| E marte, 23.07.2013, 08:05 PM |
Meri Lalaj
(Shkëputur nga libri
“Instituti Femnor “Nana Mbretneshë”)
Evanthi
Zoraqi (Ciko):
U
diplomua në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” në vitin 1940, pas kësaj kreu
një shkollë njëvjeçare në Itali me profilin: “Çfarë duhet të dijë një grua fshatare” apo me emërtimin “Drejtuese teknike për fshatin”.
Evanthia ishte e vetmja mësuese, që u emërua në fshatrat e Lushnjës. Ndërsa
punonte mësuese në shkollën “Naim Frashëri”, në Tiranë merrte pjesë edhe në
emisionin “Teatri në mikrofon” në Radio Tirana. Ndodhi që folësja e Radios iku
në mal dhe drejtori, Gjergj Bubani tha: “Le
ta provojmë Evanthinë.”, kështu punoi për disa vite folëse e lajmeve në
Radio. Aty u njoh dhe u martua me baritonin Mihal Ciko. Bashkëshoti i saj
kërkoi të shkonin në Korçë dhe atje Evanthia punoi mësuese në shkollat “Mihal
Grameno”; “Koci Bako”, krahas kësaj
ishte edhe drejtuese e rrethit metodik të arsimit. Nxënësit korçarë e kujtojnë
edhe sot e kësaj dite me respekt dhe me shumë mall.
U kthye në Tiranë dhe punoi në
shkollën “11 Janari”, ku kishte nxënëse piktoren Lumturi Blloshmi, e cila mundi
të flasë në sajë të punës këmbëngulëse të mësueses të saj. Evanthia punoi
drejtoreshë në shkolla të ndryshme. Ka qenë inspektore e arsimit në qytetin e
Tiranës. Duke qenë inspektore, gjatë kontrolleve me shumë kënaqësi vuri re se
mësueset më të mira dhe më të përgatitura ishin ato që kishin mësuar në
Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Kështu ato u bënë mësuese të mësuesve.
Evanthinë e emëruan për të punuar
drejtoreshë në Shtëpinë e Fëmijës ku punoi pesë vjet. Këtu bëri një punë të
lodhshme, por me përkushtim si një nënë e vërtetë për ata fëmijë, që kishin
mbetur pa prindër, të cilët duhej t’i përgatiste të ishin të zotë për të
përballuar jetën. Dhe fëmijët e kësaj Shtëpie nuk e harrojnë kurrë, ata
gjithnjë e ftojnë drejtoreshën e tyre në festat e ndryshme.
Duhet përmendur se zonja Evanthi ka
rritur një bir, Zhani Cikon, i cili me punën e tij si muzikant dhe si drejtues
i bën nder artit shqiptar.
Evanthi Ciko mban titullin “Mësuese e Merituar”, Bashkia e Tiranës i ka dhënë titullin “Qytetare Nderi” dhe “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, ndërsa Presidenti i Republikës Bamir Topi e ka dekoruar për punën e palodhur në lëmin e arsimit*.
*Sipas
bisedës telefonike me zonjën Evanthi Ciko.