| E hene, 14.01.2013, 07:00 PM |
545 VJETË
MA PARË, VDIQ GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU
Nga Fritz RADOVANI
Shqiptarët
nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe
Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Ishte
shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet Ilire emnin Shqiptar. Ishin
Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue Epopenë e
Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut…
Janë edhe
sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave të
Atyne Burrave, që per Lirinë e Atdheut, vdiqën si me lé per Idealin e naltë:
“Atdhé e Fé”!
Janë
mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka
njohë historia, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës së
Krujës sonë Heroike.
Janë
Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathame edhe sot!
Janë
gurrat e lumejëve dhe të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona
ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap
sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit! Janë shtatoret e
Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njohuna të globit, e prap ka
nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue e ndryshue historinë!
Janë
pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal...e jo, ma
ndej!”, dhe, po prap... mbi gjurmët e Tij, Shqiptarët vazhduen luften per
mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kerkoi Atdheu per Até dhane edhe
jeten. E ku janë Varret e Tyne të bekueme!?
Ku janë
Emnat e bashkluftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!
Jo bré,
kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje” të
dytë edhe ma mizore se e para! Per ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha
jeten Dedë Gjo’ Luli?!...Per ké dha jeten Shqiptari i Hotit, Grudës, Dardanisë,
Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit..?! E Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?!
– Askush nuk di me tregue! Per ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi
i Hotit Gjelosh Luli?! E Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku endè, gurtë e
tij janë të skuqun...nga një Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin
e një epoke gjakatare, të ardhun naten per hanë e groposë nga sherbëtorët e
sllavokomunizmit, gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para
pesëqindvjetëve, që erdhën nga pyjet e Kaukazit...
Ku janë
bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën Stambollin, e
sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave fillore?! Kush mundet
me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e
malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta
Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit,
Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,
Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi
i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit,
Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i
Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku,
Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup
Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe
Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).
Mohohen
veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e
të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta emnin e
Kastriotit...
***
Me daten
17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë në
Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e rindertueme
prej Tij.
Besniku i
Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët tregohet se ndodhej në Romë, ku me të
mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të Arbënisë atje, Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni... “per
me marrë nga e veja dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me
garnizone venedikase, të Krujes dhe të kështjellave të tjera.” (Fan. S. Noli,
“Gjergj Kastrioti Skenderbeu” fq. 148)
Ma vonë
iku dhe e veja Donika e Gjoni, në mbretninë e Napolit mos me u kthye ma!
Në vitin
1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin e tij,
që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali...” (F.S.Noli, po aty, fq.
148)
Sebeliku
na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës
së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku
kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.”
(F.S.Noli, fq. 149)
***
Iku Imzot
Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën gjeneralë,
klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë... Kam lexue dhe jam
interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të dijetarëve dhe
shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani, Milan Shufflay,
At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Daniel Gjeçaj,
Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad Gjolaj, dhe nuk
kam mujtë me gjetë të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka kam permendë ma siper
se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne do t’ ishte me
shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht e mujtun që
askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e Heroit tonë
Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”
E
prap...vazhdoj me mendue!
Emni i
Gjergj Kastriotit asht Emni ma i shejtë dhe ma i bekuemi per çdo Shqiptar!
Ai vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.