E hene, 05.05.2025, 02:31 PM (GMT+1)

Faleminderit

Hyqmet Hasko: Petro Marko, shkrimtari që çeli shtigje të reja në prozën moderne shqiptare

E merkure, 16.01.2013, 11:02 PM


Petro Marko, shkrimtari që çeli shtigje të reja në prozën moderne shqiptare

Nga Hyqmet HASKO

Petro Marko është një ndër shkrimtarët më seriozë dhe më komunikues të letrave shqipe, vepra e të cilit, veçanërisht në prozë, ka një hapësirë të gjërë këndvështrimi dhe përcjell një botë të thyer, plot ritme jete, peizazhe e tablo njerëzore, me koloritin shqiptar, i cili përshkon çdo faqe, pasazh, frazë, fjali, fjalë e shkronjë të kësaj vepre unikale.

Proza e Petro Markos është një prozë e mbrujtur me vrulle dhe pasione jete, me përplasje dhe drama të forta shoqërore e politike, me një humanizëm të kulluar, që vë në lëvizje mekanizmin romanesk të Markos dhe e bën atë krejt të veçantë e krejt të dallueshëm nga shkrimtarët e tjerë, jo vetëm të brezit të tij, por dhe të brezave paraardhës apo të mëvonshëm.

Marko hapi shtigje të reja në prozën shqiptare, të zënë në grackën kufizuese të realizmit socialist, duke i thyer konturet e këtyre kufizimeve me magjinë  e rrëfimit të tij mbresëlënës, me fuqinë e fjalës dhe të përshkrimit, me stilin e ngjeshur e dinamik,  me larminë e tipave dhe karaktereve, me gjuhën e gjallë dhe plot kolorit të brendshëm, plot trajta e figura mrekullore, që ai sjell në veprën e tij madhore.

I lënë në hije në kohën e komunizmit, i rrethuar me heshtje, keqkuptim, survejim e persekutim, shkrimtari që luftoi me armë në dorë kundër një diktature në një vend të Europës, në Spanjë, u kalvarizua nga segmente të Diktaturës në vendin e tij, vetëm për shkak të thellësisë realiste dhe fuqisë artistike të veprës së tij. Edhe sot, njëzet e ca vjet demokraci, Petro Marko prap është në gjysëmhije dhe nuk i është dhënë vendi që i takon në letrat shqipe. Me sa duket, ky është fati i të mëdhenjve, i atyre që ngrihen përmbi kohën e tyre dhe bëhen gurë kilometrikë në kujtesën e brezave, për t’u orientuar kohërat dhe bashkëkohësit e mëvonshëm.

I lindur  lindi në fshatin Dhërmi të Himarës më 1913; Petro Marko e mbarti me vete, si kujtesë, përjetim, përvojë jete e dashurie dhe si emocion krijues, jo vetëm vendlindjen e tij dhe Shqipërinë, por dhe vendet e tjera ku shkeli këmba e tij prej shkrimtari dhe luftëtari, në kërkim të të vërtetave të mohuara të botës.

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi - Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij, Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare.

Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara. Përvoja  e fëmijërisë dhe e rinisë së vështirë, shkollimi, interesat e gjëra letrare e kulturologjike, kontributi prej luftëtari e progesisti, e bëjnë jetën dhe veprën e Markos nga më interesantet, më intensivet e më të thyerat në ngjarje e përjetime, në vektorin e hapësirës së letrave shqipe.

Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936, ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23 vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internazionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1940, do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë, dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Këtë përvojë ferri e ka përshkruar me nota të thella realiste dhe me një stil brilant në romanin e tij të mirënjohur “Nata e Ustikës”.

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin '44, Petro Marko do të marrë pjesë në radhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rresht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t'i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kufijve administrativë, e kryesisht diktati që vinte nga Beogradi.

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha, me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që e kanë njohur nga afër Petro Markon, e kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai e përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë, ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie.

Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista"(1958) dhe "Qyteti i fundit"(1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet '70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës"(1989).

Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit", në vitet '60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Në këto romane ka një diapazon të gjërë humanizmi dhe realizmi, pra nuk është fjala për rrumbullakësimin e një përvoje krijuese, por përkundërazi për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jonatyrshëm në rrjedhat letrare shqiptare, ishte një synim që rrëfimi romanor, pjesërisht në vitet '40, '50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, si univers krijues dhe si spektër tematik.

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin jashtë skeme dhe dinjitoze dhe si realizim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen, u pritën ngrohtë e me interes dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triunfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendëshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore dhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Faqet më të bukura dhe më fuqishme të prozës së Petro Markos rrëfejnë botën madhore të njeriut të vërtetë përballë dhunës dhe mizorisë së tiranisë, reflektojnë triunfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.

E thënë ndryshe, ky individualitet i shquar dhe i papërsëritshëm  sjell në letërsinë shqipe një zë të fortë dhe kumbues, me një diapazon të gjërë narrativ dhe filozofik, me një stil të ngjeshur e dinamik, plot thyerje e muzikalitet, me një botë të madhe përjetimesh, mbresash, kujtesash, emociononesh, të përpunuara me një gjuhë të mrekullueshme në një labarator krijues befasues. Kamera e tij vëzhguese rrok një gamë të gjërë ngjarjesh, dukurishë, tabloshë jetësore, duke përzgjedhur në tipat dhe ngjarjet jetësore ato që sjellin më shumë mesazhe, sigurisht të transfiguruara e të pasuruara me anë të një estetike narrative të pashoqe në letrat tona kombëtare.

Idealist i lindur, që në moshë fare të re vajti vullnetarisht të luftonte në Spanjë kundër Dikaturës së Frankos, krahas me shumë vullnetarë të tjerë nga Shqipëria dhe këtë përvojë madhore, një botë mbresash e përjetimesh marramendëse i përcolli në romanin e tij mbresëlnës, një ndër romanet më të mirë të letrave shqipe “Hasta la vista”. Ky roman është një hymn i lirisë së munguar, një apoteozë e dashurisë dhe humanizmit përballë ingranazheve të vdekjes dhe tjetërsimit. Është një narracion i mrekullueshëm ku përzihet  lufta  dhe  erotika, plagët dhe puthjet, ëndrrat njerëzore dhe vulgariteti e dhuna, një sagë mbresëlënëse për fatin e njeriut në luftë me forcat e errëta të shoqërisë, në një kohë të vështirë, plot kthesa e befasime.

Gjithë peizazhi narrativ i shkrimtarit të shquar Petro Marko është një peizazh i përndezur nga sharmi vezullues i të papriturës, i të panjohurës, i kundërvënies së forcave progresive, që përfaqësojnë dritën dhe dashurinë në shoqërinë njerëszore, me forcat e errëta që përfaqësojnë luftën, dhunën, brutalitein dhe vulgaritetin njerëzor.

Tituj të veprave të Petro Markos janë:   Hasta la vista (1958)     Qyteti i fundit (1960)    Një emër në katër rrugë,     Ara në mal,     Nata e Ustikës (1989)   Shpella e piratëve,  Vepra autobiografike, Intervistë me vetveten, Retë dhe gurët.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi shkrimtarin Petro Marko, i cili dha aq shumë për letërsinë kombëtare,  me Urdhrin "Nderi i Kombit". Emrin e Petro Markos mbajnë rrugë dhe institucione të rëndësishme kulturologjike, por gjithësesi, në raport me veprën e tij të pasur dhe të fuqishme, që çeli shtigje të reja në letrat tona kombëtare, emrit të tij ende nuk i është dhënë vendi i merituar në kulturën kombëtare, në të cilën ai vuri gurë themeli, me një art të magjishëm, përtej të zakonshmes. (Mjafton të përmendim faktin që nuk është botuar ende kolana e plotë e veprës së prozatorit të madh, i cili i bën nder jo vetëm letërsisë së botës shqiptare, kudo  ku shkruhet e flitet shqip, por dhe letërsisë europiane, në tokën e të cilës ai brodhi gjithë jetën, në kërkim të ëndrrës së kulluar).

Busti i Petro Markos në Dhërmi (Foto nga Gëzim Llojdia)



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx