E premte, 02.05.2025, 10:06 PM (GMT+1)

Faleminderit

Nënë Tereza simbol i fortë i historisë së kombit shqiptar, në 103 vjetorin e lindjes

E hene, 09.09.2013, 05:21 PM


Si sot, 103 vjet më parë, lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Terezë e cila me 19 tetor të vitit 2003 u lartua në nderime të altarit. Figura më karizmatike e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht e u pagëzua më 27 gusht të vitit 1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor më 5 shtator të vitit 1997. Tërë jetën ia kushtoi të mënjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin e të pushtetshmëve e admirimin e mbështetjen e Papëve. Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga vota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit ynë të Gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet. Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfërit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe. Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret e Dashurisë, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin. Po e kujtojmë sot plot me emocion ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte e Lumja Nënë Terezë. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore.

Mori mbi vete barrën e stër-rëndë të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet. Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfërit e të braktisurit, që gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit e mesazhit që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë. Plot mirënjohje ndaj Hyjit për këtë personalitet të madh, që ua la trashëgim të gjithë besimtarëve katolikë e posaçërisht shqiptarëve, zgjodhëm sot këtë rrëfim bazuar tek libri ‘Jeta ime’, që tingëllon si testament: “Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten. Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia. Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme. Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar. Pranova të përfaqësoj të varfërit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbërit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.  Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd. Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.

Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit. Kur vërej si trajtohen të varfërit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët. Kush nuk i përfill të varfërit, vijon të mos e përfillë Krishtin. Të  varfërit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.

Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte. Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë. Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur. Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë. Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore. Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfërit do të bëhen një dashuri e vetme!".

E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti "errësirë". "Nata e dhimbshme" e shpirtit të saj, që nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve. Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Në vitin 1997 motrat e Nënë Terezës ishin 4000, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja, të jesh drita ime!", u bë Misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit. Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. E Nënë Tereza, që sot e shikojmë me emocion të thellë në elter, të nderuar nga e gjithë bota, na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni!”

E të mendosh se kjo Grua, më e madhja e shekullit të vet, e pati shkruar biografinë e saj me këto pak fjalë:"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

 

S`ka rëndësi

 

Njeriu është mendjepaktë, jologjik, vetjak.

S`ka rëndësi, duaje.

Po qe se bën mirë, të mveshë qëllime të tjera vetjake,

S`ka rëndësi, bëj mirë.

Nëse nuk je i njëanshëm, do të gjëjsh miq të rrejshëm dhe armiq të vërtetë,

S`ka rëndësi, mos je i njëanshëm.

E mira që bën sot, do të harrohet nesër,

S`ka rëndësi, bëj mirë.

Nderi dhe sinqeriteti do të lëndojnë.

S`ka rëndësi, je i ndershëm dhe i sinqert.

Çka ke ndërtuar me vjet, mund të rrënohet në cast.

S`ka rëndësi, ndërto.

Jepi botës më të mirën nga vetja dhe do të shkëlmojnë.

S`ka rëndësi, jepi botës më të mirën nga vetja.

 

Nëna Terezë

 

 

Gjej kohë…

 

Gjej kohë të mendosh

Gjej kohë të lutesh

Gjej kohë të qeshësh

Është burimi i fuqisë

Është fuqia më e madhe mbi tokë

Është muzika e shpirtit.

Gjej kohë për të luajtur

Gjej kohë të duash dhe të duhesh

Gjej kohë të japësh

Është sekreti i rinisë së përjetshme

Është privilegj i dhënë prej Zotit

Dita është shumë e shkurtër për të qenë egoistë.

Gjej kohë të lexosh

Gjej kohë të jesh mik

Gjej kohë të punosh

Është burim mençurie

Është rruga e lumturisë

Është çmimi i suksesit.

Gjej kohë të bësh mirësi

Është çelësi i parajsës..

 

Nëna Terezë

 

 

Duaje jetën ashtu si të vjen

 

Duaje jetën ashtu siç është

duaje plotësisht, pa pretendime;

duaje kur të duan apo kur të urrejnë,

duaje kur askush nuk të kupton,

apo kur të kuptojnë të gjithë.

 

Duaje kur të gjithë të braktisin,

apo kur në qiell të ngrenë si mbret.

Duaje kur të vjedhin gjithçka,

apo kur të dhurojnë.

Duaje kur ka kuptim

apo kur ngjan se nuk ka një fije.

 

Duaje në lumturi të plotë

apo në vetminë absolute.

Duaje kur je i fortë,

apo kur ndjehesh i pafuqishëm.

Duaje kur ke frikë,

apo kur ke një mal guximi.

Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha

e sukseset e mrekullueshme;

duaje edhe për gëzimet e vogla.

 

Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,

duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.

Duaje sa herë që lindesh

e sa herë që je duke vdekur.

Por mos duaj kurrë pa dashuri.

 

Nëna Terezë



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx