E shtune, 03.05.2025, 10:10 AM (GMT+1)

Faleminderit

Meri Lalaj: Evanthi Zoraqi (Ciko)

E marte, 23.07.2013, 08:05 PM


Meri Lalaj

(Shkëputur nga libri “Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”)

Evanthi Zoraqi (Ciko):

U diplomua në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” në vitin 1940, pas kësaj kreu një shkollë njëvjeçare në Itali me profilin: “Çfarë duhet të dijë një grua fshatare” apo me emërtimin “Drejtuese teknike për fshatin”. Evanthia ishte e vetmja mësuese, që u emërua në fshatrat e Lushnjës. Ndërsa punonte mësuese në shkollën “Naim Frashëri”, në Tiranë merrte pjesë edhe në emisionin “Teatri në mikrofon” në Radio Tirana. Ndodhi që folësja e Radios iku në mal dhe drejtori, Gjergj Bubani tha: “Le ta provojmë Evanthinë.”, kështu punoi për disa vite folëse e lajmeve në Radio. Aty u njoh dhe u martua me baritonin Mihal Ciko. Bashkëshoti i saj kërkoi të shkonin në Korçë dhe atje Evanthia punoi mësuese në shkollat “Mihal Grameno”;  “Koci Bako”, krahas kësaj ishte edhe drejtuese e rrethit metodik të arsimit. Nxënësit korçarë e kujtojnë edhe sot e kësaj dite me respekt dhe me shumë mall.

            U kthye në Tiranë dhe punoi në shkollën “11 Janari”, ku kishte nxënëse piktoren Lumturi Blloshmi, e cila mundi të flasë në sajë të punës këmbëngulëse të mësueses të saj. Evanthia punoi drejtoreshë në shkolla të ndryshme. Ka qenë inspektore e arsimit në qytetin e Tiranës. Duke qenë inspektore, gjatë kontrolleve me shumë kënaqësi vuri re se mësueset më të mira dhe më të përgatitura ishin ato që kishin mësuar në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Kështu ato u bënë mësuese të mësuesve.

            Evanthinë e emëruan për të punuar drejtoreshë në Shtëpinë e Fëmijës ku punoi pesë vjet. Këtu bëri një punë të lodhshme, por me përkushtim si një nënë e vërtetë për ata fëmijë, që kishin mbetur pa prindër, të cilët duhej t’i përgatiste të ishin të zotë për të përballuar jetën. Dhe fëmijët e kësaj Shtëpie nuk e harrojnë kurrë, ata gjithnjë e ftojnë drejtoreshën e tyre në festat e ndryshme.

            Duhet përmendur se zonja Evanthi ka rritur një bir, Zhani Cikon, i cili me punën e tij si muzikant dhe si drejtues i bën nder artit shqiptar.

Evanthi Ciko mban titullin “Mësuese e Merituar”, Bashkia e Tiranës i ka dhënë titullin “Qytetare Nderi” dhe “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, ndërsa Presidenti i Republikës Bamir Topi e ka dekoruar për punën e palodhur në lëmin e arsimit*.

*Sipas bisedës telefonike me zonjën Evanthi Ciko.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx