Udhëpërshkrim
Idriz Zeqiraj: Veçantia e një arkivi
E enjte, 11.04.2013, 08:04 PM
PËRVJETORI
I 20-të I AKTIVIT TË LDK-së NË STARNBERG
VEÇANTIA E NJË AKTIVI
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Starnbergu
është një qytezë turistike
Tani, të
mbledhur në një datë jubilare, Kryesia bënë bilancin 20 vjeçarë të punës shumë
të suksesshme të këtij Aktivi të veçantë në të gjithë Mërgatën shqiptare e, pse
jo edhe në Kosovë.
Moderatori Hajzer Gashi, njëherit edhe anëtar i Kryesisë, bën hapjen e takimit, duke i dhënë fjalën nënkryetarit të aktivit, Musa Hamza, i cili përshëndetë mysafirët dhe prezanton Kryesinë, e cila, edhe pas 20 vitesh gjysma e saj është aktive dhe pjesë e Kryesisë edhe sot: Gani Batatina, kryetar, Musa hamza, nënkryetar, Ibrahim Potoku, sekretar, Afrim Mulaj, arkatar, Hajzer Gashi, Sabedin Dushi, Adem Lushaku, Ramadan Shema, anëtarë të Kryesisë, Daut Pepaj, delegat në Nëndegë, Fazli Gashi, kryetar nderi.
Harmonia - traditë e aktivit
Kryetari
Gani Batatina mbajti raportin e punës, duke bërë një përvijim përgjithësues të
veprimtarisë të begatë, që nga krijimi i aktivit dhe deri me sot: "20 vjet
më parë mërgimtarët e kësaj zone, që përfshinë disa fshatra, me qendër qytetin
e Starnbergut, u tubuan në Gauting dhe themeluan Aktivin e LDK-së. Zgjodhën
kryesinë dhe kryetarin e parë Ali Mshica. Në kohën kur po themelohej aktivi
ynë, Kosova e pushtuar ishte plot halle dhe përjetonte ditët më të vështira në
historinë e saj. Qëllimi i organizimit tonë në një aktiv ishte fisnik. Kosova
kishte nevojë për ndihmën e bijave dhe të bijëve të saj mërgimtarë. Dhe,
vërtet, Aktivi ynë e nisi mbarë dhe vazhdon edhe sot, pas plot dy dekadash të
përmbush obligimet statutore, edukative dhe humanitare", - tha, në mes
tjerash kryetari Batatina.
Më 1994,
në zgjedhjet e radhës, kryetar u zgjodh Fazli Gashi, i cili do të vazhdojë
kryesimin e aktivit për më shumë se një dekadë. Zotëri Gashi, një punëtor i hershëm, me njohje të gjerë të emigracionit
në këtë zonë, i zellshëm dhe fort i përkushtuar për ta ndihmuar Atdheun, një
organizator i shkëlqyer; njeri i nismave, i aksioneve të shumta të kohës; i
rrethuar nga shokë të mirë; me gadishmëri për të punuar dhe kontribuar
moralisht dhe materialisht. Aksionet pasonin njëri - tjetrin: ndihmë për
arsimin në Kosovë; për Universitetin e Prishtinës; për Fondin e Republikës të
Kosovës 3%-in; për Drenicën e përkallur; aksionin e madh -Gjithëçka për
pavarësinë e Kosovës- ...
Kryetari
Batatina me shokët e Kryesisë të aktivit, me të drejtë, krenohen se në aktivin
e tyre kanë pritur dhe biseduar për dramën e Kosovës dhe të popullit të saj me
personalitete të shumta, duke filluar nga Kristina von Kohl, avokate dhe mike e
madhe e shqiptarëve; zyrtarët e lartë të Qeverisë në ekzil, kryeminstrin
Bukoshi dhe ministrat Isa Mustafa e Xhafer Shatri; historianin Skënder Gashi,
atëherë kryetar i degës të LDK-ë në Austri; drejtuesit e LDK-së në Gjermani:
Pjetër Colin, Marjan Tunaj, Donikë Gërvalla; shkrimtarë e poetë Azem Shkreli e
Ali Podrimjen; prof. dr. Fidler nga Universiteti i Mynihut, gazetarë dhe
zyrtarë të lartë gjermanë, me të cilët janë bërë organizimi i tri tribunave,
për të shpalosur të vërtetën e hidhur për Kosovën.
Demonstrimet,
protestat e shumta kundra presionit, torturave, terrorit, gjenocidit
serbo-sllav, ishin pjesë aktivitetit të këtij aktivi emërmirë. Dhe,
protagonistë të kësaj game veprimtarish ishin: Fazli Gashi, Gani Batatina,
Ibrashim Potoku, Musa hamza, Shahin Sjarina, Selatin Gajtani, Ramadan Shema,
Nazmi Meqani me bashkatdhetarët e shumtë, të cilët treguan gadishmëri dhe
mirëkuptim për dy dekada radhazi.
Veprimtarët e aktivit të Starnbergut janë modest dhe ngurrojnë të flasin për kontributin e tyre të dhënë ndër vite e dekada. Miqësisht pyes ish-kryetarin shumëvjeçarë Fazli Gashi, për ndonjë asksion të ndërmarrë nga aktivi në vitet e robërisë dhe të varfërisë absolute të Kosovës? Zotëri Gashi, fillimisht ngurron, me arsyetimin se ne kemi bërë vetëm detyrën, si pjesë e Kosovës, Atdheut, prandaj nuk më pëlqen të lavdërohemi. Por, para ngulmimit tim, për të folur në emër të fakteve, dorëzohet.
Në aktiv mbizotëron ndjenja humane
"Dihet,
Drenica ka qenë njëra nga trevat më të varfëra të Kosovës. Kryesia jonë, duke
marrë edhe pëlqimin e anëtarësisë, u pajtua të ndihmojë 16 familje me nga 200
euro. Përzgjedhjen e familjeve e bëri mulla Osmani, kryetar i Bashkësisë Islame
në Drenas. Pastaj mësuam për një djalë të zgjuar, i cili nuk kishte mundësi
financiare për shkollim. Aktivi ynë mori përsipër shkollimin e tij dhe ai sot
është jurist i diplomuar. Ai mbetet mirënjohës ndaj nesh, ndërsa ne krenohemi
me sukseset e tij, në profesionin e tij. Një dridhje e fuqishme e tokës
shkaktoi dëme në Gjilan. Aktivi ynë mblodhi dhe i dorëzoi zotëri Lutfi Haszirit
një shumë modeste parash. Një djalë, luftëtar nga Juniku qe plagosur në kokë,
në Koshare. Aktivi ynë mori përsipër shërimin e tij, duke bashkëpunuar me
agjensinë "Ruselia", për sjelljen e tij këtu dhe ai u vendos në
familjet tona, deri në shërimin, rehabilitimin e tij të plotë", - rrëfen
modestisht Fazli Gashi, kryetar nderi i këtij asktivi.
Zoti
Gashi preferon t`i heshtë aksionet tjera. Por, ne mësojmë nga shokët e tij se
me rastin e plagosjes të luftëtarit Gani Geci, anëtar i çetës të Adem Jasharit,
ka dhënë një shumë modeste parash për shërimin e tij si dhe shërimin e akademik
Sabri Hamitit, që të dy të plagosur nga bandat kriminale të SHIK-ut. Aktivi ka
blerë një makinë, tip xhip, për familjen Jashari në Prekaz. Ka mbështetur
ngritjen e shtatores të heroit Sali Çekaj. Ka ndihmuar edhe funksionimin e
Degës të LDK-së për Gjermani, para dhe pasluftës. Ka ftuar, pritur dhe
përcjellur, herpashere, kuadro të LDK-së nga Kosova, duke organizuar takime
informimi me bashkatdhetarët e këtueshëm dhe me palën gjermane.
Aktivi i
Starnbergut ka organizuar promovimin e librit "Kështu foli Tahir
Zemaj" si dhe librin e dr. Enver Bytyçit "Filozofia politike dhe
nacionale e Ibrahim Rugovës".
Ka ndihmuar, për një muaj radhazi, pamjen e madhe për familjen e Jasharajve në Mynih. Ademi ishte ushtar i Ibrahim Rugovës dhe gjithçka u përballua nga LDK-së. Edhepse Hamëz e Adem Jashari ishin shpërfillur dhe injoruar gjatë luftës nga LPK-ja, ndërsa pasluftës, me një propagandë shfrenuese e gebelsiane e përvehtësuan luftën e tyre dhe familjen Jashari, me qëllim të përfitimit politik. Për më shumë se një dekadë lansuan gënjeshtrën e madhe sikur krerët e sotëm pushtetarë ishin "bashkëluftëtarë" të Ademit. Por, së fundi, rezultoi e kundërta. Ata i kishin luftuar, përgjuar dhe spiunuar Jasharët.
Rafet Krasniqi: Për Atdheun, Kosovën dhe Rugovën nuk kursehem
Është
mërgimtar veteran, nga fshati Bresnje e Prizrenit, por ka lëvizur familjarisht,
duke ushtruar, tradicionalisht, profesionin e gastronomisë, hotelerinë. Në
qytezën piktoreske të Istogut ka kaluar rininë e hershme dhe kujton drejtorin
autoritar të Gjimnazit, Abdurrahim Gashin, i cili, tashmë, ka kaluar të 90
vitet e jetës të tij shumë aktive dhe ende lëviz, por i ndihmuar nga shkopi i
pleqërisë. Gjithashtu kujton me ndjenjen e dashurisë, respektit dhe të
dhimbjes, madje deri në përlotje, nxënësin shkollar të shkëlqyeshm në sjellje
dhe mësime, Ibrahim Rugovën, tanimë, i amëshuar.
Zoti
Rafet Krasniqi rrëfen edhe për provokimet e "Lugut të Shkive" në
Istog, një komunitet serb kundrashqiptar, të dëshmuar për lidhje direkte me
Kralin e Serbisë dikur dhe më vonë me kryepolicin jugosllav Aleksander Rankoviç
e shefin e nacionalizmit serb Sllobodan Millosheviç. Kryezoti i familjes
Krasniqi, Dervish Aga, ishte provokua nga pushteti komunist në vijimësi, deri
në detyrimin për ta brakstisur bisnesin dhe Istogun.
Kryetari Gani Batatina rrëfen: "Kur trokita në derën e bacës Rafet për ndihmë Kosovës, m´i numëroi 12 mijë marka gjermane. I hapa sytë dhe mendova: A thua ky njeri fisnik e dorëdhënës i pakursyer, e ka pasurinë e madhe apo zemrën dhe atdhedashurinë më të madhe. Megjithatë, përgjatë këtyre 20 viteve të veprimtarisë tonë aktive, kemi njohur shumë zotërinj më të kamur në pasuri, por, jo edhe në fisnikëri, në gadishmëri për kontribute materiale të kësaj përmase, siç bëri dhe bën baca i mirë, Rafet Krasniqi. E falenderova për bujarinë e dëshmuar vite me radhë, në emër të Aktivit të LDK-së dhe të popullit të Kosovës. "Për Atdheun, Kosovën dhe Rugovën, dera dhe kuleta ime janë gjhithmonë të hapura", - më tha në përcjellje baca Rafet Krasniqi. Prej atëherë kanë kaluar vite dhe baca e mbajti premtimin, fjalën e dhënë. Dhe, në darkën jubilare, në përkujtim të 20 vjetorit të themelimit të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, baca Rafet ishte ballëlartë dhe fort i admiruar nga të pranishmit, veprimtarë të Mërgatës shqiptare.
Aktivi i Starnbergut - ballëhapur në darkën festive
Në
përvjetorin e 20-të të themelimit të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, Kryesia
kishte ftuar veprimtarë e kuadro të LDK-së, të shoqatave dhe të kubeve, të
cilët veprojnë në këtë pjesë të Bavarisë. Ndër ta edhe 80 vjeçarin, veteran
Nikollë Skelin me shokë nga Rosenheim-i; kontribuesin e madh material në paqe
dhe në luftë Rafet Krasniqin; të kudondodhurit në veprimtari të ndryshme lokale
e kombëtare, Mehmet Koka e Demë Çetta; kryetarin e sotëm të Nëndegës të LDK-së
për Bavari, Mehmet Zymerin dhe atë të djeshmin Bashkim Lecin; kryetarin e
Shoqatës "Sali Çekaj" në Pfaffenhofen Osman Ferizin dhe anëtarin e
kryesisë Gazmend Gashin; kryetarin dhe nënkryetarin e klubit sportiv "FC Kosova" të Mynihut: Shaqir Zeqirin
e Lulëzim Maliqin dhe të tjerë.
Përgjatë
darkës të shtruar për këtë rast, mysafirët evokuan kujtimet e tyre për
themelimin dhe bashkëpunimin me Aktivin e Starnbergut. Bashkim Leci kujton:
"Ishte dita e parë e aktivitetit tim si kryetar i Nëndegës, dita kur
themeluam këtë aktiv, i cili ka qenë ambasadë e Kosovës, ka qenë bukë, libër,
ka qenë shkollë për nxënësit në Kosovë. Kryesia e këtij aktivi është shquar për
organizim të shkëlqyer dhe vijimësi unike në veprimtarinë atdhetare. Ka
kultivuar ndjenjën e miqësisë, të respektit reciprok, hyrje - daljet shoqërore
e familjare, si vlera të mëdha shqiptare e njerëzore, duke ruajtur frymën,
traditën tonë kombëtare, të përafrimit të njerëzve në kohë të mira dhe të
vështira, për të përballuar bashkarisht trysninë dhe terrorin armik
serbo-sllav. Sa herë jam në mesin Tuaj, unë ndjehem mirë dhe i
familjarizuar".
Nënkryetari Musa Hamza dhe sekretari Ibrahim Potoku flasin pët të djeshmen dhe të sotmen e aktivit. Aktvi ka arritur ta ruajë bërthamën e kryesisë dhe të anëtarësisë për 20 vitet të shkuara, duke qenë pagues të rregulltë të anëtarësisë, të aktiviteteve, të kontributeve humanitare. Ata krenohen me kryetarin e mëparshëm Fazli Gashin dhe me të tashmin Gani Batatina, i cili, me nismen e luftës, la familjen dhe iu bashkua çetës të Llapit. Ai nuk është marrë me burgjet e disa biçim "komandantësh", por qëllimi i tij ishte lufta kundër pushtuesit, çlirimi, liria e Kosovës.
Mysafirët urojnë aktivin, por edhe sugjerojnë
Në këtë
përkujtesë jubilare të themelimit të Aktivit të LDK-së të Starnbergut, të ftuar
ishin edhe tre djemtë e Kosovës: Osman Ferizi, Ramadan Begu dhe Bashkim Leci,
pjesëmarrës në përgaditjen ushtarake në Shqipëri, sipas një marrëveshjeje të
arritur nga presidentët Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia. Bashkim Leci, i cili
ndjehet më intim më këtë aktiv, meqë ishte bashkëthemelues i tij 20 vjet më
parë, u sugjeron pritësve zëvendësimin e aktivit me shoqatë, madje "me
emër të gatshëm dhe meritorë për këtë aktiv krejt të veçantë "Dr. Ibrahim
Rugova", me qëllim të gjithëpërfshirjes të mërgimtarëve të kësaj zone.
Kryetari Batatina dhe kryesia, me gjithë respektin për ish-kryetarin e tyre të Nëndegës, Lecin, nuk janë të gatshëm për të bërë lëshime, ndryshime. Tri gërmat e arta të LDK-së janë të shenjta për ata. Ato gërma i kanë lidhur përjetësisht me hyjnorin e Kosovës, me shtetbërësin tonë urtak dr. Ibrahim Rugova. Ata reagojnë maturisht, por vendosmërisht, se "edhe si aktiv jemi ofrues në bashkëpunim, madje jo vetëm me mërgimtarët tanë të kësaj zone, por edhe më gjerë. Ne jemi të kyçur në Shoqatën "Sali Çekaj" në Pfaffenhofen dhe nuk ka arsye ta shuajmë aktivin, për t`u dyzuar në një shoqatë tjetër. Në organizimet tona festive marrin pjesë edhe mërgimtarët e partive tjera, bile edhe të partive "të vështira", siç konsiderohen ato të ekstremit të majtë. Ne ofrojmë mirëpritje, ngrohtësi vëllazërore dhe siguri absolute për të gjithë shqiptarët, pavarësisht krahine, feje e partie. Këtë ndjesi dhe edukatë e kemi trashëguar nga njeriu i madh, i cili në Shqiptari nuk ka ndërmjetës që nga Skënderbeu, Presidenti Rugova". Dhe, mjafton vetëm përmendja e këtij emri, tashmë, proverbial, për t`i përlotur të pranishmit në sallë!
Dr. Ibrahim Rugova - njeri vizionar
Të gjitha
nismat, veprimet e dr. Rugovës kanë qenë mirë të peshuara. Ai e njihte popullin
e vet më mirë se askush tjetër. Përgjatë studimeve, të specializimit për
kritikën letrare, kishte kontaktuar edhe pjesëtarë të Mërgatës tonë. Në Paris
kishte ndarë dhomën me piktorin e përmasës botërore, Daut Berisha, bashkkohës
në Gjimnazin e Pejës, në vitet `60-a. Veprimtari dhe publicisti Avdyl Gërvalla
më shkruan se piktori zulmëmadh është njëri nga 10 (dhjetë) personalitetet e
shquara të Francës, të cilët, i konsultojnë, të paktën dy herë në vit,
presidentët e Francës.
Dr.
Ibrahim Rugova ishte njeri i heshtur, i mençur dhe i besës. Atij i ofronin
informacione nga burime të dorës së parë. Vrasja e mikut të Tij të rinisë dhe
të artit Jusuf Gërvalla në Mërgatë, ishte jo vetëm dhembje e madhe për Atë, por
edhe një ogur i keq për implikimet e shqiptarëve në këtë ekzekutim makabër.
UDB-a dhe Sigurimi Shqiptar ishin sinonim i krimit. Tashmë, në shënjestër u vu
edhe Mërgata jonë. Vrasja e Jusufit me vëllanë Bardhoshin dhe Kadri Zeka, la
boshllëk në radhët e organizimit të Mërgatës tonë.
Ata që kishin projektuar atentatin në Untergruppenbach të Stuttgart-it, ishin përkujdesur edhe për përmbushjen e boshllëkut, natyrisht, me njerëzit e tyre. Dhe, ashtu ndodhi. Këtë e dinte dr. Rugova, por, ama, edhe ata e dinin se dr. Rugova është mirë i informuar për shpirtin e tyre të shitur. Dhe, fillimisht, vepronin nën rrogoz kundër dr. Rugovës dhe shokëve të tij. Më vonë u shpërfaqen sheshit. Madje, Tirana zyrtare e nostalgjisë enveriste - staliniste u dërgoi përforcime me kuadro profesionistë, përfshi këtu edhe njerëz që kishin kryesuar partinë në rrethe dhe gazetarë të qendrës, për propagandë shfrenuese e rrënuese. Megjithatë, përballë një mërgate të bashkuar në fatkeqësi, dështuan. Është pikërisht kjo arsyeja që lukunia staliniste u sul tërbueshëm kundër Dr. Rugovës dhe partisë së Tij - LDK-së.
Arsyeja e organizimit partiak në Mërgatë
Vrasja e
djemëve të Kosovës, në Untergruppenbach, hapi plagë, e cila nuk shërohej dot në
shpirtin dhe mendjet e mërgimtarëve. I vrau Serbia? Po, por, ekziston dyshimi i
bazuar me gishtin e ngrehur nga shqiptarët, argatë të Serbisë. Dhe, dyshimet
binin pikërisht mbi ata që, tashmë, manipulonin me emrat e dëshmorëve, tani,
zyrtarisht, heronj të Kosovës, dhe hiqeshin sikur kishin qenë "shokë për
kokë" me të rënët, më sakt, viktimat e tyre.
Garuesit,
për ta përvehtësuar atë veprimtari që kishin bërë Jusufi me vëlla dhe Kadriu,
kishin përçarë jo vetëm të angazhuarit direkt në aktivitetet e Lëvizjes, t`i
quajmë kështu grupimet e pakta, por edhe punëtorët hallexhi, të ardhur, kinse,
për "punë të përkohëshme", por që u pensionuan në mërgim. UDB-a
kishte shtrirë tentakulat edhe në banesat kolektive të "beqarëve" me
gra dhe fëmijë të lënë në vendlindje. Kërcënimi me marrjen e pashaportave,
thirrjet në bisedat informative policore, kur shkonin në vizitat e rralla ke
familja, ishin shantazhuese, torturuese dhe, shpesh herë, të kushtueshme.
Dr.
Rugova kishte parashikuar kohë të vështira për popullin e Kosovës. Dhe, shumësia
numerike e shqiptarëve në Evropë dhe në botë, me një organizim të mirëfilltë,
mund ta çante bllokadën serbo-sllave, duke zbutur varfërinë absolute në Kosovë,
për të qenë më qendresëtarë përballë një armiku të organizuar dhe me mendësinë
e mykur shekullore, për t`i përzënë shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore, siç kishte vepruar, me
zjarr e hekur, për ta boshatisur Kosovën Lindore.
Organizimi
i mërgimtarëve shqiptarë në një lob, do të ishte ideal. Por, dyshimi i
dështimit ishte i parathënë, sepse disa nga krerët e Lëvizjes, me stazh
rekrutimi në shërbim të UDB-së, do ta pushtonin kreun e lobit dhe,
rrjedhimisht, UDB-a do ta manipulonte të gjithë mërgatën tonë.
Themelimi
i degëve të partive politike në Mërgatë, në rastin konkret të LDK-së, u vinte
fre orekseve të UDB-së dhe të argatëve të saj në Mërgatë. Partia kishte statut
dhe rregullore. Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe me votim të fshehtë.
Këtë kod të shenjtë e përdhosi Kryesia Qendrore në Kuvendin e VII-të zgjedhor
të saj, si rrjedhojë e kompromiseve të ndyra ndërklanore, për të mos dhënë
llogari për ndarjen dhe humbjet seriale të LDK-së, gjë që ka bllokuar reformat
e premtuara dhe aleancat parimore dhe të domosdoshme të së djathtës të Kosovës.
Krahu i
Jusuf Gërvallës quheshin mërgimtarët që e mbështetën atë në vitet `80-a dhe ata
ishin shumica absolute e tyre. Dhe, kjo masë u vu në krye të themelimit të
aktivave, nëndegëve dhe të degëve të LDK-së në Evropë dhe në botë. Një pakicë,
pothuajse, e papërfillshme, me mendësi fanatike komuniste e staliniste, e
lidhur fort me Sigurimin Shqiptar, nëpërmjet të "diplomatëve" të
ambasadave të Shqipërisë, por që njëkohësisht disa nga krerët e saj kokëtonin
edhe me Sigurimin jugosllav, iu kundrvunë të gjitha nismave, aksioneve për
tubimin e parave, me qëllim të sigurimit të kafshatës të gojës, të arsimimit,
të shëndetësisë, pra, të mbijetesës të popullit në Kosovë, i cili kishte rënë
në hall e fatkeqësi të madhe, me papunësi tërësore dhe përndjekje të egër
policore.
Vrazhdësia
e kundërshtisë të stalinistëve lëvizakë, kalonte çdo përmasë dhe fliste qartë
se ata kishin marrë obligime për të sabotuar në çdo mjedis mërgimtarësh, ku ata
arrinin të depërtonin. Shembujt janë numerikë, por, këtu po sjellim vetëm
ndonjërin syrësh. Pas ndihmave të vjelura nga mërgimtarët për
Radio-Televizionin (RTP), minatorët, arsimin, për të varfërit ekstrem në
Kosovë, radha i erdhi krijimit të një fondi solid dhe kjo u realizua në
vjeshtën e vitit 1991, me aksionin: "Ta ndihmojmë Kosovën për vetëmbrojtje".
Në
Erlangen të Bavarisë u organizua një takim me mërgimtarët tanë. Të deleguar ishim: Martin Quni, Pjetër
Coli dhe Idriz Zeqiraj. Ne bëmë ekspozenë e qartë për nevojat që ka Kosova dhe
obligimi ynë për t`iu përgjigjur Atdheut të renë në nevojë. Dilema dhe pyetjet
paushalle të mërgimtarëve, vetëkuptohet, në atë kohë dominonte garda e vjetër e
puntorëve fizikë, të mërguar në vitet `70-a, nëse bëhet fjalë për armë dhe
luftë, ne jipshim përgjigje ekuivoke, të dyzuar, duke thënë se edhe mbijetesa
në Kosovë, përballë një armiku barbar e mizor, është luftë.
"Studenti" i përjetshëm - "uçk-a" i Gjermanisë
Nga fundi
i sallës një "student" i përjetshëm, i moshës jo fort normale për të
qenë pjesë e auditorit, reagoi, duke mos u dakorduar me aksionin. E ftova të
zinte vend në radhën e parë të ulëseve dhe të shpjegonte pse-në e kundërshtisë
së tij. Ishte i vagulltë, fjalëlum dhe shumë konfuz, gjë që na mori mjaft kohë
dhe për 7 (shtatë) orë mbetëm të ngulur në karrike. Ndonëse, në fillim, kisha
bërë prezantimin e Martin Qunit, si i liruar, rishtazi nga burgu politik i
Serbisë, pas nëntë viteve të rënda izolimi, sytë e mërgimtarëve u drejtuan tek
ai. Toni i qetë i Martinit, mendimi i qartë dhe shprehja e habisë, se si mund
të këtë ende bastardë të tillë në mesin tonë, kur Atdheu i robëruar na thërret
për ndihmë, krijoi një atmosferë përgjegjësie individuale dhe kolektive. Për ta
përmbyllur odisejadën e këtij takimi të stërzgjatur, bëra ndërhyrjen e rëndë
dhe provokuese: "Kush është me Kosovën, ejani dhe paguani, ndëra ata që
janë me Serbinë, lirohen nga obligimi"! Asaj nate u volën 69 mijë marka,
me premtimin për të vazhduar të nesërmen, meqë aksioni ishte në kohëzgjatje një
mujore.
Viti
1998. Lufta, më sakt, masakrat, tashmë, kishin filluar. LDK-ja, në një sallë të
madhe, organizon një takim me mërgimtarët. Qëllimi: ndihmë materiale për
luftën. I njëjti, gjithnjë "student" me mjekërr leshtake, arrin në
Mynih, i shoqëruar nga sejmenë të kuq, në cilësinë e përfaqësuesit të
"UÇK-së" në Gjermai, i cili bëri thirrje që paratë të mos jipen në
xhiro-llogarinë e Fondit të Qeverisë, por në fondin e luftës, me emër emocional
"Vendlindja thërret". Në çast, ndërhynë një mërgimtar i viteve `70-a,
me fshatra fqinj me "uçkën", me pyetjen zemrake: "Po ne për ke
po tubojmë marka?! Nga ai që nëna e tij i ka mbajtur në qiler, (në dhomën e
çiftit), rrobat e gjuetisë të Rankoviçit, nuk presim ndonjë fjalë apo punë të
mirë".
-
"Mati fjalët", - reagoi i mëdyshur "uçka" i Gjermanisë.
-
"Pushka top",- i përgjigjet punëtori dhe veprimtari veteran, i cili
ishte i pranishëm edhe në festimin e 20 vjetorit të themelimit të Aktivit të
Starnbergut. Dhe, "uçk-a" i Gjermanisë, me një bashkë lesh në fytyrë,
iku, pa provuar për t`u kthyer më në këtë mjedis.
Babëzia e
stalinistëve të Kosovës u shpërfaq turpshëm gjatë dhe pas luftës. Fondi
"Vendlindja thërret" ishte shpërdorimi më flagrant dhe më i pacipshëm
nga të gjitha fondet dhe aksionet e bëra gjatë këtij gjysmëshekulli nga Mërgata
jonë masive. Ne që ishim të angazhuar në emërgjencën e luftës, i kemi parë më
nga afër hajnitë dhe zënkat e stalinistëve në ndarjen e "gjahut", të
vjelur përdhunshëm nga mërgimtarët e mashtruar, të shantazhuar dhe të
terrorizuar.
Stalinistët shpërdoruan po kaq egërsisht Fondin shtetëror të 3%-it, duke përfituar nga kalkulimet në emër të luftës. Dhurimet e milionave, pa përfillur fare donatorët mërgimtarë, madje pa fije mbulese faktike, sepse pjesëmarrja e tyre në "luftë", ishte simbolike, e pakët në numër, pa shënuar asnjë betejë, asnjë ndeshje ballore me pushtuesin. Ata u kufizuan në mbushjen e burgjeve të shumta me veprimtarë të LDK-së dhe përcjelljen e tyre për në varr, për t`i hapur rrugë pushtetit të tyre të përgjakur. Edhe ministri i mbrojtjes, i cili u katapultua në këtë post, pas ministrit Krasniqi, të ekzekutuar, pothuajse, zyrtarisht në Tiranë, pothuajse, ishte zgjedhje e stalinistëve dhe ka pjesën e tij të fajit, për lëvrimet paushalle të parave stalinistëve të babëzitur, grykësa gopsekianë.
Aktivi i Starnbergut vazhdon aksionet
Në
mesnatën e natës festive, mysafirët lënë sallën dekorative, duke u përshëndetur
ngrohtësisht nga organizatorët pritës. Kryesia, aktivi vazhdoi mbledhjen e
parashikuar. Bëri bilancin e shpenzimeve të darkës dhe përcaktoi detyrat për të
ardhmen. Asaj pasmesnate ndërmori dhe realizoi dy aksione. Ndau një ndihmë në
para për klubin futbollistik "FC Koosova" në Mynih, i cili ka 3 ekipe
me 61 lojtarë. Në këtë klub, të drejtuar nga trajnerët e suksesshëm Shaqir
Zeqiri dhe Lulzim Maliqi, dominojnë të rinjtë shqiptarë, por ka edhe vendorë,
gjermanë dhe të kombeve të tjera.
Arkatari i zellshëm dhe korrekt i aktivit, Afrim Mulaj, është gjithnjë në krye të detyrës, duke qenë edhe donatori, dhënësi më i pakursyer në begatimin e arkës të aktivit, e cila "shterron" herpashere në favor të njerëve në nevojë. Në Brecë të Podujevës, një grua e vejë me mundime ushqen tre fëmijtë jetimër. Dhe, aktivi vendosi të ndihmojë në lehtësimin e halleve të kësaj familje nevojtare.
Përkujdesja e aktivit për festat dhe kulturën
Festa e
çlirimit, 12 Qershori, po afron. Shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës
shteteve pjesëmarrëse në paktin NATO - forca faktike çliruese e Kosovës.
Njëkohësisht nderon, me dhimbje të thellë, luftëtarët e rënë dhe viktimat e
pambrojtura numerike. Aktivi i Starnbergut ka filluar përgaditjet për një
festim sa më dinjitoz. Anëtari i kryesisë, piktori i përkushtuar, Sabedin
Dushi, ka skicuar paraqitjen skenike, dekorin adekuat, të përshtatshëm për këtë
ngjarje të shënuar kombëtare. Presidenti Rugova, si gjithherë, në sfondin
ballor të skenës, si kryemeritor për çlirimin e Kosovës dhe bërjen e Kosovës
shtet. Ndërkohë, anëtari tjetër i vyeshëm i kryesisë, Hajzer Gashi, në cilësinë
e moderatorit, ndihmon dhe "përgjon" përgaditjen e programit, për ta
bërë sa më joshës transmetimin për publikun e rregulltë të zonës dhe më gjerë.
Veprimtaria
kontinuitive, në vijimësi, për 20 vjet radhazi, me ritmin harmonik, por me hope
gjithnjë e më cilësore, është veçantia e Aktivit të LDK-së të Starnbergut, në
Bavarinë e zëshme gjermane, e cila, duke qenë njëri nga Landet, Republikat më
të mëdha dhe më të zhvilluara të Gjermanisë, konsiderohet si shtet brenda
shtetit.
Në
përmbyllje të këtij shkrimi, i urojmë suksese të mëtejme këtij aktivi zëmadh
dhe gjithnjë aktiv, në realizimin e objektivave në shërbim të Mërgatës dhe të
Kosovës tonë.