Faleminderit
Gani Qarri: Heroi Idriz Seferi
E diele, 04.08.2013, 12:21 PM
Heroi
IDRIZ SEFERI (1847-1927)
Nga Gani Qarri
"U
munova tanë jetën me çliru dhe bashku këtë vend, por po vdes me ixhram që nuk munda ti bëj
tokat shqiptare Shqipni", Idriz
Seferi !
Atdhetari
i madh, njëri ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor ushtarak të
kryengritjeve kombëtare për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare, heroi i
kombit- Idriz Seferi, u lind në vitin
1847 në fshatin Sefer të trevës së Karadakut afër Shkupit dhe vdiq në vitin
1927 me dëshpërimin e thellë në shpirt, ngase përkundër aq shumë
vuajtjesh, luftërash e përpjekjesh
kombëtare, shqiptarët asnjëherë nuk
arritën ti bashkonin të gjitha trojet e tyre etnike dhe ta bënin, Shqipërinë-Shqipëri.
Shpirti i
tij luftarak dhe shtypja e madhe e bashkëkombësve nga Perandoria turke, e
shtynë heroin e atyre viteve të rënda e të vështira për kombin, kur një popull
i tërë luftonte për jetë a vdekje, që qysh në moshën e tij të re, duke mos duruar shtypjen e mëtejme dhe
varfërinë e cila do të keqësohej së tepërmi ,
sidomos pas reformave të Tanzimatit,
të hidhej në luftë të armatosur kundër pushtuesve osman, për çka në vitin 1875, kur ishte vetëm 28 vjeçar , do të burgosej nga pushtetarët turq.
Si
patriot dhe luftëtar i shquar që ishte,
Idriz Seferi u ftua dhe mori pjesë në të gjitha ngjarjet kryesore të
kohës, kuvendet me rëndësi dhe luftërat
vendimtare që aso kohe zhvilloheshin kundër kësaj Perandorie, për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimi
shumë shekullor i saj.
Ai kudo u
shqua me aftësitë e tij organizative dhe dëshmua për strategji të larta
ushtarake, i cili me të drejtë do të
caktohej-udhëheqës i Betejës së Kaçanikut dhe njëri ndër prijësit kryesor të
kryengritjes së përgjithshme kombëtare të vitit 1912 në Kosovë.
Idriz
Seferi, ishte njëri ndër strategët
kryesor të betejave për çlirimin e Shkupit,
Kumanovës, Preshevës, Gjilanit,
Ferizajt e vendbanimeve të tjera shqiptare në këto dhe më gjerë në
trojet tona.
Edhe pse
me kërkesat e Fuqive të Mëdha,
luftëtarët kombëtar nga fundi i muajit gusht të vitit 1912, do të
detyroheshin të çarmatoseshin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas fillimit të luftërave ballkanike, në tetor të vitit 1912, kur tokat shqiptare do të sulmoheshin nga të
gjitha anët, ai do të mobilizohej
përsëri dhe me vullnetarët e tubuar nga të gjitha trojet, do të hidhej në
mbrojtjen e Bujanocit, Llapit, Gollakut,
Kumanovës, e vendeve tjera, nga sulmet e pushtuesve serbomëdhenj, të cilëve do t’u shkaktonte humbje të
mëdha, por me gjithë përpjekjet
heroike, jo edhe t’i ndalonte për kohë
të gjatë, nga mungesa e armëve, municionit dhe ushqimeve, kur trojet shqiptare që të gjitha
njëkohësisht, digjeshin në flakët e
luftës, të sulmuara njëherësh nga çdo anë
prej shumë shteteve ballkanike, si
Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria.
Megjithatë, kryengritjet e tij për liri kundër pushtuesve
serbë në vitet 1913 deri më 1915, dhe
pushtuesve bullgarë nga vitet 1916 deri
më 1918, asnjëherë nuk do të ndaleshin, për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera
shqiptare nën Jugosllavi, deri në fund
të jetës së tij.
Pra
shqiptarët, për fat të keq, nuk kishin vetëm një armik, kështu që
pushtuesi i radhës-qeveria shoviniste serbe, që nga viti 1900, kishte filluar ti
forconte agjenturat e saj, përmes
mësuesve dhe priftërinjve sllavo-ortodoks, të vendosura nëpër fshatrat e
përziera dhe të banuara me sllavë, të
cilat vepronin nën emrin e njohur si "Dora e zezë".
Madje
ajo, do të dërgonte edhe oficer të lart
ushtarak, dhe që nga viti 1907, do të
krijonte edhe çeta të armatosura çetnikësh, të cilat kishin për detyrë të
përgatisnin terrenin për ndërhyrjen ushtarake serbe në Kosovë, pas largimit të Perandorisë Turke nga tokat
tona.
Banda të
armatosura dhe grupe spiunazhi, përherë
janë mbajtur dhe strehuar në kishat dhe manastiret serbe, gjithandej
trojeve tona, të cilat gjatë gjithë
kohës kishin vetëm një mision-përgatitjen e okupimit të tokave tona nga
sllavët.
Këto
objekte në dukje fetare, gjithmonë ishin
dhe mbetën, vatra të agjenturave të
fshehta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë
Një çetë
të tillë çetnikësh, që në vitin 1907,
Serbia do ta formonte edhe në fshatin Pasjan, në lindje të Gjilanit, e cila për
një kohë do të strehohej e kamufluar në kishën sllavo-ortodokse të këtij fshati
të banuar jo tërësisht me serbë.
Por, pas
paraqitjes publike, prijësi popullor i
kryengritësve shqiptar, heroi Idriz
Seferi do të urdhëronte asgjësimin e kësaj bande të armatosur, bashkë me
udhëheqësin e saj, oficerin e lartë
ushtarak, Dragolub Nikoliq, i cili ishte dërguar enkas nga Beogradi, për
këtë detyrë.
Kjo ishte
vetëm një pjesë e vogël nga historia e gjatë e luftërave dhe trimërive të
shumta të këtij Burri.
Ndaj, për
betejat që udhëhoqi dhe heroizmat e treguara gjatë atyre viteve të vështira për
kombin dhe atdheun e shqiptarëve, Idriz
Seferi bashkë me Isa Buletinin u shndërruan në shembull qëndrese e krenarie për
brezat e ardhshëm, kurse luftimet e
fuqishme që ata organizuan dhe udhëhoqën me trimëri, të zhvilluara me aq sukses, në përballje me ushtri shumë herë më të mëdha
armike, në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar u kthyen në mite dhe legjenda të cilat edhe sot
vlerësohen lartë në historinë e kombit tonë.
Kryengritjet
e tyre, kundër pushtimit osman, të cilat që nga reformat e Tanzimatit, nuk u ndalën asnjë herë, deri në përzënien përfundimtare të
Perandorisë Osmane nga trojet tona, si
dhe organizimi i mbrojtjes, për aq sa ishte e mundur nën kushtet e një lufte
pothuajse duarthatë kundër shteteve ballkanike,
ishin përpjekje titanike të cilat do të çonin në shpalljen historike të
Pavarësisë së Shqipërisë etnike më 1912 në Vlorë.
Megjithatë edhe heroi Idriz Seferi, si shumë bashkëluftëtar dhe patriot tjerë të kombit , do të vdiste me "ixhram" në shpirt, ngase përkundër luftës së madhe që ata zhvilluan dhe vuajtjet e rënda që përjetuan, nuk arritën ti bashkonin të gjitha tokat shqiptare dhe bënin Shqipni.