Mendime
Vangjush Saro: Ndryshimi i modelit - emergjenca e shqiptarëve
E merkure, 20.03.2013, 10:52 PM
Ndryshimi
i modelit - emergjenca e shqiptarëve
(Shpjegim
për titullin: Modeli i qeverisjes, modeli i qeverisësve, modeli i lektisjes pas
tyre...)
Nga
Vangjush Saro
Çdo ditë
që shkon, rritet tensioni politik dhe zmadhohen pikëpyetjet për fatin e
zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Çdo ditë që shkon, i shohim
politikanët shqiptarë të bërtasin edhe më shumë, të mburren gjithaq, të shahen;
gjithë kohës duke tundur si flamur frazën e vjetër të Meri Uorthi Montegut1),
thënë këtu e dy shekuj të shkuar: “Shqiptarët nuk janë të stërvitur për
diskutime”. Një nga arsyet kryesore pse qasemi përherë e më këtej hapësirave ku
nuk ka siguri, është të qëndruarit në vend, ngecja në rrjetat e përvojave të
pasigurta, në modelet e vjetra e të papërshtatshme.
Nuk
mendoj se e kemi të plotë përgjigjen e kësaj dukurie...Por përpara disa javësh,
lexova diku që kryeministri britanik David Cameron, rastësisht, kishte qëndruar
në radhë për disa minuta për një kafe. Gruaja që shërbente në banak, do të
thoshte më pas se nuk e kishte njohur menjëherë, por as ai nuk kishte mëtuar
ndonjë shërbim para të tjerëve. Në dukje, ishte një lajm pa peshë të madhe, më
tepër një episod që ngjall njëlloj habie. Por në këtë shkrim, ne do të aludojmë
Ani. A e
përfytyroni dot një skenë pak a shumë si kjo te ne? Politikanë të njohur që
presin pas dikujt, në radhë, pa iu rënë në sy të tjerëve...Kjo nuk mund të
ndodhë në Tiranë (në rrethe jo që jo); më së pari sepse ne nuk jemi britanikë,
ne jemi shqiptarë dhe, një shumicë e jona, jemi tejet të përfshirë në politikë;
24 orë në ndjekje të kreut të partisë, të “fisit”, kutia e Pandorës, ku shkoi,
ç’po bën, çfarë tha…Së dyti, kjo nuk ndodh për shkak të modelit. Politikanët
shqiptarë, veçmas ata në pushtet, kanë krijuar - jo pa kontributin e
institucioneve gjithfarë dhe të vetë qytetarëve - modelin e njeriut “me peshë
të madhe”, udhëheqësi legjendar, i gjithëpushtetshëm, që shpërndan (atje ku i leverdis)
vende pune dhe të mira materiale, i pazëvendësueshëm, mundësisht i përjetshëm,
gjithnjë nën dritën e kamerave, patjetër në shoqërinë e bashkëpunëtorëve dhe
badigardëve të përkëdhelur.
Kështu
pra, nuk mendoj se te ne, prania e politikanëve të njohur në një kafene a diku
gjetkë, në publik të palajmëruar, mund të kalonte pa skena euforike dhe
shtirje. Të kthehet diku, bie fjala, Sali Berisha dhe të rrijë në radhë për të
marrë diçka...E para e punës, siç e thamë, përveç bashkëpunëtorëve, ai ndiqet
në të gjitha krahët dhe distancat nga një numër i madh badigardësh, të cilët
nganjëherë janë më të bezdisur e më delirantë se vetë padroni. E dyta, do të
gjendeshin sakaq njerëz të krahut të tij politik që do të suleshin për ta
takuar, kushedi edhe hallexhinj që papritur do të përfytyronin zgjidhjen e
problemeve të tyre, mbase edhe qytetarë të tjerë të paanë, që për kortezi do
t’i jepnin dorën, do të tregonin afeksion…Në të njëjtën skenë, nuk mund ta
shikosh dot as një si Jozefina Topalli. Është aq vanitoze. Njerëzit do të
reagonin menjëherë, sepse kështu është modeli; ajo vetë ka kontribuar
mjaftueshëm për ta sajuar këtë model, duke bërë herë pas here interesanten (në
ca takime gjithë limonti) me gratë, me gjimnazistët, me fëmijët; show dhe asgjë
tjetër. Edhe kreu i opozitës, Edi Rama, nuk do të mund të përfytyrohej në një
skenë të tillë i patrazuar nga të tjerët. Mjaft afër modelit në fjalë është
edhe ai.
Por le të
kthehemi te thelbi. Cili model drejtuesi shteti a qeverie do t’iu duhej
shqiptarëve? Cili model qeverisës do t’iu kishte kursyer të paktën një dekadë
kohë, në tjetër rafsh më përpara…Modeli i Britanisë së Madhe, pra; ku
kryeministri është sigurisht një njeri shumë i rëndësishëm, por fundja një
nëpunës i lartë në shërbim të qytetarëve. (Jo të kastës së tij, jo të familjes
së tij, jo të parisë së partisë së tij.) Modeli i Amerikës Veriore. SHBA.
Kanada. (Edhe pse jetoj prej do kohësh këtu, s’mund të them që di shumë sa i
takon qeverisjes dhe raporteve të qeverisësve me njerëzit. Por një gjë e di me
siguri: mediat ua vënë “sinorin te
Modeli i
Suedisë, gjithashtu do të më pëlqente të imitohej në vendin tim. Pse jo ai i
Norvegjisë, i Danimarkës; shumë pranë tyre, është modeli qeverisës i Hollandës,
ai i Belgjikës. Njëherë kam lexuar që ish-kryministri i kësaj të fundit
(ndoshta i një prej regjioneve, s’më kujtohet mirë) ishte parë të shkonte në
zyrën e re, në punën e re, me biçikletë...E dini pse? Sepse e merr detyrën e
lartë pa daulle; (këto janë që nga koha e osmanëve?). Është një zgjedhje e aksh
partie dhe e një shumice qytetarësh për një mandat të caktuar. (Nuk është
“shpëtimtari”, “dritëshpërndarësi”, “ai që shemb malet dhe...muret e Bllokut”,
ku është marrë me analizat e urinës së bllokmenëve.) Në modelin evropian, ky
politikan karriere punon, drejton, jep llogari; nuk pushton ai të gjitha
institucionet, të gjitha televizionet, të gjitha komunat; nuk gënjen ditën për
diell. Se nuk e lënë të gënjejë...
Çështja
është që ne shqiptarët kemi vuajtur nga sisteme të ndërtuara e të sajuara për
t’i shërbyer një klani, një individi, (të fortë në dukje). Pra, është e
çuditshme se si një popull që ka parë lemerinë nga sisteme të tilla, nga
individë të tillë (të fortë në dukje), rri dhe pret në qetësi tash prej 22
vitesh, t’ia prishin sërish ëndrrën, ta mbajnë sërish peng...të një klani apo
të Beogradit (kush dreqin i lidh fijet) të Athinës, kërko në hartë,
kërko...Modeli është fataliteti ynë. Modeli i individit drejtues. Modeli i qeverisjes
gjithaq. Modeli i lektisjes pas udhëheqësve...(Ou, ç’vjetërsirë!) Kjo do të
thotë se na duhet një ndryshim rrënjësor. Institucione dhe një administratë e
përzgjedhur, njerëz të aftë, të paanë, asnjëherë pre e dialekteve, që të mos
heshtin dhe të përtypin pras kur ndodhin Gërdec-ë dhe vriten 26 njerëz, për të
cilët asnjëherë askush nuk përgjigjet...
Ç’ka
mbeti pa u thënë? Modeli është në gjak. Është në ADN. Atje ku ai shfaqet si do
ta donim ne, është krijuar me shumë mundim, përmes përplasjesh dramatike, ku
njerëzit nxjerrin në reshtat e parë ata që i qasen disi termit idealist. Në
vitet e fundit, kam pasur besim se do të sjellin një ndryshim intelektualët më
të mirë, së paku më të sinqertët, ata që nuk i janë qepur pas asnjëherë asnjë
partie, kanë vështruar nga larg me qetësi, duke dhënë kontribute në rafshe që
mund të prodhonin sadopak mirëkuptim e prosperitet; (disa media, përfshi të
nderuarën “Zemra Shqiptare”, janë angazhuar prej kohësh në këtë përpjekje). Nuk
mjafton. Nuk është e mundur, sepse nuk mund të thyesh lehtë modelet. Nuk mund
të rëzosh ashtu fët e fët tiranët. Që t’i bësh këto, duhet të kesh me vete
popullin. Populli është i fragmentarizuar. Tiranët iu ka dhënë nga një kockë.
(Në tokat pa lejë të të tjerëve. Në zyrat e shtetit, që i bëjnë si duan vetë.
Në privatizimet e pasurisë kombëtare, që nuk paskan të sosur...)
Ëndërroj...brezat
që vijnë, jo në këto zgjedhje, as në të tjerat, edhe më tej mbase, do të marrin
në dorë fatet e vendit dhe do të thonë: Tiranë, zbythuni! Popull, zgjohu, je ende
në Evropë. Rregulla të vjetra, modele të mykura, kyçuni në sirtarët e
komunizmit dhe të neokomunizmit!
Shikoni
se një pjesë e ëndrrave realizohen...
...................
1) Meri Uorthi Montegu - publiciste e njohur, gruaja e Amabasadorit Britanik në Stamboll diku në dekadën e dytë të shekullit 18.