Faleminderit
Lindita Sejdiu: Lazim Destani - ''Nderi i Kombit''
E hene, 31.12.2012, 06:04 PM
Në vend
të profilit për Lazim Destanin
Përsosje e vetvetes për të mirën e përgjithshme
Një popull mund të quhet me fat kur në gjiun e vet ka personalitete që bëjnë dritë edhe në skutat më të errëta të kohëve dhe hapësirave. Sigurisht që jo të gjithë popujt në botë kanë mundësi të vinë dhe të akceptojnë nga afër veçoritë identitare të shqiptarëve, por janë personalitetet shqiptare, siç është Lazim Destani, që gjatë gjithë lëvizjeve nëpër botë bartin me vete flakadanin e afirmimit të asaj që mund të quhet krenari dhe dinjitet kombëtar.
Nga Lindita SEJDIU
Janë pak
ngjarje që e bëjnë historinë dhe janë personalitetet që i japin kuptim kohës.
Shqiptarët nuk bëjnë përjashtim nga popujt e tjerë në krijimin e historisë
përmes ngjarjeve që më vonë u bënë epope. Por odiseada shqiptare ka njohur një
zhvillim më dramatik të ruajtjes së identitetit nëpër breza kohësh. U deshën
shumë sakrifica e vuajtje për të ardhur në një piedestal, kur shqiptarët me
krenari bëjnë bilancin e të arriturave kombëtare. Ishte 100 vjetori i
pavarësisë së Shqipërisë, që sapo u kremtua në mbarë hapësirën shqiptare, ajo
pikë kulminante e rikapitulimit të një epoke të lavdishme të shtetformimit.
Megjithatë ishte edhe amaneti i plejadës së ideologëve e patriotëve shqiptarë
për të punuar në bashkimin e vlerave shqiptare nën një kulm europian e
civilizues.
Një pikë
e veçantë që bashkoi energjitë dhe motivet e shqiptarisë në këtë jubile të
madh, ishte edhe emri i përveçëm me dimensione të shumëanshme i një
personaliteti. Ai është emblema e një familjeje fisnike tetovare, që dekada me
radhë mbajti të gjallë motivin për punë, respekt dhe solidaritet. Njerëzit që e
shqiptojnë emrin e tij, në fakt aktivizojnë memorien e cila të rikthen në kohët
e shkuara kur një dalosh i çiltër i Malësisë së Sharrit, në valixhen e
kurbetçarit kishte futur jo vetëm bukën e udhës, por edhe porositë e babait për
mos ta harruar vendin e të parëve. Do të kalojnë shumë kohë dhe kjo porosi do
të ngelë kod identifikues i këtij personaliteti. Prandaj, gjithçka që lidhet me
të këto ditë nuk është e rastësishme. Nuk ishte e rastësishme edhe vendosja nga
ana e tij e një Shqiponje gjigante në qendër të Tiranës, si dhe marrja e çmimit
“NDERI I KOMBIT” për kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e vlerave
shqiptare nëpër botë.
Ata që
kanë mundur të ndjekin nga afër rrugëtimin e këtij personaliteti, nuk e kanë
vështirë të zbulojnë se për kend bëhet fjalë. Posa të shtypim butonin e
kërkimit të fjalëve që asocojnë në atdhedashuri, në bujari e fisnikëri, por
edhe në bëmirësi e solidaritet, me lehtësi do të mund të fokusonim emrin e
Lazim Destanit, një kampion i pashoq i dijeve e përvojave të sublimuara në
modelin e biznismenit të suksshëm, të familjarit të devotshëm dhe mikut të
pakrahasueshëm. Ardhja e tij në arenën e madhe të suksesit, nuk ishte e
rastësishme, sepse iu desht që brenda asaj arene të zhvillojë beteja të shumta
për të triumfuar mbi pengesat që ia kishte sjellur koha.
Një
popull mund të quhet me fat kur në gjiun e vet ka personalitete që bëjnë dritë
edhe në skutat më të errëta të kohëve dhe hapësirave. Sigurisht që jo të gjithë
popujt në botë kanë mundësi të vinë dhe të akceptojnë nga afër veçoritë
identitare të shqiptarëve, por janë personalitetet shqiptare, siç është Lazim
Destani, që gjatë gjithë lëvizjeve nëpër botë bartin me vete flakadanin e
afirmimit të asaj që mund të quhet krenari dhe dinjitet kombëtar.
Nuk është
i pasur ai njeri që posedon të mirat e botës, por një njeri që pasurinë e
shpirtit dhe zemrës e ka kapitalin më të madh. Lazim Destani njihet pikërisht
me këtë pasuri, sepse në botë ka shumë miliarderë, por ka pak prej tyre që
ngrysen dhe zgjohen me ndjenjën e të qenit solidar dhe bashkëvuajtës. Ka pak
prej tyre që e kthejnë kokën prapa të shikojnë prej nga kanë ardhë dhe kush
janë faktorët që u kanë sjellë begati materiale. Ndër ata të paktë është pikërisht
Lazim Destani që edhe atëherë kur ndjehej vetmia dhe trysnia nën pushtues, ai
diti t’ua tregojë udhën njerëzve se kah shkohet më shpejt në vendlindje dhe
anasjelltas, edhe atëherë kur shumë prindër kishin probleme si t’i orientojnë
fëmijët e tyre në mërgim, ai diti të bëhet udhërrëfyes për t’u lënë trashëgim
fëmijëve të tij një model të veçantë të afarizmit dhe menaxhimit.
Mund të
thuhet edhe shumëçka dhe sërish të ngelet e paplotësuar lista e gjatë e pikave
që formojnë mozaikun e madh të këtij profili, sa njerëzor, po aq edhe moral e
shpirtëror. Por, ajo që do të mjaftonte të mbahej mend për t’u quajtur vlerë
kurrë e pa skaduar është rrjedha e pandalshme e këtij njeriu drejt përsosjes së
vetvetes për të mirën e përgjithshme.