Faleminderit
Muharrem Blakaj: Selman Kadri Hasanaj
E marte, 01.10.2013, 06:00 PM
Selman Kadri Hasanaj
Nga Muharrem Blakaj
Selman Kadri Hasanaj – Lindi në Cerrcë në vitin 1906. Si i ri u dallua me virtyte e
shkathtësi. Ishte mahitar, tregimtar dhe rapsod i talentuar. Si këngëtar i
shquar, i kishte takuar grupit të rapsodëve të mirënjohur të asaj kohe, Brahim
e Ali Kabashit, të cilët, me këngët popullore dhe me zërin e tyre brilant,
sikur i kishin dhënë vullnet për jetë e qëndresë nën pushtimin e egër serb
mbarë popullit të Podgurit. I ftuar në dasma, fjalë nusesh dhe ahengje,
Selmanit i kishte rastisur të takohej me shumë burra të shquar e patriotë, por
edhe me figura të ndryshme politike të kohës. Në saje të takimeve të tij të
shpeshta me Smajl Ali Bicajn, për herë të parë ishte ndeshur me literaturë
shqiptare, që Smajlit fshehurazi ia kishte sjellë Sali Hoxha nga Orrobërda, i
cili e kishte marrë në konsullatën shqiptare në Shkup. Këta libra Smajli i
kishte lexuar vetë dhe ua kishte shpërndarë shokëve të tij të besueshëm, si
Avdyl Sylë Mavrajt, Idriz Fazlisë, Tafë Maxharrit[1],
Selman Kadrisë, Brahim Ukë Kabashit, Ali Kabashit[2]
etj. Të influencuar nga literatura shqiptare, të indinjuar nga shtypja e egër
serbe, këta shokë të besës disa herë kishin biseduar për organizimin e një
kryengritjeje të armatosur për t’u liruar një herë e përgjithmonë nga tutela
serbe. Ndërsa, në anën tjetër, Selmani kishte lidhje gjaku me Kërstiqët, sepse
nëna e tij ishte bijë e fisit të tyre. I trajtuar si nip i Kërstiqëve, Selmani
me kohë kishte fituar besimin e serbëve të Istogut e veçmas të vojvodës, Miliq
Kërstiqit. Duke qenë i pranishëm në mesin e serbëve, kishte arritur të zbulonte
shumë intriga, vrasje e dhunime të tmerrshme të kryera nga Miliqi dhe pasuesit
e tij. Me kohë kishte zbuluar se vdekja tragjike e babës së tij nuk kishte
ardhur si një fatkeqësi rasti, por si rezultat i intrigave të Miliqit.
Në periudhën e dytë të viteve tridhjetë, në Kosovë
e më gjerë ishin krijuar shoqata ilegale si „Kosmeti“
e „Besa“. Nga këto organizata
ilegale vepronte rinia dhe studentët e rrallë shqiptarë duke shpërndarë parulla
në gjuhën shqipe kundër reformës agrare, kundër kolonizimit të tokave të tyre
dhe njëherësh duke i bërë thirrje popullit shqiptar që të mos braktiste trojet
e veta[3].
Se vërtet këta rapsodë të talentuar i kishin takuar
ndonjërës prej këtyre organizatave politike, që për qëllim kishin luftën kundër
pushtimit të egër serb, pritet fjala e historisë, por vendimet e tyre
historike, për t’i vrarë vojvodët serbë të Podgurit, Arsa Peroviqin, Miliq
Kërstiqin, Panta dhe Gale Terziqin, janë të freskëta në kujtesën e popullit të
kësaj ane[4].
Ndërkohë kishte ndodhur një vrasje, që këtij organizimi
i kishte dhënë drejtim tjetër. Vesel Ibishi nga Llukavci i Begut, në Pazar të
Pejës e kishte mbytur me bisht shati Ramë Ali Bicajn. Vëllai i Ramës, Smajli,
në rrëmujë e sipër, para vendimeve kombëtare, nxjerr gjak, duke e vrarë njërin
nga meshkujt e Vesel Ibishit dhe duke e plagosur një tjetër. Smajli del në mal,
duke i humbur kontaktet konspirative me grupet e tij[5].
Në muajin qershor të vitit 1938 Selman Kadria e
shfrytëzon rastin dhe e vret Miliq Kërstiqin. Menjëherë pas vrasjes shkon në
Vrellë dhe troket në derën e Tahir Ali Bicajt. Del i vëllai, Mustafa, dhe e
njofton së Tahiri nuk ndodhej në shtëpi. Atëherë Selmani i tregon Mustafës në „besë“ se si e kishte vrarë
Miliq Kërstiqin. Thuhet se në fillim Mustafa nuk i kishte besuar, duke i thënë:
„Hala s’ka ba nana djalë
që e vret atë shka“. Për ta bindur se
ngjarja ishte e vërtetë, Selmani i tregon vendin e vrasjes, fshehjen e kufomës,
marrjen e disa dokumenteve, që Miliqi i kishte pasur në xhep, si dhe pushkën e
tij, të derdhur në argjend, e të cilën Selmani e mbante në dorë. Pastaj kërkon
ndihmën e tij, për ta strehuar apo për t’i treguar se ku ndodhej Smajli me
shokët e tij kaçakë. Mustafa e njofton se Smajli sa ishte nisur në drejtim të
Shqipërisë, i shoqëruar nga i vëllai më i vjetër, Tahiri, i cili do ta
bashkonte me disa miq nga rrethi i Deçanit. Selmani ishte ndarë nga Mustafa për
të kërkuar rrugë të reja shpëtimi, kurse Mustafa shkon në postkomandën e
xhandarmerisë në Vrellë dhe e lajmëron rastin[6].
Ndërkohë, ishin përhapur fjalë se gjoja kallëzimin e kishte bërë miku i
Selmanit, Isuf Vesel Blakaj, i cili kishte pasur miqësi të ngushtë me familjen
Peroviq[7].
Ndjekjet e menjëhershme kundër Selmanit kishin
filluar nga xhandarët e postëkomandës së Vrellës. Ishin zënë pikat strategjike
të fshatit. Rrugët ishin patrulluar me forca të shtuara.
I zhgënjyer që nuk kishte gjetur strehë në konakun
e Bicajve dhe nga nevoja për t’u takuar me Smajl Alinë, i frikësuar nga ndonjë
tradhti e mundshme, Selmani troket në derën e Kadri Imerit, dhëndër i fisit të
tij (gruaja e Kadri Imerit quhej Zade, por me përkëdhelje e thërrisnin Lalë.
Ishte e motra e Zeqë Hasan Hasanajt, kushërirë e afërt e Selman Kadrisë). Kadri
Imeri ishte personi i dytë që ishte njoftuar nga vetë Selmani për vrasjen e
Miliqit[8]. Pasi e
dëgjon me vëmendje ndodhinë, Kadriu e pranon kërkesën e Selmanit për ta
ndihmuar në këto momente të rrezikshme. Nuk guxon ta strehojë në shtëpi. Rreth
tri ditë e mban të fshehur në një kolibe në zabel pranë vreshtit të tij. Kadriu
i kishte kumtuar Selmanit lajmet e hidhura që qarkullonin se xhandarmëria serbe
ishte ngritur në këmbë me një vrull të paparë ndonjëherë në kërkim të tij, duke
përdorur të gjitha format që i kishte në dispozicion, prej torturave,
burgosjeve, mashtrimeve, dezinformatave e deri te shumat marramendëse të parave
për ata që do ta zinin apo që do ta njoftonin xhandarmërinë për lëvizjet e
Selmanit e që do të çonin në kapjen apo vrasjen e tij! Të parët që e pësuan nga
kjo valë e tmerrshme dhune, ishin bashkëfshatarët e Selmanit, miqtë dhe
dashamirët e familjes së ngushtë dhe të gjerë, e veçmas kushërinjtë e tij të
parë, pra familja Hasanaj nga Cerrca. Kësaj dhune nuk i shpëtoi as Lubozhda, me
ç’rast u torturuan rëndë këta burra: Ramush Sadri Osaj, Ali Sadri Osaj, Sali
Bajram Sejdijaj, Ramë Asllan Idrizaj, Mehmet Nezir Idrizaj, Tahir Beqir
Zeqiraj, Ali Tem Hasanaj, Jashar Tem Hasanaj, Fetë Islam Hasanaj, Shaban Mursel
Çetinaj, Tahir Mursel Çetinaj, Sadik Isuf Çetinaj, Ramë Lahaj-Lajqi, Sylë
Lahaj-Lajqi, Haxhi Vuthaj, Xhemajl Adem Pepaj, Bekë Deli Pepaj, Isuf Kadri
Pepaj, Adem Adem Pepaj, ndërsa Sejdi Zenun Pepaj nuk e pranon torturën
zhburrnuese, duke e hapur gjoksin para xhandarëve për ta vrarë. E shpëton
fqinji serb Jagosh Masllavariqi[9].
Ndërkohë, Kadri Imer Blakaj i tregon Selmanit
rrjedhën e ngjarjeve dhe i sugjeron se në rast mungese në sjelljen e ushqimeve
në kohën e caktuar, ta kishte të qartë se ishte arrestuar nga xhandarët dhe të
kërkonte rrugë të reja shpëtimi, sepse për strehimin e tij në vresht Kadriu nuk
kishte guxuar t’i tregonte askujt, bile as vëllezërve të vet. Nuk vonon dhe
xhandarët e arrestojnë Kadriun. E dërgojnë në Istog dhe e mbajnë në arrest duke
e torturuar deri në alivanosje për t’u treguar se ku ndodhej Selmani. Pas një
vonese prej tri ditësh, Selmani e mësynë Rugovën dhe takohet me Xhemë Sadrinë,
të cilin e kishte mik të besës, me shpresë së me ndihmën e tij do të kalonte
kufirin dhe do të arratisej në Shqipëri. Ndërkohë, Selmanit i vijnë lajme të
tmerrshme nga vendlindja, se gjoja pushteti serb, në krye me Rale Vuliqin, ia
kishin vrarë të gjithë anëtarët e familjes. Atëherë Selmani merr vendim të
kthehet për ta vrarë Rale Vuliqin në shenjë hakmarrjeje. Pasi arrin në bjeshkët
e Cerrcës, në vendin e quajtur „Përlina e Bardhë“, i takon barinjtë duke lozur guxhas. Në mesin e tyre ishte edhe Hetem
Vuthaj, vëllai i Ramë Vuthajt, stërnip i familjes Hasanaj. Hetemi i tregon se
serbët nuk ia kishin vrarë asnjërin nga anëtarët e familjes. I tregon se
meshkujt ishin shpërndarë për t’u shpëtuar vrasjeve dhe persekutimeve, kurse
anëtarët e familjes ndodheshin nën një presion të tmerrshëm fizik e psikik dhe
nën bastisjet e vazhdueshme gjatë netëve të verës, kërcënimeve me pushkatim dhe
rrahjeve me hunj gardhi të bashkëfshatarëve të tij, siç ishin Haskajt, Rexhajt,
Rugovajt, Januzajt dhe miqtë e familjes Hasanaj nga fshatra të ndryshme të
Podgurit.
Selmani e dërgon Hetemin për ta njoftuar Ramën për
vendndodhjen e tij, nga i cili kërkon t’i sjellë bukë dhe mbrojtje. Hetemi shkon
e i tregon Ramës se ku ndodhet Selmani dhe ia thotë kërkesat e tij. Pas një
kohe relativisht të shkurtër, Hetemi kthehet me një strajcë bukë, kurse Rama
vonohet shumë..., aq shumë, saqë Selmani fillon të dyshojë në sinqeritetin e
tij. Kur arrin Rama me kalë, me vete kishte sjellë edhe një palë rroba grash
dhe ia mbush mendjen Selmanit që të vishej me to për ta nxjerrë tebdil në
rrethin e Sanxhakut, ku kishin miq. Pasi e bind, e hip në kalë, ia merr pushkën
dhe e fsheh në një kaçubë. Nisen. Gjatë rrugës, Selmani vëren shqetësimet e
Ramës, ndaj edhe i thotë hapur se ti e ke ndër mend të më presësh në besë. Rama
betohet së nuk kishte qëllime të tilla të ulëta, por Selmani nuk i beson më.
Tenton të zbresë nga kali. Kur bën të hidhet në tokë, i ngatërrohet këmba në
lakun e samarit. Rama e shfrytëzon rastin dhe e godet me sëpatë prapa shpinës.
Ashtu i plagosur, Selmani arrin te pushka dhe e merr në dorë, por pasi duart
nuk i binden nga plaga e rëndë, me forcat e fundit e hedh pushkën në greminë që
të mos i binte në dorë Ramës, i cili ishte në ndjekje të tij dhe vetë e merr
tatëpjetën që të hidhet nga shkëmbi i Golakut, për të mos u rënë në dorë i
gjallë hordhive serbe. Nga plaga e hapur dhe derdhja e gjakut plogështohet dhe
alivanoset kur ishte diku pranë greminës. Ndërkohë, Rama e merr pushkën nga
gremina dhe shtie në ajër, për t`u dhënë sinjal xhandarëve në krye me Rale
Vuliqin. Pas gjurmëve të gjakut, i alivanosur kapet nga xhandarët. Nga gëzimi
për kapjen e tij, xhandarët zbrazin shumë pushkë, duke e fyer dhe duke e sharë
Ramën pse e kishte plagosur, sepse ata e kishin dashur të palënduar! Pasi e
dërgojnë në Istog, në oborrin e kishës, nën torturat më barbare nga popullsia
kolone serbe, vdes pas mesit të natës, në qershor të vitit 1938[10].
Pas vrasjes së Selmanit, të arrestuarit, që i
mbijetuan burgut dhe torturave çnjerëzore serbe, i lirojnë. Me këtë rast e
lirojnë edhe mikun e Selmanit, Kadri Imerin. Me një qerre arrin deri në
Lubozhdë, ku kishte miq, nga ku u çon fjalë vëllezërve, të cilët shkojnë dhe e
marrin. Rreth gjashtë muaj dergjet në shtrat nga torturat e tmerrshme të
xhandarmërisë serbe[11].
Pas vrasjes së Selmanit, Ramë Vuthaj kishte gëzuar
autoritet te qarqet politike serbe, por kishte ngjallur përbuzje e nënçmim në
rrethin e Podgurit, veçmas në mesin e bashkëfshatarëve të tij. I indinjuar,
pasi nuk e duronte dot inferioritetin, ankohet të Rale Vuliqi, i cili i detyron
jo vetëm cerrcasit, por edhe popullin e fshatrave përreth që Ramës t’i bënin
nder në kuvende burrash, ta ftonin në dasma e ditë festash, në darka të Lamës,
në darka Të zhdjergunave, në darka Pastërmash, në fejesa e fjalë nusesh, duke e
vënë në ballë të oxhakut dhe duke ia dëgjuar fjalët e tij „të mençura“ e veçmas rrëfimin
rrëqethës se si e kishte mashtruar dhe vrarë Selman Kadrinë për t’ia nxjerrë gjakun Miliq Kërstës.
Ndërkaq, farefisi i Selmanit ndodhej në një luftë
të ashpër për të mbijetuar. Askush nuk guxonte t’u vinte në ndihmë përveç disa
bashkëfshatarëve që fshehurazi ua kishin ndarë nga një parcelë tokë, që të
rropateshin për ta punuar gratë. Shtëpitë dhe kullat e tyre kishin ngelur në
gra e fëmijë. Meshkujt dhe djemtë e mitur nga ndjekjet e vazhdueshme kishin
gjetur strehë ndër miq. Zeqës ia kishin konfiskuar tokën, duke e detyruar të
emigronte në Shqipëri, kurse i biri i tij, Hasani, 15-vjeçar, ishte strehuar te
halla Lalë në Vrellë, në familjen e Kadri Imer Blakajt. Pasi hetohet nga
spiunët e vojvodës Rale Vuliqit, Hasani detyrohet të largohet nga aty dhe të
strehohet në Orrobërd, te Bajram Selim Hetemi[12].
Këto raporte ndryshuan rrënjësisht në verën e vitit 1941, kur Italia fashiste e bashkoi një pjesë të madhe të Kosovës me Shqipërinë. Pas një kohe të shkurtër, meshkujt e familjes së gjerë Hasanaj kthehen në shtëpitë e tyre. Ndërkohë arrin edhe Zeqa nga Shqipëria. Pa humbur kohë marrin vendim që t’i nxirret gjaku Selman Kadrisë. Këtë detyrë, sa të rëndë po aq të rrezikshme, e marrin përsipër Niman Beka dhe Hasan Zeqa. Pasi e kishin huazuar një pushkë nga Rexhep Haliti i Muzhevinave, në muajin prill të vitit 1942 ia qesin rrethin Ramë Vuthajt, i cili kishte dalë në pazar të Istogut. Pasi Rama e kishte diktuar se janë duke e ndjekur, në ikje e sipër, kërkon besë nga kalimtarët e rastit, por askush nuk kishte pranuar ta merrte në besë. Duke mos gjetur rrugë shpëtimi, hyn në një dyqan dhe i kërkon besë dyqanxhiut. Nimani dhe Hasani e presin në distancë përballë dyqanit. Thuhet së dyqanxhiu nuk kishte pranuar ta merrte në besë, prandaj Rama ishte detyruar të dilte jashtë. Kishte dalë më rrëmbim duke i sulmuar ndjekësit. Pason një përleshje fyt për fyt. Rama bën përpjekje për t’ia nxjerrë pushkën nga dora Nimanit. Me ndihmën e Hasanit, Nimani e tërheq pushkën dhe me shpejtësi qëllon mbi të, duke e lënë të vdekur në mes të pazarit. Po atë ditë, Nimani dhe Hasani e sulmojnë edhe Hetem Vuthajn, vëllanë e Ramës, i cili kishte qenë duke i ndihmuar një koloni malazez që të kthehej andej nga kishte ardhur. Ai e kishte hetuar rrezikun me kohë dhe me qerren e kuajve arrin të ikë[13].
[1] Prof. Dr. Sylë
Dreshaj – „Fshati Krye-Vrellë prej themelimit deri në vitin 1977“, faqe 53.
[2] Dëshmi e Zeqir
Hasan Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në Shtutgart në vitin 2008.
[3] Historia e
Popullit Shqiptar për shkollat e mesme – Tiranë 1994 – faqe 191.
[4] Dëshmi e Hasan
Zeqë Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në vitin 1983 dhe „Varret e
përbashkëta“ nga Rrustem Rugova, botim i dytë, faqe 114.
[5] Dëshmi i Zeqir
Hasan Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në Shtutgart në vitin 2008.
[6] Ilaz Bicaj –
„Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“ – faqe 117 dhe dëshmi e Kadri e
Mahmut Imerit, Adem Mustafë Maxharrajt, Ramë Camanit, Sadri Sefës, Hasan Zeqë
Hasanajt etj., dhënë autorit në vazhdimësi gjatë viteve 1974 e deri në vitin
1984, të cilët konfirmojnë së i pari që ishte njoftuar nga vetë Selman Kadria
për vrasjen e Miliqit kishte qenë Mustafë Ali Bicaj, i cili, pasi ishte ndarë nga
Selmani, rastin e kishte kallëzuar në postëkomandën e xhandarmërisë serbe në
Vrellë.
[7] Dëshmi e Çelë
Shaban Bicaj, dhënë autorit në vitin 2009.
[8] Dëshmi e Kadri
Imerit, dhënë autorit në vitin 1978.
[9] Dëshmi e Selim
Mustafë Hasanajt, dhënë autorit në vitin 2010.
[10] Dëshmi e Hasan
Zeqë Hasanajt nga Cerrca, dhënë autorit në vitin 1983 dhe dëshmi e Zeqir Hasan
Hasanajt, dhënë autorit në vitin 2008 në Stuttgart.
[11] Dëshmi e Kadri
Imer Blakajt, dhënë autorit në vitin 1978.
[12] Dëshmi e Hasan
Zeqë Hasanajt, dhënë autorit në vitin 1984 dhe dëshmi e Kadri I. Blakajt, dhënë
autorit në vitin 1978.
[13] Dëshmi e Zeqir
Hasan Hasanajt, dhënë autorit në vitin 2008 në Stuttgart.