Faleminderit
Ukshin Zajmi: Fetah Mehmeti - Regjisor rrebel me fantazi të shfrenuar
E hene, 03.12.2012, 06:55 PM
Regjisor
rrebel me fantazi të shfrenuar
(Në 10-vjetorin e vdekjes së Fetah Mehmetit)
Ekskluzive nga Ukshin Zajmi
Kaluan
dhjetë vite, pa e kujtuar thuaja asnjëherë, askund e nga askush Fetah Mehmetin, aktorin dhe
regjisorin gjilanas që la gjurmë në skenën teatrale të Gjilanit, të Kosovës e
të Maqedonisë. Talenti i tij në aktrim u hetua në shkollën fillore e sidomos u
deshmua në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit, ku luajti rolin e Rikardit në
dramën “Monserati” të Manuel Roglles. Pas këtij roli, ai u mishërua me artin
skenik, dhe menjëherë, i entuaziazmuar, me shokët e vet gjimnazist bëri regjinë
e dramës “Karvani i bardhë” të Azem
Shkrelit. Këto dy shfaqje, atbotë i pat shikuar edhe Muharrem Shahiqi, atëherë
aktor i dramës shqipe në teatrin e kombësive në Shkup. Pas disa kohësh, kur
teatrit në Shkup i nevojiteshin aktorë të rinj, ai e fton Fetahun që të merr
pjesë në audicion për aktor, madje edhe i ndihmon për përgatitjen e tij.
Fetah
Mehmeti në Teatrin e kombësive në Shkup ia fillon punës në sezonin 1968/69 dhe
në këtë teatër ka aktruar në pjesët teatrale: “Tom Sojeri” të Mark Tuenit, “E
ikura”, “Karanevalet e Korçës” të Spiro Çomorës, “Ilirët”, “Fërfëllanza”,
“Maçori me çizme” të Sharl Peros, “Rrugica e miut”, “Elektra” e Sofokliut (me
këtë pjesë, ky teatër vizitoi Shqipërinë, por Fetahu nuk mori pjesë, sepse u
lëndua në një akcident komunikacioni dhe rolin e tij e luajti Qemajl Hajdini),
“Varret e pafajshme” të Muharrem Shahiqit e Qemajl Hajdinit, “Bota” e
Branisllav Nushiqit, “Pamje nga ura” në regji të Sefo Beto Krasniqit, dramë të
cilen e ka gjiruar Televizioni i Prishtinës, e ndonjë tjeter. Gjatë kësaj kohe,
pos roleve që i përgatiste në Teatrin e kombësive, ai merrte pjesë edhe në
përgatitjen e shfaqjeve, sidomos në Gjilan, në vendlindjen e tij, dhe në disa
qytete tjera të Kosovës.
Fetah
Mehmeti në vitin 1977 regjistron akademin e arteve dramatike-drejtimi i regjisë
për film, teatër e Televizion në Beograd, gjeneratë kjo në të cilën studiuan
edhe Selami Taraku, Emin Halili, Hysein Dakaj, Artan Skenderi dhe Isa Qosja. Në
vitin 1981 Fetahu e kryen këtë akademi dhe fillon punën si regjisor në
Televizioni e Prishtinës. Si student në Beograd realizoi shumë filma të
metrazhit të shkurtër, prej të cilëve sukses të madh arriti me filmin 23
minutësh “Kur engjujt marshojnë” me të cilin edhe ka diplomuar.
Gjatë
karierës së tij, Fetah Mehmeti banë regjinë e këtyre pjesëve teatrale: në
Teatrin amator të Gjilanit “Filokteti” Hajner Miller, “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur” Ismail Kadare, “Drenusha” Nebil Duraku, në dramën turke përgatit shfaqjen
“Yrük Osman” dhe pjesën “Anna drumo” me
dramën rome. Në Ferizaj ka bërë regjinë e pjesëve: “Dërvishi dhe vdekja” të
Mesha Selimoviqit, “Rrushi ka nisë me u pjekë” të Sinan Hasanit, “Kekeci dhe
Mojsa” të Josip Vandotës, “Një natë e trubullt” të Sinan Hasanit, “Flutura në
shi” të Hevzi Sylejmanit. Në Gjakovë ka bërë regjinë e “Halili dhe Hajrija” të Kolë Jakovës dhe
“Daullet e Varrimit’, ndërsa në Prizren
realizoi “Kthimi i Euridikës” të Edi Shukriut dhe “Gof” të Anton
Pashkut. Në Teatrin popullor të Prishtinës bëri regjinë e “Lojës” së Semjuel
Beketit dhe “Vegullinë” e Beqir Musliut.
Në
Televizionin e Prishtinës ai bëri regjinë e emisioneve të ndryshme, ndërsa
realizoi edhe filmin televiziv “Lamja e Liteja” sipas skenarit të Eqrem Bashës
dhe së bashku me Emin Halilin realizuan edhe dramën “Fluturimi i Micakut”.
Vlenë të
theksohet se Fetah Mehmeti ishte përson që më këmbëngulje mbronte deri në
ekstrem mendimin e vet, por që në ndonjë kundërshtim nga shoqëria, ai lexonte
dhe kur kuptonte se ai nuk ka të drejtë, këtë e pranonte, e kur nuk gjente
argumente për të kundërshtuar mendimin e tij, ai nuk kthehej. Ndonëse ishte i
shoqërueshëm, ai ishte i paskrupullt në të padrejtën, por që edhe mbronte
shoqërinë dhe vendin e punës. Këtë e dëshmon kolegu i tij i punës Mejdi
Alidemi, i cili thot se, një herë kur shkuan në Beograd për të shfaqur një
pjesë teatrale në sallën “Gjuro Sallaj” ,te dyve u ishin shkoqur këpucët,
ndonëse ishin aktor profesionist. Me Fetahun shkuan te një këpuctar, dhe kur
mjeshtri i pyeti se ku punojmë, Fetahu reagoi i pari duke thënë se janë
punëtorë krahu dhe ngarkojnë e shkarkojmë thëngjill.
Për punën
e Fetah Mehmetit si regjisor, aktori gjilanas Muharrem Sylejmani e cilëson si
regjisor rrebel me fantazi të shfrenuar që krahasohej me regjisorët më të
famshëm botëror të kohës kur ai punoi. Këtë e dëshmon edhe Faik Hetemi,
realizator i skenografisë në teatrin e Gjilanit, tash në pension, i cili në
vitin 1986 në Kullë të Vojvodinës, ku mbahej festivali i teatrove amatore të
Serbisë, ka dëgjuar nga kritikët serb të teatrit, ta kenë përmend si shfaqje me
regji që mbahet mend “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të Teatrit të Gjilanit
me regji të Fetah Mehmetit, e që në këtë festival është prezantuar 10 vite më
herët. Aktori Raif Haziri në Teatrin e Gjilanit, thot se, prej të gjithë
regjisorëve me të cilët kam bashkëpunuar, është Fetah Mehmeti i vetmi që më ka
detyruar të kryej detyra shtëpie për rolin që e kam interpretuar. Nga e gjithë
kjo shihet se Fetah Mehmeti i lindur në
Gjilan, në vitin 1946, ka qenë një krijues teatral vizionar në kohën e tij, por
që ka pasë ves jo të mirë, të sjelljes së një bohemi, gjë e cila bëri që në moshën 56 vjeçare, të vdes në
vitin 2002, në Suedi. Është për t’u habitur se si, deri më tash askujt, në
Gjilan, Shkup e në Radiotelevizionin e Prishtinës, nuk i ra ndërmend që së
paku ta përkujton këtë përsonalitet që
la gjurmë në artin skenik e elektronik me
ndonjë shkrim apo ndonjë tubim.