E shtune, 03.05.2025, 08:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Grigor Jovani - ''Blu e thellë''

E merkure, 13.03.2013, 09:25 PM


Rreth përmbledhjes me poezi “Blu e thellë” të poetit Grigor Jovani

Poetika e filozofisë së mbijetesës të së bukurës

Nga Hyqmet Hasko

Ka shumë rrugë që të çojnë tek poezia, rrugë të ngushta e të gjëra, rrugë këmbësorësh e autostradash, por ka vetëm një përcaktim për aktin poetk, si produkt i vetëdijes estetike. Ky përcaktim është i thjeshtë dhe përdoret rëndom në fjalorin e përditshëm të poetëve dhe të atyre që merren me selitjen e produktit krijues, duke u përmbedhur në një fjali të vetme: “Ky poet në këtë libër që pretendon të jetë poetik, ka ose nuk ka poezi”. Themi kështu, pasi jo çdo vargëzim është poezi dhe kur kemi të bëjmë me poezinë e vërtetë, pavarësisht nga këndvështrimi i autorit, strukturat dhe teknologjia krijuese, qofshin tradicionale, qofshin moderne e postmoderne, ndihemi të pushtuar e të sugjestionuar nga magjia e saj, sharmi, eleganca, pathosi, kreativiteti, ndjeshmëria, mesazhet që ajo përcjell, si tekst apo si nëntekst.

Dule lexuar përmbledhjen poetike “Blu e thellë” të poetit Grigor Jovani, nuk mund të mos ndieshë dhe kuptosh tharmin e aktit poetik, fuqinë e fjalës dhe të figurës, strukturat e zhdërvjellëta të vjershërimit, thyerjet dhe qasjet psiko-filozofike, meditimin dhe përqasjen e dukurive, të dhëna me sens të plotë estetik, pa kallëpe të stisura dhe agjitime, siç ndodh me një duzinë poetësh që shkruajnë thjeshtë për hir të shkrimit.

Duket se Grigor Jovani është një poet me vizion, me një talent të natyrshëm, të cilin e vë në funksion të plotërimit të unit të tij, si kryeprotagonist i mbresave dhe impresioneve poetike. Ai ka një teknologji krijuese krejt të tijën, të paimitueshme dhe të parefuzueshme, qoftë nga dishepuj te artit poetik klasik, tradicional, që iu rrijnë strikt rregullave dhe “tabuve” të ngurta të vjershërimit, qoftë nga ithtarët e vargut të lirë, ku liritë e shumta të krijimit, nëse nuk menaxhohen me dhuntitë e një shpirti të pasur e të pastër poetik, mund të kthehen në një kaos (a) estetik.

Grigor Jovani di të ruajë sensin e masës, të mesmen e artë midis këtyre dy antipodeve, duke bërë që poezia e tij të ketë një rrezonancë të gjërë botëvështrimi dhe të gjejë kordinata afiniteti në të gjitha shtresat e lexuesve.

Thelbi i poezisë së Jovanit është gjetja poetike, sensi i përthyerjes etike dhe filoziofike të ngjarjeve dhe përjetimeve jetësore, të kujtesave dhe impresioneve, të fakteve dhe detajeve të përditshmërisë, që i zgjojnë atij impulset e krijimit estetik.

Ai e “bluan” hollë miellin e vargjeve, strofave, ka një aparat të pasur të trajtimit poetik, që nga forma, strukturat ritmike, prozodike etj., deri tek ana përmbajtësore, temat, motiovet, mesazhet etj.

Jovani duket se është një temperament sa i qetë e i shtruar, aq shpërthyes, pasi të dyja këto kadenca rrinë në unison dhe japin e marrin kreshedno poetike në poezinë e tij. Ajo është një poezi që vjen me kurba të larmishme dhe intensitet të lartë përfytyrimi dhe imazhi, me struktura moderne koncepsioni poetik, me ritme të shtruara e të hazdisura njëherësh.

Poeti synon ta çlirojë poezinë që shkruan nga disa barrë morale dhe etike, pasi befasimet e aktit të tij poetik janë aq të gjetura dhe shunguruese, sa ndihen të vetëmjaftueshme për të qëndruar më vete, pa asnjë grimë morali dhe sajimi, për hir të “normës” dhe të të qenit ‘brenda” rrymës.

Gjuha e metaforës, simbolit, aludimit, ironisë, alegorisë, shëmbëlltyrës dhe dykuptimmësisë, me anë të këtyre shenjimeve të reja poetike, bën që poezia e Jovanit të lexohet me një frymë dhe të kuptohet pas çdo rileximi si një rizbulim i konteksteve dhe mesazheve poetike.

Tentativa e poetit për t'i fshehur ndjesitë dhe gjendjet denancuese të së keqes përmes reflekseve parabolike dhe për t'i përcjellë ato me sensing e kontrapuntit, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe finaleve befasuese poetike.

Poeti e gjen motivin e tij poetik në një etyd familjar, në trillin e dallëndysheve që “thyen fletët e kalendarit”, në “blunë e thellë”, ku “shuajnë etjen rrënjët e ullinjve”, tek piklat e shiut, në fletët e barit, në “shtëpinë e fshehtë” që strehon zogjtë e rrallë të fjalëve, në “varrezat prej letre”, prej nga vijnë rënkimet e heshtura të fjalëve të pathëna, pikuar nga shpirti, në një pafajësi fëminore, në një pakujdesi dashurore, kudo ku metafora e poezisë së Jovanit gjen shtysa dhe motivime që burojnë nga ndjesitë universal…

Nuk kemi kohë për tjetër jetë.

Ditët kanë humbur, s’di se ku,

Netët me ëndrrat ngjyrë blu

Janë të harruara

(Poezia “Nuk kemi kohë për tjetër jetë”, fq.35)

Kredoja e tij është dashuria, si akt sublim i një poeti të vetedijshëm për atë se çfarë shkruan dhe çfarë vendi zë krijimtaria e tij në raport me pjesën tjetër të sivëllezërve të tij poetë, që lërojnë arën e madhe dhe të pafund të poezisë shqipe.

Gjeografia e shtrirjes së vëzhgimit poetik të Grigor Jovanit është e gjërë dhe e thellë, e shtrirë në vijë horizontale dhe vertikale. Ai ndalet e mediton para Monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe zbulon metaforën e një historie të keqkuptuar, dehet para bukurive të egra, bukurive gjarpërore, ndjek djaloshin e fotografive të mbetura në sirtarë të harruar, i cili është vetveteja e tij në një moshë të njomë e të brishtë fëmije e adoleshenti, dëgjon muzikën e shirave të trishtë të vjeshtës dhe i ndizet gjurma e kujtimit.

Poezia lirike, që e ka metaforën si shtëpinë e saj, por mbi të gjitha sfondi struktror poetik, qoftë i figurave, qoftë i mesazheve, që kanë një bazë metaforike dhe simbolike, duket se gjen vetveten në duart e poetit, i cili përdor një galeri të gjërë trajtash dhe stilemash, për të realizuar idetë poetike, qëndrimet e tij ndaj ndaj dukurive të përditshmërisë, të cilën ne të gjithë e kemi përballë, në mesin tonë, e konstatojmë dhe ndonjëherë na tërheq zvarrë, por vetëm poeti i vërtetë, ai që vështron përtej të rëndmotës, siç bën dhe Jovani, e rizbulon me anë të vëzhgimit dhe “interpretimit” estetik.

Në qendër të fokusimit poetik të poetit është bashkëkohësia, me prirjet dhe tendencat e saj, me dukuritë dhe ambivalencat morale; është fjala njeri, raportet e tij me të ngjashmin, me kohën, me epokën, me filozofinë e mbijetesës dhe të ecurisë së brezave.

Jovani vizaton ne tone të ngrohta liriko-filozofike një botë me spektrin e ngjyrave të ylberit, (jo bardhë e zi), ku ka shumë thyerje dhe digresione, shumë përplasje dhe kundërvënie, por dhe shumë mall, shumë dashuri e brengë, vuajtje e dhimbje, për pamundësinë e poetit, për t’i bërë njerëzit dhe botën e tyre të bukur, ashtu siç i dëshiron ai që të jenë.

Në analizë të fundit, pa pretenduar se ky është një shkrim shterues për vlerat e poezisë së Jovanit, duket se kemi të bëjmë me një poet që që ka se çfarë shkruan dhe nuk mund të rrijë pa derdhur në letër të bardhë, në vargje befasuese llavën e shpirtit të tij, si një nevojë gati jetike, për të dëshmuar ekzisetncën e tij, por dhe ekzistencën e bashkëkohësve të tij, në këtë kohë traumash dhe dyzimesh të mëdha, kur vetëm thellësia e shpirtit poetik duket se ka mbetur e papërlyer dhe e pa ndotur…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx