Faleminderit
Mustafë Rugova: Profesori im i nderuar - Rexhep Podrimaj
E shtune, 15.12.2012, 10:09 AM
DY FJALË
PËR PROFESORIN TIM TË NDERUAR
Nga Mustafë Rugova
Dy dekada
më parë, pak para festës së dritës, në motmotin e 1989, pikërisht me 15
dhjetor, u përhap lajmi i idhët se ishte nda nga jeta misionari i dijes,
pishtari i arsimit shqip, tribuni i lirisë, Rexhep Podrimaj, duke na lënë ne të
gjallëve një mal me kujtime të ëmbla, por edhe një dhimbje të madhe në shpirt.
Me
ardhjen e plejadës së parë të mësimdhënësve nga Shqipëria në Kosovë, më 1941,
ishin vendosur themelet fillestare të arsimit shqip gjithandej në trevat
shqiptare jashtë Shqipërisë administrative. Ardhja e mësuesëve nga Shqipëria
kishte ngjallur dashuri dhe deshirë të madhe në secilen votër shqiptare, në veçanti tek brezi i ri, prandaj
edhe të rinjtë e Fushëmirës të asaj kohe, që deri atëherë nuk kishin pasë
rastin të uleshin në bankat shkollore, i ishin gëzuar shumë ketij fakti fatlum.
Deri në atë kohë, ata, mësimet për historinë dhe kulturën kombëtare, i kishin
marrë vetëm nëpër oda nga rapsodët dhe
nga pleqtë mendtarë. Tashmë u kishte ardhë çasti që praktikisht të dëshmoheshin
se vërtetë ishin të etur për dije.
Falë
rrethanave që u krijuan mbas shkatërrimit të Jugosllavise, në vitet 1941 -
1944, u shkolluan tetë djem të Fushëmirës. Gjashtë prej tyre morën diploma
mësuesije, ndërsa dy të tjerë kishin bërë shkollën e mesme administrative. Ai
që i parapriu kësaj nisme të shenjtë, ishte padyshim Rexhep Podrimaj, njëri
prej pishtarëve të arsimit dhe
intelektualëve më autoritar në Rrafshin e Dukagjinit.
Rexhep
Podrimja u lind në Cerrrallukë (Fushëmirë) të Istogut më 1925, në kullën e
babgjyshit plak, Niman Podrimës…; në një mjedis ku historia e kombit ligjerohej
thekshëm, ku vargjet e Lahutës së
Malësisë mësoheshin dhe këndoheshin përmendsh, si dhe shumë libra të tjerë të
Shqiperisë së vjetër, që ruheshin me fanatizëm në hatullat e kullave, aty, ku
pa nda, kuvendohej për qëndresë dhe
përpjekje të parreshtura të paraardhësve tanë nëpër shekuj.
Gjatë
pushtimit italian, Rexhep Podrimaj, tashme i rritur, inteligjent, i zellshëm
dhe energjik, punoi pak kohë në Këshillin e vendit në Banjë-Ilixhë si nëpunës.
Nga kjo detyrë fitoi një përvojë pune administrative. Por ajo që është me
rëndësi të thuhet është se Rexhepi hapat e parë të karrierës së tij i kishte
bërë si sekretar i Mehmet Bushit, një burrë me shumë autoritet, i cili, gjatë
detyrës së tij në Senicë të Sanxhakut, i kishte marrë me vete si ndihmës Rexhep
Podrimën dhe Xhemë Elshanin…
Meqë
tashti kishte arrijtë përvojën e mjaftueshme në administratë, iu dha rasti të
punësohej në Komandën e Vendit, në Istog, ku komandant ishte Kapiteni Hysni
Rudi. Ky ushtarak i shkolluar shqiptar ishte idealist në gjak dhe në asht,
prandaj me të drejtë kishte ngjallë admiri te jashtëzakonshëm te popullata e
kësaj ane në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë kishte ndikuar te Rexhep
Podrimaj. I frymëzuar nga idealet e tij të larta atdhetare, Rexhepi ishte bërë
anëtar i organizatës martire PNDSH (Partia Nacionale Demokratike Shqiptare). Më
vonë, me ripushtimin e Kosovës, atdhetarët e paepur Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi
u arrestuan në Shkup dhe u likuiduan nga OZN-a famëkeqe. Mbas LDB-së, kur
filloi hapja edhe e shkollave shqipe, mungesa e mésimdhënësve shqiptarë ishte
jashtëzakonisht e madhe. Prandaj organet arsimore të asaj kohë kishin filluar
të organizonin aftësimin e personave të interesuar për të punuar në arsim, për
çka në disa qytete të Kosovës u organizuan kurse intensive pedagogjike me afat
të shkurtë dhe me një program elementar nga kultura e përgjithëshme dhe mësimet
e pedagogjisë.
Në
pranveren e vitit 1945/46, Rexhep Podrimaj u regjistrua në një kurs të tillë në
Prizren.
Porsa
mbaroi kursin pedagogjik, Rexhep Podrimaj u emërua mësues në shkollën shqipe, në Saradran. Banorët e këtij fshati e
pritën përzemersisht. Në mungesë të objektit shkollor, disa burra të këtij
fshati, konkretisht: Isuf Zeka, Zenun Berisha, Bajram Grabovci dhe Xhemë Tuzi
lejuan që odat e tyre të ktheheshin në salla mësimi. Vetëm në vitin 1947 në
këtë fshat u ndërtuan dy salla mësimi dhe një zyrë për arsimtarë. Rexhepi ishte
pritë aq mirë, saqë edhe sot e kësaj dite thuhet se e kanë mbajtë para duarsh.
Në këte
shkollë Rexhepi qëndroi vetëm gjashtë muaj, sepse pushteti i atëhershëm, kur po
e shihte që kuadrot shqiptarë po përparonin në mësimdhënije, ua ndërpriste
hovin, madje kishte si metodë që t’i transferonte mësuesit sa më larg familjes
për t’ua bërë jetën të veshtirë. Me largimin e Tij nga kjo shkollë, nxënësit
dhe banorët e këtij fshati, në shenjë
paknaqësie, kishin vendosë të shkonin para Kuvendit Komunal, ku kishin
protestuar, por megjithate transferimi ishte i pakthyeshëm: e dërguan si mësues
në fshatin Shtupel të Klinës.
Edhe
këtu, ngjashëm si në fshatin Saradran, të gjithë banoret e fshatit e kishin
pritë mirë dhe i kishin premtuar se do
të bënin gjithçka të mundëshme që t'ia lehtësonin mësimdhënjen, por një pritje
madhështore e që do të mbahet në mend ia kishte bërë Rexhep Bojaj.
Mandej
Rexhep Podrimën e transferuan në shkollën fillore në Banjë të Pejës, kështu që
deri ne vitin 1949, Ai punoi në tri shkolla fillore. Për një kohë relativisht
të shkurtë Rexhepi kishte hapë dy shkolla shqipe. Por edhe nga kjo shkollë do
ta ndiqnin pa i bërë dy muaj. Dhe nuk u mjaftuan vetëm me largimin nga puna,
por edhe e burgosën.
Rexhep
Podrimën e mbajtën në burg gjashtë muaj dhe e keqtrajtuan mizorisht. Për këtë
flet vëllai i tij, Ademi, i cili kishte shkuar në burg për ta vizituar … : “Në
përfundim të vizitës m’i dha teshat për t’ia larë familja. Kur u hodha një sy
teshave, pashë se ishin të përskuqura në gjak. E pyeta me habi se çka kishte ndodhur,
e ai më tha: "Asgjë…, kam vjellë gjak." Para se të vija në shtëpi, u
ndala te Ledinat e Kamenices, ku i kam larë teshat e tij në një vadë dhe kam
pritë deri sa të tereshin, sepse nuk doja që të shikonte nana gjakun.
Në vitet
1946-1949, në rrethin e Istogut ishin
hapë gjimnaze të ulëta në katër mjedise: në Gurrakoc, në Vrellë, në Rakosh dhe
në Klinë. Rexhepi, si arsimtar veçanarisht i dalluar, pranohet si mësimdhënës
në gjimnazin e ulët, në Gurrakoc, ku mbrenda viteve 1949-50 ai ligjeroi në disa
lëndë mësimore. Në këté kohë, deri sa punonte ne gjimnaze te ulta, kishte kryer
shkollën normale, më pas edhe Skollën e Lartë Pedagogjike dhe më vonë edhe
fakultetin, degën e historisë.
Mbas një
kohe, transferohet në gjimnazin e ulët në Rakosh e pastaj, më 1953, në atë të
Istogut.
Mbas LDB,
komunistët serbë dhe veglat e tyre në Kosovë praktikonin skeçin ideologjik si
mjet për «vetëdijësimin e masave »…Në to inskenoheshin përballje vulgare në mes
partizanëve dhe ballistëve. Me qëllim të evitimit të shpëlarjes së trurit të
popullsisë, mësimdhënësit e gjimnazit të ulët në Istog vunë në skenë vepra të
njohura letrare si « Besa » e Sami Frashërit dhe « Sikur të isha djalë » e Haki
Stërmillit. Keto pjesë teatrale u shafaqën disa herë para publikut jo vetëm
atij istogas. Entuziasmi i artistëve amatorë dhe porosia që përçonin këto vepra
letrare bënë që ato të ndikonin shumë në krijimin e një vetëdijeje atdhetare e
arsimdashëse kudo që u shfaqën.
Në atë
kohë Abdurrahim Gashi ishte inspektor i arsimit, i cili gjatë inspektimit
shprehet per RexhepPodrimën me fjalët më të zgjedhura: "Sa herë kam qenë
në inspektim te Podrimja kam mbetur shumë i kënaqur me punën dhe aktivitetin e
Tij në të gjitha shkollat ku Ai ka punuar… Në njërin prej raporteve të
shkollave, mbajtur para mësuesëve të rrethit të Istogut në fund te vitit
shkollor 1953/1954, thuhet shprehimisht: Në gjimnazet e ulta të Rrethit të
Istogut ndër mësimdhënësit më të mirë kanë qenë: Besim Rizvanolli, Rexhep
Podrimaj, Abdurrahim Kelmendi, Ramë Alihajdari, Engjell Berisha dhe Rexhep
Kabashi".
Një fakt
interesant,madje shumë mbresëlënës na e jape edhe Prof.dr.Ismet Dermaku inspektor i lartë i
historisë i asaj kohe, që ka pasur për profesorin e nderuar: "Rexhep
Podrimen kam pasur fatin ta inspektoj në atë
kohë në Normalën e Pejës dhe mund t'ju them edhe sot e kësaj dite e mbaj
mend si një profesor të spikatur dhe të pa shoq në Kosovë. Ai atëherë ka pasë
vetëm SHLP të kryer,por askush nuk i është ofruar atij,si nga ana
pedagogjike,poashtu edhe nga ana profesionale. I sygjerova të vazhdojë
studimet. Ai me premtoj, kështu që
brenda një afati rekord arrijti ta mbaroj fakultetitn dhe atë me
sukses të lartë. Që nga ai moment unë kurrë me nuk kam ndier
ndonjë nevojë që ta inspektoj."
Rexhep
Podrimaj në çdo kohë, madje edhe atëherë kur në programet shtetërore për arsim
nuk ishte e lejuar të shpjegohej historia jonë kombëtare, Ai, përkundër
rreziqeve, bënte të kundërtën: me një kujdes të posaçëm u mësonte fëmijëve
historinë e shqiptarëve.
Në vitet
pesëdhjeta autoritetet pushtuese intensifikuan terrorin kundër shqiptarëve. Në
këto vite u organizua Aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve, që shkaktoi një
eksod të dhunshëm e masiv të shqiptarëve në Turqi. Në ato vite, një terror i
posaçëm u ushtrua sidomos kundër mësuesëve dhe intelektualëve të pakët që
kishte Kosova. Në këtë valë persekutimesh u nxorën nga puna dhe u burgosën edhe
arsimtarët e Istogut: Rexhep Podrimaj, Besim Rizvanolli dhe Xhemë Blakaj.
Kësaj
radhe Rexhep Podrimën e dënuan me 9 muaj dhe 2 vjet rresht nuk e lejuan ta ushtronte
profesionin e mësuesisë.
Ai ishte
bërë ferrë në sytë e regimit, sa që njëri prej pykave kryesore komuniste të
komunës, në një mbledhje publike, kërkoi që Rexhep Podrimaj të shpallej armik
dhe të mbahej në burg për një kohë sa më të gjatë… e jo ashtu herë në burg e
herë në liri…
Në vitet
60-ta pranë gjimnazit të Pejës ishte hapë një paralele e shkollës normale. Me
që nevojat për mësimdhënës ishin shumë të mëdha, Rexhepi, mbasi kishte
përvojën, por edhe kualifikimin e përshtatëshëm, pranohet si mësimdhënës. Por
edhe në Pejë zagarët e UDB-së e ndiqnin si bishën, deri sa e pushuan nga puna
për 4 vjet rresht.
E kthyen
në punë vetëm pas Plenumit të njohur të Brioneve, më 1966, kur u rrëzua nga
pushteti serbomadhi i thekur, Aleksander Rankoviç.
Prej
atëherë Rexhep Podrimaj punoi si profesor i historisë në Gjimnazin e Pejës deri
në vitin 1986, kur doli në pension.
Rexhep
Podrimaj kudo në Rrafshin e Dukagjinit ka qenë përsonifikim i burrit të zgjuar
e të vendosur, i mësimdhënësit të përkushtuar e i adhetarit të paepur. Kudo që
u ndodh profesori, në shkolla apo në odat e Dukagjinit, të gjithë të pranishmit
e dëgjonin me kurreshtje dhe respekt. Në
ligjeratat e Tij, sidomos kur fliste për epokat dhe për figurat e
levizjes sonë kombëtare që nga lashtésia e kendej, të krijonte përshtypjen dhe
të ngjallte ndjenjen sikur këto figura po zbrisnin në orët e mësimit dhe po
shqoqëroheshin me ne.
Nxënësit
e tij edhe sot, ashtu si dikur, flasin për mësuesin e tyre me admirim e mahni.
Sepse, pavarësisht ndjekjeve të parreshtura të regjimit, ai nuk u ndal kurrë së
përçuari tek nxënësit e tij idenë e pavdekshme të lirisë. Ai kishte një
përgatitje të themelshme profesionale dhe një dhunti antike prej oratori.
Rexhep
Podrimaj asnjëherë nuk u nënshtrua para persekutimeve të përhershme të regjimit
dhe të mashave të tij. Ai jetoi dhe vdiq si shëmbëlltyra më e shkëlqyer e
Mësuesit dhe Tribunit të Popullit.
Për skicimin e portretit të Profesorit tim, në masë të madhe jam mbështetë tek të dhënat që kam marrë nga vellai i tij, z.Adem Podrimaj, nga veterani i arsimit shqip në rrethin e Istogut, z. Abdurrahim Gashi, si dhe nga z. Halit Elshani.