Faleminderit
Murat Gecaj: 80-vjetori i vrasjes së Hasan Prishtinës
E marte, 13.08.2013, 09:09 PM
Një grup bashkatdhetarësh, me banim në Suedi, para shtatores së Hasan Prishtinës (Tiranë, 29 Nëntor 2012)
Në 80-vjetorin e vrasjes:
HASAN PRISHTINA: ”KY DHASHAMIR I BËN NJË NDER TË MADH AMËS SHQIPËRI...”
”…Mue, në idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!” (H. Prishtina)
Nga: Prof. MURAT
GECAJ - publicist e studiues, Tiranë
1.
Përsëri
erdhi data përkujtimore e atij gushti të paharruar dhe që lëndoi shumë zemra
shqiptarësh. Ajo lidhet me emrin e nderuar të atdhetarit të madh Hasan
Prishtina. Krahas figurave tjera të shquara atdhetare, si Bajram Curri, për atë
kam dëgjur të flitet me dashuri e respekt, që në fëmijëri e rini, atje në
vendlindjen time, Malësi e Gjakovës (Tropojë). Më pas, u njoha më mirë me jetën
e tij, në vitet e studimeve universitare. Ndodhi që, kur punoja redaktor në
gazetën ”Bashkimi”, në vitet ’70-të të shekullit të kaluar dhe i sollen eshtrat
e tij në Shqipëri e i rivarrosën në Kukës, shkova atje për të bërë një shkrim.
Ai u publikua, me titullin e një vargu të rapsodisë popullore, thurur ato ditë:
”Prapë, na erdh’ Hasan Prishtina!...”. Dhe ja, përsëri tani, kemi
detyrim ta kujtojmë e ta nderojmë atë, për ndihmesën e gjithanshme ndaj Atdheut
e Kombit tonë.
Të
gjithë ne, tani ndiejmë krenari të ligjëshme edhe kur e dimë se, me rastin e
100-vjetorit të Pavarësisë, u vendosën me ceremoni shtatore të tij, në Tiranë,
Prishtinë e Shkup.
2.
Ishte
data 14 gusht e vitit 1933. Hasan Prishtina, figurë e njohur e lëvizjes për
liri e pavarësi, kishte dy javë që ndodhej ne Selanik (Greqi), me misionin e
lartë atdhetar që të pengonte me çdo
kusht shpërnguljen e kosovarëve për në Anadoll të Turqisë, pas marrëveshjes së
bërë ndërmjet qeverive serbe e osmane. Duke kaluar qetësisht nëpër një rrugë të
atij qyteti, ai u godit pas shpine tradhtisht, me pesë plumba vdekjeprurës, nga
një agjent i paguar, dorë e stërgjatur e armiqve të tij dhe gjithë popullit
shqiptar. Tek rrëzohej si lisi përtokë, në moshën 60-vjeçare, ai burrë i madh i
Kosovës kreshnike dhe i mbarë Shqipërisë, ndoshta vetëtimëthi, përsëri solli
ndërmend betimin solemn, që kishte bërë para popullit e Atdheut, të cilin e
mbajti me nder deri në fund të jetës: ”…Mue, në idenë teme patriotike nuk ka
mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të
tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”
Në jetën e tij prej luftëtari të paepur, ai u ndoq këmba-këmbës nga armiqtë e shumtë e pabesë, të cilët i bënë katër atentate dhe e dënuan gjashtë herë me vdekje, në mungesë. Por, megjithatë, nuk u përkul as nuk u ndal asnjëherë në rrugën e nisur në shërbim të mëmëdheut, siç e dëshmon edhe kënga popullore kushtuar atij: ”S’ të shtroi ari i tanë mbretnive,/ s’ të lidhën leqet e tradhtive…”.
3.
Lindi
në qytetin Vuçiternë të Kosovës, më 1873, pra 140 vjet më parë. Familja e tij
ishte shpërngulur në atë qytet nga fshati Polanc i Drenicës, krahinë e njohur
për qendresën shumëvjeçare për liri e pavarësi. Mësimet e para i përfundoi në
vendlindje, ndërsa të mesmen në një kolegj francez të Selanikut dhe të lartat
për drejtësi, në Stamboll. U rrit dhe u edukua njeri i zgjuar e luftëtar, nga i
ati dhe e ëma, në djepin e popullit kryengritës të asaj krahine. Kështu,
mësimet e para atdhetare, që mori në familje dhe më vonë në shkollë, ai i vuri
në shërbim të çlirimit e bashkimit kombëtar. Periudha, kur u rrit e u burrërua
Hasan Prishtina, ishin vitet e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga i
ati kishte trashëguar pasuri jo të vogël, por atë e përdori për blerjen e
armëve në shërbim të kryengretjes së përgjithshme antiosmane të viteve
1910-1912 dhe, në vijimësi, për çeljen e
shkollave shqipe.
Me
penë e me pushkë, me fjalë e me diplomaci, kudo ku u ndodh, ndërmjet miqësh e
armiqësh, Hasan Prishtina nuk pushoi asnjëherë të propagandonte dhe të përpiqej
për të venë në zbatim idenë e tij: çlirimin e bashkimin e Atdheut të robëruar
dhe zhvillimin e tij. Me fjalën e ëmbël e të guximshme dhe me artikujt e tij në
shtypin e kohës, zgjonte ndërmjet popullit e rinisë kosovare ndjenjat e
atdhedashurisë, urrejtjen e thellë ndaj pushtuesve e tradhtarëve.
Hasan
Prishtina u bë luftëtar aktiv edhe për gjuhë
e shkollën shqipe, të cilat i vlerësonte si faktorë të domosdoshëm për
zgjimin dhe forcimin e ndjenjave kombëtare. Vetë u kujdes që 50 djem kosovarë
të shkonin për të vazhduar mësimet në shkollën Normale të Elbasanit dhe të
bëheshin mësues për shkollat në gjuhën amtare në Kosovë. Ashtu si rilindësit e
tjerë, punoi me ngulm kundër ndasive fetare e krahinore, kundër vllavrasjeve e
gjaqeve. Në vitin 1908, ishte nismëtar për tubimin e 30 mijë kosovarëve në
Ferizaj dhe mbështeti Kongresin e Manasitrit për alfabetin, që e kemi në
përdorim sot. Deputet në Parlamentin
xhonturk (1908), në moshën 35-vjeçare doli në opozitë, bashkë me disa deputetë të tjerë, atdhetarë shqiptarë.
Shtypi i kohës shkruante: ”Ky dashamir (H.Prishtina,-shënimi ynë) i
bën një nder të madh amës Shqipëri, për të cilën ai është gati të bëhet
theror”. Duke u ngritur me forcë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve,
në Parlamentin xhonturk protestoi energjikisht kundër premtimeve të tyre boshe
dhe barbarizmave në Kosovë. ”Deputeti kryengritës, që kërcënon Sulltanin”,
siç e quajtën qeveritarët e kohës dhe shtypi xhonturk, pa iu trembur syri
aspak, brenda në Parlament, e quajti kriminel gjeneralin xhelat Durgut Pasha.
Siç do të shkruante vetë H. Prishtina më pas, në vend të një kolltuku me turp
të Stambolit, zgjodhi rrugën e ndershme, kryengritjen në male, ndërmjet popullit trim e liridashës të
Kosovës.
4.
Pas
Kuvendit historik të Junikut, në majin e vitit 1912, të prirë nga atdhetarët e
trimat luftëtarë, Bajram Curri e Isa Boletini, u vendos të lidhej besa për
kryengritjen e përgjithshme, kundër sundimit osman. Me zemra të ndezura e me
besim të plotë në fitoren përfundimtare mbi armiqtë pushtues, kryengritësit shqiptarë rendnin me
armët krahut, duke kënduar: ”Besa-besë, nji herë kemi thanë,/ ty, Shqipni,
na të kemi nanë;/ besa-besë, nji herë kemi thanë:/ për Shqipni, jetën duem me
dhanë!”. Ismail Qemali gjithnjë i kujtonte fjalët, që i tha Hasan
Prishtina, kur biseduan për fillimin e kryengritjes së përgjithshme: ”Hasan
Beg, i besoj fetarisht karakterit të zotnisë sate. Ky besim më ka shtyrë me i
shkrue në zemër ato fjalë, që i përdorove sot në Parlament, tue thanë:-Kam me
kenë njeni e ndoshta i pari i atyre, që
kanë për ta ngrehë flamurin e kryengritjes”.
Pas
shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Hasan Prishtina u
caktua ministër i Bujqësisë, në Qeverinë
e Vlorës. Në vitin 1915, ishte në ballë të kryengritjes së Lumës e Hasit
(Kukës), kundër pushtimit serbo-malazez. Në vitet e pushtimit austriak e
internuan në Vjenë, bashkë e me Bajram Cuirrin
Gjithnjë
i papërkulur e me besim të madh në forcë e popullit tonë trim e liridashës, për
vite me radhë Hasan Prishtina qëndroi në krye të lëvizjes atdhetare për
çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, me anën e kryengritjes së armatosur, me
shpresë të madhe se një ditë Kosova do të ishte zonjë në truallin e vet të
stërlashtë amtar. Ai nuk u pajtua asnjëherë me aneksimin e Kosovës nga monarkia
shoviniste serbe. Si deputet i prefekturës së Drinit, në Parlamentin e parë
shqiptar (1921), mbrojti me zjarr të drejtat e popullsisë shqiptare të krahinës
së Dibrës dhe të mbarë trojeve amtare, si në Maqedoni e Kosovë, duke demaskuar
masakrat e shovinistëve, që synonin të
shuanin ndjenjat liridashëse dhe t’i serbizonin ato krahina. Për ”drejtësinë”
serbe ai shkruante: ”…asht i vetmi vend në botë, ku bëhen vrasje në
prani të gjyqtarëve, të cilët heshtin!”
Pas krizës qeveritare dhe
rrëzimit të qeverisë së P.Evangjelit, në dhjetor 1921 Hasan Prishtina u caktua
kryeministër i Shqipërisë dhe në përbërje të Qeverisë caktoi figura të njohura
të Kombit tonë, si: Fan Noli, ministër i Jashtëm; Zija Dibra, ministër i
Brendshëm; Hoxha Kadriu, ministër i Drejtësisë; Bajram Curri, komandant i
Përgjithshëm i Ushtrisë etj. Shpejt u ndërlikuan rrethanat nga kundërshtarët e
tij politikë dhe H. Prishtina u detyrua të jepte dorëheqjen, por asjëherë nuk e
ndërpreu veprimtarinë e tij atdhetare. Kështu, në vitet 1922-1923, së bashku me
”Dragoin e Dragobisë”, Bajram Curri, drejtuan Lëvizjen fshatare në Veri,
kundër vendosjes së diktaturës, me thirrjen luftarake: ”Në shtatë e
në shtatëdhjetë!”. Në atë periudhë, ministria e Luftës urdhëronte, me anë
të një telegrami, vartësit e saj në Malësi: ”Ata, qi kanë guxue me i mbajtë
apo arratisen me ta (H.Prishtina me shokët e tij,-shënimi ynë), të
ndiqen e të dënohen, sikurse vetë kryengritësit”. Por ata nuk u
trembën as e ulën ritmin e kundërshtimit ndaj qeverisë në Tiranë dhe gjetën
strehë në ”Shpellën e pushkëve” apo në ”Stanin e Hasan Prishtinës”, në Malësinë
e Gjakovës(Tropojë) e kudo në ato krahina.
Shtypi i kohës, duke çmuar
lart veprën e tyre atdhetare, shkruante: ”Të mos ishte Hasan Prishtina dhe
Bajram Curri, me disa shokë të tjerë, s’do të bëhej kurrgjë as për gjuhë as për
Shqipëri”. Sa domethënëse ishin dhe fjalët, që deklaroi vetë Hasan
Prishtina në Parlamentin shqiptar, pas rrëzimit të qeverisë demokratike të Fan
Nolit: ”Shqiptarit nuk mund me ja lidhë gojën jo dyfeku, por as topi!”
Kundërshtarët
e ndiqnin me ngulm dhe donin ta kapnin ”kryet e gjarpërit”, siç e quajtën ata
H.Prishtinën. Por populli i donte dhe i mbronte me besnikëri prijësit e vet,
pra dhe ai, ndërmjet tij, gjeti forcë e papërkulshmëri. Bashkë me atdhetarë të
tjerë, Hasan Prishtina e përkrahu pa rezerva Revolucionin e Qershorit 1924. Në
shtator të atij viti, bashkë me Bajram Currin, shkroi në Gjenevë, si
përfaqësues i ”Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”, ku protestuan
energjikisht në Lidhjen e Kombeve, kundër barbarizmave serbe në Kosovë.
Mbas
dështimit të Revolucionit, në dhjetor të vitit 1924, shumë demokratë mërguan
jashtë Atdheut, ndër të cilët ishte dhe H. Prishtina. Por edhe atje nuk e ndali
veprimtarinë e tij për të mirën e popullit, të Kosovës dhe të gjithë
Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, u themelua dhe vazhdoi, për disa vjet me
radhë, veprimtarinë politike jashtë vendit ”Komiteti i çlirimit të Kosovës”.
Ai u lidh ngushtë me lëvizjet përparimtare të popujve të tjerë, në luftë kundër
rregjimeve shtypëse të Ballkanit dhe politikës së tyre antishqiptare, sidomos
kundër politikës shoviniste të kralëve të Jugosllavisë, që përpiqeshin me çdo
mjet ta kolonizonin dhe serbizonin Kosovën e pamposhtur.
5.
Në
vitin 1929, Hasan Prishtina i dërgoi një peticion ”Lidhjes së Kombeve”,
ku jepte fakte e dëshmi të shumta për pozitën skllavëruese të shqiptarëve në
Kosovë. Gjithashtu, aty argumentonte qartë politikën e shfarosjes së
shqiptarëve nga qeveria shoviniste jugosllave: ”…Qeveria e shteti
serbo-kroato-slloven e trajton këtë popull të rrënjosur në tokën e tij, siç
trajtoheshin në kohët e largata të lashtësisë, fiset e mundura dhe të
skllavëruara. Shqiptarët janë dëbuar nga tokat e tyre, nga trualli i tyre aq
stërgjyshor, i vaditur me gjakun e djersën e tyre; ata janë shtërnguar ta
braktisin atë…ndërkohë që qeveria serbo-kroato-sllovene e ndanë pasurinë e tyre
në mes të serbëve, malazezëve dhe emigrantëve rusë”. Por fjalët e tij
shkuan në vesh të shurdhër, prandaj përsëri iu drejtua ”Lidhjes së Kombeve”, në
mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Protestat
e ashpra dhe të vendosura të H.Prishtinës e ruajtën aktualitetin e tyre, deri
në vitin 1998-1999,, kur mbi popullsinë shqiptare të Kosovës vazhdonin të rëndonin si malet: shtypja e diskriminimi i rregjimit serb,
gjendja e diferencuar ekonomike dhe, në përgjithësi, politika nacionaliste
shoviniste serbe.
6.
Vrasja
pas shpine e H.Prishtinës, 80 vjet më parë, shkaktoi dhimbje e zemërim në mbarë
popullin shqiptar, ndërsa armiqtë fërkuan duart nga gëzimi. Shtypi i huaj i
kohës shkruante: ”U zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës
serbe në Shqipëri” dhe se ai, ”si politikan
energjik, që ishte, nuk ndenji kurrë i qetë, por mori pjesë në të gjithë
çështjet, që i përkisnin fatit të Shqipërisë”.
Jeta
e Hasan Prishtinës është ajo e një atdhetari të papërkulur, e mbushur me
përpjekje dhe sakrifica të panumarta, me synimin që t’i shihte Kosovën e
Shqipërinë të bashkuara e të përparuara, me ekonomi, arsim e kulturë të zhvilluar, në rrjedhat evropiane. Janë aq
domethënëse fjalët e tij, se për tokën amtare nuk duhet kursyer asgjë: ”Bajmë
be e lidhim besën e burrave, se kemi me ba çfarëdo flije, në kurban kjoftë
nevoja!...”
Veprimtaria
e lartë atdhetare e ”Luanit të Prishtinës”, ”deputetit kryengritës”
etj., siç është cilësuar ai, ka lënë gjurmë të pashlyera ndër brezat. Ndonjë
pseudohistroian është munduar të shfaqë mëdyshje për këtë figurë të ndritur të
Kombit tonë, por ai ka mbetur përherë i paharruar. Në dhjetor të vitit 1977,
eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe, që nga ajo kohë, prehen në qytetin e
Kukësit, me fytyrë nga Kosova e dashur e tij. Me atë rast, u thurën dhe këngë
popullore, me vargje të tillë kuptimplotë, si: ”Borën e shkund në mal
çetina,/ prapë na erdh’ Hasan Prishtina…/ Bajram Curri përmbi shkrep,/ po të
pret si vllaun e vet…/S’të shtroi ari i tanë mbretnive/ s’të lidhën leqet e
tradhtive”.
Për atdhetarin e shquar demokrat Hasan Prishtina janë bërë botime e janë shkruar artikuj të shumtë. Emrin e tij e mbajnë shkolla e institucione të ndryshme, në trojet shqiptare. Ndërsa ishte peng i madh fakti që, nga rregjimi monist, nuk u nderua me titullin ”Hero i Popullit”. Por, megjithatë, është e sigurtë që brezat e shqiptarave do ta nderojnë e kujtojnë përherë, këtë ”vigan liberator”.