E hene, 05.05.2025, 01:20 PM (GMT+1)

Faleminderit

Qerim Pllana: Një jetë kushtuar çlirimit dhe bashkimit

E diele, 20.01.2013, 08:55 PM


Një jetë e tërë kushtuar çlirimit dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

HASAN BEJ PRISHTINA DHE LËVIZJET NË TREKËNDËSHIN:

VUSHTRRI-SKËNDERAJ-MITROVICË

(Temë e mbajtur në Simpoziumin kushtuar Hasan Prishtina në Vushtrri me 7,8,9, tetor 2009 në Vushtrri organizuar nga K. i Kuvendit të R. së Kosovës z. dr. Jakup Krasniqi)

Nga Qerim Pllana

Gjatë pranverës dhe verës të vitit 1923, Hasan Prishtina vizitoj shumë fshatra të Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Skenderajt. Mbase kjo është vizita e fundit në  vargun e kryengritjeve të mëdha të viteve 1908-1912 drejt pavarësisë së Shqipërisë. Qëllimi i vizitave ishte armatimi dhe përgatitja për mbrojtjen e viseve veriore të Shqipërisë, respektivisht të Kosovës nga okupimet e shteteve fqinje përreth, sidomos Mali i Zi dhe Serbia. “Ne luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë pas nesh kanë me i gjet shenjet (gjurmët) tona” , thoshte  nëpër çdo fshat Hasan Prishtina ...

Pak fjalë për biografinë e heroit kombëtar Hasan A. Prishtina

Hasan bej Prishtina është njeri ndër personalitetet më të shquara të Lëvizjes dhe Rilindjes  Kombëtare të Kohës më të re. Ka një biografi dhe bagazh bibliografik dhe historik, të rangut të personaliteteve (figurave) më të shquara të popullit shqiptar që nga ata të Komitetit të Stambollit, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Pejës “Besa-Besë dhe të gjitha lëvizjeve më të vonshme të  kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë. Hasan Prishtina lindi në Vushtrri më 17 shtator 1873. Rrjedhë nga një familje të ardhur nga Polaci i Drenicës, diku para Tanzimatit, ose rreth viteve 1721, ndonëse akoma nuk është saktësuar data e rënies në Vushtrri e babait Ahmet Haxhi  Ali Berisha, dhëndër i Ramë-Ramë Pllanës nga Balinci i Vushtrrisë i fisit Thaç.

Hasan Prishtina dy-tri herë ndërrojë mbiemrat, nga Berisha në Polaci, dhe pak para se të hynte deputet në Kuvendin e Turqisë, meqë në Prishtinë pos Vushtrrisë kishte krijuar ca pasuri u quajt edhe Hasan Vushtrria, pastaj Prishtina. Hasani në Kuvendin turk u rizgjodh tri herë radhazi. Mbiemrin Prishtina jo rastësisht do ta mbante deri në vdekje, kur u qëllua tradhtisht  nga dora e Çelo Ibrahimit, i paguar nga mbreti A. Zogu. Hasani në Vushtrri kishte mbaruar mejtepin, pastaj në Shkup  metresën dhe në Stamboll kreu studimet politike-juridike. Njohu nënë gjuhë të huaja, turke, arabe, greke dy apo tri gjuhë sllave, frëngjishten, ka komunikuar gjermanisht dhe anglisht.

Hasani ishte një orator dhe diplomat i rangut të Konicës. Në Parlamentin turk sa qe deputet Hasani me fjalimit e tij të zjarrta, sidomos për mbrojtjen e territoreve kombëtare dhe bashkimin e katër vilajeteve  më një shtet, zgjoj shqetësime, frikë, madje dhe panik në qeverinë e atëhershme  turke deri te sulltani. Qeverisë turke në vijimësi ia tërhoqi vërejtjen për rrezikun që po u kanosej tokave shqiptare në prag të Luftërave Ballkanike nga apetitet e shfrenuara serbo-bullgare dhe malazeze e greke në jug të vendit. Ai do të shquhet për politikë, diplomaci dhe për reforma ekonomike, duke përkrahur me tërë fuqinë Ismail Qemalin dhe deputetet shqiptarë.

Megjithatë Kuvendi turk e shfrytëzoi për mrekulli  në të mirë edhe të vetë Turqisë.

Formimi i Komitetit  “Mbrojtja Kombëtare” e Kosovës  me 1. maj 1918

Në Shkodër dhe disa nëndegë tjera si në Pejë, Shkup, Vushtrri etj., Hasani në bashkëpunim me Pedri Pejanin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin, Bajram Currin dhe Isë Bolitinin formuan Komitetin për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë, Hasan Prishtina ka merita të jashtëzakonshme. Pavarësisht se Kosova reale-etnike mbeti e ndarë, sidomos me vendimet tejet të padrejta historike dhe të kobshme të Konferencë Londra I. Me 1913, para plotë 100-vjet.

Të kobshme sepse, Shqipërisë iu morën gjysma e territoreve dhe po aq e popullsisë. Patriotët, Hasan Prishtina, Isa Bolitini , Bajram Curri, Idriz Seferi, Bedri Pejani, Luigj Gurakuqi, më vonë Azem Bejta dhe shumë patriot të tjerë  morën për sipër organizimin e kryengritjeve  në Kosovë për çlirimin dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, madje dhe pas Pavarësisë të 28 nëntorit 1912, duke u përpjekur për kthimin e viseve të pushtuara nga shtetet fqinjë me përkrahjen e Fuqive të kohës. Lufta e grupit të deputetëve revolucionar në krye me Hasan Prishtinën, Fan S. Nolin, Avni Rrustemin, Luigj Gurakuqin Bajram Currin dhe shumë patriotë tjerë kundër shumicës në qeverinë e cila gjithnjë e më tepër po binte nën ndikimin e N. Pashiqit edhe më tepër e kishte keqësuar gjendjen  në Kosovën e ri-okupuar.  Kryengritja shkurt-mars e vitit 1923 u shua me viktima  dhe pasoja në njerëz, ekonomi nën ndikimin e Ahmet Zogut.

Më 26 shtator 1924, Hasan Prishtina, Fan S. Noli, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi dhe Bedri Pejani iu drejtuan Lidhjes së Pestë të Kombeve në Gjenevë. Ata ashpër e sulmuan dhe e kundërshtuan ushtrimin e dhunës dhe të gjenocidit serb mbi popullsinë e Kosovës të okupuar, sidomos pas vrasjes të Azem Bejtës, kur do të shuhet për një kohë Lëvizja për çlirim dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Lëvizja e Hasan Prishtinës në trekëndëshin Vushtrri-Mitrovicë-Skenderaj

Në vjeshtën e vitit 1921-1922 nën përcjelljen e Zejnullah Begut, suitës dhe burrave të Artakollit, truprojave Shaban H. Pllana, Musli Dërvinja Jonuz, Rezheë dhe Imer Pllana, Ramë Ramë Balinci-Pllana Jetullaj Meholli, Hajzer Tafë Shyti, Shaqir Shaqiri Pantina, Emin Lati dhe nën mbrojtjen e qetave të Azem e Shotë Galica Radisheva , Hasani nisë lëvizjen  nëpër fshatrat e trekëndëshit Vushtrri, Mitrovicë-Mikushnicë Prekaz Skenderaj-Polac etj. Qellimi i vizitës disa mujore të Hasan Prishtinës, siç kanë rrëfyer përcjellësit dhe burrat tek të cilët qëndroj Hasani, ( dajat e Hasanit, Ramë Ram Pllana i Balincit, Shaban H. Pllana truprojë personal me Musli Dërvinjen, Rrukë Taraxha, Rexhep Selman Pllana, gjyshi i autorit dhe shumë të tjerët, ishte organizimi i masës, armatimi dhe shpërndarja, duke u përgatitur për kryengritje për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Sipas rrëfimeve gojore të atyre që u takuan me Hasanin, për disa muaj verë-vjeshtë-dimër, Hasani vizitoj shumë fshatra të këtij trekëndëshi,Vushtrri-Mitrovicë-Skenderaj, duke filluar  Shtitaricë (Shtrojerë), Dolak, Bukosh, Teraxhë, (Liqej), Akrashticë, Pantinë Ashlan, Balincë në Kullën e dajave. Ai vizitoj Pjerçin, Braboniqin, Prekazin, Runikun, Galicën disa herë Mikushnicën, Palacin, Llaushën Qubrelin, fshatrat e Shalë-Bajgorës, Blotinin, Zhazhën etj. Pritja dhe tubimet gjysmë-ilegale janë mbajtur nëpër oda burrash. Hasani zakonisht ka udhëtuar me një çeze dhe një apo dy pajtone. Çdo krerë fshati ishte i njoftuar paraprakisht për lëvizjen e Hasanit me suitën e tij. Përcjellja bëhej nën një përkujdesi rigoroz, sepse ai burrë  ishte në shënjestër të Perandorisë e sidomos të Serbisë dhe Malit të Zi po aq sa edhe nga elementet reaksionare greke. Hasani një pjesë të pushimit të tij e kalonte në Kullë në Balincë, pronë e dajave, rrëfen truproja axha Shaban dhe Rexhep Pllana.  Para se të vdiste gjyshi im Rexhep Selman Pllana, më 22 qershor e shtunë të vitit 1959, ne nipat e tij të cilët ishim tubuar pranë tij, na u drejtua:

“Mos harroni, njeriut më të mençur të Kosovës, Hasan Prishtina i kemi shumë borxh edhe ne, jo sepse ishte nip i yni (Pllanajve), por sepse ai na mundësoj 4 hektar tokë mua dhe vëllamëve të mijë, Salihut dhe Ilazit (hoxhës, përmes Zejnullah Begut.

Po atë ditë gjatë ceremonisë së varrimit, axha  Shaban, kur më pa se isha përlotur nga pikëllimi mu drejtua: “Bir mos qaj, gjyshi yt e ka të fituar xhenetin. A la ndonjë amanet, ishe pranë tij kur vdiq. Po i thash: “Tha se i kemi shumë borxh, sidomos shtëpia jonë, Hasan Begut jo pse e kishim nip, po sepse na i mundësoj 4,5 h. tokë lluki afër L. Sitnicë, përmes Zenullah Begut”. Me intereson axhi Shaban, a ishte Hasan Prishtina nip i joni apo pse e tha gjyshi ketë amanet pak para se të vdiste. Po biro, Hasanin e kemi ruajtur sa herë ka dalë në Kullën në Balincë te dajat e tij,unë me Musli Dërvinjen, bile në çdo katun të rrethit të Vushtrrisë.

Siç rrëfen im gjysh në shtëpinë tonë, kanë qëndruar dhe kanë bujtur Hasan Prishtina, Isa         Bolitini, edhe pse Isa mik shtëpie e kishte Jetullah Mehollin, meqë të motrën Isaja e kishte për Hazir Jetullah Mehollin, e cila nuk lë pasardhës, por jetoj afro 100-vjet. Hasan Prishtina kishte lidhje të ngushtë edhe me muzakajt (muzaqët) e Liqejve (Teraxhë), Rrukë Muzaçin, në Shtrojerë (Shtitaricë) me Januz dhe Imer Ali Pllanën, Rexhep dhe Hasan Pllanën, Jetullah Mehollin, Musli Dërvinjen, Bajram e Xhemë Gërguri-Krasniqi. Kurse në Vushtrri kishte kontakte të përhershme me familjen Badivuku, Venhari, Buçinca Xhakalit në Ashlan, Drenicë me Beqë Qubrelin, Gashtë e Radishevës, Hajzerajt e Uçës, Sheqirovit e Pantinës etj. Pothuajse nuk kishte fshat i trekëndëshit Vushtrri, Mitrovicë dhe Skenderaj, në të cilat Hasani nuk kishte një, dy apo më shumë burra me besim të plotë për kontakte, biseda dhe porosi kombëtare.

Për lëvizjen e Hasan Prishtinës ka shkruar edhe Joviqeviq Andria në shtypin serb të kohës gjatë viteve 1921, 1922 dhe 1923. Serbia lëvizjet e tij i kishte përcjell me interesim të veçantë, madje kishte porosit bashkëpunëtor (spiunë) për t`u përcjellë çdo lëvizje, bisedë dhe qellim  i vajtje-ardhjeve në këtë hapësirë.

Përkushtimi besnik dhe ideali ndaj atdheut, lufta e paepur diplomatike dhe konkrete për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë amë. Qëndrimi, i guximshëm  me dinjitet kuraja qytetare, Hasan Prishtinën e bëri aq më të dashur për ata që e njohën dhe të tjerët që e kishin dëgjuar për te. Ishte shpirtërisht me popullin, po aq më shumë me muhaxhirët, jo pse ishte nip i tyre, por pse i dinte vuajtjet e kësaj pjese të popullit të ndjekur nga ushtria, policia dhe nga urdhëratë dhe mësimet e Rusisë Cariste nga viti 1844,  sidomos gjatë dhjetor-janarit të vitit 1877-1878, deri më 1999. Ai me një rast në odën e Sheqiroviqe në Pantinë ishte shprehur: “Burra, pasuria e tepërt është përdellestare, bile e përdalë. Ajo vjen dhe shkon. Fitohet dhe fare lehtë humbet. Vetëm liria çlirimi dhe bashkimi (itifaku) i kombit na siguron pasurinë, begatinë, tokën dhe nderin. E shoh se ju keni sofër të bardhë, kjo është e mirë. Por, më e çmuar dhe më e vlefshme për ne është çlirimi, liria, bashkimi dhe demokracia. Vetëm këto na mundësojnë sigurinë, ekzistencën ahiretin-dhe amshimin, atyre që vinë pas nesh begatinë...

Ndërkaq, ai më një odë në Ashlan  të tubuarve u kishte thënë: “Bukë të bardhë  e të

grunjtë , mjaltë dhe qumësht do të hamë e do të pimë, vetëm kur të çlirohemi  nga zinxhirët që i kemi këmbë  e duar lidhur me pranga të Serbisë. Unë po shoh shumë shtëpi të mbuluara me kashtë e kallam. Ato familje zor që kanë një lopë, dele a dhi  para dere. Atyre i duhet ndihma e ju tjerëve. Sepse ata ia heqin të zitë e ullirit. Ju që jeni më “malldar”, tani e tutje të paktën nga një pushkë për mashkull e për shtëpi të bëni gatime pranverë”! Këtë e kishte shprehur disa herë edhe në odën e gjyshit të ndjerë  dhe në tri-katër odat e fshatit Shtrojerë. Kjo lidhje aq besnike, e fortë dhe me besim ishte, mu pse Hasan Prishtina ishte në mesin e dajave, si nipi për dajë etj.

Në disa fshatra të Drenicës, si bie fjala (rrëfente im gjysh), në Prekaz, Mikushnicë, Polac, Llaushë, Baks,  Qubrel e Izbicë,  Hasan Prishtina posa e përmendte mbledhjen e armëve dhe caktimin e vendit të tubimit, përnjëherë  burra e të rinj ngreheshin në këmbë si fëmijë mejtepi , kur hoxha u thotë dilni e pushoni pak. Ai në odën tonë e kishte thënë edhe këtë për Artakollin: “Aty-këtu e shoh se rreth e për çark  Artakollit konsumohet edhe alkooli me tepri, kurse më të dehurit xhandarmëria serbe sillet si më kafshë! Në pikë të ditës i rrahin dhe nuk përgjigjen para askujt. Sepse këtu për shqiptar dominon anarkia, nuk ka ligje, drejtësi as moral. Ka vetëm dajak, haraç, plaçkë dhe plumba për Kosovën e robëruar”!

Hasani gjatë vizitave përdori disa shprehje, varësisht odave, katundeve dhe llagapeve ku qëndrojë: “Duhet të mos silleni si “demuza”, “allçakë”, si fëmijë lazdrakë (lazdrakë)mejtepesh të hoxhallarëve shallvaresh e shallesh, xhepash, lakrash e kosarësh. Puna e lyp që të jemi të kujdesshëm e të përgatitemi për më të keqën. Sepse koha dhe nevoja e do të mos presim. Pa zhurmë, besnik e fjalë mbajtës.  Mos i bëni hyzmet tradhtisë , por as rakisë. Ju që i keni punët ekonomike pak më mirë, keni bagëti, bylykë dhënë  e dhi, duhet të jepni zeçatin për të varfër armë, e shkolla, duhet të përgatitemi për luftë..,ndoshta na duhet të shesim edhe tokë, pyje e bashtinë begatish për të blerë armë për luftë, liri dhe bashkim me të madhën Shqipëri. Për ndryshe ne jemi veresi”!

Janë vetëm disa këshilla  të arta dhe patriotike të idealit, moralit dhe dinjitetit të një njeriu për komb dhe për atdhe siç ishte Hasan Prishtina. Ai shëtiti jo sall Artakollin, trekëndëshin Vushtrri, Mitrovicë dhe Skenderaj, por kaloj pothuaj çdo pëllëmbë të Kosovës brenda 4-vjet të Kryengritjeve 1908-1912. Me Programin prej 14 pikësh drejtuar Portës, Hasan Prishtina krijoj elaboratin për luftë, liri çlirim dhe bashkim të Kosovës me Shqipëri. Ishte një kërkesë e modifikuar dhe afatizuar për t`u pranuar nga Porta brenda 24 orësh. Marshimi i forcave kryengritëse do të nisej nga Ferizaj me mbi 30.000 kryengritës drejt Shkupit, kryeqendër e Vilajetit të Kosovës, ngjarje për të cilën flasim ndonjë herë tjetër. Do theksuar se veprimtaria revolucionare dhe evolutive e patriotit Hasan Prishtina mbetet udhërrëfyese në vijimësi edhe sot edhe gjatë gjithë Luftës Çlirimtare të Kosovës, nën udhëheqjen  e Komandantit legjendar Adem Sh. Jashari.

Sipas idealeve të Hasan Prishtinës: Bashkimi është e drejt eksplicite e çdo populli të ndarë kudo në botë, pse jo edhe për shqiptarët e coptuar në Ballkan, në tre-katër shtete sllavo-greke në Ballkan, madje në dy shtete të pa konsoliduara shqiptare, Kosovë-Shqipëri. Prandaj, nuk ishte rastësi që Porta dhe pushtet shovinist serb Hasan Prishtinën e dënuan me vdekje dy-tri herë. E shpallën disa herë “tradhtar” vetëm pse kërkonte çlirimin dhe shkëputjen e Kosovës etnike nga Serbia për t`iu bashkuar Shqipërisë. Me qindra herë në shtypin e kohës Hasani u quajt irredentist, armik i përbetuar i Portës dhe i Serbisë! Më në fund patrioti dhe heroi i popullit Hasan Prishtina e pësoj nga një tradhtar dhe spiun i paguar nga mbreti Zog. Ibrahim Çelo, një shërbëtor i papunë me 13 gusht 1933 në një rrugicë të Selanikut. Hasani u qëllua për vdekje. Kështu përfundon një jetë e tërë e një njeriu vizionar, patriot dhe kombëtar, i cili tërë fuqinë, pasurin dhe moralin e tij e shkriu për Kosovën dhe atdheun e pa-bashkuar Kosovë-Shqipëri, duke mos kursyer vetën, jetën, pasurinë e tij. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të heroit kombëtar në luftë për bashkim, demokraci dhe liri, Hasan Prishtina, Lavdi!

Burimet dhe Literatura:

1.    Ahmet Haxhiu, Hasan Prishtina, Tiranë 1964

2.    Historia e Shqipërisë II. Tiranë 1965,

3.    Lufta ÇLIRIMTARE PëR Autonomi (1897-1921), tetor 1969, Prishtinë,

4.    Vilajeti i Kosovës, Sh. Rrahimi, Prishtinë 1970

5.    Tahir Abdyli, Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare Demokratike (1908-1933).

6.    “Rilindja” dhe shtypi i kohës Prishtinë 1992-2009

7.      Jovçqeviq Andria, , Libri i XVII, Putovanje i pokret Hasan Pristine po bokolini Vucistern, Serbice i Kos. Mitrovice 1921-1923 god.

8.     Kujtime dhe Rrëfime të bashkë-kohanikëv: Rexhep S. Pllana, Jetullah dhe

Hazir  Meholli, Musli Dërvinja, Shaban. H. Pllana, Januz dhe Imer a. Pllana, Shtrojerë. Liqen, Ramë R. Pllana Balincë, Hajzer T. Shyti Ashlan, Rrukë dhe

Bajram Rr. Muzaka (Muzaçi), Zhemë Gërkuri-Krasniqi Fjer, Beq Qubreli, Mehmet dhe Ahmet  Qubrel, Qubrel, Stamboll, Turqi.

9.     Mbaj të drejtën e autorsisë nga takimet dhe shënimet me një pjesë të këtyre burrave, sidomos me tim gjysh, në shtëpinë e të cilit, Hasan Prishtina, Isa Buletini e patriot të tjerë, si Emin Lati, Bislim Bajgora e shumë të tjerë kishin qëndruar, Shaban H. Pllana truproje me Musli Dërvinjën dhe Ramë Pllana, Xhemë Gerguri, Fjerë mars-shkurt 1972 dhe viteve 1958-1960 dhe 1972 në Fjerë, takimi me Ibrahim dhe Lah Gashi nga Kotori, Fushë-Krujë gjithashtu 1972, Tiranë, Durrës, Krujë, Laç, Shkodër në shtëpinë e Jashar J. Meholli etj.

(Autori Q. Pllana publicist, historian, anëtar i LSHK, Lidhjes së  Shkrimtarve të Kosovës, kolumnist i njohur në masmedian kombëtare, Prishtinë, janar 2013.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx