Faleminderit
Selahedin Velaj: Dr. Ramazan Turdiu më la lamtumirën
E hene, 19.11.2012, 08:31 PM
Dr.
Ramazan Turdiu, pas shtatë dekadash miqësie më la lamtumirën e fundit
Një miqësi e jashtëzakonshme ekzistonte midis ne të dyve.
Nga: Dr. Selahedin Velaj
Lajmi i
dhimbshëm këto kohët e fundit për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër
Ramazan Turdiu më ka tronditur shumë.
Dr.
Ramazan Turdiu, atë individ të mrekullueshëm e takova për herë të parë në vitin
1942 në Tiranë. Të dy ne, ishim anëtarë të rinisë të organizatës së Ballit
Kombëtar.
Detyra
jonë e përditshme ishte që të shpërndanim trakte (afishe) kundër fashizmit.
Ato
trakte i shkruanin profesorët Nexhat Peshkëpia dhe Vasil Andoni; që të dy ata
ishin anëtarë të Kryesisë së Ballit Kombëtar.
Pothuajse,
çdo ditë, unë dhe Ramazan Turdiu paraqiteshin në librarinë e Lumo Skëndos për
të marrë materiale të tjera. Të dy ndjeheshim të lumtur që edhe ne bënim diçka
në shërbim të atdheut tonë për ta shpëtuar nga thundra e yakomonit dhe
xhelatëve të tij.
Unë, për
ta bërë bashkpunimin dhe miqësinë më të ngushtë, e ftova të vizitojë Vlorën dhe
shtëpinë time që ndodhet në Ujin e Ftohtë.
Atëkohë,
ishte mesi i muajit shtator. Ramazani u habit dhe ndjeu kënaqësi kur pa bahçen
e shtëpisë sime me pemë frutorë. Fiku ishte mbushur plot me kokra të reshkura.
Ishte një lloj fiku që degët e tij bënin fiq të bardhë, të kuq dhe të zinj.
Ishte
hera e parë për të që po shihte një pemë të tillë, por ai u kënaq shumë, sa që
e quajti mrekulli, kur pa edhe pemët e tjera në bahçenë tonë, pjeshkë, ftonj...
Im atë,
Ahmet Velaj, si inspektor i agrokulturës të rrethit të Vlorës bënte shartime në
disa pemë për të prodhuar fruta të ndryshme në muaj të ndryshëm të stinës së
verës dhe vjeshtës.
Pasi u
kthyem në Tiranë, unë bëja pjesë në një çetë sabotuese në kodrinat e Dajtit
duke çpuar gomat e autokolonave italiane dhe disa herë edhe duke hedhur ndonjë
bombë dore, ndërsa Ramazani u nis për në Kosovë me Batalionin "Besnik
Çano"
Pas disa
muajsh u nisëm për të marë pjesë në në Kongresin që u mbajt në Berat nga
Kryesia e Ballit. Në kongres merrnin pjesë: Lumo Skëndo, Prof. Yzeir Ismaili,
Isuf Luzaj, Nexhat Peshkëpia, Vasil Andoni, Zef Pali, avokat Skënder Muço,
intelektuali Zako Muka, Ali Këlcyra si edhe një grup të rinjsh prej 10-të
vetash.
Nga fundi
i shtatorit 1944, kryesia e Ballit vendosi të transferohej nga Tirana për në
Shkodër, ku ne të dy ishim në krye të kollonës.
Në
Shkodër, ne bënim edhe detyrën e korrierit midis shtëpisë së familjes Roi ku
qendronte Mithat Frashëri, Vasil Andoni, Nexhat Peshkëpia, unë dhe vëllai im,
Petriti.
Si zyrë
komunikimi përdorej shtëpia e Prof. Zef Palit, të cilën e drejtonte Dom Zef
Shestani, i quajtur "Kryeballisti".
Nga mesi
i muajit nëntor, 1944 u kthye nga Bari i Italisë delegati ballist z. Sulejman
Meço, i ili kishte shkuar për të biseduar me autoritet aleate për të qartësuar
situatën e krijuar, veçanërisht, mbi zbarkimin e nënkuptueshëm të
parashutistëve që do të hidheshin në Shqipërinë e Jugut.
Përgjigja
e dhënë zotit Meço ishte negative dhe një zbarkim nuk do të bëhej për arësye
se, sipas marëveshjes së Jaltës, Shqipëria konsiderohej si përkrahëse e zonës
sovjetike.
Ai lajm e
tronditi shumë kryesinë e Ballit Kombëtar në Shkodër; jo vetëm që po humbisnin
të merrnin qeverinë, por fatkeqësia më e madhe e atdheut tonë ishte se po hynte
nën thundrën e "ariut" të Uralit.
Pas kësaj
përgjigjeje negative nga aleatët, Komiteti Qendror i Ballit kishte dy
rrugëdalje: Të vazhdojë luftën civile, ose të largohej nga Shkodra dhe
përkohësisht të vendosej në Itali.
Më 24
nëntor 1944 në orën 18 u nisën për në Tivar dhe që andej drejt Italisë. Herët
në mëngjes, mbëritëm në Itali, në Portin e Brindisit.
Më vonë,
komanda angleze na nisi për në Kampin "Casa Balilla" të Reggio
Emilias në Veri të Italisë.
Më të
mbërritur atje, na vendosën në një ndërtesë moderne që nuk na mungonte asgjë,
madje nuk mungonin as mjekë dhe infermierë.
Drejtuesi
i atij kampi ishte një oficer i ushtrisë italiane.
Në atë
kamp ishin të lirë të vizitonim çdo qytet të Gadishullit Apenin.
Gjatë
asaj kohe, zoti Rifat Tirana, i ati i Bardhylit dhe i vëllait që ishte delegat
i Amerikës në Kombet e Bashkuara (UNRRA) me qenër në Paris, nuk denjoi të na
vizitonte neve në kamp, ndërsa qeveria e Egjyptit na dërgonte ndihma, pako me
ushqime.
Unë dhe
Ramazan Turdiu vazhduam për disa kohë Liceun "Spallazani" në qytet.
Më vonë ai u regjistrua në Universitetin e Bolonjës, ndërsa unë u regjistrova
në Modena.
Ramazani
qendroi në Itali derisa mbaroi shkollën për farmaist, ndërsa unë, i ndërpreva
studimet dhe u nisa për në Kanada.
Pas afro
pesë vjetësh, u takuam prapë në Amerikë;
Edhe këtu
në Amerikë kontaktet i kemi patur të shpeshta edhe pse kishim punën tonë të
përditshme dhe pothuajse një pjesë të mirë të kohës e kalonim në punë dhe pranë
familjeve tona. Por çështjet e mëdha të atdheut dhe popullit tonë, bënë që ne
të takoheshim, të bisedonim, të aktivizoheshim në shërbim të komunitetit tonë.
Humbja e
mikut tim 88 vjeçar Ramazan Turdiu këto kohët e fundit më ka tronditur shumë,
nuk është e kollajtë që të harrohet miqësia jonë.
I shpreh
ngushëllimet e mija dhe të familjes sime Margaritës dhe gjithë familjes Turdiu
këtu në Sh.B.A dhe në Shqipëri.
Për
komunitetin tonë shqiptar këtu në Amerikë, u tha një degë nga lisi i
intelektualëve.
Ai burrë i nderuar shembullor intelektual, bashkatdhetar, prind... meriton të prehet në parajsë.
Dr. Selahedin
Velaj
Greenwich,
Connecticut
U.S.A.