E enjte, 02.05.2024, 08:22 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: 545 vjetë ma parë, vdiq Gjergj Kastrioti

E hene, 14.01.2013, 07:00 PM


545 VJETË MA PARË, VDIQ GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU

Nga Fritz RADOVANI

Shqiptarët nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Ishte shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet Ilire emnin Shqiptar. Ishin Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue Epopenë e Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut…

Janë edhe sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave të Atyne Burrave, që per Lirinë e Atdheut, vdiqën si me lé per Idealin e naltë: “Atdhé e Fé”!

Janë mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka njohë historia, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës së Krujës sonë Heroike.

Janë Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathame edhe sot!

Janë gurrat e lumejëve dhe të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit! Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njohuna të globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue e ndryshue historinë!

Janë pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal...e jo, ma ndej!”, dhe, po prap... mbi gjurmët e Tij, Shqiptarët vazhduen luften per mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kerkoi Atdheu per Até dhane edhe jeten. E ku janë Varret e Tyne të bekueme!?

Ku janë Emnat e bashkluftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!

Jo bré, kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje” të dytë edhe ma mizore se e para! Per ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha jeten Dedë Gjo’ Luli?!...Per ké dha jeten Shqiptari i Hotit, Grudës, Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit..?! E Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?! – Askush nuk di me tregue! Per ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi i Hotit Gjelosh Luli?! E Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku endè, gurtë e tij janë të skuqun...nga një Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin e një epoke gjakatare, të ardhun naten per hanë e groposë nga sherbëtorët e sllavokomunizmit, gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para pesëqindvjetëve, që erdhën nga pyjet e Kaukazit...

Ku janë bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën Stambollin, e sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave fillore?! Kush mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,  Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).

Mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta emnin e Kastriotit...

***

Me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë në Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e rindertueme prej Tij.

Besniku i Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët tregohet se ndodhej në Romë, ku me të mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të Arbënisë atje,  Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni... “per me marrë nga e veja dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me garnizone venedikase, të Krujes dhe të kështjellave të tjera.” (Fan. S. Noli, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” fq. 148)

Ma vonë iku dhe e veja Donika e Gjoni, në mbretninë e Napolit mos me u kthye ma!

Në vitin 1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin e tij, që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali...” (F.S.Noli, po aty, fq. 148)

Sebeliku na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.” (F.S.Noli, fq. 149)

***

Iku Imzot Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën gjeneralë, klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë... Kam lexue dhe jam interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të dijetarëve dhe shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani, Milan Shufflay, At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Daniel Gjeçaj, Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad Gjolaj, dhe nuk kam mujtë me gjetë të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka kam permendë ma siper se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne do t’ ishte me shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht e mujtun që askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e Heroit tonë Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”

E prap...vazhdoj me mendue!

Emni i Gjergj Kastriotit asht Emni ma i shejtë dhe ma i bekuemi per çdo Shqiptar!

Ai vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora