Faleminderit
Elida Buçpapaj: 25 vjet pa poetin Havzi Nela
E hene, 12.08.2013, 08:43 PM
SHTETI E HARROI 25 VJETORIN E VRASJES TË HAVZI NELËS NGA DIKTATURA
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Shteti
shqiptar që pretendon të jetë demokratik e harroi Havzi Nelën në ditën e tij të
vrasjes, kur u mbushëm plot një çerek shekulli nga kur diktatura përbindëshe e
vari në mes të qytetit verior. Pikërisht më 10 gusht 1988, disa muaj përpara
rrëzimit të Murit të Berlinit dhe në prag të përmbysjes të sistemit komunist
dhe një vit e ca se në Shqipëri të shpallej i ashtuquajturi pluralizëm.
Tranzicioni
postkomunist ka mbushur 23 vjet, ndërsa 25 vjet më parë, në qytetin e Kukësit,
kur posa kishte nisur agu i një dite vere, Ramiz Alia urdhëroi varjen e poetit,
ndërkohë që edhe sot e kësaj dite, dy dekada e gjysmë pas atij akti makabër dhe
barbar, familja e poetit është në mëshirë të fatit, ndërsa vetë poeti i harruar
nga shteti.
Sepse
nëse, shteti do të kujtohej për poetin Havzi Nela, dita e 10 gushtit do të
duhej të ishte në kalendarët e kujtesës të kombit, dhe meqë ishte vit jubilar,
shteti do të duhej ta kujtonte me dinjitet. Nëse shteti nuk e kujtoi Havzi
Nelën, kjo do të thotë se shteti nuk ka dinjitet.
Shqiptarëve
u duhet një shtet me dinjitet dhe ky duhet të jetë objektiv kombëtar. Krimet e
diktaturës nuk mund të harrohen kurrë. Kriminelët që vranë poetin duhet të
njihen si të tillë dhe historia e të vërtetës duhet të shkruhet, si është
shkruar në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist që patën të njëjtën
eksperiencë si ne. Diktatorët nuk rehabilitohen, kush rehabiliton diktatorët
është pasues i tyre.
Më 10
gusht 2013, kur poeti Havzi Nela i mbushi 25 vjet nga dita që regjimi monstruoz
e vari në mes Kukësit, shteti heshti dhe e kaloi në heshtje këtë datë.
Kurse një
poet kukësian shkruante „Dita e sotme e ka emrin e Havzi Nelës“.
Shteti
nuk u kujtua as në Facebook ta kujtonte Havzi Nelën, ndërkohë që ishin me
qindra shqiptarë ata që i mbushën muret e tyre me poezitë rebele të poetit të varur nga diktatura. Poezitë e poetit i
kanë mbijetuar harresës. Poezitë e Havzi Nelës bëjnë thirrje për kujtesë!
Më 10
gusht kryeministri shqiptar në Facebook i gëzohej 600 mijë miqve të tij që ka
në rrjetin social. Një ditë më parë ai kishte uruar skuadrën e Kukësit për
fitoren në futboll. Për Havzi Nelën kishte zgjedhur të shkruante asnjë fjalë.
Jozefina
Topalli, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, të premten më 9 gusht 2013, do
të kujtonte 50 vjetorin e Whitney Houston, ndërsa të shtunën, ditën e vrasjes
të poetit, në murin e saj ka të vendosur një thënie të poeteshës amerikane Maya
Angelou, se „pa kurajo nuk do të mund të praktikojmë asnjë vyrtyt tjetër me
koshiencë“. Maya Angelou, e cila në ditën e inaugurimit të mandatit të parë të
Presidentit Clinton do të recitonte poezinë e saj „On the Pulse of Morning“,
njihet si një aktiviste e shquar dhe ikonë e të drejtave të njeriut. Në krah të
saj në murin e Kryetares të Parlementit të Shqipërisë, do të shkonte shumë
bukur edhe një poezi e Havzi Nelës.
Pas Maya
Angelou në wallin e saj zonja Topalli kishte vendosur „Puthjen“ e simbolistit
Gustav Klimt, duke treguar ndjeshmërinë që kishte provuar kur e kishte parë
„Der Kuss“ të Klimtit në Vjenë, e cila i ishte dukur më e bukur se Mona Liza,
që ndodhet në Luvër në Paris. Për Havzi Nelën asnjë fjalë.
Për të
ilustruar kopertinën e librit tim poetik „Unë jam e përjetëshme“ kam zgjodhur
„Pemën e jetës“ të Gustav Klimt, pra gustot e mia paskan pika takimi me
kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, por unë nuk e harrova Havzi Nelën. Me
kryetaren e parlamentit si pika takimi edhe vuajtjet gjatë diktaturës, po ajo
nuk e kujtoi Havzi Nelën. Dhe si unë, edhe plot shqiptarë të tjerë. Ndërsa
shteti e harroi. Ne që e kujtuam nuk kemi pushtet politik, nuk kemi servila që
na sillen rrotull, nuk kemi asnjë privilegj shtetëror, punë e madhe fort, nuk
jemi kryeministra, nuk jemi numri dy i shtetit, nuk jemi shteti, por ne jemi
shqiptarë me kujtesë dhe e kemi të ngulur në memorien tonë Havzi Nelën.
Natyrisht
që nuk e kishin harruar as të ish-përndjekurit nga diktatura komuniste. Midis
tyre Besim Ndregjoni, iniciues që Presidenti Bamir Topi t’i nderonte me
titullin e lartë „Nderi i Kombit“ tre poetët e vrarë nga regjimi stalinist
Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe avokatin e publicistin e shquar, të
vëllain e Arshi Pipës, Myzafer Pipa. Me rastin e 25 vjetorit të varjes, Besim
Ndregjoni kishte mbledhur të afërmit e poetit, bashkëvuajtës të burgjeve të
diktaturës, midis tyre edhe Ministrin e Kulturës Visar Zhiti, i cili u kishte
vënë në dispozicion sallën e mbledhjes, por shpenzimet i kishte marrë përsipër
organizuesi i takimit.
Ndërsa po
ndiqja kronikën e aktivitetit në TV e Tiranës, dëgjova shkrimtarin dhe intelektualin
e shquar Agim Musta, 13 vjet i bugosur ne ferrin e burgjeve te sistemit
çnjerëzor, që nuk ndalet kurrë së denoncuari krimet e regjimit komunist, i cili
përpara kamerave shprehte indinjatën dhe revoltën e tij pasi mbledhja
përkujtuese për Havzi Nelën ishte bërë në sallën e Ministrisë të Kulturës ku
vazhdojnë të jenë si në diktaturë fotografitë e kupolës të shtetit komunist, të
Ramiz Alisë e Manush Myftiut, pasi kanë qënë edhe ministra kulture.
Merni me
mend fotografia e poetit Havzi Nela qëndroi në sallën e Ministrisë të Kulturës
të Republikës të Shqipërisë, të të ashtuquajturit shtet demokratik, sa mbaroi
aktiviteti, për një ose dy orë, ndërsa fotografitë e xhelatëve të tij vazhdojnë
të mbeten aty! Kur do të duhej të ndodhte e kundërta, që në hollin e
institucionit shtetëror të kulturës të zhdukeshin fotot e kriminelëve, dhe në
vend të tyre të vendoseshin fotot e poetëve, shkrimtarëve dhe njerëzve të
kulturës, si ata të vrarë nga regjimi, ashtu edhe ata me kontribute
identifikuese për kulturën shqiptare.
Ju lutem,
nuk them që të fshihet me fshesë gjithçka. Sepse ne e jetuam si komb
diktaturën, e megjithatë në atë periudhë kemi shumë emra artistësh që ngritën
në piedestal artin ku kontribuan me arritjet e tyre. Por them të hiqen
eksponentët e krimit komunist dhe çdo figurë pa integritet moral e kulturor.
Më 10
gusht 1988 poeti Havzi Nela u var në litar, në mënyrë mesjetare, me firmën e
Ramiz Alisë. Mijra e mijra familje shqiptare u internuan pa nam e nishan në
Gulagët e diktaturës komuniste me firmën e Manush Myftiut, kryetarit të
Komisionit të internimeve. Ndërsa shteti që pretendon të jetë demokratik fotot
e këtyre xhelatëve i ka të vendosura në hollin kryesor të Ministrisë të
Kulturë, ku fotografia e Havzi Nelës, viktimës së tyre qëndroi në atë holl aq
kohë sa zgjati një aktivitet përkujtues . Zot i madh, ku je!
Dhe në vend që të tronditet nga këto fakte rrëqethëse, shteti i ashtuquajtur demokratik ua tregon dhëmbët të gjithë atyre që e kujtuan Havzi Nelën dhe ne gazetarëve që guxojmë të indinjohemi e ta denoncojmë harresën e tij!