Udhëpërshkrim
Sylejman Salihu: Konkurs diturie në Gjermani
E marte, 07.05.2013, 07:44 PM
Konkurs diturie në Gjermani
Dituria është dashuri ndaj atdheut
Nga Sylejman Salihu, Gjermani
1.
Është
hera e njëzetëedytë që KASH-i “Naim Frashëri”në Gjermani organizoi konkursin e
diturisë me nxënësit shqiptarë të shkollave shqipe në Gjermani. Kjo ndodhi me 4 maj 2013 në qytetin
e Bielefeldit të landit Nordrhein-Westfalen. Qytetarët shqiptarë të Bielefeldit
ishin zgjuar më herët se të shtunave të tjera këtë ditë maji me diell dhe si
rrezet e diellit që shkëlqenin, ashtu shkëlqenin edhe fytyrat e tyre për t'i
pritur sa më bujarisht bashkatdhetarët e vet që vinin nga larg. Ata po prisnin
krahëhapur shkollat shqipe bashkë me nxënësit , mësuesit dhe prindërit e tyre
për t'u takuar në sallën e bukur e të stolisur me mbishkrime , flamuj dhe
fotografi. . Një salle moderne në formë
të një amfiteatri modern, në të cilën nëpër vite kanë garuar edhe shkollat
gjermane të ardhura nga Gjermania , po priste sot vizitorë të tjerë, ku gjuha
shqipe ishte kryefjala e ditës.
2.
Ora 12. 00
kur do të fillonte programi artistik i hapjes së konkursit po vinte
dhe njerëzit po zinin vendet e tyre. Pritshmëritë e pjesëmarrjes ishin
të mëdha, por në orën e caktuar arritën vetëm 9 më të “guximshmit”. Shumë nga
mësuesit dhe nxënësit nuk i ishin përgjegjur konkursit dhe kjo hodhi që në
fillim hije të zymtë te të pranishmit. Ku ishin vallë nxënësit e tjerë? Ku
ishin prindërit?
3.
Pasi kanë
drekuar, nxënësit zënë vendet e tyre. Fillon
gara e madhe: konkurimi, kush sa di, kush sa mundet. Nëntë shkolla janë
gjithsejt. Secila shkollë përfaqësohet nga pesë nxënës. Tërheqin shortet e tyre me emrat e bukur që mbulojnë
identitetin e tyre. Janë qytetet shqiptare nga etnikumi gjeografik shqiptar:Janina, Presheva, Shkupi, Mitrovica,
Ulqini, Prizreni, Tirana, Vlora, Tetova.
Dalin në
skenë. Juria është në vendin e vet:Nuhi Gashi, Shpresa Përzhaku dhe Etleva
Mançe. Videoprojektori hedh në pëlhurë pyetjet. Moderatori i lexon ato. Nxënësit
konsultohen mes vete. Cila është e saktë:a, b, apo c? Ca drithërima të vogla i përshkojnë trupat e
tyre të njomë. Por janë të përgatitur mirë. Me përkushtim, sepse e duan atdheun
. Kanë mësuar:histori, letërsi, gjeografi, kulturë muzikore, kulturë figurative.
Atdheu kërkon dije e këta janë ardhmëria e tij. Ata mund ta çojnë përpara atë. Me
dije, me kulturë, me punë. Dhe koha ecën. Përgjigjjet pozitive shoqërohen me
duartrokitje nga publiku. Zemër dhe kurajë për nxënësit konkurentë. Ekipet i
afrohen fundit:do të ketë fitues? .
Juria më në fund arrinë të shpallë fituesit:Vendi i parë u takoi dy ekipeve më të forta:Bielefeldi dhe Vierseni me mësuesit e tyre Sylejman Salihu dhe Adem Shala;vendi i dytë Duisburgut me mësuese Shpresa Përzhakun dhe vendi i tretë Gelsenkirchenit me mësuese Etleva Persh. Prindërit nikoqirë ndajnë çmimet. Dhuratat i kanë në kuvertë. Nuk do të kthehen duarbosh. Nuhi Gashi dhuron libra, dhuratë nga MASHT-i. Nxënësit janë të gëzuar. Qeshin para kamerës së RTK-së, . Ragip Ramaj interviston fituesit. Fytyrat u qeshin. Do të na shohin gjyshja me gjyshin në ekran. Janë të gëzuar. Ishte ditë e mbarë, thonë. Por edhe kemi mësuar, shprehen të tjerët. Kanë të drejtë. Kamera fokusohet diku tjetër dhe shkëputë ca fjalë edhe nga bielefeldasit mikpritës. Ca ngurrojnë të flasin, të tjerë ia thonë shlirshëm. Pastaj fillon kënga dhe vallja. Të gjithë vallëzojnë. Nuk ka humbës këtu, se vetë pjesëmarrja dhe guximi për të marrë pjesë është fitore. Streset e garimit shkarkohen gjatë vallëzimit. Ngadalë fillon ndarja. Janë njohur me njëri-tjetrin, kanë krijuar miqësi të reja, kanë bërë foto, kanë këmbyer adresa. Falenderojnë mikpritësit:Faleminderit Bielefeld!Bukë, kripë, zemër dhe dashuri. Por porosisin . shihemi në Dyseldorf. Në një garë tjetër. Si çdo vit tjetër. Me 18 maj 2013 mbahen garat sportive në futboll për nder të çlirimit të Kosovës, të cilat tashmë janë bërë tradicionale. Dhe Dyseldorfi shquhet për organizime të mira. Mirupafshim atje, pra, në fushën e gjelbër. Autobusi dhe veturat e tjera nisin udhëtimin e tyre sërish nga kanë ardhur.