Faleminderit
Pjetër Logoreci: Karl Ghega - Mjeshtri i ndërtimit të hekurudhës së parë malore në botë
E diele, 07.10.2012, 05:46 PM
Karl Ghega – Carl Ritter von Ghega
Mjeshtri i ndërtimit të hekurudhës së parë malore në botë.
Nga Pjeter Logoreci
Vizitori që udhëton me tren nga
Vjena në drejtim të Graz-it, mrekullohet nga pamjet e rradha të natyrës malore
të zonës të Semmering-ut. Menjëherë të mahnit bukuria e udhës së hekurt që
gjarpëron në mes faqeve shkëmbore, që pershkon Ura e Viadukte, e që zhduket
vazhdimisht një pas një nëpër 15 Tunelet, duke ofrue pamje të mrekullushme të
vendeve të Semmering-ut të mbulueme nga gjëlberimi i pishave.
SEMMERINGBAHN quhet në gjuhën e vendit – hekurudha e Semmering-ut, një mrekulli arkitekturore e përmasave botnore, e cila asht e lidhun në menyrë të pazgjidhëshme me emrin e arkitektit me origjinë shqiptare KARL GHEGA.
Hekurudha e Semmering-ut në kohën
e saj u cilësue si „kombinacjon në mes
gjenisë së Karl Ghegës, teknologjisë dhe natyrës“. E ndertueme 158 vjet ma parë, kjo hekurudhë, 41 km e
gjatë nga Gloggnitz deri në Mürzzuschlag, është e vlerësueme jo vetëm nga
vjetërsia e saj, por edhe se: në vitin 1854,
kjo vepër ishte hekurudha e parë malore e botës, gjë për të cilën u
vendos më vonë në 1998-tën në listën e veprave të TRASHEGIMISE KULTURORE
BOTERORE të UNESCO-S.
Kush ishte Karl Ghega – i njohtun
në arenën ndërkombëtare si CARL RITTER VON GHEGA?
Per ato që mund të vizitojnë
Venezian, po të kalosh nga Piazza San Marco nëpërmes nji sheshit të vogël, në
shetitoren Riva degli Schiavoni, përpara Hotel Danieli e statujës të Viktor
Emanuelit II, nepër Via Giuseppe
Garibaldi në Fondamenta Sant Anna,
gjindet Calle San Giocchino, në një qoshe të së ciles ka lindë
personazhi i shkrimit tim Carlo Ghega.
Kjo shtëpi e thjeshtë, e cila në
pajme të parë të duket si fasada e mbrapme e një kishe, ka në murin saj një
pllakë perkujtimore mermeri ku shenohet lindja e Cavaliere Carl Ghega-s.
Në këtë shtëpi me 10 Janar 1802
lindi mjeshtri me famë botnore i ndërtimit të hekurudhave Austriake, Karl
Ghega.
Karli ishte djali i vetëm i
oficierit të marinës Anton Ghega dhe Anna Pribish të cilët kishin edhe tri
vajza.
Simbas rregjistrit të pagëzimit të
famullisë San Pietro,me nr 34, në faqe 183: me 10 Janar të vitit të
bekuem prej Zotit 1802, u lajmërue lindja e Karlit, i biri i zotni Anton Ghega
djalë i Gasprit (Kaspar), Oficier i marinës dhe zonjës Anna e lindun Pribich e
bija e Gjergjit (Georg), grueja e tij e ligjëshme, i cili jeton në Fondamento
di San Giocchino.
Kumbara i pagëzimit: zotni Andre
Contuzzi i biri i Nikollës – oficiermarinet nga famullia e S. Giuliano. Mamija:
Aleksandra Longo. Spigarol di contrada. Prifti: Peter Lanza – Famullitar.
Kisha San Pietro di Castello në
ishullin Olivolo në Venezia ishte vendi ku u pagëzue me 10 Janar 1802 i
porsalinduni Karl Ghega, vend ku gjindej selia e banimit të Ipeshkvit të
Venezias.
Lidhun me ditën e lindjes të Karl
Ghegës nuk ka asnji dyshim në saktësi, por në arkivën e Shtetit Austriak, në
kartelën me të dhënat biografike të punës së Karlit shënohet 13 Korriku
1802 si dita e tij e lindjes. Nuk dihet se si mund të jetë ba nji gabim
i tillë pa u kuptue nga administrata, por historishkruesi i librit mbi hekurudhat Bruno Enderes hamendëson se dikur në vendet
kristiane, festohej dita e emnit më shumë se ditëlindja dhe shpesh
fiksohej si ditëlindjeje.
Familja e Karlit kishte si traditë
që prej disa gjeneracjonesh, marinen.
Paraardhësit e tij kishin shërbyer si oficerë të marinës në republikën e
Venezias. Baba i Karlit, Antoni ishte i oficier i teknikës në marinë dhe mbante
uniformën e k.k. Marinësluftarake. (Kaisertum Österreich und Königreich
Ungarn Kriegsmarine).
Sipas autorit Alfred Niel i cili
ka shkrue biografin e Karl Ghega-s në 1977:
prejardhja e familjes Ghega është nga Shqipëria. Kjo shpjegohet edhe me
kuptimin e fjalës Ghega në gjuhën shqipe,
spjegon Niel. Autori i referohet edhe priftit franceskan shqipëtar Dr. Phil.
Paulin Margjokaj, i cili ka jetue në Vjenë e që ndoqi gjurmët e prejardhjes së
familjes Ghega. Sipas gjurmimeve historike të tij, mbasi në 1478-tën Turqit
pushtuen Shkodrën, Venezianet u larguen nga qyteti i Shkodrës duke marrë me
vehte edhe shumë familje qytetare shkodrane që punuen për to. Të gjithë këto
shqiptarë kjene vendosun në një zonë të qytetit të Venizias dhe thirreshin nga
vendasit Gegët / Ghegët (në italishte Gh
mbasi ka një ton ma të fortë artikulimit).
Po kështu edhe studiusi dhe autori
i librit tjetër për Karl Ghegën – Wolfgang Straub, si dhe autorë të tjerë e
biografë si Gerhard Artl, Günther Dinhobl, Mihaly Kubinnszky, e lidhin
prejardhjen e familjes Ghega me Shqiperinë.
Qysh në moshën e fëmijnisë
Karletto-ja ishte një nxënës që pati rezultate të shkëlqyera dhe tregoj prirje
te vecanta në matematike dhe në ndërtimin e objekteve mësimore. Bazat
fillestare të mësimit ai i mori në familje ku dhe u edukue nën një disiplinë të
rreptë. I jati duke pa talentet e djalit të vetëm në mes të tri motrave,
vendosi të vazhdojë traditën familjare dhe ti japë atij drejtimin e oficierit
të marinës, por që Karli nuk e dëshironte. Kështu që në moshën 12 vjecare ai u
shkëput nga mësimet e marinës e me këshillen e mësuesve, në Kollegjin ushtarak
të Sant Annës në Venezia, vazhdoj kursin e matematikës dhe filosofisë të cilat
i mbaroj me sukses të vecantë. Qysh në këtë moshë Karli shihej nga të tjerët si
“koke e ndritun” dhe zotnonte gjuhën frange e po ashtu gjermanishten të cilën e
kishte gjuhën e nanës e cila vinte prej familjes Pribich nga Istrien në gjiun e
Triestes. Në moshën 15 vjecare ai mori Diplomen e “ licenziato Ingeniere e
architeto a pieni voti”. Për të ndjekun
prirjen e tij, në këtë moshë u largu nga
Venezia për në Universitetin e Padovë-s
ku filloj studimet 3 vjecare për Matematikë dhe shkenca të natyrës në
Janarin e vjetit 1818, direkt në vitin e dytë. Në cërtifikatën e regjistrimit
në Univërsitetin e Padova-s shkruhet: ka
mesue në kolegjin ushtarak të Sant Annës në Venezia këto landë: Arithmetikë,
Gjeometri, Trigonometri, Algjebër, Fizikë, Hidrologji, Pendëlteorie, Shkenca
mekanike. Edhe në vjetin e dytë të Universitetit ai arrinë që për 7 muej të
përvetsojë të gjitha leksionet, e në gusht të 1818 të kryej provimet vjetore
duke mbyllë krejt vitin universitar. Eshtë gati e pabesueshme të mendosh se
qysh në tetor 1817 ai frekuentonte përnjëhrë me Universitetin edhe një shkollë
private ” Inspezione centrale d´ Acque e Strade” në Venezia. Ecejaket në mes
Padovës dhe Venezias i krijuan mundësinë që teoritë e universitetit ti vente në
praktikë në Venezia ku hyri në inspektoriatin e Hidrologjisë dhe të Rrugëve si
nxënës praktikant. Ai ishte kërkues ndaj vehtes dhe duke pa rezultatet e larta
e të shpejta të tij, në periudhën e pushimeve verore, e pranuen në një kurs
arkitekturet në Accademia di Belle Arti te Venecias. Karli pervec se ishte
talent i orientuem nga shkencat e matematikës, pat edhe fatin që të merrte
mësime nga profesorë me famë botnore në shkencat e natyrës, si matematikani
Giuseppe Avanzini i cili ishte specialist në zhvillimin e fushës së Hydro e
Aerodynamikës, ose Giovanni Farini profesor i historisë së natyrës dhe
mardhanieve në mes Teknikës dhe Filosofisë. Mbas provimeve të 1918-ts ku mori
titullin Ingeniere Architetto tashma nën drejtimin e këtyne profesoreve shkencëtare, Karli mbylli
provimet e diplomës universtare me 11 qeshor 1819 me titullin Doktor në
Matematikë me të gjitha pikët dhe më fletë lavdërimi (a pieni voti e con
lode).
Në këtë periudhë nevojat për
ingjinierë ishin të mëdha e mundësitë për punësim të shumta. Karli nuk vonoj të
punësohej në administratën shtetnore, në sektorin e ndërtimit “Inspezione
Centrale d´Acaue e Strade” të Venezies si ingjinier, e pak kohë më vonë në
Departamentin e Ndërtimit të Rrugëve si vullnetar. Punimet e tij të para i
filloj në provinzën e Bellunos, ku po hapej rruga malore nga Pieve di Cadore
nëpër Cortina deri në Toblach. Si ingjinier i klasit të I, vazhdoj të punojë në
sektorin e ndërtimit të bashkisë së Trevisos e po kështu si ingjinier i
deleguem për të gjitha zonat e veriut të Italisë. Ai drejtoj ndërtimin e
rrugëve në Conegliano, Ceneda – Seravalle dhe rregullimin e lumit Po. Në të
njëjtën kohë ai merrej me planifikimin dhe projektimin e ndërtesave zyrtare
shtetnore si godinën e Bashkisë, Burgjet, Gjykatat, në Treviso. Për merita të
mëdha e rezultate të larta në punë, në 7 vitet e para të karrierës, ai u nderue
me 18 dekrete mirënjohje. Pervec punës së tij në terren, ai merrej me studime
teorike, që sollën si rezultat dy zbulime të randësishme për të cilat u dekorue
me dy URDHERA NDERI. Zbulimi i parë ishte NIVELLIERLATTE (shtyllën
niveluese) në vitin 1831 dhe i dyti në vitin 1833, NONIUS-IN (vegël që
përdorej për stakimin e harqeve)
Në tetorin e vitit 1831, në
ndarjen e cmimeve e ndërimeve për shpikjet në sektorin e industrisë, ai u nderue për zbulimet e tij me
medalien e argjëndit të “Cesareo Imperiale Regio Instituto Lombardo – Veneto
per le scienze, Lettere ed Arti”.
Me 1833 përfundoj studimin teorik
të Nonius-it dhe e botoj në librin “DELL´OTTANTE A DIOTTRA” që e bani të
njohtun edhe si autor librash të specializuem. Këte studim ai e zhvilloj më
vonë praktikisht në ndërtimin e hekurudhave.
Për të gjithë këto rezultate të
shkëlqyera punët, në vjetin 1836 ai mori një propozim nga banka Rothschild në
Vjenë, që të punësohej për 4 vjet në ndërtimin e hekurudhës “Kaiser Ferdinand
Nordbahn”. Ky projekt i ishte dhanë kesaj Banke nga kryministri i shtetit
Metternich dhe ishte projekti i parë hekurudhor në Austri. Kryeqytetit Vjenë i
duhej hekurudha që të lidhej me portin e Triestes dhe që të kishte një lidhje
me detin Adriatik. Përpara se Karl Ghega të fillonte punën në këte fushë u
dergue së bashku me një perfaqësues të Bankës Rothschild, të quejtun
Goldschmidt në një udhëtim njohjeje e studimi për hekurudhat në Gjermani,
Belgjikë, Francë, Angli dhe Amerikë. Gjatë këtij udhëtimi u njoh dhe u miqësue
me krijuesin e Lokomotivës, Georges Stephenson në Newcastle. U kthy në atdhe me
shumë njohuni e ide të reja e filloj punën si shefingjinier i segmentit
hekurudhor prej Rabensburg deri në
Brünn. Sektori që ai drejtonte, kishte 8 ingjiniere specialista, 16
mjeshtra ndërtimit e 16.000 punëtore. Për këtë sipërmarrje nuk kishte pasë një
tentative apo përvojë të mëparshme, gjithshka ishte premiere. Për Ghega-n nuk
ishte e qartë se me cfarë lokomotive do të përshkohej naltësia e Semmeringut,
Seilbahn (Lokomotivë me fije celikut), Lokomitivë me shtytje atmosferike apo
një Lokomotivë mbi parimin e forcës të fërkimit? Edhe vetë babai i hekurudhave
Stephenson ishte skeptik për realizimin e kësaj hekurudhe malore. Shumë
profesionista e quajtën projektin e Karlit
si “fantazia e një të cmendurit” e vetë atë një “sharlatan që po
shfarosë paret e shtetit”, bile u thirr në parlament një komision hetimit
kundër idesë se Karl Ghegës. Shtypi i ditës profetizonte me keqdashje që “ një nder 10 udhëtarë do të
shkojë në djallë”. As letra paralajmëruese e shoqatës së arkitektëve nuk e theu
kambënguljen e Ghegës për zbatimin e projektit i cili pat mbështetjen e shefave
të tij bile edhe të oborrit perandorak në Vjenë. Kështu u vendos në mbledhjen e
këshillit të ministrave të datës 1 mars 1849 që drejtohej nga vetë Kaiseri
Franz Josef I, që punimet e sapo fillueme në Gloggnitz të vazhdonin me përparsi
deri në përfundim. Në këte kohë ekonomia ishte në krise dhe papunesia ishte
shumë e madhe, prandaj ndërtimi i hekurudhës do të kishte një vështrim pozitiv
social në ndryshimin e mirëqënies së familjeve. Në fillim silleshin në
Gloggnizt nga Vjena me tren mijra punëtorë, por më vonë u krijuen nga nevoja
kampe të qendrueshme banimi për punëtorët. Për punën intensive e të panderprerë
në zonën e Semmeringut, nga kurshtarët e shumtë të asaj kohe flitej: “ato po
gërmojnë, thyejnë e plasin shkëmbij, rrezojnë diga dhe hapin rrugën e
projektueme përgjatë bllokut malor deri mbrapa malit, ku rruga harkohet tuj e
përpi gojët shkëmbore të tuneleve në mbrendësi e thellësi, ditë e nate, ditë
diele dhe festa, verë e dimën....”
Kështu u ba realitet ndërtimi i
hekurudhës malore së Semmeringut nën
drejtimin e Dr. Karl Ghegës, një vepër mjeshterore e paparë deri në atë
kohë, në lartësinë 437 metra (në Gloggnitz), e cila kalon mbi mure mbrojtëse solide, mbi rreth 100 urave
monumentale që përshkojnë luginat, shpesh edhe dy katëshe në mes masivit
shkëmbor të maleve e 15 Tuneleve, 16 Viadukte (një ose dykatësh), që ishin
kryevepra të artit arkitekturor për nga bukuria. Në 6 vjetet e ndërtimit u
lëvizën rreth 700 000 metërkub material shkëbmbore / gurë.
Tuneli kryesor i kishte gjatësinë
1430 metër dhe ishte në naltësinë 895 metër mbi nivelin e detit. Por zbatimi i
këtij projekti pat edhe veshtirësitë e veta. Mu në mes të prozesit intensiv të
punës në 1850-tën në mes të punëtorve u
përhap kolera nga ku vdiqën 300 punëtore. Aksidentet në punë nga shkarjet e masivëve shkëmborë apo shembje të
galerisë në Veinzettel i kushtoj jetën 13 punëtorëve. Megjithë pengesat e
mëdha, Karl Ghega arriti që të mbaj nalt rritmin e punës e kështu me datën 25
qeshor 1851 ai bani provën e parë të hekurudhës duke përshkue me lokomotivën
“Save”, në fillim gjatësinë deri në Payerbadh e mbas pak ditësh deri në Küb.
Krenar raporton Karli te ministri i tij Dr. Baumgartner që prova kaloj me
sukses dhe jam i lumtur që ma në fund besimi Juej tek unë u vertetue. Edhe
kundërshtarët e Ghegës pranuen dështimin e tyne.
Lindi nevoja e konstruktimit të
një lokomotive të përshtatëshme për këte zonë malore e për këtë Karl Ghega me
lejen e superiorve shpalli një konkurs nga 13 gushti deri me 16 shtatori 1851,
ku morën pjesë firmat më të njohuna të konstruksionit të lokomotivave në botë. Ghega vertetoj që ishte jo vetëm
mjeshtër arkitekt, por edhe njohës i mirë i teknikës së lokomotivave. Ai vendosi
që për hekurudhën e Semmeringut të përdorej Lokomotiva VINDOBONA .
Këtu u duk se mbaroj rruga e
mundimeve për ingjinierin arkitekt Karl Ghega i cili me 12 prill 1854 së bashku
me Perandorin Franz Josef I, përshkoj për herë të parë naltësinë e Semmeringut.
Disa ditë ma vonë ai shoqëroj edhe Perandoreshën e re Elisabet po në këtë
udhëtim.” Për arritje të shkëlqyera, ne punë, Karli u nderue me “ORDEN DER
EISERNEN KRONE 3. KLASSE” (urdhëri i kunorës së hekurt i klasë tretë) dhe ju
dha titulli RITTER (Kalorës / Cavaliere)
e Ritterkreuz des Leopolds Ordens (kryqi i hekurt i urdhërit të
Leopoldit). Tashma ai thirrej Carl Ritter von Ghega. Në të gjithë karrierën e
tij ai u nderue me këto tituj e medalje:
· Këshilltar Ministror e
Perandorak (1844)
· Qytetar nderi i Triestes dhe
Brünn-it
· Kommendador i urdherit të Franz
Josefit
· Kavalier (Ritter) i urdhërit të
kunorës së hekurt të klasës së III
(1849)
· Kavalier (Ritter) i urdhërit të
Leopoldit
· Kommendador i urdhërit të
Josefit në Toskanë
·U vendos në altarin e burrave të
mëdhej të kombit (1851)
Pervec karrierës të pakrahasueshme
si ingjinier dhe arkitekt, Karli pat edhe anën tjetër të jetës, atë private,
për të cilen nuk ka shumë të dhëna. Ai ishte në përgjithësi njëri i vetmuar,
kalonte një jetë të thjeshtë e pa pretendime. Ai banonte i vetëm në qëndër të
Vjenës, në Bashkinë e parë dhe i pamartuar. Respekti që patën kolegët e punës
për të shprehet me fjalët:ishte i dashtun me të gjithë, plot me humor, si në
ditët e vështira ashtu dhe në të mira, ishte ai që dinte gjithëmonë të kapërcente situatat e
vështira me humorin e tij shumë njerzor që paqësonte e freskonte këdo...Kjo
ishte bota e mbrendëshme e një njeriut me pikesyme të qarta në jetë e më besim
të plotë në aftësitë e veta. Megjithë nderimet që ju banë atij, në shkrimet e
ndryshme për te nënvizohet me forcë
fakti që mbas mbarimit të hekurudhës, ai u keqtrajtue e u la në harresë
nga institucionet qëndrore të shtetit, gja që solli deziluzion në
personalitetin e tij e si rezultat sëmundje e depresion. Atij ju rishfaq
semundja e vjetër e mushknive që i kushtoj edhe jetën. Në këtë kohë të
papërshtatshme për te e “transferuen për punë” në një zonë të largët sic ishte
Siebenbürgu (vënd afër Detit të Zi). Ai vdiq në moshën 58 vjecare, i lënë në
harresë dhe i anashkaluem nga opinioni.
Me vdekjen e tij qarkulluen shumë fjalë për një vetëvrasje. Edhe në librat e shkollave deri në vitet 60, fundi i jetës se tij shihej si suizid (vetëvrasje). Pat edhe autor si Richard Mauterer që në librin e tij mbi historinë e hekurudhës së Semmeringut (Richard Mauterer: Semmeringbahn – Daten, Fakten, Propaganda. Signale-Verl., Wien, 1990), në faqen 157 pohon vetëvrasjen e Ghegës. Kësisoj supozimesh pat edhe në Itali. Në të vertetë egziston në arkivën e famullisë së Shën Stefanit, në rrugën ku ai banoj, skeda e vdekjes së tij. Aty pershkruhet qartë nga famullitari i Katedrales, i cili i dha shërbimet e fundit fetare, që ai vdiq me 14 mars 1860, në orën 1 mbasdreke, në apartamentin e tij në Rotenturmstrasse 6 mbasi mori të gjithë sakramentet. Shkaku i vdekjes: Tubërkulozi i mushkënive.
Dy ditë ma vonë kufoma e tij u dërgue nga Katedralja e Vjenës ku ju ba shërbesa fetare, në varrezat popullore të Wahringer-it ku ishin edhe Beethoven e Shubert të varrosur. Varrimi u ba në prani të tri motrave të tij (Theresia Centinari, Angela von Salviolo e Josefine Ghega) dhe të shumë miqve e bashkëpunëtorve të tij. Në vitin 1887, me krijimin e varrezës qëndrore të Vjenës, eshtrat e tij u transferuen në një varrezë nderi në parcelen e figurave ma të nderueme të kombit.