Udhëpërshkrim
Shqipe Gara-Berisha: Vizita e nxënësve në konsullatë
E hene, 25.02.2013, 07:57 PM
Ne zgjodhëm një mënyrë tjetër për të festuar gjysmë
dekade pavarësi të shtetit të Kosovës.
Vizita e nxënësve të shkollës shqipe”DITURIA”
Nga Shqipe Gara-Berisha
Mesi i muajit shkurt i cili edhe në borë e acar përcolli ngrohtësi dhe
dashuri në zemrat e të gjithë neve, solli festë dhe lotë gëzimi, solli këngën
më të fuqishme dhe zërin më të ëmbël për të shqiptuar tri fjalë të vetme, por
kuptimplota ‚,Urime Kosovë Pavarësia’’.
‚,Edhe unë kam shtet’’ ishin fjalët që fëmijët me zemër shqiptonin, e të
mos përmendim gjeneratat e tjera. Këtu në mërgim janë po këto fjalë që na bëjnë
krenarë, janë po këto fjalë që na bëjnë të mbajmë kokën lart dhe kudo të
shënojmë gjurmë që jemi nga Republika e Kosovës. Gjurmë në mënyrën më të
thjeshtë la atë ditë autobusi me të cilin udhëtonim i cili ishte stolisur me
flamuj kombëtarë dhe shtetërorë. Madje as plisi i bardhë nuk na mungonte. Gjatë
rrugës kishte një atmosferë feste dhe gëzimi. Fëmijët kënaqeshin nën
përcjelljen e muzikës shqipe, e që hera-herës i bashkangjiteshin refrenit dhe valles. Me të vërtetë krijohej
përshtypja se ishim në tokën tonë arbërore. Gjithçka frymonte shqip. Sa të
hareshëm ishin fëmijët qysh prej nisjes nga qyteti i Heidelbergut deri në
Stuttgart. Kishin njohuri për konsulatën, por në fytyrat e tyre shihej një
gëzim sikur në kohën kur udhëtojnë për atdhe.
I afrohemi qendrës së Stuttgartit, por fjollat e borës nuk kanë të
ndalur, ashtu sikur zërat e nxënësve që nuk pushojnë së pyetyri nëse jemi diku
afër konsulatës.
Çast pas çasti arritëm te godina shumëkatëshe në muret e së cilës në një
shtizë valvitej flamuri shtetëror i Kosovës, në të cilën na pritën me mjaft
dashamirësi z. konsull Faket Kajtazi, z. zëvendëskonsull Imer Lladrovci dhe
pjesëtarë tjerë të këtij stafi. Ishte një nderë dhe përjetim i veçantë për
nxënësit dhe prindërit.
Sikur të ishim në vendlindje do të festonim edhe më shumë, do të ndjenim
më afër festimin e kësaj date për gjysmë dekade. Ne megjithatë afërsinë e
atdheut e ndjemë me vizitën tonë në Konsulatën e Republikës së Kosovës në
Stuttgart. Aty gjetëm ngrohtësinë e atdheut, aty gjetëm flamurin tonë të
valvitej në një qytet gjerman si dhe aty gjetëm një pjesë të Kosovës.
Sa
shumë pyetje vërshuan nga nxënësit mbi fuksionimin e konsulatës, rolin e saj,
themelimin e sipërfaqen e saj, punëmarrësit, frekuentimin e saj nga qytetarë
kosovarë dhe personalitete të ndryshme gjermane. Me mjaft mjeshtëri dhe njohuri
u përgjigjën të dy diplomatët në këtë seli që mbron vlerat e popullit shqiptar
i cili sakrifikoi aq shumë që ne sot në të gjithë botën të kemi mundësi që
gjeneratave të reja t’ua mbjellim dashurinë për gjuhën dhe atdheun, që ata të
ndjehen krenarë për kombin dhe shtetin e tyre. Me rastin e ditëlindjes së pestë
të shtetit të Kosovës kishim përgatitur një dhuratë modeste, por mjaft
domethënëse për ata që do të frekuentojnë këtë qendër me vlerë shtetërore dhe
kombëtare. Aty gjen shumë mesazhe që
kanë përcjellur gjenerata të tëra si “Gjuha ruhet, aty ku shkruhet.”, “Duaje
atdhenë si shqiponja folenë!” si dhe “Gjuha bashkon kombin.”,- ashtu siç na
bashkoi ne për të nderuar dhe mbështetur një ndër shtetet më të reja në globin tokësor.
Minutat
ikën shumë shpejt. Ne duhej të ndaheshim nga këto çaste të bukura dhe
mbresëlënëse me shpresë se në të ardhmen do të arrijmë rezultate edhe më të
mëdha në mënyrë që Kosova të krenohet me ne, ashtu siç ne krenohemi me të
arriturat e saj brenda këtyre pesë viteve mvetësi,.
Duke
u larguar nga kjo seli, më dukej sikur flamuri dha një porosi për fëmijët:
“Punoni, mësoni dhe ruani gjuhën amtare, çmoni vlerat kombëtare dhe çoni
përpara idealet e gjeneratave të tëra të cilat ranë në altarin e lirisë!” Vlera
të cilat do të mbrojnë dhe ruajnë atdheun shekuj të tërë.
Gjatë
kthimit në qytetin nga ishim nisur, ashtu së bashku drekuam në një restoran dhe
shkëmbyem me shumë entuziazëm mbresat e këtij udhëtimi, ku secilit i ishin
ngulitur emocionet thellë në zemër.
Ky pesëvjetor do të mbetet i paharrueshëm për të gjithë ne.