 qershor 1953. La pas
vetes një emër të nderuar dhe të respektuar për brezat e shqiptarëve. Në kujtim
dhe vlerësim të jetës dhe veprës së tij të çmuar, sidomos në fushën e
publicistikës, Shoqata e Gazetarëve, me qendër në Shkup, ka dhënë për personat
më të aftë në profesion, çmimin me emrin “Jashar
Erebara”. Sigurisht, pjesë e veçantë e nderimit të tij të merituar, ishte
edhe veprimtaria e zhvilluar në Kumanovë, për të cilën folëm pak, në hyrje të këtij
shkrimi.
Tiranë, 29 shtator 2013